Kjo poezi e lirikut Lasgush Poradecit,
është një botim i hershëm, jashtë dy librave të tij:
“Vallja e yjeve”, botuar në vitin 1933, dhe “Ylli i zemrës” botuar më 1937,
mbasi në fund të kësaj poezie botuar te gazeta
“Bashkimi i Kombit”, ka si datë krijimi: 29 gushtin e 1944.
U përpoqa mos në Google ekzistonte ndonjë gjurmë e saj,
po asgjëkund. Atëherë mendova ta paraqes sot në ditën e lindjes,
ndërsa hyjmë në 120 vjetorin e Lindjes së Lirikut të Liqerit.
Poezia, krahas vlerës së saj të padiskutueshme lasgushiane,
ka edhe një meritë të tjetër, sepse në fund të saj liriku i madh
ndjen tragjedinë që po i kanosej Shqipërisë sepse:
“me bubullimë – e krismë… po vinte shtrëngata!”
e atij rrënimi që zgjati jo pak, po një gjysëm shekulli…
jozef radi, dhjetor 2018
.
Kënga
nga Lasgush Poradeci
Zunë – e po ndritin ata yj të lartë
Si net – për – net që larg prej hapësire.
Nër yjt’e lartë shkrep një yll i zjarrtë
Një yll e mall e vashë – e ndezur n’hire
Një vashë… e një… dhe një përmi të tjera…
Yj edhe qjej ndezur me shkëndija.
Ato shëndijnë valle – e – varg përhera,
M’i ndërmendojnë dashuritë – e mija;
Prej netësh larg afron ajo m’e para,
Vështron e pshon që më s’më çmallet pranë.
Më derth në shpirt me – ato stolitë – e vrara,
Një shërëmti, një vrer e zi pa anë;
Vjen e më pushton dh’e mesmeja nër duar,
Aq dhemshurisht si nuse – e re me hire,
Më ndrydh me plagën drejt në kraharuar,
Prej largësire si prej shkretëtire;
Pa vjen nër to m’e fundit e m’e mira,
Nër vasha kaq të mbretërojë vargë,
Më fal një zjarr për në përjetësira
E m’ik pastaj për n’yjt’ e qjejt’e largë.
O! Zjarr – e – mall – e – yll – emër – pa – emër,
Vashë – edhe – shoqe – edhe – motrë – e – dashurisë,
Nuse – edhe – grua – femër – varr – në – zemër,
Varr – edhe – zjarr – e – flak’e – perëndisë.
Dh’ashtu vërshon e rëshpëron e shkrihet
Zjarri – dhe – malli – zemra – fije – fije,
Nga fund’i saja ngjizet edhe ngrihet
Një këngë – e bukuri përjetësije.
…E mira ik, dhe ndjen që larg, së – qeti,
Në zemër time ndaj po ndehet nata,
Ndaj tunde zemra sikur tundet deti
Me bubullimë – e krismë – edhe shtrëngata.
Tiranë, 29 Gusht 1944
.
Marrë nga “Bashkimi i Kombit”, 1944