back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Ferri” i Qafë Barit dhe “Parajsa” e nji familje qafbarase Adriana Dine

Gazeta

Adriana Dine - Tiranë 2007
Adriana Dine – Tiranë 2007

Nga “Ferri” i Qafë Barit

te “Parajsa” e nji familje qafbarase…

rrëfim nga Adriana Dine

Ishte 7 janar i vitit 1983.
Bënte një dimër i acartë, dhe bora kishte pllakosur krejt pjesën e veriut të vendit. E kisha përcaktuar me kohë ditën e nisjes që të takoja Dinen në Burgun e Qafë-Barit… kështu që vetëm duke iu lutë Zotit, të më ndihmonte, më duhej ta merrja atë rrugë, sigurisht e shoqëruar me dikë nga njerzit e mi, o nga njerzit e familjes së Dines; mbasi ishte e pamundur që ato udhëtime të gjata e aq të mundimshme t’i bëja vetëm…
Udhëtimin e asaj rradhe, në zemër të dimrit dhe maleve të egra më takoj ta bëja me babën tim të dashur, që s’më ndahesh asnjiherë në gjithë hallet e mia, dhe që e kisha mbrapa gjithmonë e për gjithçka, dhe që asnjëherë s’u lodh kurrë dhe kurrë s’u ankua për asgjë.
Për të kapë trenin e parë, u nisem nga Savra aty rreth orës katër e gjysëm të mëngjesit, mes nji të ftohti të hidhët, të përcjellë edhe prej njerit nga vëllezërit me biçikletë për të mbajtë çantat deri te stacioni i trenit. Edhe tashti që e kujtoj dhe e shkruaj kët ngjarje, më rrënqethet mishi… Ishin peripeci dhe vuajtje të zakonëshme, për të gjithë ata që merrnin rrugët e burgjeve, dhe askujt nga ata që s’i kanë provuar burgjet, mund t’i ketë ndodhur nji histori e tillë.
Mbasi udhëtuam për gati gjithë ditën mbrritëm në Fushë-Arrëz aty nga mbasditja. Si dimër që ishte, dita qe e shkurtë, koha e akullt dhe me borë. Aty të axhensia e Fushë-Arrësit ngecëm. Skodat e piritit për Qafë-Bari s’po kalonin më asnji…
E ndërsa prisnim, mendonim se s’mund të vazhdonim më për atë natë, mbasi i ftohti na kish hyrë për palcë, dhe asnji shenjë shprese s’kishim… kur papritmas na u shfaq nji kamion nga ata të piritit. Si duket, shoferi na njohu menjiherë, mbasi atë ditë acari, s’shihje xhanxhin këmbë njeriu, dhe ne ashtu të kruspullosur e të plevitosur ere e ngrice, binim menjiherë në sy si hallexhinj… dhe ato trasta të mbushura me ushqimet e kursyera përgjat dy-tre muajve nga takimi i fundit dëshmonin, se s’mund të kishin destinacion tjetër: veç Burgun!
Pa ia ngritë mirë dorën, shoferi ndaloi dhe na pyeti: “Për Qafë-Bari, besoj?” “Po, për Qafë-Bari!” – i thamë me nji gojë unë dhe im atë! Ai tundi kokën në shenjë miratimi, “Hypni nga ana tjetër…” dhe zbriti na hapi derën e na ndihmoi të ngjisim çantat me ushqime… dhe shpejt u vumë për rrugë… Kur na pa se ende dridheshim prej të ftohtit, shau dimrin e atyne anëve dhe ne ndjemë brenda makinës ajrin që po ngrohej. Në atë çast baba im më lëshoi një shikim, sikur të më thoshte: “Mos u mërzit… çdo problem e ka nji zgjidhje, edhe ky i sotmi e mori nji zgjidhje, mos harro se pa sakrifica s’bahet asgja…!” dhe kjo më ngrohu ma tepër se ajri i ngrohtë i makinës.

