back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtesë në pragshekullin e Mbledhjes së Kombit – nga historiani Naun Kule

Gazeta

Shtëpia e Fugës, ku u mbajt Kongresi i Lushnjes
Shtëpia e Fugës, ku u mbajt Kongresi i Lushnjes

Kongresi i Lushnjes, 99 Vjeç..!

Kujtesë në pragshekullin e Mbledhjes së Kombit

nga historiani Naun Kule

Në janarin e pas një viti, do mblidhemi sërish në Lushnjë për t’u uruar gjithë shqiptarëve 100-vjetorin e Kuvendit kombëtar, Kongresit historik të Lushnjes. Dikush mund ta quaj të parakohshëm njoftimin e këtyre radhëve, nisur nga paranoja, sipas së cilës “kurdo të ma kërkosh, ditën e fundit do ta kryej…!” Mirëpo, në rastin e festimit të këtij jubileu shekullor, mendojmë se duhet t’i paraprijmë me projekte afatgjata, me planifikime profesionale dhe financiare, gjithnjë në nivelin e merituar dhe të mundësive që kemi.
Janë të njohura vlerësimet e shumta për këtë Kongres, bërë nga historianë dhe burrështetas për ato çka morën përsipër dhe vendosën delegatët e këtij Kuvendi historik të mbledhur këtu, në Lushnjë, gati një shekull më parë. Kështu psh, Prof. Shaban Sinani, shkruan se “…Kongresi i Lushnjes jo vetëm e konfirmoi pavarësinë e Shqipërisë, por edhe e rishpalli Pavarësinë… Ai i dha shansin vendit që për herë të parë të kishte një qeveri të ligjëshme. Mbylli kapitullin e kryetarit të shtetit nga një “i huaj” dhe ngriti institucionet shqiptare si Senati, Qeveria, Këshilli i Lartë, Kushtetuta, etj. Kongresi themeloi së pari parlamentarizmin, realizoi njohjen ndërkombëtare dhe e pavarësoi përfundimisht Shqipërinë…”.
Ish-presidenti Alfred Moisiu, shkruan se “…Kongresi i Lushnjes, përbënë një moment lavdie e madhështie në historinë e kombit shqiptar… Me këtë akt fisnik e atdhetar, myzeqarët nderuan veten dhe vendin, i shërbyen shtetit dhe popullit shqiptar duke u bërë mikpritësit dhe mbrojtësit e elitës politike të kohës, ardhur nga gjithë trojet shqiptare…
Ndaj mesazhet e këtij Kongresi janë trashigimia e vyer e historisë shqiptare të cilat duhet t’i çmojmë dhe përcjellim me krenari…”. Qëndruam edhe në vlerësimet e politikanëve për të kujtuar lexuesit se kjo kryengjarje historike, më shumë është përdorur nga politika se sa është studjuar e vlerësuar nga historia dhe historianët; një praktikë kjo, aspak e re për shtetarët dhe liderët e flamujve partiakë.
Është i njohur mendimi se Kongresi i Lushnjes, si ngjarje kulmore e historisë moderne te shtetit shqiptar, nuk është studiuar dhe vlerësuar në masën e merituar as dje, as sot paçka, se në fjalime presidiumesh e tubime solemne, brohoritet e lëvdohet edhe si ngjarje-kthesë dhe si “mrekullia e shqiptare historisë” si njeri nga tri kulmet e kësaj historie; Lidhja e Prizrenit-1878, Pavarësia e Shqipërisë – 1912 dhe Kongresi i Lushnjes – 1920. Kjo ndoshta sepse edhe modestia e tepruar e myzeqarëve nuk i kanë nxitur autorët dhe aktorët e kësaj ngjarjeje historike, të rrahin gjoksin dhe vetmburren për çka bënë, ashtu siç kishin bërë edhe të parët e tyre në “Nëntorin e dytë”, kur udhëhoqën dhe siguruan përmes Myzeqesë së ujosur, heronjtë e Flamurit, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin.
Në gjysmëshekullin e socializmit historianët e partisë-shtet nuk denjuan ta lartonin këtë Kongres se: “…Kongresin e Lushnjes e mbulonte hija e lartmadhërisë, Zogu i Parë, i cili pikërisht këtu në Lushnjë, mori shpirton e shtetarit, u bë ministër i brendshëm në qeverinë e re…!”
Por, jo vetëm mbreti Zog. Edhe shokët e tij që ideuan dhe e realizuan këtë Kongres historik, ishin të damkosur nga lufta e klasave me biografinë e “keqe të bejlerllëkut”…
.
Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes
Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes
Por edhe sot, pas çerekshekulli, kur e kemi shporrur luftën e klasave dhe gjoja shkruajmë historinë shqiptare pa pengesa politiko-ideologjike, reminishencat e të djeshmes, ende tërheqin pas. Shembulli i një qendrimi të pamerituar ndaj kësaj ngjarje kombëtare është shpesh herë mungesa e autoriteteve të larta shtetërore në disa festime të përvjetorëve të Kongresit në Lushnjë.
