back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 20 Dhjetor, 2024

Vdekja e nji Poeteje si përjetsi e zhgënjimit Jozef Radi

Gazeta

Lazër Radi - Zhaneta Ogranaja - Klara Kodra
Lazër Radi – Zhaneta Ogranaja – Klara Kodra – 1995

Vdekja e nji Poeteje si përjetsi e zhgënjimit Jozef Radi

Nuk asht ma nji prej grave me shpirt proteste, nji prej zonjave me shpirt lirie, nji prej poeteve që e ngiti zërin në nji qiell të shurdhët, një nënë që u dënua, që u poshtnua, që u burgos për mendimin e lirë dhe vargjet e saj të guximshme… Zhaneta Ogranaja… ajo ishte nji grua, nji nënë, nji poete, po nji poete që iu desh të protestonte në të gjitha kohrat… e që prej sot zani i saj ka me pasë veç jehonën e fjalëve të saj ndër ne… asgja ma shumë…
Zhaneta Ogranaja e vuejti edhe diktaturën edhe postdiktaturën, bile shpesh ndër bisedë me të, ajo e kish humbë edhe sensin e diferencës midis dy kohnave, sepse thoshte: “Ajo kohë ishte e ndyrë, po ti ndjeheshe krenar që s’pajtoheshe me të dhe luftoje, kurse kjo kohë  është jo më pak e ndyrë po s’të jep as kurajo të përplasesh me të!”
Nuk e di se sa të drejtë mund të ketë pasur Zhaneta Ogranaja në kët thënie të saj që ma përsëriste shpesh, po di të them se në disa vizita që i kam bà asaj në dhomën kthinë te Shkolla e Partisë, mund të them se jetonte në kufijtë e tmerrit…
Zhaneta Ogranaja ishte poete e ndjeshme… që me shpirt e deklamonte luftën e saj me padrejtësinë… Edhe pse jeta kishte qenë e pamëshirshme me të… ajo ishte mëshiruesendaj gjithë shkaktarëve të së keqes së saj… Kishte provue gjithçka të errët e të zymtë prej saj: burgun, interrnimin, poshtërimin, braktisjen… po shpirti i saj kishte mbetë andrrues, lirik… e krejt në kontrast me pësimet e jetës, ajo vazhdonte të besonte te pushteti i fjalës dhe i lirisë së mendimit…
Sigurisht, ajo ka marrë me vete trefish zhgënjime jo vetëm si njeri, jo vetëm si grua dhe nënë, jo vetëm si e përndjekur, po edhe si poete që kurrë s’gëzoi as minimumin e paqes që meritonte mbas gjithë psimeve dhe asaj jete të rrënuar…

“Po iki prap, me zhgënjim për gjithçka
nga politika, demokracia dhe miqtë
nga smirëzinjtë, që shtiren si shpëtimtarët e mi,
nga ata që me të keq ma kanë mua dhe Shqipërisë…”

Sigurisht kjo ishte edhe kredoja e kësaj gruaje poete dhe luftëtare, që e mbajti mbi shpinë kryqin e padrejtësisë së të gjitha kohrave, që i doli ballas së keqes, hipokrizisë dhe mashtrimit, dhe që gjitha kohrat për të mbetën diktaturë… sepse për të liria pa asnji të drejtë s’asht liri… por nji mashtrim i madh me të cilin s’duhet të pajtohemi!!!
Në parathënien e nji libri të saj ajo shkruan për veten duke nënvizuar këto fjalë “Karrierës sime letrare i kanë zënë çdo shteg, bile me pusi të shëmtuara dhe banale, misterioze, me akuza të verbra, duke më rrasur burgjeve: nga burg shtëpiak, në burg social dhe doemos, në burgun shtetëror…”
Poetja Zhaneta Ogranaja, prej sot nuk asht ma mes nesh, asht fryma e lirisë që ajo kishte në shpirt, asht andrra e saj për nji botë më të mirë dhe ma të drejtë, asht zani i saj i protestës ndaj së keqes që po e ka gjithnji vështirë të trupzohet ndër ne…
Zhaneta Ogranaja do të kujtohet gjithnji si poete e protestës dhe e zhgënjimeve. Vdekja e saj, s’do të dëshmojë asgja ma shumë se përjetsinë e zhgënjimeve të saj…
Zhanetë, i lehtë të qoftë dheu i kësaj toke që të fali kaq shumë vajtime…
06 shtator 2013

Zhaneta Ogranaja (1938-2013)
Zhaneta Ogranaja (1938-2013)

