back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Idetë maziniane të Ivanajve të shprehura në gazetën Republika – nga Pertefe Leka

Gazeta

Mirash Ivanaj i ri (1891-1953)
Mirash Ivanaj i ri (1891-1953)

Idetë maziniane të Ivanajve

të shprehura në gazetën Republika

nga Pertefe Leka

Programi i numrit të parë të “Gazeta Republika”

Për të arritur synimet e saj gazeta “Republika” do të luftonte me këtë program të shpallur qysh në numrin e parë të saj.
1.Shkolla fillore dhe e mesme vetëm në dorën e shtetit.
2.Organizimi i drejtësisë mbi themele të reja në të gjitha drejtimet, që së bashku me shkollën ishte më i larti në funksionimin e shtetit modern.
3.Riorganizimi dhe përbashkimi i administratës, përjashtimi i të huajve prej saj dhe marrja në punë i njerëzve kompetentë me shkollim të kryer pa njolla politike e shoqërore. Zhdukja e spektaklit të turpshëm të nepotizmit si vijim i një trashigimi oriental për dëm të madh të popullit shqiptar.
4.Eleminimi i tatimeve direkte, kryesisht i së dhjetës dhe zëvendësimi me një tatim më progresiv mbi tokën.
5.Ndihmë e lehtësime për çdo veprimtari e iniciativë industriale.
6.Ndihmë dhe lehtësim veprimtarie për tregtinë e brendëshme dhe të jashtme.
7.Punimi i rrugëve moderne për lidhjet e brendshme dhe ndërkombëtare.
8.Shfrytëzimi racional i nëntokës dhe mbitokës.
9.Rishpërndarje e pasurisë së madhe (feudale) si dhe i shpronësimeve në favor të shtresave të varfra të popullsisë.
10.Të ndarit absolut të çfarëdo feje nga shteti, shkarkimi i klerit nga të gjitha aktet civile dhe kalimi i tyre në funksion të shtetit.
11.Ndalimi absolut dhe i përgjithshëm prej të gjitha zyrave, dhe prej çdo fushe të veprimit shtetëror i ministrave të feve e të sekteve fetare.
Drejtori juridik i gazetës Prof. Dr. Mirash Ivanaj
Shkodër, 24.10.1923
.
Mirash Ivanaj në bibliotekën e tij...
Mirash Ivanaj në bibliotekën e tij…
***
Pak metra larg sheshit Vilson ndodhet “Rezidenca Ivanaj”, ku është instaluar “Fondacioni M&M Ivanaj”, në të cilin punohet me staf të kualifikuar për të ndriçuar gjeneratën e re me idetë progresive bashkëkohore, e për të vazhduar rrugën e ndjekur nga vëllezërit Ivanaj, si mazzinianë të vërtetë me moton: “Patriotizmi si një detyrë dhe dashuria për atdhe si një mision hyjnor…!” G. Mazzini.
Në kulmin e energjive intelektuale, me një formim të përgjithshëm e me besim në vetvete, për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare, Ivanajt preferuan publicistikën për të shfaqur lirshëm dhe fuqishëm mendimet e tyre politike dhe shoqërore.
Kur ishin studentë në Romë, ata kishin rënë në kontakt me idetë republikane, kështuqë ata u bënë partizanë të këtyre ideve dhe adhurues të republikanit të shquar dhe personalitetit e liderit italian, Giuseppe Mazzini.
Thirrjes së Nikollë Ivanajt, mbasi ai kishte blerë një shtypshkronjë modeste, iu përgjegj pa asnjë hezitim Mirashi, edhe pse ishte në përgatitjen e Laurës. Çeshtja e botimit të një gazete në Shqipëri, përmes vështërsive të kohës, ishte diçka që duhej kapërcyer me guxim. Kështu Ivanajt arritën të nxirrnin në Shkodër, me 24 Tetor 1923, numrin e parë të gazetës “Republika”. Me termin Republikë nis edhe fillimi i një lëvizje, që rridhte nga idetë demokratike për një trajtë regjimi që sipas shprehjes së Ivanajt: “Të të gjithë klasave që përbejnë një shtet” Puna që bënte, Mirashi, si drejtor ideor dhe juridik, si autor i mjaft artikujve problemorë të kohës, po edhe si radhitës, redaktor, korrektor e deri punëtor shtypshkronjë u realizuan me sukses.
Gazeta doli me divizën e huazuar nga Mazzini: “Republika, e vetmja trajtë ligjore dhe logjike qeverimi!”, ku rriheshin problem të botës shqiptare. Aty botoheshin edhe artikuj të Martinit dhe të Nikollës, të cilët së bashku kishin shpalosur idetë e shqiptarizmit. Edhe në rrafshin e përgjithshëm politik, Ivanajt u treguan të rreptë në drejtim të krijimit të një stabiliteti politik sipas ideve republikane, për një shtet që të operonte me ligje të forta, të përshtatshme dhe të qëndrueshme ndaj fenomeneve të kohës: “Shqypnia ka nevojë për një trajtë të qëndrueshme qeverimi…” që të shfaqet bashkimi ma i plotësuem i popullit pa dallim feje e krahine.
Martin dhe Mirash Ivanaj pas studimeve dhjetëvjeçare në Romë dhe si studiues të mirëfilltë në jurisprudencë dhe letra, u kthyen në Shqipëri, me një bagazh njohurish, dhe ideshë progresive, për t’i aplikuar në vendin e tyre shumë të prapambetur krahasuar me vendet e tjera të Evropës. Vetë termi “Republikë” besoj se dëgjohej për herë të parë në Shqipëri dhe shënonte fillimin e një lëvizjeje, që rridhte nga idetë demokratike për një trajtë të re regjimi, jo vetëm prej një ose të disa njerëzve, por sipas mendimit të Ivanajt, të të gjithë klasave. Sipas teorisë së Mazzinit, ai kërkonte bashkëpunim klasor, dhe ishte kundërta teorisë marksiste të luftës së klasave. Mazzini qe i pari që e ndjeu rrezikun që u kanosej popujve nga doktrina marksiste. Ai e konsideronte Marksin, “Sundimtar absolute të Partisë”, i vetmi që jep urdhëra, që nuk toleron asnjë kundërshti, që mbjell më shumë urrejtje se dashuri te njerëzit.
