back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Deti i hartimeve të mia – tregim nga Xhabir Tabaku

Gazeta

Deti si një ëndërr..
Deti si një ëndërr..

Deti i hartimeve të mia

tregim nga Xhabir Tabaku

…Kur isha në shkollën fillore, kisha një mësuese që më donte shum. Përherë, javën e parë a të dytë të shkollës, na jipte hartim me temë rreth pushimeve verore. Ne na duhej me e trajtue artistikisht temën diku në dy faqe dy faqe e gjysë fletoreje. Çdo vit un përshkruaja nji plazh që s’e dinte asnjë, diku nga Fieri ku unë kisha të martuar një hallë. Mësuese Silva ishte e dashuruar pas hartimeve të mia ndaj përherë më nxirrte në tabelën e zezë me e lexue me za, si hartimi ma i bukur rreth pushimeve verore. Ndoshta nuk ishte shkrimi im aq sa ishte plazhi që përshkruaja unë që entuziazmonte mësuesen time. Në shkrimin tim sigurisht që përfshija edhe fëmijët e hallës. Veçoritë e tyre mundohesha me i ba sa ma të dukshme e të veçanta. Ndoshta ata ishin shokët që andrroja me pasë e nuk i kisha. A ndoshta ata, halla dhe plazhi ishin vendi që zgjidhja të shihja pasi te arratisesha nga vendi kur të rritesha dhe pak. Diçka kishte lidhje me ujin. Ishte uji ai me te cilin isha në dashuri e jo në të vërtetë plazhi. Uji i Kirit, Bunës, Drinit apo Shirokës. Ja kjo ishte skema ime e thjeshte e shkrimit për dy a tre vjet me radhë. Në mbarim të vitit, kur nana jeme erdh me marrë dëftesën, Silva e përgëzoi atë për punën e mirë që bënte me mua dhe që me dërgonin çdo verë te halla në plazh. Xhabiri e adhuron ate grua i tha ajo nanës për hallën time. Edhe fëmijët e sajë kanë një rol të randësishëm në formimin e tij. Nëse ky vazhdon kështu thoshte mësuese Silva, patjetër që dikur do lexojmë librat e tij të botuar fliste ajo plot entuziazëm si kotele e llastuar me sytë plot shkëlqim e zjarr duke pa nga un. Nana ma shtrëngonte dorën ndërkohë që mësuesja fliste e fliste për mua… Pothuaj ma këputi. Çuditesha si nuk ia dalloja shtrëngimin e nofullave të sajë. Kur mbaroi mësuesja, nana e pyeti nga e dinte ajo tërë ketë histori. Duke buzëqeshë, ajo tha se hartimet e mia i kishte në mend fjalë për fjalë…
.
Cinque Terre - Bregdeti Ligur
Cinque Terre – Bregdeti Ligur
Nuk i dija fjalët fiktiv, fiction etj atbotë. Rrencak, ishte çka më sillej në mendje tërë kohës derisa dolëm jashtë e nana më pushtoi fort e më përshpëriti në vesh: – Shpirti i nans!… Qeshë duke të puthë në sy të mësueses. Uh! – nuk kish qenë rrenë kjo punë si ma spjegoi nana. Ishte mënyrë e të shkruarit tha ajo e më pru disa emra shkrimtarësh që shkruanin në atë stil. Pak a shum Jules Verne më tha ajo duke i shkuar buzët nga veshi në tjetrin prej entuziazmit. -Tash që ti e ke ndërtue plazhin dhe ambjentin e mrekullueshëm për vete më tha ajo, mos përto e shko në lum a liqen përditë gjatë verës se të duhet noti dhe rrezet e diellit. Mendo diçka për mësuese Silvën po të pa gjëkundi! – foli ajo plot gaz. Mbas së katërtës, Silva kreu me mua, mësuesja ime e re ishte Landi. Landi e dinte që un shkruaja hartime të bukura me ngjarje të paqena. Ia kishte treguar mësuese Silva. Ajo e nana kishin kohë që flisnin me njëra-tjetrën për shkrimet e mia. Ma vonë ajo më pat kërkuar të vazhdoja të shkruaja pa ia nda. Ndoshta do dalë nji libër i bukur me aventura për fëmijë tha ajo duke më buzëqeshë e duke më përkëdhelë kokën. Edhe un buzëqesha tashma i bindur se nuk kisha gënjyer hartimeve. Asnjëherë nuk pata shkruar në ndonjë hartim që pushimet verore i kaloja në segmentin Va Dejës – Qafa Laç duke ndihmuar babën tim punëtor në ndërmarrjen e mirëmbajtjes rruga-ura…
Duke shtruar çakullin e kuq gropave të rrugës, shkroja më mendje ditët e bukura në plazhe që nuk ekzistonin, për hallën e për fëmijët e saj të pa qenë.
Kurr nuk kam kënduar bukur, por përditë rrugën nga Qafa Laçi në Va të Dejës e bënim me këngë me babën. Ai ishte i ndjeshëm, e kur më shihte ashtu të nxirë dielli e të rreshkur fytyrë, me sy të lagur me thoshte që kur të rritesha do kisha mundësi me i pa krejt plazhet e mia të fantazuara… Baba kishte za shum të bukur. E dalloja dasmave të të afërmve kur këndonin, por kur këndonte me mua edhe ai këndonte keq si un.
Xhabir Tabaku, më 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.