back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Elez Braha – Yll i pashuar i Lirisë – Në 100 vjetorin e lindjes (1916- 2016)

Gazeta

Elez Braha në Gjimnazin e Shkodrës
Elez Braha në Gjimnazin e Shkodrës

Elez Braha – Yll i pashuar i Lirisë

Në 100 vjetorin e lindjes (1916- 2016),

vlerësim meritor për birin e Lumës e Shqipërisë

Në 100 vjetorin e lindjes, Shoqata Kulturore Atdhetare “Luma” e
Klubi letrar “Anton Pashku”,i bënë një vlerësim meritor Elez Ramadan Brahas,
këtij biri të Lumës e Shqipërisë, duke na pasuruar kujtesën tonë,
për të mos harruar kurrë detyrat, që kemi si amanet nga luftëtarët e lirisë,
për Atdheun e brezat e ardhshëm.
 
Elezi lindi 100 vjet më parë më 9 Prill 1916, në Bicaj të Lumës në një kohë shumë të trazuar historike. Sapo kishte filluar Lufta e Parë Botërore që dha drejtime të reja të panjohura për Botën, shoqëruar me luftëra të përgjakshme, me zinë e bukës dhe krizën e paparë ekonomike që shkaktoi miliona viktima.
Si ujqër të tërbuar vërshuam mbi Shqipërinë e pa shtet ushtritë pushtuese serbe, austriake, italiane, franceze dhe prap serbe e greke, e popullit tonë edhe në Lumë iu desh të organizohet në qëndresën popullore për ekzistencë e përparim, ku vetëm me Kongresin e Lushnjes e Konferencën e Paqes, u ngjallën shpresat për të patur edhe ne shtetin tonë.
Ai lindi në një familje atdhetare të njohur për patriotizmin e saj, e cila nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësitë shoqërore, me shtypjen e mjerimin që shkaktoi regjimi i mëparshëm. Pikërisht për këtë, kjo familje u përndoq e persekutua me burgosje, konfiskim pasurie e me internim në moçalet e Lezhës, ku edhe ndërroi jetë vëllai i Elezit, Hamiti.
Ky qe fati i rëndë i fëmijërisë së Elezit që e la me pasoja në shëndetin e tij e në varfëri të plotë. Kjo situatë e rëndë e poqi parakohe këtë djalosh për të përballuar jetën e të ardhmen e tij, me bindjen se çdo gjë në jetë nuk arrihet me ishalla, po vetëm me punë, vullnet e shkollim.
Inteligjent e i etshëm për dije, iu përkushtua mësimit e vetmësimit në të gjitha hallkat e arsimimit. Më 1929-1930 mbaroi shumë mirë shkollën plotore në Bicaj, çka i dha mundësinë në përzgjedhjen e tij për në Gjimnazin e Shtetit Shkodër për 8 – vjet me bursë shteti, të cilin gjithashtu e mbaroi shkëlqyeshëm më 1938. Me konkurs për arsimin e lartë, për profilin e shkencave egzakte, po pa dëshirën e tij, iu dha e vazhdoi Akademinë Ushtarake në Modena Itali, për sektorin e prapavijës, të cilën e mbaroi shumë mirë më 1940, duke fituar gradën Toger e shërbimin në Divizionin Ferrara, që vepronte në jug të Shqipërisë.
Gjatë jetës shkollore në Bicaj, në Shkodër dhe në Itali, Elezi ka gëzuar respektin e mësuesve e profesorëve, të nxënësve e studentëve për inteligjencën, burrërinë e ndershmërinë e një lumjani trim e besnik. Asnjëherë nuk e shkëputi vëmendjen nga problemet e kohës, të familjes, Lumës, Shkodrës e Shqipërisë.
E deshi e nuk e harroi kurrë Lumën e Bicajn, vendlindjen e tij. Bicajn, si qendër e Lumës, e pati quajtur “Selia” e fjalës e “Laboratori” i mendimit e veprimit popullor, ku me një selam apo alo Bicaj! tubohej Dheu i Lumës i mbi 8000 luftëtarëve të gatuar për luftë e qëndresë. “Luma, shkruante Elezi, në gjithë hapsirën e saj nuk është e prejardhur por autoktone me ndonjë lëvizje stan – shtëpi apo bjeshk – vrri. E lumjani kohën e ka mat më vepra e me histori…”
