back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Kujtimet e Prof. Dr. Isuf Luzajt në Cortona

Gazeta

Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)
Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)

Kujtimet e Prof. Dr. Isuf Luzajt në Cortona

Në Cortonë gjeta edhe tre të internuar shqiptarë: Ali e Ferik Agolli nga Dibra e Ali Klisurën, siç e shkruan ai vetë emrin e tij. Ali Agolli, një burrë shumë i zgjuar e fisnik në shpirt; Ferik Agolli, një djalë i mirë e besnik; Ali Klisura, një shqiptar i mirë, orator shumë i mirë, burrë me nerva e trim, me një kulturë relative me kohën e tij e me jetën e movimentuar të tij në mes të politikës e imigracionit.
Aliu e Feriku jetonin në të njëjtin pension ku jetoja unë, ishin në katin e sipërmë, në një dhomë të vogël, për arsye se kishin një radio klandestine për të dëgjuar lajmet e luftës drejt e nga Londra për 5 a 6 orë në ditë rresht.
Ali Klisura jetonte vetëm në udhën e Jezuitëve. Ishte me gruan e me vajzën e vogël, Bubushin.
Kur i lexova Ali Klisurës procesverbalin e Partisë Socialdemokrate të themeluar në Ventotene, refuzoi të merrte pjesë.
-Megjithëse jam, – tha, – me mish e me shpirt qind për qind me programin e saj shumë të mirë.
Më pohoi që bënte pjesë në një organizatë nacionaliste të formuar prej Koculit, në të cilën bëjnë pjesë edhe shumë personalitete të tjerë që sot janë fashistë me emër, por që në shpirt janë me ne, – më tha. Emëroi (përmendi) Mehdinë e Mit’hatin, Çobën-plakun, Dom Ndre Nikajn, Lef Nosin, Isuf Agallinë nga Kosova e shumë të tjerë. Më pyeti nëse unë isha në korent a në kontakt me këtë organizatë, që do të quhej Fronti Nacional i Lirisë e unë i thashë të drejtën. Përballë një sinqeriteti të thellë është zor që njerëzit e thjeshtë të jenë shumë misteriozë. Atëherë më puthi me lot në sy.
.
Profesor Isuf Luzaj (Doreshkrime)
Profesor Isuf Luzaj (Doreshkrime)
***
Jetën time të përditshme në Cortona e rregullova kështu: Që prej orës 7 deri më 12 të drekës – mësime private, latinisht, frengjisht, inglisht, arithmetikë, fizikë, kimi, studentëve të gjimnazit. 5 orë të përditshme.
Prej orës 12 deri më 13 pushim. Prej 13 deri më 14 drekë në restorant; 14 deri në 16 pushim. 16 deri në 19 studime private psikologji e sociologji italiane, që njihja shumë pak, për arsye të programeve universitare franceze, që ishin shumë franceze. 19 deri 20 restorant; 20 deri 21 ose 22 shëtitje me shokët shqiptarë në bisedime politike, shoqërore, miqësije e tjera. 22 deri 24 lajmet me radio me të dy vëllezërit Agolli. Prej orës 00 deri 6.30 të mëngjesit gjumë.
Një jetë e rregullt lë kohë edhe për argëtim; një jetë e rregullt pasuron shumë magazinën e memories me njohuri të reja kulturore; një jetë e rregullt është kënaqja më e mirë e jetës, qoftë edhe pse artistët e mëdhenj thonë: me riprodhue me memorie njoftime të mësuara nuk është punë e madhe. Punë e madhe është me krijue gjëra të reja e vepra të panjohura prej mendjes së njeriut. Pas mendimit tim modest, mëndja më fisnike e njeriut është me njoftë, me shkue në thellësi të problemeve; me shtrue e me zgjidhë probleme, me kërkue me kureshtje të etuar misteret e natyrës, me zbulue sekretet e natyrës e gjithnjë me njoftë, me njoftë e me njoftë.
Tre muajt e Ventotenes më vlejtën me njoftë shoqërinë italiane, opinionin inglez, sepse ishin më se 50 inglezë të internuar dhe leximin e bluarjen (përvetësimin) e pothuaj njëqind volumeve të filozofisë italiane moderne.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.