back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Nga një vizitë në vendlindje në tjetrën – poemё nga Agim Morina

Gazeta

Pamje e Prizrenit (varrezat e vjetra të qytetit) - MacKenzie, G. Muir (Georgina Muir), 1874 (vizatim)
Pamje e Prizrenit (varrezat e vjetra të qytetit) –
MacKenzie, G. Muir (Georgina Muir), 1874 (vizatim)
Kjo poemё e Agim Morinёs, nё pamje tё parё asht takim i Njeriut tё mёrgimeve me Vdekjen nё Vendlindje, e qysh nё lexim tё parё s’mё ka ndodhё qё “vdekjen” ta pёrcjellё me aq andje e njiherit me aq dhimbje. Kёshtuqё u detyrova m’e lexue sё dyti si reflektim… pse hemoragjia e ikjeve tona na e fsheh mbrenda vedit vdekjen, e kur kthejmё gjejmё aq shumё njerёz te humbun, po ajo çka e trishton ma sё shumti autorin asht jo vdekja e vёrtetё njerёzore, po vdekja masive e vlerave njerzore…! Ka aq shumё vlera tё vdekuna ndёr njerёz tё gjallё sa vdekja e vёrtetё duket si nji shpёtim! Kёshtuqё kjo poemё e vdekjes shprehё me sytё e mёrgimit, bahet shumfish trishtuese, edhe kur autori pёr asnji çast s’e harron sensin e thukёt tё ironisё e tё shpotisё.
Kjo poemё e veçantё, ka formёn e nji rrёfimi tё paqёm, qё autori mjeshtёrisht e ka shpёtue prej rrezikut tё monotonisё dhe uniformizimit tekstual… E vlerёsoj si gjetje faktin qё autori e nis poemёn me vdekjen e nji maceje dhe e mbyll me vdekjen e nji qeni, si me e theksue sublimitetin i ironisё sё tij ndaj njerёvzve dhe njerёzores nё degradim…
Nё kёt poemё, secili prej nesh ma shumё se vdekjes sё vёrtetё, duhet me iu trembё vdekjes sё vlerave njerёzore…
jozef radi, Janar 2019
.
Agim Morina
Agim Morina

Nga një vizitë në vendlindje në tjetrën

poemё nga Agim Morina

 Macja e Zojës paska cofë.
 
Rrahimi, burrë i mirë e pak taravol, 
paska dhanë shpirt: e paska ba dheun breg. 
Gjithmonë ka qenë dorëdhanës. 
Edhe shpirtin e ka dhanë, besoj, me kollajllëk.
 
Kola e paska dorëzu shpirtin, 
pak mbasi e kishte dorëzu lejen e kerrit. 
E paska dhanë frymën e fundit. 
Shpesh kishte dhanë frymë në aparatet e policëve të trafikut.
 
Petriti e paska humbë jetën tue u la në det, 
pa i la krejt borxhet për paret
e humbuna tue lujtë bixhoz. 
Lahej vetëm një herë në vjet. Në det.
 
Shaqë hoxha paska ndërru jetë, 
tue i ndërru kanalet e televizorit, në moshën 72-vjeçare. 
Edhe gishti i paska ngecë te kanali 72: 
Masandej thonë: “Nuk ka Zot!” Qysh s’ka!
 
Edhe Rrusta, teneqexhija, e paska kthy barkun kah dielli, 
tue e ndërru këtë dynja me ma të mirën. 
Shaqa e paska la, pak ditë para se me lëshu shpirti edhe atë vetë.
 
E paska mbulu dheu i zi, Sefën, 
inspektorin e policisë që me një vakt i ndiqte irredentistat. 
Pati rrehë e torturu me sa fuqi pati pasë,
për me rujtë Jugosllavinë… 
Paska shku edhe aj te Tita.
 
Mordja e paska përla Hysë mullixhinë 
dhe Lame Teknefesin – regjistruesin në librin e amzës.
 
Metë Politikanin e paska rru dreqi i zi. 
Matanë e rrujtka baba Ajvaz. 
Paska ecë për atë dynja si kungulli mbi ujë. 
Kungulli i pati shku mbi ujë për katërdhjetë vjet. 
E paska marrë udhën e pakthimit. Po i poshtër ka qenë! 
Ama tash që ka vdekë, sigurisht, asht ba burrë i mirë. 
Apo veç qashtu ka mbetë me thanë…
.
Maska dhe shpirtra
Maska dhe shpirtra
E paska thy qafën edhe Kamberi, mësiti i vejushave. 
E paska thirrë Zoti: ndoshta për mësitni në xhenet. 
Ka me pasë punë tue mësitnu për 72 virgjnesha.
 
I paska cofë morri në qafë Elezit, hafijes. 
I paska çu thembrat përpjetë. 
Pati përfitu shum në karrierë si jallanshahit. 
Masandej si rojë e burgut. Shtëpinë e pati ndërtu pesë kat. 
Tash asht shtatë kat nën dhe. 
Aty te derdhja kryesore e nevojtoreve të qytetit.
 
Fryma e fundit i paska dalë Gjylës, 
ajo që shëronte duert dhe kambët e thyeme. 
Në atë dynja nuk thehet gja. Kështu kanë thanë.
E kam me t’nime.
 
I paska humbë fara Shahinit, shëruesit popullor
që u frynte në vesh të sëmutëve. 
Azraili i paska fry në vesh e ia paska nxjerrë sytë duq. 
Në një aksident trafiku.
 
