Nga fyti i shpellës një zë nis e shuhet…
poezi nga Enkeleda Ristani
Nga fyti i shpellës një zë nis e shuhet:
“Në kamare të kishës ta lash porosinë, bij-o
është gjithçka për mungesën time
që ti të jesh edhe unë, edhe ti
Do të të çahen gishtat nga errësira
gryka s’do të të nxjerrë përherë fjalë
gërhimat mund të të zënë firomën
e një fill i leshtë do të nis të mblidhet në drugëz
por ti mos u vër emra muajve
ndryshe të zemërohen erërat dhe mbledhin retë shuk
Në të nëntë mallet do ngrihen pulëbardha
kujdes, bij-o, mos të të derdhet loti
deti është i mbytur në gropat e kripura
të syve të zotit
e peshq’ të gjelbër nuk ka më aty
as sot, as mot
Në kamare të kishës ta lash gjithë ç’kisha, bij-o
gjithë ç’ka mbetur jam unë në ty
kurse ti do mbesësh për të tutë
Po ece rrugës në dritën pjekur
vështro ujqërit e shtirur si arinj
mba vesh hënën dhe mos ua vër veshin damarëve të gjakut në sy të natës
Një ditë që do të vijë s`do bësh më naforë me kryqe të huaj
dhe ujët e bekuar në shishen bosh që solli Vjosa
derdhe në përrojskën e Gurës së Frëngut
le ta marrin ujët me vete, bij-o
bekimin e ke ti
Asnjë metelikë s’të la nëna trashëgim, bij-o
Në kamare të kishës kërko, nga jashtë
gjith’ ç’kisha t’i lash aty, në një kartë
as nënë, as babë s’të lash
veç dy gisht’ kartë me dashurinë tënde, bij-o
Lëçite e mos e humb!
Fute në qesen e rrobës, vare në qafë e mbaje në gji
siç e kemi zakon, bij-o
të marri erën e gjirit me qumësht
e qumështin e gjirit mos e mallko kurrë
ka zot e të dëgjon me veshët e tu
me buzën tënde të plasur
Harro, bij-o, harro të ligën që ka shkuar sinorit tënd
hipur në mushkën gërrmuqe!
Uro, bij-o, uro me kujtesë!
Në kamare të kishës t’i lash uratat.”