back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Sa vyen gjaku i derdhur për Kosovë…? esse nga Emi Krosi

Gazeta

Hasan Qyqalla - Legjenda e Dhimbjes së Heshtur
Hasan Qyqalla & Mustafe Krasniqi – Legjenda e Dhimbjes së Heshtur

Sa vyen gjaku i derdhur për Kosovë…? 

esse nga Emi Krosi

Shënim mbi librin: “Legjenda e Dhembjes në heshtje”
Hasan Qyqalla & Mustafë Krasniqi
(Rrëfejnë vëlla e motër për:
përjetimet, burgosjet, gjakimet në familjen Salihaj)
.
Xheva Salihaj & Hasan Qyqalla ditën kur nxorrëm librin nga "Lena Graphic" - Prishtinë
Xheva Salihaj & Hasan Qyqalla ditën kur nxorrëm librin nga “Lena Graphic” – Prishtinë

Kur vendosa të shkruaja këtë ese, për librin mikut tim Hasan Qyqalla, “Legjenda e dhembjes në heshtjes,” në një zhanër tjetër, në atë të një rrëfimi jetësor, për “heronjtë e heshtur” të Kosovës martire, ishte një sfidë, por edhe një premtim për mikeshën time Xheva Salihaj (personazh jetësor që rrëfen për familjen e saj), jo si “milkim”, por në udhëtimin jetësor të mbijetesës fisnikëria shkruhet me germa të arta. Në tymnajë e historisë së Kosovës, me mijëra familje janë bërë theror, jo vetëm për idealin e mëvetësisë, por edhe për sakrificat e shumta për proseritet dhe demokraci. Ndonjëherë, kufijtë e vetevetes dhe përjetësisë janë një vijë aq e hollë, saqë sakrificat për të, janë imazhi që “ngurtësohen” apo skajohen në yllësitë e fatit, deri tutje si një mirazh, sepse jetët tona janë sa paralele aq edhe të ngërthyera me fatet e shoqërisë ku jetojmë. Kjo shpërfaqje e sakrificave jetësore e shumë familjeve të mëdha të Kosovës (që nga Jasharajt) janë një lajtmotiv dhe një kumt për të ardhmen: gjaku nuk humb, kur ka trima syshqiponjë!

Historia e familjes Salihaj i ka rrënjët e saj në genet etno-dardane. Pjesë e historisë së shumvuajtura të familjeve kosovare, mbushur me dhunë, përndjekje, vrasje, persekutime, burgosje, ekzile është edhe ajo e familjes Salihaj, nga fshati Duraj i Kaçanikut. Libri është i ndarë në pesë pjesë.
Pjesa e parë: Historia e fshtait Duraj dhe kryheroit apo kontraçetnikut të përbetuar Abdyl Dura, që u rrit nën hijën e madhështisë së maleve të Sharrit, me aromën e gjethe të ahut dhe gurgullimin e krojeve të ftohat, në Mrizin e Zanave, ku veronte bagëtia, nën sqetullat e shpateve ku “dëgjohej” akoma troku baritor i eposit kreshnik. Trimi u rrit me mendje dhe shpirt tek Bajraku, Liria dhe Dashuria për Atdheun! Nën mantelin e mbretërisë së virgjër të Lugjeve të Verdha të Mujit dhe Halilit, trimi “vrojtonte” tutje horizonteve të largëta atdheut të robëruar që vajtonte, nën “thundrën” e robërisë. Ai rritej duke përsëritur: Pushtuesi do plumb në lule të ballit! Trimëria e tij dhe organizimi për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit bullgarë dhe serbë e bën jo vetëm hero popullor, por edhe tmerrin e armikut dhe sidomos serbëve. Për këtë populli i këndoj këngën:
Për liri luftën s’e ndalën/ bashkë me shokë e gjithë mahallën/
me Ramë Bekën e Avdyl Durën/ Trojet tona do të mburren!
.
Vëllai Kemajl Salihaj, vrarë me 13 prill 1999, vetëm 30 vjeç
Vëllai Kemajl Salihaj, vrarë me 13 prill 1999, vetëm 30 vjeç

Pjesa e dytë: Tradita vazhdon në shërbim të lirisë së atdheut, Reshat Ilaz Salihaj