Burgu i Qafë-Barit
Burgu i Qafë-Barit

Rruga asaj rradhe, nga Fushë-Arrëzi në Qafë-Bari qe nji tmerr i vërtetë. Jo veç e ngushtë dhe e pashtruar, jo veç me kthesa e zig-zake të panumërta, po tmerri im ishin ato greminat që ma bënin vdekjen kaq të afërt nga njera anë, edhe shkëmbinjtë që të rrinin si skifterë në anën tjetër, e që vende vende më dukeshin sikur do më shembeshin mbi krye… O zot, – pëshpërisja mbas çdo kthese… Ndihmona!! Nji ndjenjë frike dhe pasigurie e papërshkrueshme… ma rrënqeshte trupin, pa harruar terrin që zbriste me shpejtësi dhe ajo bardhësi e ngrime bore përreth na e bënte rrugën edhe më të skëterrshme… Në mjaft vende rruga ngushtohej shumë dhe ashtu e ngrirë akulli ishte e pamundur të kalohej. Dukej sikur zemra po më dilte vendit… Shoferi qe ngjeshë fort mbas timonit dhe askush nga të tre s’guxonte ta thoshte nji fjalë të vetme…
Baba u përpoq disa herë me humorin e tij, të ma hiqte gjysmën e së keqes, po s’ishte e kollajtë. Kur shoferi na tha se po i afroheshim burgut u ndjemë pak të çliruar, po ç’të shihnim, aty bora  e kishte kaluar një metërshin. Dukeshin vetëm ca rrugica të ngushta që të çonin para kangjellave të hijerënda të burgut. Ishte nji errësirë e thellë që mund t’i fuste dy gishtat në sy. Ndjehesha e tmerruar e mpirë… por s’di nga i vinte ajo forcë dhe kurajo babës tim, sepse ai befas ma largoi si me magji trishtimin që më pushtoi. Ende pa zbritë nga makina, shoferi na lajmëroi se ishte e pamundur ta vazhdonte rrugën tjetër kthimi me kët tmerr të ftohti dhe bore… Atherë baba, me mjaft marifet iu lut që: “Nëse asht e mundun me na lanë ta kalojmë kët natë tmerri aty n’at kamionin e tij!!!” Ai na pa disi i habitur dhe ju drejtua babës: “Po si mundem me të lanë vetëm në kamion, gjithë natën e Zotit!!! Ti nji burrë plak me nji vajzë të re, pothuej fëmi mes ketyne maleve! Me e marrë vesh nana eme kët gja me qet shpie!” Baba e falenderoi qoftë edhe për at fjalë që na tha: “Mbarojeni njiherë takimin, ndërkohë unë po e mbush kamionin… mandej shofim e bajmë!”.
Ishim përballë portës së madhe të burgut, kur papritmas na u shfaq oficeri rojes. Ia shpjegova ma s’pari unë hallin si grua, po ai na priti me këmbët e para: “S’ka takime sonte në kët orë! Nesër, kësmet!!” Ishte nji ton prej bishe që s’na la asnji mundësi bisede. Atherë u afrua baba dhe se ç’foli me të… Mbas pak kohe pritje, kur acari i maleve po e bënte si duhet punën me ne, u rishfaq oficeri: “Mirë, mirë, hajdeni, po do të takoheni vetëm për pesë minuta, mos të kemi llafe!!!”.
Më erdhi jo të qaja, po të ulërija atë çast.
Mbas 13 orësh rrugë mes dimrit dhe maleve, mbas aq peripecish, sepse s’mund t’i përmendja të gjitha, s’na lejonin të takoheshim, po edhe kur e bënë zemrën gur… vetëm pesë minuta… O Zot – mërmërita me vete. Kisha gati tre muaj pa e parë tim shoq, Dinen dhe për gjithë mallin e tre muajve… çmallja ishte vetëm 5 minuta!!! E që në të vërtetë u bënë pesë sekonda, sepse gjatë gjithë asaj kohe ishim nën presionin e policit që herë na kqyrte ne e herë kqyrte orën, të na hiqte qafe nji çast e më parë, dhe ai të vazhdonte të shullëhej pranë sobës.
Qe nji takim tmerri, ku ti s’arrin as të pyesësh dhe e as të përgjigjesh, as ta shohësh at njeri si duhet, po as ai mundet të shohë ty, as ta kuptosh e as të flasë një fjali së mbari… Nji çoroditje emocionesh që s’ka njeri ta përshkruaj… Duhet të jetë diçka fotografuese në shpirtin e njeriut… që nji sekonde të asaj jete i jep vlerë përjetsie…
Ia lamë trastat e ushqimeve Dines, duke e lënë edhe atë në nji ankth e tmerr të vërtetë… dhe po vrisnim mendjen se ku mund të shkonim e ku të mbyteshim për ta kaluar atë natë!!
Ecëm n’ato shtigjet e hapura të borës dhe u nisëm për rrugë… ashtu kuturu, pa e ditë as vetë se për ku. Ecnim nga na çonin këmbët… kur pa bërë as njiqind metra dikush na thirri nëpër terr. Ishte ai shoferi, që na kish sjellë te burgu. U afrua dhe na takoi… Atë natë s’e kishin lejuar të ngarkonte pirit. Gjatë gjithë kohës ai na kishte vëzhguar krejt skenën me policët dhe po na priste me makinë të shuar diku në qoshe. Kur u afruam, me nji ton të prerë si të ishte urdhër na tha: “Ju sonte do vini me bujtë në shtëpinë time! S’asht në nderin e malsorit të këtyne me e lanë nji burrë të vjetër me nji vajze të re n’rrugë të madhe, midis ktyne maleve të frikshme, dhe nji nate të egër dimri si kjo!!”. At fjali e tha me nji lloj krenarie dhe sigurie, që s’kish njeri t’ia bënte fjalën dysh… jo se ne kishim ndonji alternativë tjetër shpëtimi a kundërshtimi…