.
Vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj
Vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj
Republikë, sipas Ivanajve, do të thotë kombëtari e papersonalizuar tek një njeri i vetëm, do të thoshte atdhedashuri jo e personalizuar në një sekt, apo në një krahinë, do të thoshte atdhedashuri që nuk përkulet para armikut, atdhedashuri që nuk shitet, atdhedashuri ku do të mësohet si mund të luftohet për Atdhe në fushën e betejës…
Si mazinian Prof. Ivanaj idetë e tij progresive për unitet kombëtar i shihte në forcimin e shtetit në tri hallkat kryesore e të pandara, që janë: Ushtria, drejtësia, shkolla. Për t’i arritur këto objektiva, Ivanajt vendosën në vendin e parë kërkesën për shkollimin e popullit shqiptar sipas programeve dhe metodave të shkollës laike, publike të vendeve të përparuara të botës. Shkollimi, sipas Ivanajve ishte i vetmi mjet për të bashkuar shqiptarët. “Pa shkollën e shtetit, në duart e shtetit e kontrollueme prej qeverisë që me të vërtetë e ndien përgjegjësinë e akteve të veta, një shkollë në të cilën besimet do të hyjnë vetëm sa i përkasin historisë e jo të marruna si bazë ekskluzive të një morali te caktuar…” Ai kërkonte organizimin e një diskutimi akademik mbarëkombëtar, në të cilin të detajoheshin idetë maziniane: “Mendim dhe veprim” kur shkruante: “Na jena për dijen, na jena për përparimin, na jena për edukimin e vërtetë, na jena për veprim, për punë, për jetë: Don me thanë se na jena për shkollën e shtetit…!”, “…Tue marrë parasysh tri ndamjet fetare të Shqipnisë, vetëm nji shkollë e vetme për të gjithë shqiptarët, do të siguronte njësinë kombëtare”. “Si për tanësinë tokësore të shtetit, ashtu edhe për tanësinë kombëtare, çashtja e shkollës xen të parin vend për kët qëndresë mprojtje, nji vend shumë ma të naltë se ushtria a se drejtësia!”
Edukimin e popullit, e vështronte si faktorin kryesor të ecjes së sigurt drejt zhvillimit dhe përparimit të vendit nëpërmjet shkollës kombëtare të siguruar me ligj, të mbështetur në traditën shqiptare dhe të ushqyer me patriotizmin shqiptar”. Si Iluminist, i vetëdijshëm për vlerat e dijes e të shkencës në përparimin e shoqërisë njerëzore, ngrihet kundër dogmave mesjetare të fesë, kundër vënies së interesave fetare mbi ato atdhetare, prandaj kërkon ndarjen e shkollës prej besimit fetar.
“I vetëdijshëm se qëllimi i shkollës në një shtet modern nuk është kundërshtimi i fesë… Tri hise të nji populli, që flasin një gjuhë dhe e kanë një kalesë të vetme dhe të vetmen dëshirë të sotmen dhe të nesermën, – do të bashkohen si anët e nji piramide?! S’ka dyshim: asht ndiesia kombëtare që asht e fortë dhe ma e shejtnueshme prej fenave, sepse ajo asht nji e vetmja për të gjithë popujt historikë.” Kjo e shtyu drejt reformës arsimore që përveç orientimeve pedagogjiko-shkencore të personelit mësimdhënës, kërkonte ta forconte dhe ta mbronte shkollën shqiptare nga influencat e huaja fetare dhe shoviniste siç ishin përhapur në atë kohë shumë shkolla të minoritetit grek në jug. Kështu veproi në Gjimnazin e Shkodrës ku e zgjeroi rrethin e studentëve edhe nga Kosova e Çamëria, për t’i dhënë shkollës shqiptare karakterin kombëtar, nga e cila do të vinte edhe bashkimi në drejtim të qytetërimit perëndimor nëpërmjet një rinie të shkolluar dhe të çliruar nga paragjykimet e kohës.
Një arsim i detyruar, i orientuar shkencërisht nga ai bashkëkohor ishte udhëtimi më i mundshëm që do ta çonte Atdheun tonë në rrugën e emancipimit drejt Evropës dhe ta vendoste Shqipërinë krahas vendeve të zhvilluara.
Programi i Mirash Ivanajt shpallur te gazeta “Republika” 24 Tetor 1923 me 11 Pika ishte zbatim i teorisë revolucionare të Mazzinit në luftën politike që ndihmonte në përcaktimin e lëvizjes moderne evropiane për demokraci popullore në një shtet republikan, me të drejtë duke ia përshtatur kushteve aktuale të vendit. Ivanajt me idetë e tyre progresive, vazhdojnë të ndriçojnë të ardhmen europiane të kombit shqiptar. Në bashkim, në mision, e në përparim, tri sende të lidhuna njena me tjetrën dhe të cilat politikisht shpjegojnë krijimin dhe të kenunit e njeriut, asht fuqia e nji populli, fuqia qi ai fiton e siguron çdo përmirësim…” M. Ivanaj Gazeta Republika, Shkodër, 21.3.1924. nr. 20

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.