Kështu gjykonte e kështu mbrohej në debate rinie edhe në Shkodrën e kulturës e arsimit. Si gjimnazist i talentuar, me pjekuri e burrëri, ai u pozicionua në krahun patriotik e përparimtar të Shkodrës së debateve të ashpra ideore të viteve ’30, për krah atyre figurave gjimnaziste, që më vonë do të bëheshin drejtues të devotshëm të luftës për drejtësi shoqërore kundër mjerimit e pushtimit fashisto-naziste, përkrah Qemal Stafës, Kolë Ashtës, Xhemal Brojës, Ramiz Xhabies, Maxhun Nimanit e në vazhdim me Hajdar Dushin, Birçe Sinematin, Asim Zenelin, Meriman Brahën, Selman Bajraktarin, Nuhi Kërxhaliun, Bardhok Bibën, Abaz Shehun, Nazmi Rushitin e mjaft figura të tjera, jo të panjohura në kulturën politike të kohës, me të cilët nuk i shkëputi lidhjet asnjëherë.
I përfshirë në lëvizjen e bashkimit revolucionar të të rinjëve rreth idealit për çlirim e përparim, krahas mësimeve, leximit të literaturës botërore e mësimit të gjuhëve të huaja, frëngjisht, italisht, Elezi iu fut me guxim e vullnet të plotë edhe studimit të vlerave etnokulturore dhe fushës letrare.
Shkrimet e tij të asaj kohe gjasojnë me sens, përmbajtje e art me ato të Migjenit e të Qemal Stafës që i pati për zemër e model në jetë, në pasqyrimin e plagëve të rënda të shoqërisë: mjerimit, paditurive e pushtimi. Për koinçidencë Elezi ka shkruar të njejtin hartim si Qemal Stafa bashkënxënës të klasës V-A qershor 1935, dhënë nga profesori Skënder Luarasi, temën koment të vargjeve nga drama “Vilhelm Teli” e Frederik Shilerit: “E vjetra shembet, kohët ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash….” ku Qemali ndërmjet të tjerave shkruan: (hap sytë sa të duash kapitalist!), kurse Elezi shkruan “Djalëria nuk do të rrijë në gjumin e rand të fatalizmës. Do zgjohet drejt rrugës së mbarë dhe do të baj që gërmadhash të lulëzojë një jetë e re…”
.
Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938
Lazër Radi & Elez Braha qershor 1938
Elezi, i pajisur me dije e formim të gjithëanshëm, ka shkruar me emrin e tij, atë të vëllait Qazim Braha, e pseudonimin “Vëzhguesi”, në shtypin e kohës reth 11 skica e 10 hartime në prozë dhe 13 poezi të titulluara Tingëllima, një ditar Jetë e re dhe dy studime “Darsma në Lumë” botuan në Ylliria me 1936 në 6 numra dhe “Plagët e Kosovës, ende të pashërueshme” e një seri shkrimesh e letrash të pabotuara.
Është vështirë të gjendet një bashkëkohës i tij lumjan apo maturant e student i viteve më pas, deri në ditët tona, që të ketë studiuar e shkruar vepra të këtij niveli si të Elez Brahës. Ai qe shok klase me 4 lumjanë të njohur si Ramadan Elezi, Ymer Spahiu, Rrahman Palushi e Abaz Shehu, të pasuar në klasët tjera nga Meriman Braha, Selman Bajraktari me shokë të tjerë të njohur edhe ata për kontributin e nivelin e tyre.
Shkrimet e Elezit, fletoret e detyrave, janë e ruhen si objekte e në reliket arkivore muzeale në familje, në Kukës, në Gjimnazin e Shkodrës edhe deri në Universitetin e Harvardit në Amerikë.
Me kujdesin e Profesor Albert Batës Lord (1912- 1991), studiues: Epikës Historike Ballkanike më 1937, ai mori në Shkodër shkrimet e botuara dhe dy fletore të fizikës të Elezit si dhe dy fletore titulluara “Teli Lahutës”, të Murat Pacit (edhe ky dëshmor i LNÇL.)” dhe 6 këngë epike mbledhur nga Qamil Hoxha ne Bicaj. Me mbarimin e Akademisë, pa vullnetin e tij, Elezi ka shërbyer në ushtrinë italiane Divizionin Ferrara, në prapavijë, duke ruajtur lidhjet idealiste revolucionare me Nacional-çlirimtaren, duke dhënë një kontribut të veçantë formacioneve partizane më 1942-1943. Ndër të tjera ai ndihmoi edhe me ngritjen e Spitalit të Parë Partizan në rrethet e Korçës.
 