Markut, shoferit të Komitetit të Lidhjes së Komunistave, 
i paska këndu prifti. Ma në fund i paska kthy kambët kah dielli. 
Gjithmonë ka qenë i kthyem andej kah ka qenë e kthyeme Partija. 
Veç tash që mordja e paska marrë e paska ndërru pak drejtimin.
 
Hyrija, inxhja e të gjithë pijanecëve të mahallës, 
i paska la hesapet me këtë dynja. 
Ma e mira grue prej të gjitha grave të mira.
 
I paska la kusuret edhe kasapi, Shahini, 
që gjithë jetën pati pre kafshë e rrinte gjithmonë 
me duer të përgjakuna e tue qeshë si arusha.
 
Të ligat na i paska marrë edhe fallxhorja Xhyzide. 
I paska mshelë sytë përgjithmonë. 
Tash i qet fall Shën Pjetrit. Edhe Hazreti Sylejmanit, qebesa.
 
Një jetë me kalu tue kqyrë shkurre e shpella, përrej e ujëvara. 
Dheu i paska ra për fytyre doktorit të grave, Xhemës. 
Gjith tue kqyrë ndërmjet kambësh 
i paska shkundë kambët e drejt e në Çeshme të Thatë.
 
Deda, prifti shtatgjatë, paska fjetë një mbramje 
e qenka zgju në parajsë. 
Ia paskan veshë çorapet me ngjyra të ndryshme: 
të kuqen në njërën e të verdhën në kambën tjetër. 
Kurrkush s’p’e din pse. As aj vetë jo!
 
Kambët i paska terë edhe Dini me gjithë zojën e vet. 
Shyqyr, ma në fund, kambëterun, 
sepse gjithmonë kambët i djersiteshin 
dhe kundërmimi prej tyne ishte si gaz lufte. 
Refa, hoxha, ia paska këndu tallkinin.
 
Jetën ia paska marrë një plumb qorr, Rremës, 
sa paska qenë tue ia ngjitë një kofshe të pulës në dasmën e tezakut. 
Dhambët protezë i paskan mbetë në kofshë të pulës. 
Aj vetë ka ra në gojën prej dheu të vorrit të zi.
 
Azraili bashkë me Xhebrailin
ia paskan marrë shpirtin Manit, babës sheh. 
Edhe aj paska ikë prej nesh. 
Kjo dynja: sot e sheh e nesër s’e sheh ma. 
Se aj shehu shahir ka thanë: 
“Shtatë ditë ymër n’kët dynja, 
Gjashtë mërzi e një sefa!”
 
Fryma iu paska nda rojtarit të morgut të spitalit, Xhelës. 
Iu paskan ftohë kambët një sabah. 
Paska shku te ata që i ka rujtë tanë jetën. Tash dikush e run atë. 
Veç Xhela e din: të vdekunit s’ia vlen me i rujtë,
por Xhela s’mun me folë ma.Gojës së tij iu ka vu dryni.
 
E nafaka iu paska mshelë Zylës, sahatçisë. 
Iu paska ndalë sahati e i paska rrotullu sytë si akrepat e orës 
herë në njënën anë, herë në tjetrën e paska thanë, 
tue shfry për të fundit herë: 
“Kthejeni sahatin me të verës!”
 
Iu paska sosë pasuli, Tonit, kuzhinierit të dasmave. 
Iu paska shkurtu bafti. 
Tash ban pasul të bardhë në ziftin e xhehnemit. 
Ama e ban të mirë. Gjynah, sa ia pati marrë dorën…
 
E qiri iu paska shymë Lutës, elektricistit. 
Iu paska tha bishti në një shtyllë elektrike 
derisa paska qenë tue ba një riparim.
.

Ndërsa matanë paska kalu edhe mësuesi, Luani. 
Paska marrë fund. Na paska lanë. Ateist pati qenë tanë jetën. 
Dhe sa herë e kishin pasë pyetë se pse ishte ateist, 
kishte pasë thanë: “Edhe zoti asht ateist!”
 
Na paska shku mjeshtri i nallaneve, Xhylbehari. 
Paska ndërru jetë me krye mbi nallane, 
tue i marrë erë drunit të sapogdhenun.
 
Paska ra në krye të detyrës, Xhaferi. Qenka martirizu. 
Po thonë që emni s’ka me iu harru kurrë. 
Kujt i duhet emni i të vdekunit, athu!?
 
S’qenka ma as Igballja. Na paska lanë. 
Ajo paska mbetë pa igball… E dynjaja pa Igballen.
 
Paska shku kah s’kthehet ma shoferi i autobusëve, Antoni. 
Ndoshta matanë ka autobusë… Kush e din. 
Ban që e merr një autobus të shtatëve e kthehet!
Kurrë s’i dihet shoferëve.
 
Paska shku në përjetësi, Dema, kundraxhija, 
babë i 12 fëmijëve dhe burri i tri grave. 
Dhe, po ashtu, grue e dy burrave…
 
E po thuhet se në parajsë paska sosë 
e me të shumtët paska shku violinisti, Pjetër Dashi. 
Kryet e ka pasë, vërtet, si dash, 
por zemrën e ka pasë: violinë.
 
Qenka nda prej jete shitësi i lodrave të fëmijëve, Zeqa. 
Ma i miri i fëmijëve. Vetë i pafëmijë!
 
Për me u shafitë, qenka shafitë Dulla. 
Qenka shu me gjithë të vëllain, tue çelë bunarin e një kojshie. 
Athu e kanë gjetë atje poshtë ferrin?
 
Edhe qeni i Ujkanit, 
që na ndiqte gjithmonë me lehjen e tij prej laraske, 
paska ngordhë.
.
.
E premte 4 janar 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.