back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Si u njofta me Martin Camajn – nga Primo Shllaku

Gazeta

Poeti Primo Shllaku
Poeti Primo Shllaku

Si u njofta me Martin Camajn

nga Primo Shllaku

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit n’për qiell.
martin camaj
Deri në fillimet e vjeteve ’90 nuk kisha marrë ende në dorë qoftë edhe nji varg të Camajt.
Gjatë vjeteve të shkollës së naltë 1966-1970 asnjiherë e askush s’na e kishte përmendë Martinin as për kureshtje, as rrethue me atë tisin e zi të kundërshtarit, as me ironinë e cinizmin, me të cilin përmendeshin ndër leksione figura të artit jozyrtar. Rreth qenies e veprës së tij nji heshtje e plotë, nji mosllogaritje e plotë, nji vorrosje në beton si ndër filmat për mafien, ku drejtsisë, për me gjetë provat, i duhej me shembë nji qytet miliardash të posandërtuem. Kisha ndigjue në shtëpinë time vargje të tillë si: Lahuta pushon në tra/ pse mixha vdiq ka mot/ e nipat s’dijnë me i ra.
Kujtoja se kta vargje, gjithsesi përshtypës, ishin të ndonji poeti të Mbasrilindjes dhe, ndoshta, për faktin se më dukeshin pak si heroike, ashtu me “lahutë” e me “mixhë” siç ishin, nuk qeshë ndalë kurrë me pyetë se cilin kishin për autor. Vonë, me hapjen e Shqipnisë e me qarkullimin e veprës së tij, saktsova autorsinë e vargjeve të masipërme dhe fillova zbulimin e veprës së tij.
.
Djaloshi Martin Camaj
Djaloshi Martin Camaj

Takimi im i dytë me poetin

Nëse nuk më rrenë kujtesa, në fillim të verës së vjetit 1978, bâheshin zgjedhjet administrative dhe ne, msuesve, na u dha urdhni i premë me fjetë në fshat për ndihmë që të zhvilloheshin sa ma normale zgjedhjet. U caktova me detyra në shkollën e Prekalit, ku edhe shërbeja prej 4 vjetësh. Shkolla ishte qendra kryesore e votimit. Prekali ishte fshat i vogël e lista e votuesve nuk i kalonte të 70 vetët.
Punët i kreva shpejt, e atë të shtunë mbasdite, i vetëm siç isha nëpër shkollë, nuk po më ecte kurrsesi ora. Kutitë e votimit ishin vendosë në drejtori që ishte dhoma ma e rregullt e ma e mobilueme. Çukurmoja poshtë e nalt tavolinës, kalova te raftat që mbanin arkivën e amzat e shkollës. Regjistra të mdhej, me cepat e tutluem, të përthyem e të zverdhun prej kohës, mbanin mbi ballinë nga nji katror të rjepun letre dhe nji katërshifërsh me numra vjetësh.
U ngjita ndër vjete dhe u ndala te 1947, vjeti kur kisha lé unë. E mora në dorë dhe e shfletova. Lexova disa emna nxansish t’asaj kohe, nji pjesë e të cilëve ishin të mdhej në moshë dhe njofta disa prej tyne. Vjeti 1947, kishte qenë vjeti i hapjes së shkollës së Prekalit. Shënimet në amzë ishin të bame me penë metalike e me bojë të blertë. Dhe kudo nënshkrimi ishte M. Camaj. Pa zor konstatova se shkrimi në regjistër ishte i nënshkruesit.
Më la përshtypje se shkrimi ishte bukurshkrim. Nji shkrim i gjanë, i rregullt, i qetë. Ndonji larzim stoliste shkrojat e mdha si “P”-n ose “S”-n, kurse tjerat ishin të thjeshta, standart, sidomos të voglat. Dallohej kjartë se të zotin e shënimeve, të shkruemit nuk e lodhte, përkundrazi ndihej epshi prej balerine i penës së tij që kalonte nga shkroja në shkrojë pa ndërpremje, pa njoftë ngërç a ngurrim. I tërhequn fillimisht prej bojës së blertë të shkrimit e mandej prej sqimës gati prej zonjushe të shkruesit, bana lidhjen se ky M. Camaj duhet t’ishte msuesi i parë që kishte hapë shkollën në fshat. Ma vonë mora vesht prej prekalorëve se Martini kishte hapë shkollën i pari në fshat dhe se vjetin e dytë, sëbashku me nji prekalor moshatar, të birin e Gjelosh Kushit, kishin dalë “komitë” në malin e Cukalit, kishin ndêjë atje disa javë dhe mandej kishin “thye” kufinin e kishin… “humbë”.
Në kët çast që po flas, unë s’njifja as edhe nji varg të Martinit, bile s’mbaj mend se e dija as për vjershtar.
.
Në shtëpinë e Camajve në Temal
Në shtëpinë e Camajve në Temal