Rrëfimi tërë elekuencë për historinë e kryepersonazhit apo kryeheroit (personazhi unifikues dhe ura lidhëse me të gjithë), historia e Reshat Salihaj, si një kumt i dashurisë për atdheun, që klithmonte nën “putrën” e dhunës serbe dhe dashurisë për familjen, derdhen në “gotën e trishtmit”, si dy dashuri, që kacafyten, që kryqëzohen në errësinë e tunelit të shpresës, në kërkim të një drite, të një shprese të re, të një agimi të artë, se nesër do të vijë liria. Mes atdheut të tij Kosovës dhe Çamësisë, (gruaja që birësoj vajzat e vëllait dhe i rriti si vajzat e saj) është dikotnomia Kosovë-Çamëri, janë ashti i mo(po)himit dhe dhembjes, janë kryefjala dhe kallzuesi i ashtit etnik, që vuan nga cungimi i padrejtë i historisë. Reshati, nuk ndenji nën hijen e Parnasit të Fishtës, në “rehatinë helvetike”, por udhëtoj hapsirave dhe pllaja të përgjakura të atdheut të përgjysmuar, drejt dashurisë së tij shekullore, që si nënë shamizezë vajtonte për padrejtësinë etnike, vetëm e vetëm se bijtë e saj donin të fluturonin larg, shumë larg, në qiellin e lirë të lirisë dhe demokracisë nën flamurin kuqezi. Ai jo vetëm luftoi me armë, (ushtar i UÇK-së ) por ishte edhe “banka” e saj, ku mijra donacione i mblodhi si thërrime gjaku dhe i ruajti si “Arka e Noes”, duke ndihmuar luftëtarët çlirimtarë të Kosovës.
“Në njerën anë ishte vullneti për të arritur aspiratat tona të kahershme për çlirim nga zgjedha serbe, në anën tjetër duhej të kishte kujdes nga ndonjë papërgjegjësi, sepse papërgjegjësia dhe pakujdesia mund të kushtonin shtrenjtë, siç u kishte kushtuar shumë shokëve tanë më parë”.
Shumë shpejt, do të hapej “Kutia e Pandorës” dhe sërishmi, gjaku, vrasjet, humbjet, burgimet do të përshkallëzoheshin përsëri, për familjen e tij. Por, filizat e lirisë duhet të “vaditen me gjak” që të rriten në dheu e butë dhe të njomë të Kosovës martire. Reshatit i kushtoj shumë kjo luftë, por edhe humbja quhet fitore. Ai është “Heroi i Heshtur”, por edhe krenaria e Kosovës.
.
Personazh i gjallë - motra Kimete Salihaj
Personazh i gjallë – motra Kimete Salihaj

Pjesa e tretë: (Biografi, kujtime, rrëfime nga lufta)

Pjesa e tretë ndahen në disa nënpjesë:
Nënpjesa e parë: Kujtimet e Reshatit për plakun e urtë, babë Ilazin:
Liria “kafshoi” familjen e Reshatit. Ai ishe edukuar nga një baba i urtë dhe mentar, prandja ishte njeriu që iu besua “kuleta” (ose Ministri pa portofol i Financave të bashkëatdhetarëve luftëtarë të UÇK-së). Por, dhimbja dhe vdekja e të atit nga përndjekjet dhe bastisjet e herëpashershme të çetnikëve serbë, qëndresa, mosha e thyer dhe qëndresa e bijve të tij e gëzonte, sespe ato ishin ushyer me Tamblin e Gjakut dhe të Lisit Dardan.
Nënpjesa e dytë: Kujtimet e Reshatit për Nënë Azeminen:
Janë ato, të madhërishmet, të urtat deri në sakrificë të madhe, me peshën e madhe të heroinave të heshtura e mbartin nënat shqiptare, burrneshat “që përtypin” lotin e dhembjes, (kur djali i vritet në prag) dhe kur vajzave ua shqyen zemrën para syve. Ata, qëndrestaret dardane. Ashtu edhe nënë Azeminja, qëndroi heroinë edhe kur djemtë ia vranë. Ajo ishte e pashkollur, por dëshira për arsim dhe kulturë, ishte amanet për djalin e saj: “Dëgjo, biri i nënës, amanet po ta lë, për së gjalli a për së vdekuri, vajzat pa shkollë mos i lini. Vajzat po të mbesin të paarsimuara, me fatin e tyre mund të luajë kush të dojë dhe për jetën e tyre vendos dikush tjetër. Pashë nënën, edhe nëse nuk ke kushte, shite tokën e çikat pa shkollë mos i lini!”
Ky ishte amaneti që edhe toka nuk do ta kalbte nënë Azeminën, për arsimin e vajzave dhe fëmijëve të saj. Ajo shkoi në amëshim në tokën e Arbrit, pranë fëmijëve të saj, që i “dhuroi” katër matirë Atdheut, dhe dy ushtarë lirie.
Por paqësia e asaj nëne heroine dardane, derdhet në vargjet:
 
Sot mbi Kaçanik nuk po shndritë Dielli/ mjegullnaja shtëpive gjithkund paska ra
ditë dhe natë së bashku i paska kthyer qielli/ Nënë Azeminja s’mund po çohet ma…
(Mimoza Legisi, Tiranë)
 
Bekim Salihaj, i vrarë më 25 shkurt 1999 - nga torturat e forcave serbe
Bekim Salihaj, i vrarë më 25 shkurt 1999 – nga torturat e forcave serbe

Klithja poetike për vdekjen e kësaj nëne, që vjen nga Muji dhe Halili, sepse në Lugjet e Verdha, Dielli nuk po shëndrit. Kjo metaforë krahasimtare është apogjeu u vargëninit të muzës së dhembjes së Ajkunës-nënë, që “zgjohet” nga thellësitë pagane pellazgjike.

