“Portret i Beethovenit” – nga Richard Specht
njё pёrkthim dhe njё shёnim pёr Beethovenin
nga Lame Fandi
I dashur Jozef,
pёr ty kam si gjithmonё mirёnjohjen,
qё vjen nga pasurimi i vazhdueshёm i botёs sonё shpirtёrore
me gjithçka qё publikon.
Pёr Beethovenin kam diçka tjetёr:
shkrimin e mёposhtёm, tё cilin e kam shqipёruar
menjёherё sapo e gjeta nё internet si dhe njё shkrim timin,
frymёzuar nga leximet mbi heshtjen nё muzikё.
Ky i fundit ёshtё pa asnjё pretendim,
por do tё kёnaqesha tё ma pranoje si shenjё falenderimi
pёr pёrpjekjet e tua pёr mposhtjen e heshtjes
nё shoqёrinё e kohёve qё jetojmё.
Kështu fillon një prej biografive më të sakta për Beethovenin.
Me respekt, Lame Fandi
.
“Portret i Beethovenit”
nga Richard Specht
“Ajo që e dallon më tepër forcën e Beethovenit në gati dy shekuj që nga vdekja e tij, është mungesa e pasardhësve. Ai nuk ka pasardhës, ka vetëm bashkëkohës.
Në të vërtetë, ne e jetojmë dramën e muzikës së tij, që ishte drama e jetës së gjeniut, sikur ai të ishte midis nesh dhe sikur të mund të dëgjonim zërin e tij të zemëruar dhe të qeshurën e tij jo pak të egër. Asgjë nuk është venitur, asgjë nuk është ngurosur në humanizmin, që ai e ktheu në tingull: shpirti ekspert i sekretit të botës, ekspert i tragjedisë së të gjitha krijesave, është bërë i tingullt. Muzikë e gjallë si në ditën e saj të parë dhe e shkëlqyer si në kohën kur u krijua, muzikë që, për njohjen e forcës së vet, nuk kërkon mendimin e historianëve, as ndonjë prezantim special apo skalitje figurash virtytmbartëse, si ato që shoqërojnë shpeshherë portretet e klasikëve. Ajo jeton sovrane, në po atë pavarësi ku jetoi sovran krijuesi i saj, më i liri dhe, njëherësh, më i vetmuari nga të gjithë.
Tërë njerëzimi ka marrë prej Beethovenit mesazhin më të fuqishёm të kohës dhe të shpirtit të tij. Askush nuk e ka mbartur emrin e artistit më pastër se ai, askush nuk e ka ngritur me më shumë dhimbje dinjitetin e tij njerëzor dhe as i është kundërvenë fatit të çmendur me forcën më të madhe morale për kryerjen e misionit që i ka ngarkuar vetes. Vrulli rebel drejt lartësive, sensi i egër i pavarësisë, krenaria e palëkundur, mbretërore, përulja përpara veprës, vullneti i pathyeshëm, fanatik për arritjen e përsosmërisë, madhështia morale dhe shpirtërore, tragjizmi i veçantë i mënyrës së të jetuarit, të gjitha këto të mbledhura sëbashku, i hapin rrugë asaj force të madhe, që nuk e ka asnjë figurë tjetër njerëzore. Kaq i pasuruar është ky sens i jetës, kaq imediat është shembulli i gjithçkaje që përbën misionin e vërtetë artistik, sa që muzika e këtij titani është bërë për të gjithë ne një hymn për ekzistencën!”.
.
“Muzikë e heshtjes shpërthyese.”
nga Lame Fandi
Kështu do ta quaja unë Beethovenin.
Kur u ndesha me thënien “Mozarti nuk është vetëm muzika e tij, por dhe heshtja që vjen pas saj…”, natyrisht që u mrekullova. Por, u mbusha me entusiazëm kur, i nisur nga kjo shprehje, duke bërë një shtesë të vogёl në të, shtesë vetëm të një fjale, them se preka kuintesencën e fenomenit Beethoven. Sepse “Beethoveni nuk është vetëm muzika e tij, por edhe heshtja Pёrpara dhe Pas saj…”. Ndonёse pёr këdo kjo pjesë kohore, e përcaktuar vetëm nga fjala “Pёrpara”, ёshtё e patingullt, pёr Beethovenin e shurdhuar heshtja s’ishte e tillë… Ajo ishte e tëra një shpërthim i pallogaritshёm muzikor. Më shumë se kushdo tjetër atë tornado tingujsh, e ndjente ai që, duke parafytyruar e pastaj duke vrojtuar lёvizjet e harqeve në orkestër gjatë dirigjimit, i shihte ato si heshta qё shponin dhe grisnin mantelin e heshtjes, pёr tё vërvitur me forcё në ajër stuhinë muzikore që ushtonte brenda tij.
.