Ndër të fundmet foto të Lazër Radit me djalin, vajzën dhe mbesën - gusht 1998
Ndër të fundmet foto të Lazër Radit – Adriana – e bija dhe mbesa – gusht 1998

Zoti e baftë mirë! – ia ktheu im atë, dhe u nisëm mbas tij pa e zgjatë dhe pa e kundërshtuar. Shoqëruesi na ndezi dy flakadanë lecke me naftë, nji për vete dhe tjetrin për ne, dhe ia dha babës të ndriçonte rrugën…
S’e di as vetë si morëm at guxim dhe u nisëm ashtu nëpër ato shtigje mes borës dhe pyllit, mes atyre shkrepave të frikshëm, në besë të atij pukjani që na printe me ndriçim atyre shtigjeve që as ditën nuk do të kisha guxim t’i bëja…  Vazhduam rrugën me kujdes, dhe ai na ndihmonte sa herë ndodheshim në vështërsi, duke na mbajtë me kurajo. Mua më kish hyrë frika në palcë, por habitesha me babën, si mund t’i kalonte ato thepa e teposhta pa e thyer qafën. E shihja që po hiqte picir i shkreti babë që ishte gati shtatëdhjet vjeç, po unë s’mund të bëja asgjë që ta ndihmoja… Mbas njifare kohe ai pyeti nëse kishim edhe shumë rrugë… si duket ishte lodhë. “Erdhëm, – tha shoferi, – edhe pak mbrrijmë!” Ecëm edhe njifarë kohe të mirë që na u duk nji shekull, kur na u shfaq para edhe një përrua, mbi të cilin thuhej se ishte një urë drrase… besoj nga ato ma primitivet që më kanë pa sytë ndonjiherë. Krejt ura përbëhej nga ca litarë të thurur në formë gërsheti… aty ku shkelnim kishin vënë ca dërrasa që më dukeshin të kalbuna, dhe me hapsira mes tyre. Për çdo hap që hidhnim lëkundeshim si në një shilarse… terri në nji krah, akulli në krahun tjetër dhe zhurma e përroit ku mund të përfundonim ishin nji tmerr dhe nji torturë që unë as sot s’mund t’i gjej fjalët! Pukjani gjatë gjithë kohës na printe, na fliste, na ndihmonte dhe na mbante me gajret…
Mbas nji lodhjeje rraskapitëse dhe ankthi vdekjeje mbrritëm para nji dere… Ishte shtëpia e malsorit pukjan. Kur u hap dera, mendova shpëtimin, po ndërsa futesha brenda u ndjeva si në një skëterrë… edhe pse gjithë jetën isha rritë me vuejtje dhe privime, mendoja se asgjë s’do t’më bënte përshtypje në jetë. Por jo, kurrsesi!! Edhe sot kur e kujtoj at shtëpinë e tyre, atë lloj varfërie dhe skamje më rrënqethet mishi, dhe s’mundem ta harroj kurrsesi. Shoferi kishte gruan edhe nji djalë. Jetonte së bashku me vëllanë e madh që kishte gruan edhe katër fëmijë. Kishin nanën, nji grua në moshë po fisnike në pamje e në qëndrim, që doli na priti dhe na foli si zot shtëpie. Pak kohë ma parë u kishte ndodhë nji fatkeqsi, u qe djegë nji pjesë e shtëpisë dhe krejt familja jetonte në nji si korridor të ngushtë e të gjatë ku shifeshin gjithsej dy dyshekë dhe një oxhak me dru të bollshëm. E ndjemë që i zoritën mjaft të shkretët malësorë për at gjendje, po ata dolën jashtë dhe shpejt e shpejt diçka sajuan e na shtruan sofrën e darkës. Për gjellë, na nxorrën groshë… po duhet të ndodhte ajo mrekullia të hasje ndonji kokërr… Na vunë edhe pak djathë, pak qepë dhe pak raki. Djathin e përdornin me shumë kursim, dhe e ruanin si me pasë nji copë mishi të pjekur.