I lehtë të qoftë dheu i arbërit nënë Azemine!
Nënpjesa e tretë: Kujtimet e Reshatit për vëllain, Sabriun:
Sabriu dha jetën për lirinë e Kosovës. Ai sakrifikoj jetën dhe rininë e tij, se thërriste, toka, fisi, gjaku i të parëve të tij duke lënë familjen në Kosovën e lirë sot.
“Zotëri, për t’i dhënë ndihmën dikujt që ka nevojë, s’ke pse ta pyesësh! Unë dua vetëm të të ndihmoj! Kaq”! Kjo ishte mirësia dhe vlerësimi për njeriun, për Sabriun, djaloshin azgan Kosovar.
Nënpjesa e katërt: Kujtimet e Reshatit për vëllain, Kemajlin dhe kunatën Lumnijen.
Kemajli dhe gruaja e tij Lumja (Lumnija) që ishte infermiere e UÇK-së, ku dha jetën në mbrojtje dhe kurimin e të plagosurve të luftëtarëve të lirisë, ajo la dy fëmijë jetim: “Lume, ju keni dy fëmijë të vegjël, katër dhe dy vjeçarë! Ku do t’i lësh fëmijët? Ajo, shkurt, m’u përgjigj: – Fëmijët ia lë lokës”. Burrë e grua luftëtarë ta UÇK-së, ku infermierja trime i bë dëshmore e atdheut. Ajo është nëna gjijashtë e Rozafës, që nga larg mëkon fëmijët me gji, për amanitin e atdheut.
Nënpjesa e pestë: Kujtimet e Reshatit për vëllain, Bekimin dhe Izahirin:
Përsëri kjo familje humbi dhe dy djem të tjerë. Bekimi u gjet i vetvrarë, por trimat nuk vetvriten, kurse Izahiri u vra nga serbët në moshë shumë të re, ku ëndërrat e tij si zog fluturak i lirë në hapsirat mbarëshqiptare, u përmbysën në baltën me dhèkuq të Kosovës në moshën e rinisë.
Nënpjesa e gjashtë: Kujtimet të tjera të Reshat Ilaz Salihajt dhe për kunatën Nexharisë për luftën e paraluftën.
“A thua, deri ku do të arrijë fatkeqësia e familjes dhe e popullit tim, kur do të vijë liria e shumëkërkuar për popullin tim?!” – reagoi Reshati, kur merr vesh për vrasjen e tre vëllezërve të tij dhe kunatës. Ai ndihmon kunatën Nexharian, një bijë trime kosovare, që nuk u tremb nga frika dhe dhembja për vdekjen e bashkëshortit.
“Eh…, fara ju humbtë për jetë e mot, – nemte Nexharia”. Tipike mallkimet që përvoja popullore përçonte të keqen, ashtu si Ajkuna nemte Hënën dhe Natën: “O t’u shkimtë drita oj Hanë…”, për vdekjen e Omerit të saj. Të gjitha gratë, motrat, nënat kosovare, që sakrifikuan fëmijët, burrat, baballarët, për Çlirimin e Kosovës, janë Ajkuna.
Nënpjesa e shtatë: Kujtimet e motrës Kimete për vëllezërit e për luftën:
“Të rrëfesh një dramë tragjike, është vështirë, të jesh personazhe e tragjikës, është përtej imagjinatës. Shpeshherë tragjikja duket si një ëndërr, që ka ikur nga realiteti. Dëshiron të mos e kujtosh, sepse të rrëmbejnë emocionet e çastit të vdekjes, kur vdekjen e ke pasur përballë dhe je detyruar ta përshëndesish”. Nuk janë thjeshtë kujtime, por kur në udhëtimin e jetës, kthen kokën në paskohë, arrin të kuptosh nga vjen dhe ku do shkosh, cili është sinori mes vets dhe të tjerëve, ku IDI dhe LIBIDO, të shërben, për të kuptuar me mirë VETVETEN dhe “diamantin” që fsheh brenda vetes. Ajo nuk u tremb, por qëndroi si motra e heronjve të rinj të tokës së saj, ku sot jeton me familjen e vogël, duke rritur edhe fëmijët e vëllait jetim, si një mësuese e idealeve të lirisë dhe pavarësisë dhe shtetit të ri të Kosovës. Ajo u mëson brezave se Kosova është Dardania, që KURRË nuk ia nënshtrua sllavizmit dhe shtetit militarist Serb.
Nënpjesa e tetë: Kujtimet e motrës Xhevushe për vëllezërit e për luftën:
Takimi në Prishtinë me Xhevën dhe tashmë “miqësia virtuale”, një fytyrë rebele shumë paqësore, që ishim fshirë të gjitha “gjurmët” e vjetra të kujtimeve nga lufta. Edhe pse jeton në Austri, dhembja për humbjen e vëllezërve, përjetimet e dëbimeve, (në kampin e refugjatëve në Maqedoni) dhunës nga ushtria serbe, keqtrajtimet e prindërve dhe familjve të saj të dashur, udhëtimet nëpër kampe refugjatësh dhe vuajtjet nëpër “udhët e Golgotës” kosovare, nuk ia “zbehin” dashurinë për jetën, nuk ia “zhbëjnë” mallin, harresën, kujtesën apo energjinë për jetën për rritjen e pesë vajzave të saj. Vetëbesimi, vetësakrifica, vetëinkurajimi, vullneti, energjia që përçon e bën një grua të veçantë, që sfidon çdo vështirësi të jetës, që na garthohet padashur në udhëkryq si “hajn”, duke na penguar si gur ogurzi, në udhëtimin drejt të ardhmes, për jetën, dashurinë, familjen dhe ardhmërinë. Por kujtimet për familjen e militarizuar nuk harrohen… ato janë kujtimi i dheut të saj vajzëror, kur varret “gjallohen” në pranverë nga bozhuret e kuqe të lirisë.
 .
Bashkëshortët Kemajl dhe Lumnije Salihaj, lanë pas dy fëmijë jetimë
Bashkëshortët Kemajl dhe Lumnije Salihaj, lanë pas dy fëmijë jetimë

