back to top
-1.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Jeta mahnitëse e Xhemal Farkës – Marsida Najdeni

Gazeta

Xhemal Farka
Xhemal Farka
Nuk e mbaj mend kur e kam hasë për herë të parë emrin e Xhemal Farkës, por duke qenë se sa herë shikoj mbiemna tironas e shënoj diku emrin që sapo pashë dhe çfarë lexova për të. Dhe kështu ndër vite e ndër shumë artikuj mua emri i Xhemal Farkës, më dilte e ridilte në momente të ndryshme. Edhe pse larg në emigrim unë pyeta banorë të vjetër, disa kërkues arkivash, por nuk pata fat. Ndërkohë që enigma Xhemal Farka rritej dhe rritej si fiksim brenda meje sepse doja kaq shumë ta zbuloja këtë figurë energjike, intelektuale, edhe trimërore. Burrë bese, besë kryeqyteti dhe jo shaka. Mësëfundi vendosa të botoj tek faqja Tirona në Facebook një artikull modest me çfarë kisha arritur të zbuloja deri asaj kohe për Xhemalin. Fati e desht që të lexohej nga mbesa e Xhemalit dhe kështu u lidha me mbesën e tij, Zenitën, e gjitha falë mikut tim Olsi Ferrazinit. Jo vetëm që tashmë jemi bërë dy mikesha të mira, por kemi dalë të njohura me rrënjë e dhëmballë. Zenita duke parë dashurinë time karshi xhaxhait të saj të pushkatuar vendosi të më tregonte e të bashkpunonte me mua për ta sjellë jo vetëm Xhemalin mbas 70 vjetëve në një ringjallje shpirtërore, por dhe shpalosjen e historisë mbreslënëse të familjes së nderuar Farka.
 
Xhemal Farka lindi më 21 mars 1913 në Tiranë. E pushkatuan më 11 shkurt 1948 në Tiranë.
Xhemali u lind nga dashuria e një Tirane qytetare, autoktone, babaxhane; edhe u masakrua nga urrejtia e një Tirane t’pushtuar, ardhacake, gënjeshtare. Si ndodh që në vetëm 35 vjet fytyra e një qyteti ndrron kaq shumë?! Nga taban bashkimi, shndërruar në skuta ferresh vrastare. Kush u përgjigj për mëkatet? Kush u dënua për ëndrrat që prenë në mes? Kush pagoi për lotët që shkaktuan në zemrat e nënave, motrave, vëllezërve, dashurave? Kush dhe kush? Kërkush! Prandaj dhe shteti jonë vazhdon me rrumpallhanen, sepse ata që morën jetët e djelmoshave bukurosha, si Xhemali nuk u hyri gjemb në këmbë. Por, unë besoj në Zot, dhe sigurisht engjëlli Xhemal e ka marrë shpërblimin e tij ashtu siç vrastarët kanë marrë atë që populli shqiptarë nuk diti tu jap.
 

Jeta e shkurtër dhe mahnitëse e Xhemal Farkës

Fëmia i tretë i çiftit Qamile dhe Hamdi Farka. Gjashtë vite më i vogël se vëllai i madh dhe tre vite nga e motra. Në një familje si kjo ku disiplina e punës, dashuria për atdheun dhe rëndësia e shkollimit u skalitën tek Xhemali qysh në vogëli. Shkollimi i Xhemalit ishte i një djaloshi që lindi në një Shqipëri të pavarur. U shkollua në shkollat fillore dhe 8 vjeçare të Tiranës. Ndoqi studimet pranë Institutit Amerikan “Harry Fultz” po në Tiranë. Gjatë jetës studentore Xhemali është tepër aktiv. E them këtë sepse në vitin 1929, Asdreni i shkruan letër Lasgushit student se “Gazeta e Re” e Tiranës po kryen një fushatë që poetit të madh pogradecar t’i publikoheshin poezitë (Gazeta Telegrafi). Po në këtë artikull me titull “Apelet për ta shpëtuar poetin: Lasgushi, studenti i varfër që dergjej nga sëmundja” mësojmë se djemtë Hazër Tufa, Xhemal Farka dhe Burhan Mulloji shëtitën listën për dhurim parash që të shërohej studenti Lasgush Poradeci në Austri. Dhe të tre djemtë duke shëtitur listën në Pazar të Tiranës, arritën të mbledhin mbi 70 franga ari.
Xhemal Farka student i Harry Fultz.
Xhemali shkëlqeu si student, u diplomua me rezultate të larta dhe tregoi përgjat gjithë jetës studentore në Tiranë një zgjuarsi të hollë. Mendimi kritik tek ai ishte tepër i zhvilluar, gjë që nuk kaloi pa u vënë re nga figurat e kohës si Sotir Kolea, Mirash Ivanaj, Branko Merxhani, Haki Stërmilli, etj. Këtë e vërteton dhe Musine Kokalari në librin “Si u krijua Partia Socialdemokrate” ku në faqe 47 shkruan se Xhemal Farka (emri i pendës “Sula i Fajës”) kishte qenë student i Sotir Koleas, dhe që shkruante qysh nga koha e gjimnazit. Me mbarimin e shkollës ai tregon prirje të larta për gazetari. Vazhdon shkruan në gazetat e kohës me emrin e pendës “Sula i Fajes” ku kryesisht shkruan për problemet sociale që kalonte shoqëria shqiptare. E veçanta e kësaj kritike është sepse Xhemali (Sula i Fajes) shkrimet i kishte në dialektin tironas dhe me një satirë të goditur. Xhemali ishte me bindje social demokrate, prandaj shkruante shpesh kundra kushteve me të cilat jetonte popullata, ose gjendjen e dobët ekonomike me të cilën ballafaqohej fshatari shqiptar. E mbesa e tij Zenita, më ka treguar, se aq shumë ranë në sy shkrimet shoqërore të kohës sa mbreti Zog vetë i thotë Kapiten Ibrahimit “shiko se vëllai jot i vogël shumë po na qorton.” Edhe mbas kërkesës së vëllait të madh Xhemali do t’i qëndronte besnik ideve të tija dhe pse kurrë nuk u mor me politikë. Aktiviteti publicistik e bëri që të njihej e miqësohej me Ibrahim Hasnaj (pseudonimi Cen Qytyku), Musine Kokalari (pseudonimi Muza), Mit’hat Arianiti (pseudonimi Rrem Vogli), Mustafa Greblleshi (pseudonimi Liu i Cakut) dhe shumë të tjerë. Për publicistikën e këtyre personazheve kam lexuar artikujt që boton i palodhshmi miku im, Jozef Radi. Ai kishte shokët e shumtë, nëse do t’na duhet të dallojmë një veçori nga Xhemal Farkës
.