Baba si njeri i kollajtë dhe i pa pretendime e mbushi tavolinën me at humorin dhe rrëfimet e veta pafund… sa nuk u vu re fukarallëku. Herë mbas here i bënte të gjithë qeshnin me humorin dhe batutat e tij. Mbasi mbaruam darkë, gruaja e shoferit me ftoi të flinim bashkë, se siç më tha “Në dhomën teme ka shtroje dhe mbloje, ndërsa kunati me gruen, dhe nana me fëmijët, mbasi s’kanë me ça me u mbulue, e mbajnë zjarrin gjithë natën ndezë dhe flejnë të tanë bashkë në at korridor të gjanë…
At natë fjeta me gruan e shoferit dhe ajo më shtrëngoi gjithë natën në gji. I vinte shumë keq për fatin tim… Isha vetëm 23 vjeçe, dhe kisha vite që endesha rrugëve te burgjeve të Spaçit e Qafë Barit, atyre skëterrave të papërshkrueshme shqiptare.
Por bujaria e mirësia e atyre malsorëve pukjanë s’kishte fund. S’i kam harruar kurrë, dhe më vjen shumë keq që s’jam aq e aftë sa ta përshkruaj ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mundem t’ua shpërblej pritjen e tyre…
Isha lindur dhe rritur kampeve të interrnimit: ku varfërinë, barangat, kasollet me baltë i kishim me bollëk, po kurrë s’kisha parë dhe provuar nji skamje dhe nji fukarallëk të tillë.
Pastaj janë mjaft cilesi tjera që i japin vlerë njeriut dhe e ngrenë lart atë, si bujaria, mirësia dhe mikpritja e asaj familje që na e hapi derën në nji natë tmerri. Ata na mirëpritën, na futën në shtëpinë e tyre, edhe pse “armiq të betuar të klasës” që për komunistët ishte një tabu. Gjatë bisedave të asaj nate, ata as na provokuan, as na pyetën, as e përmendën burgun, sikur nuk ishte ai shkaku i asaj që ndodhte, po as ne s’i pyetem se kush ishim, dhe pse ishim aty, sepse e dinim shumë mirë që i kishim rënduar mjaft, edhe me atë praninë tonë në shtëpinë e tyre.
Më ka mbetur peng, dhe s’më hiqet nga mendja pse nuk u gjet nji mënyrë, që të mësonim të paktën mbiemrin e tyre… sepse ne s’i pyetëm as për emrin as mbiemrin, sepse vetëm ashtu s’i rëndonim as ne ata, po as ata s’e bënë nji gjë të tillë… Sepse askush s’e mendonte se në nji të ardhme, nëse na jepesh mundësia të mund t’ua shpërblenim qoftë edhe me mirënjohje simbolike atë mikpritjen e tyre fisnike… që vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite më e bukura e jetës sime…
Të nesërmen pa zbardhë mirë drita, shoferi pukjan, na zbriti në Fushë-Arrëz dhe u nda prej nesh i kënaqur dhe krenar… duke na lënë të vazhdojmë në hallet tona të kampeve dhe burgjeve dhe ai u ngjit në ate kamionin e piritit, atyre rrugëve të egra…
Zoti e bekoftë atë familje  të mrekullushme pukjane, ata njerëz që jeta vërtet i kish hedhur atje në skëterrë, po s’kish mundur t’ua vriste mirësinë as mikpritjen në shpirtin e tyre malësor…

Related Images:

More articles

10 KOMENTET

  1. Eshtë për të ardhur keq, për fatin e njerëzve fisnikë në atë kohë diktature dhe është për t’u indinjuar për faktin që akoma nuk po bëhet përpunimi i atij genociti fashist të ushtruar nga ana e shtetit shqiptar karshi nënshtetasve të tij. Diktatura e proletariatit, kjo famëkeqja, lufta e klasave, qe vllavrasja më e madhe e ushtruar në historinë e Shqipërisë.
    Faleminderit, Adriana, për këtë kujtim, ku e mira dhe e keqja rrinë kaq afër, si në një përrallë!