Ndërsa Bashkia dhe gjithë pushteti vendor në Lushnjë, bëjnë më të mirën e mundëshme, titullarët e shtetit, nuk begenisën as të përshëndesnin, siç ndodhi në përvjetorin e 95-vjetorit të Kongresit…
Duket se shtetarët e shtetit tonë, ende nuk e dinë (apo s’duan..!?), se pikërisht këtu, në Lushnje, u projektuan dhe u vulosën së pari institucionet e larta të shtetit shqiptar, të cilët këta kryesojnë sot. Se pikërisht këtu, në Lushnje, në këtë mbledhje të atdhetarëve nga gjithë trojet shqiptare, që kishin për parti dhe flamur vetëm Shqipërinë, mori udhë parlamentarizmi shqiptar, Senati dhe Kushtetuta e parë shqiptare, (Kanunorja e Lushnjes).
Në përvjetorët e përvitshëm festivë, Bashkia ndërtoi dhe përuroi në qendër të qytetit, memorialin kushtuar Kongresit, rikonstruktoi shtëpinë-muze duke e pasuruar edhe me buste të delegatëve. Por, kjo është ajo çka mund të bëjnë në përvjetorët e përvitshëm pushteti vendor dhe banorët e këtushëm. Ndërsa synimi i këtyre radhëve është për shumë më tepër dhe sidomos, për jubileun e pritshëm, 100 vjetorin e Kongresit, pas 11 muajsh.
Kjo “mrekulli” e historisë shqiptare nuk i përket vetëm Lushnjes. Duke qenë një kontribut dhe krenari kombëtare, njëherësh është edhe një detyrim dhe përgjegjesi kombëtare. Kësisoj, edhe investimet dhe organizimet përkujtimore të këtij Kuvendi të kombit shqiptar, duhen bërë objekt vramendje dhe planifikimi të organeve qendrore të shtetit, sidomos dikastereve dhe institucioneve kulturore e shkencore.
Kështu psh, në këtë pragshekull të Kongresit historik, a do të ketë ndonjë ide a projekt për ta festuar 100 vjetorin e tij në përmasën dhe mënyrën e denjë? Pyesim kështu se për të realizuar vepra dhe veprimtari të plota, disa muaj kurrsesi nuk janë të mjafta.
Kështu psh, do ishte në nderin e Akademisë së Shkencave(!?), dhe Institutit të Studimeve Historike që këtë ngjarje tashmë shekullore ta promovonin dhe përjetësonin edhe me një botim të posaçëm studimor, gjithpërfshirës dhe shterues i cili, edhe për arsyet që thamë, por jo vetëm, i mungon botimeve tona historike. Dhe dihet, një libër i tillë studimor, me pretendime akademike, kërkon kohën e vet…
Kur themi kështu, sigurisht, njohim dhe vlerësojmë autorësinë dhe botimet të cilat rrokin apo cekin teatrin politik të ngjarjeve krah të cilave, zhvilloi punimet edhe Kongresi historik i Lushnjes, si botimi i F. Veizit, 1959, të profesorëve S. Pollo dhe V. Koka, të para viteve tetëdhjetë, të prof, M. Verlit, 2006 dhe deri tek botimi i zotit E. Zerdelia. Të gjithë meritojnë përgëzime për punën e bërë.
Por kur flasim për botime të posaçme akademike për të tilla ngjarje madhore të historisë tonë, kërkojmë më shumë gjithëpërfshirje të historisë së asaj kohe në Shqipëri dhe larg saj, posaçërisht rolin e faktorëve të huaj, dhe dokumentacionin e kohës që ruajnë arkivat e huaja, sidomos roli i fqinjëve greko-sllavë dhe rivaliteti italo-austriak, për të zotëruar domenin shqiptar dhe sidomos, bregdetin lindor të Adriatikut.
Por jo vetëm kaq. Shpresojmë gjithashtu, të shërbejë kjo kujtesë për të bërë shënimet e duhura përveç Akademisë dhe instituteve përkatëse edhe dikastere të tilla si Ministria e Kulturës, pse jo, edhe institucione qëndrore si ai i Presidentit të Republikës, për ta vlerësuar Mbledhjen e Kombit, të thirrur në Lushnjë në emër të “Atdheut në rrezik”, tashmë në 100-vjetorin e pritshëm të saj, me titujt më të lartë të nderimit kombëtar, deri edhe për ta zyrtarizuar këtë ditë si festim zyrtar, siç bëjnë shtete dhe kombe që dinë të nderojnë luftën dhe historinë e popujve të vet. (Shqiptarët festojnë zyrtarisht edhe ballokumet e ditëverës…!?) Popujt që e kanë të paktë historinë, nxitin brezat ta shtojnë dhe shkruajnë atë, ne që e kemi të lashtë dhe të pasur, e nëpërkëmbim pafalshëm.
Le të na shërbej festimi i ngjarjeve të tilla kulmore si 100-vjetori i ardhshëm i Kongresit historik të Lushnjes, për t’u bërë homazhin e merituar (shpesh të munguar), të parëve tanë, atdhetarë si ata. Kësisoj rrisim edhe krenarinë e brezit të ri dhe interesin për historinë e kombit shqiptar.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.