Takimi im i tretë me poetin

Kohëdreke i nji dite fillimprilli, andej kah fundi i vjetëve ’70. Kisha mbarue msimin (gjithnji në shkollën e Prekalit) dhe, mbasi kalova urën mbi Kir, dola në rrugën e madhe për me pritë makinë. Te nji patalok i vogël që i sillte shpinën erës, e ulun mbi nji gur rrasik, po rrinte Mrika. Në të zeza prej nji jazi të rishtë, me duert e vendosuna mbi prehën e shaminë e shtrëngueme fort për krye që lente të shquhej kafka e saj e imtë, ajo po rrinte e palvizun, me sytë e hjedhun kah ajo copë rruge e drejtë që mbaronte te kthesa. Sa më pa, u ngrit e, me dorën e majtë të vendosun lehtsisht diku midis barkut e zemrës, më përshndeti me nji të shtrënguem dore. “Çfarë po ban? – e pyeta. Po nxehesh në diell?”
U ula edhe unë pranë saj e zumë bisede. Në nji shêj kohe, pa kurrfarë lidhje me rrethanën e fjalët paraardhëse, më thotë: “Kam pasë edhe unë nji vlla msues, bash n’atë shkollë ku je ti.”.
“Ku âsht tashti?” – e pyeta me interesim.
Çoi dorën e thatë, e tundi në erë, nji ngashrim i zbutun ia tundi gjoksin, fshiu instiktivisht hundën dhe e uli dorën përsëri mbi gjû. Hodhi vështrimin te rruga dhe kryet iu drodh lehtë. Ajo kishte marrë pozën e vet fillestare. Gjymtyrët e saj u palitën edhe nji herë mbi njena tjetrën, a thue se eshtnat e saj ishin të lakueshme. Në atë pozën e vet të papritun por hijerandë, ajo m’u duk nji sfinks i vogël shtëpiak, i butë e paqsor, por tmerrsisht i pazbërthyeshëm. Rashë në heshtje të gjatë. Me ton zani të studjuem e me butësi e ngacmova prap:
“Ku ndodhet tashti ai njeri?”.
Grueja doli prap prej gjendjes së saj të mpimjes, shlidhi duert, më pa në sy e më buzëqeshi me pahir, tue zbulue dhambët e saj të rrallë e të rralluem.
“Âsht i humbun…” – tha pa e shue buzëqeshjen, “i humbun…”. Dhe tundi përsëri dorën e thatë në erë.
“Si? Si?… I humbun?” kambëngula pa dashtë m’e lanë që të mbyllej edhe njiherë në at qëndrimin e saj prej sfinksi. Rrudhi buzët e u mundue të me skjaronte:
“Paj, i humbun, veç… i humbun për vedi…”
Dhe, si të zgjohej e alarmueme se kishte folë ma shumë se duhet, u çue në kambë, shtroi me duert kërcitëse rrobet e saj të zeza, u fal me mue e hyni te shtegu që e çonte te shpia.
Mrikë Kolja e Kolë Camës ishte bash e motra e Martinit.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.