  2. Tashmë u bënë shumë ngjarje të rrëfyera nga Dine dhe Adriana, ashtu siç kam lexuar dhe mjaft të tjera të shkruara nga të tjerë vuajtës të burgjeve të Spaçit dhe Qafbarit, ku hyn dhe Maks Rakipaj, por çuditerisht Adriana, Dine dhe Maksi në çdo rrëfim krahas përshkrimit të situatave të tmerrshme të atij kalvari të gjatë, gjejnë gjithmonë diçka humane edhe atje ku duket e pamundur se mund ketë. Habitem sa të madh e paskan shpirtin këta njerëz! Si nuk i mposhtën vuajtjet! Si nuk ka mbetur mllef dhe rrebelim në shpirtrat e tyre.
    Uroj që dikush nga ajo familje Pukiane të ketë pasur mundësinë ta lexojë këtë rrëfim, dhe të ndjehet akoma më krenare! Ta ndjejnë se ata kanë mbetur në shpirtin dhe memorjen e kësaj vajze 23 vjeçare, që e vret pendimi se nuk mund t’ju thotë faleminderit me emër sot, pa frike… e qe nuk mundet t’ju rikthejë atë mikpritjen dhe mirënjohjen e tyre!

  3. Znj. Dine: E kam ndigjuar kyt histori e familjes tande prej Nanës time (Elza), por kur e lexova kyt artikull më ka prek me plot emocione.
    Më kujtohet mikpritja e Pukjanëve tuaj dhe interpretova këtë histori se Zoti asht i Madhe dhe ekziston. Mundet ekziston edhe ne një qeveri si ka qenë Shqipëria ne atë kohë të zezë, sepse Ai jeton në zemrën e çdo Shqiptarit që e thirr vetin Shqiptar. Nuk asht kot ajo fjale e moçme: “Shtëpia e Shqiptarit asht shtëpia e Zotit.” flmd

  4. Këtë histori i kemi ndigjuar një libre. Edhe tani në fund fare goca e Z. Leka Mirakaj, mrs. Manjola Mirakaj Libohova edhe akoma nuk përfunduar. Goca se humbet jetan ma mire stinë e tyre. Kurrë nuk deri lotet thahen. Por aman ka nje zot edhe ka patur none deri tha nuk thahet lota tona, i mallkoj një nga një si lotët, bahen gurrë.

  5. Një shkrim njerëzor, por njëkohësisht rënqethës.
    Në disa momente duket i pabesueshëm, por ata që i mbajtën mbi supe ato çka shkruhen e çka hoqën, e dinë më mirë se kushdo tjeter, se cila qe jeta e burgjeve, internimeve. I uroj zonjës së shkrimit gjithë të mirat e kësaj bote në familjen e saj dhe gjithë bashkëvuajtësve që jetojnë. Njëkohsisht një lutje tek Zoti, për të gjithë ata njerëz që vuajtën aq shumë vetëm se deshin të rronin si njerez, si shqiptarë e atdhedashës, por që sistemi antinjeri i E.H., i persekutoi. I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Lutja ime shkon edhe te familja e shoferit pukjan dhe te të gjithë ata njerëz që në një formë, apo mënyrë ndihmuan ata që sistemi i quante “Armiq të Shqipërisë”.
    Zoti qoftë me ta.

  6. S’ka dyshim që mikpritja dhe shpirtmirësia e familjes pukjane të mallëngjen e të bën të mendosh se në atë skëterë që përjetuam në si popull e sidomos të dënuarit, të internuarit dhe familjet e tyre, ka pasur njerëz me shpirt human e mikpritës siç e ka edhe tradite populli shqiptar!!!! Dhe po kaq prekëse e mallëngjyese është gjendja e tyre ekonomike, në vitin 1983, siç tregon zonja A. Dine!!
    Unë personalisht kam shkuar në veri për të parë dajën e internuar… dhe o Zot ndjeja tmerr kur shihja femijë zbathur apo me sandale plastike në mes të dimrit!!!! Eh, Shqipëria, dikur “fanar ndricues” në botë!!!!

  7. Një tregim rrënqethës, një realitet që më çoi dhe mua në dyert e burgut famëkeq të Spaçit, ku vuanin familjarët e mi. E vlen të theksohet gjithashtu, se edhe në atë kohë tmerri, prapë kishte familje fisnike, si në rastin e mësipërm që hapën derën, dhe me bujari i pritën “armiqtë e popullit”!
    Tregim që e lexova me dhimbje, dëshmi e vuajtjeve të njerëzve fisnike nga bastardët e kuq.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.