Dy poezi nga Zhaneta Ogranaja

Rrëfim për një fotografi

Unë, si bimë vetmitare në shkretëtirë
Kur jeta tani, për tmerr po më thahet
Pa asnjë gëzim, pa asnjë hov të dlirë
Më ikën koha si ujë përroi e s’di të ndalet

Në këtë botë të trishtuar pa lumturi
N’dhomën time vendosa një fotografi: Azalenë
Qenia e saj t’më shërojë plagët që kam në gji
Të bëj mbretërinë e dashurisë vetëm mos e lëmë

Azalea,
si diell rrezeartë ndrit nga fotografia në dhomë
Dhe, bukuria në plotësi seç shfaqet tani
Më dhuron paqe, pothuaj përgjithmonë
Brengat m’i tret me atë rini, me atë bukuri

Shpëtova nga vetmia, ajo u bë fir
Ajo vashëz sikur më hedh vështrime
të dhimbsura kur më bën shoqëri mua
Në këto hidhërime, ajo ashtu rinore,
siç është më kupton mua në kët errësirë
M’shëron plagët kur më dhuron buzëqeshjet e saj,
sikur më thotë: Erdha se të dua!

Azalea, si një pranverë e lulëzuar, e blertë
Ka mbirë në dhomën time sot
Me ndjenjën që quhet jetë
Me ndjenjën që quhet dashuri vlerë-plot

Këtë zjarr të dashurisë që m’është shuar
Ja ku po ua them, e ndezi një fotografi
Prandaj nuk jam, siç isha, e trishtuar
Azale, në dhomën time të varfër, të thjeshtë, në terr,
një yll i hijshëm, i ndritshëm më je ti

Elegji e përjetshme: dashuria

Një vaj i madh është dashuria. Një rënkim
Sepse, pranë fati, si rivalitet, hakmarrësin të afërm ta sjell
Për gjithë raport intime në botë unë kam ankim
Diçka tragjike, partneri rival, të ndjell
Partnerët sodit dhe flas me veten time

Ata që në emër të dashurisë na kanë shoqëruar
Ndërmend më sjellin trofetë e privilegjeve, gëzime
Ndërmend më sjellin, ndërkohë, edhe privimet,
edhe hajdutëritë për tjetrin në fatin e shuar

Të vë gisht mbi ndonjë, ndërsjelltas, jo nuk di
Pabesia, dashuria, na godet veshin si elegjia
Sa gjatë e gjerë sundon në çdo magji e pusi
Brigjet e fatit sundon dashuria-padrejtësia

Fora tërë kundër shpirtit pafajësi
Dlirësi e virtyt, bukuri tok
Hidhen me dufin e zjarrtë pabesi-zili
Shtypësit, shfrytëzuesit, si flamur triumfi në botë
(Viktima, flamur-kapitullimi, kot)

Pak humor në kujtim të Zhaneta Ogranasë

Zhaneta, ishte mike e shtëpisë sonë dhe ndodhte shpesh që në takime, mbledhje diskutime, ajo të ishte aty mes nesh… N’at kohë kishte ardhë nga Amerika nji prej Familjes së Mërrnaçajve… i quejtun Pjetër Mërrnaçaj. Dhe në oborrin e shtëpisë po bahej nji diskutim i ndezun mbi botimin e nji libri. Zhaneta disa herë e mori fjalën dhe ndëras fliste drejtohej nga babai dhe i thoshte: “Apo jo zoti Pjetër!” Babai me qetësi ia kthente… “Jam zoti Lazër, nuk jam zoti Pjetër! Zhaneta qeshte, kërkonte falje dhe biseda vazhdonte. Sa herë e merrte fjalën ajo kur e çonte afër mbylljes vazhdonte duke iu dretjuar tim eti: “E kemi biseduar kët gjë edhe me ju zoti Pjetër!” Prap me qetësi im atë ia kthente: Të thashë nuk jam Pjetri, jam Lazri… Zhaneta përsëri qeshte dhe kërkonte falje dhe biseda vazhdonte… E përsëriti edhe të tretë herë edhe të katërtën lazri gjithi i rrinte gati dhe e korigjonte… Mbas shumë herësh kur Zhaneta i tha “Apo jo. zoti Pjetër!” Lazri siç ishte ashtu i qetësihumbur  shpërtheu “Pjetri i fesë sat ame, a more vesh! Kam dhjetë herë që po t’tham se jam Lazri!” Zhaneta e befasueme lshoi nji Uaaaaaa kilometrike… Po më fal, po unë s’e bëra me qëllim, zoti Pjetër…
Aha… i tha Lazri… dhe plasi nji e qeshun që askush s’mund ta ndalte…
mars, 2011

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.