Në prag të kapitullimit të Italisë, Elezit iu realizua dëshira për t’u bashkuar me partizanët. Në fillim në komandën e Batalionit Partizan “Ali Kelmendi” e pastaj në inagurimin e Batalionit Partizan “Shqiponja” iu dha detyra e zëvendës komandantit, komandant Spiro Shalsi. Aty ai dha maksimumin e aftësive të tija luftarake, guximin e trimërinë në luftime deri në çastet e fundit, kur një plumb i mori jetën në betejën kundër forcave hitleriane te Guri i Kamjes në Pogradec më 14 dhjetor 1943.
Luma – Kukësi, në përgjigje të thirrjes së Çlirimtares për luftë me të gjitha mënyrat kundër pushtuesit Italo-Gjerman, krahas Njësitit, Çetës, Batalionit e Brigadës XXIV partizane, që me gjakun e 121 dëshmoreve çliruan vendin, u aktivizuan e dhanë kontributin patriotik edhe shumë bijë lumjanë të punësuar në administratë apo formacionet shërbyese ushtarake në kohën e pushtimit, ndërmjet të të cilëve Sulë Sokoli, Rexhep Braha, Ali H. Shahu, Ahmet Llamallari, Imer Z. Domi, Mehmet R. Shehu, Shem Rasimi, Myrteza Çeliku, Latif Jata, Ismail Loka, Hasan Spahiu, Islam Bulica, Miftar Ramadani, Dan Isen Braha, Hazir Asllani, Riza Braha, etj.
.
Elez R. Braha (1916-1944)
Elez R. Braha (1916-1944)
Secili nga këto ka veprimtarinë e vet në ndihmë të partizanëve e veçanërisht në informata për pozicionet e burgjet e armikut, e kjo jo pa pasoja. Kujtohet me dhimbje përsekutimi në internimin e kampit hitlerian të shfarosjes në Mathauzen të Austrisë i Sulë Sokolit. Rexhep Halil Brahës, Ali Hasan Shahut që i shpëtuan vdekjes për qime të flokut nga forcat aleate.
Elez Braha ka meritën se me devotshmëri i kaloi kufijtë feudolokal krahinor dhe ashtu, si figura të tilla të N/Çlirimtares, heronj e luftëtarë: Xheladin Beqiri, Gjok Doçi, Gjin Marku, Tuk Jakova, Dali Ndreu, Rrahman Parllaku, Rasim Guri e tjerë veriorë, luftuan me heroizëm të pashoqë që në Jug të Shqipërisë deri në çlirimin e plotë të vendit.
Për jetën e veprën e Elezit është shkruar e biseduar shumë, së pari nga shokët e frontit të luftës si: Hajdar Dushi, Spiro Shalsi, Niko Çeta, Dhimitër Ristani e tjerë. Po edhe në Kukës nga Sami Ferizi, Shaip Halilaj, Nazif Dokle, Esat e Rustem Braha, Sali Onuzi, Petrit Palushi, Fejzulla Gjabrit e tjerë.
Në këtë 100 vjetor të lindjes së tij, Akademiku lumjan i shkencave, Profesor Shefqet Hoxha, numrit 69-të veprave të botuara e 12 të tjera për botim, u shton Monografinë e plotë për veprën e Elez Brahës, botuar me interesimin e djemve të Qazim Brahës, veteranit mbi 100 vjeçar, burrit të ditur e plaku të i urtë i fjalës, që si vëlla i Elezin e i Saitin dëshmorë, ishte më tepër se prind.
Emri i Elezit është përjetësuar në Pogradec te lapidari i Gurit Kamjes. Shtëpia e kulturës Bicaj mban emrin e tij dhe, me kujdesin e Ahmet Sokolit, përgjegjës i gjetjes së eshtrave të dëshmorëve të atdheut, trupi i Elez Brahës pushon në Varrezat e Dëshmorëve të atdheut në Kukës.
Jeta e tij qe e shkurtër, vetëm 27 vjeç, po shumë e madhe vepra atdhetare, heroizmi e gjaku i derdhur, e bëjnë të pavdekshëm, këtë yll të pashuar të lirisë.
Atdhetarët e dijetarët si Elez Braha kanë vetëm lindje.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.