Pjesa e katërt: Shtypi nëpër kohë për familjen Salihaj.

Janë më mijëra artikuj dhe shkrimet e gazetave lokale, qendrore dhe ato në emigracion për sakrificat dhe humbjet e familjes Salihaj si gazetat: “Epoka”, “Rilindja”, “Zëri i Kosovës” etj. Këto gazeta shkruajnë për kontributin e familjes Salihaj, por edhe për humbjen e djemve të saj, që ranë theror për Atdheun. (shih. bibliografinë e librit).
 .
Sabri Salihaj, vrarë më 13 prill 1999
Sabri Salihaj, vrarë më 13 prill 1999

Pjesa e pestë: Të tjerët për familjen Salihaj.

“Në luftën çlirimtare të UÇK-së u derdhë shumë gjak, u bënë flijime të mëdha. Sepse liria nuk vinte ndryshe! Edhe familja Salihaj, si shumë familje tjera në Kosovë, dha më të dashurit e saj, bijtë e saj. Si kurban të lirisë së Kosovës u flijuan djemtë e kësaj familjeje atdhetare; Sabriu, Kemajli, Bekimi dhe Izahiri, si dhe nusja e shtëpisë, Lumnija. Shkuan ata për të mbetur prore në themelet e kështjellës së lirisë sonë.
Edhe gjatë luftës, edhe sot, kjo familje e madhe atdhetare ka qëndruar dhe qëndron prore e fortë dhe krenare, duke qenë e vetëdijshme se liria nuk do të vinte dhe nuk do të fitohej kurrë pa gjak, siç edhe nuk mbrohet pa gjak”
A ja vleu sakrifica? Sa vyen gjaku i derdhur i shumë familjeve të tjera të Kosovës për lirinë.
Sot ndoshta me “zymtësinë” e qiellit të Prishtinës, jo më nga predhat apo bombat e ushtrisë militariste serbe, por nga “hienat” e politikës gjuhëhelm, derdhet si “breshër”në pllajat e Sharrit, ku baroti është i thaë dhe pushka grykënxehtë.
Atje me lëndinat me këmbora dhensh ushton piskama e Galicës, Boletinit, Polluzhës, Bajramit, Jasharit, Salihajt e deri nëpër brazdat e ugarëve të reja, që po mbjellin farën e ardhmërisë, në grunjërat e derdhura plot men kokrra.
Por a ia vlen Liria e shkruar me “abetare gjaku”! PO! Sepse heronjtë janë aty. Ata qortojnë nga “varret”, se gjaku nuk humbet. Kosova po përparon me hapa të vogla , por Përparon. Tani kombi shqiptar, ka dy shtete me gjak shqiptar, Kosova dhe Shqipëria. Një ditë, ndoshta jo shumë larg, do të kemi vetëm NJË KOMB dhe NJË SHTET, atë të Shqiptarisë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.