Rikthimi në Shqipërinë komuniste

Mbas Jeruzalemit, do të shkonte në Bari të Italisë, ku punoi në Radio Bari, si aleat bashkë me anglezët kundra pushtimit nazist të Shqipërisë, falë njohjes së mirë të disa gjuhëve të huaja dhe tashmë eksperiencat e fituara. I vendosur tek besimet e veta për një Shqipëri të lirë dhe pa aspirata në ndonjë pjesmarrje politike, thjesht me moralin për t’i shërbyer vendit. Propagandoi si një gazetarë kundra pushtimit, propagandoi për lirinë e popullit të tij. Vizita e fundit që ka patur në Bari ishte ajo me të vëllanë Ibrahimin, i cili ishte arratisur nga Shqipëria komuniste. Aty ka një grindje të madhe me të vëllanë. Xhemali besonte se Shqipëria kishte nevojë për burra si ai, që ta ndërtonin atdheun, ndërkohë që vëllai i madh përpiqej t’i mbushte mendjen se ç’ka në të vërtetë po ndodhte në atdhe. Të dy nuk ranë dakort. Ibrahimi luftoi shumë t’i mbushte mendjen se kthimi i Xhemalit në Shqipëri më 1945, ishte një marrëzi. E tërhiqte nga trageti me forcë, por Xhemali ishte i vendosur se ai mund t’i shërbente Shqipërisë, se atje kishte nënën, vëllanë e vogël Hasanin, motrën dhe detyrën morale për ta rindërtuar atdheun mbas pushtimit.
Këtu naiviteti i Xhemal Farkës, njëlloj si i mikut të tij Mirash Ivanaj dhe qindra të tjerëve, do t’i kushtonte jetën. Xhemali, vendos të kthehej në Shqipëri edhe mbas sherrit më të vëllanë Ibrahimin. Pas këtij episodi nuk e pa dot më kurrë. U kthye me mallin disa vjeçarë në gjirin e familjarëve dhe në Tiranën e tij, për të cilën siç ka treguar në familje e kishte marrë malli aq shumë dhe e shihte shpesh në ëndrra.
Besoj se malli 5-6 vjeçar larg familjes dhe atdheut ia kishin turbulluar dhe llogjikën të kuptonte drejt çfarë i tha Ibrahimi atë dite në Bari të Italisë. Kushedi sa herë do e ketë kujtuar në mendjen e tij atë çast në errësirat e birucave të ftohta komuniste.
Fill me kthimin në Tiranën komuniste u përpoq të rilidhet me miqtë e vjetër. Me të parin që u rilidh ishte Lef Nosi. Trajtimi që po i bëhej mikut të tij Lef Nosit, ishte shuplaka e parë që ia hapi disi sytë Xhemalit, se çfarë po ndodhtë me të vërtetë në Shqipëri. Kur arriti të kuptoi se shumë miq nuk ishin më të njëjtët siç i kishte lënë, do ta ketë besuar brenda vetes vëllanë e madh. Është periudha që Lef Nosi fshihet sa në Elbasan e Tiranë ndër dyer miqsh e dashamirësh. Imagjinoni, babai i një kombi, sepse firmëtar i pavarsisë më 1912, fshihej për të shpëtuar jetën. Çmendurirat e Shqipërisë komuniste s’kanë të sosur. Në këto rrethana takohen Xhemali dhe Lefi. Nipi i Lef Nosit, Skënder Kosturi, në emisionin “Rrno për me tregue” të Nebil Çikës (I Riu), tregon se “Dajat e mi Vasil e Lef Nosi me miqtë e tyre izraelitin Marko Menahemi (që Vasil Nosi e kishte shpëtuar nga kthetrat naziste) dhe Xhemal Farkën arrestohen tek Hotel Dajti nga sigurimi i shtetit. Ndërkohe që Xhemal Farkës i thonë se mund të shkonte, sepse nuk kishte urdhër arresti për të. Xhemali nuk pranon ta le mikun e tij Lef Nosin, vetëm dhe pranon ta arrestojnë bashkë.”
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.