back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Fraza, thanie e proverba latine – sjellë në shqip nga Jozef Radi

Gazeta

Shprehje latine
Shprehje latine

Fraza, thanie e proverba latine

sjellë në shqip nga Jozef Radi

Gjuha latine i ka lanë trashëgim botës moderne nji numër të madh fjalësh, frazash të famshme, thaniesh të urta, sentenca e proverba, të cilat shpesh ndodh t’i ndigjojmë ndër bisedat e përbashkëta. Thaniet dhe proverbat latine kanë stilin e tyne, të njoftun, i cili shifet në përdorim dhe aftësinë e tyne me ndikue mbi të vërtetën, fjala vjen për shkurtësinë e jetës (thuhet e famshmja: “carpe diem”), ngjeshja e kuptimit asht nji prej parimeve bazë të përdorimit të saj
Si dëshmi e një moderniteti të këtyre proverbave, shumë prej tyne janë ndër ma të përdorunat si shkrime edhe ndër tatuazhe. Në nji renditje të frazave latine ma të tatuata, janë fraza të kësaj natyre si: “Alis volat propriis”, “Carpe diem”, “Omnia vincit amor”, “Amor est vitae essentia”, “Memento audere sempre”, “Orietur në tenebris lux tua” (vëreni edhe të famshmen “Quod me nutruite me destru”, që shfaqet në tatuazhin e Angelina Jolies).
Po ju paraqesim nji koleksion të gjanë shprehjesh latina të sjella në shqip (vendosë në rend alfabetik latin) të thënieve ma të randsishme e ma të famshme të proverbave latine.
dhjetor 2018 – shkurt 2019
.

Fraza, thanie dhe proverba latine

* A *

Ab uno disce omnis. – Prej njenit i kupton gjithё tjerёt (Virgjili, Eneide)
Abyssus abyssum invocat. – Humnera, humnerёn ndjell…
Acta est fabula. – Shfaqja tashmё mbaroi… (Augusti)
A communi observantia non est recedendum. – S’duhet m’u largue shumё prej opinionit tё pёrgjithshёm!
Ad astra per aspera. – Përmes vёshtirsive deri te yjtё
Ad infinitum – Pafundёsisht!
A Deo rex, a rege lex. – Prej Zotit te Mbreti, prej Mbretit te Ligji!
Ad impossibilia nemo tenetur. – Askush s’asht i detyruem me ba tё pamundunёn!
Ad maiora. – Pёr gjana të mёdha!
Adulator propriis commodis tantum suadet. – Lajkatari synon veç interesat e veta!
Aequam memento servare mentem. – Kujtohu qё mendjen ta kesh gjithnji tё kthjellёt. (Horaci)
Alea iacta est. – Zaret u hodhёn! – (Jul Qezari)
Aliena vitia in oculis habemus, a tergo nostra sunt. – I mbajmё para syve veset e tё tjerёve, tonat i hjedhim mbas shpine! (Seneka)
Alis Volat Propriis – Fluturo po veç me flatra t’tua!
Alium silere quod voles, primus sile – Atë çka e kërkon te tjetri ta heshti, heshte ti ma i pari! (Seneka)
Amor vincit omnia. – Dashnia fiton gjithçka! (Virgjili)
Amor est vitae essentia – Dashnia asht thelbi i jetës.
Amantes amentes. – Të dashuruem – të çmendun!
Amicum secreto admone, palam lauda. – Ndëshkoje mikun mshehtas e lëvdoje në publik!
Amicus certus in re incerta cernitur. – Miku i mirë n’ditë të vshtirë! (Enio)
Amicus omnibus, amicus nemini. – Miku i të gjithve, mik i askujt!
Amor caecus. – Dashnia asht e verbër!
Amor gignit amorem. – Dashnia prodhon dashni!
Amor magister est optimus. – Dashnia asht mësuesja ma e mirë!
Amor odit inertes. – Dashnia e urren amullinë.
Amor tussisque non caelatur. – Dashnia dhe teshtitja s’mund të mshehen!
Amoris vulnus sanat idem qui facit. – Plagën e dashnisë, e shëron veç ai që e shkakton.
Apertis verbis. – Me fjalë të qarta!
Arbore deiecta, quivis ligna colligit. – Kur rrzohet pema, tanë turren me ba dru!
Arbiter elegantiae. – Gjykatës i qartë e i rafinuem!
Ars longa, vita brevis. – Arti asht i pavdekshëm, jeta e shkurtë!
At pulchrum est digito monstrari et dicier: hic est! – Asht bukur m’u kallzue, e me t’thanë: Asht Ai! (Perseu)
Auctor opus laudat. – Gjithkush lëvdon punën e vet!
Audentes fortuna iuvat. – Fati ndihmon guximtarёt!
.

* B *

Barba non facit philosophum. – Mjekrra s’ё ban filozof!
Beati monoculi in regione caercorum: – Me fat quhet kush n’vendin e qorrave, ka s’paku nji sy!
Bene agendo nunquam defessus. – Kurrё mos u lodh sё bami mirё!
Bene vixit qui bene latuit. – Jeton mirё, kush din m’u mshehё mirё!
Beneficium accipere libertatem vendere est.Me pranue nji favor, dmth me shitё lirinё tande!
Bis peccare in bello non licet. – N’luftё, asht e ndalueme me gabue dy herё!
Bis pueri senes. – Pleqtë janë dy herë fmijë!
.
Carpe Diem - Jetoje Diten!
Carpe Diem – Jetoje Diten!

* C *

Caput imperare, non pedes. – Komandon koka jo kambët!
Carmina non dant panem – Poezitë s’të japin bukë!
Carpe diem, quam minimum credula postero. – Jetoje çastin! (Horaci)
Castigat ridendo mores – Fshikulloji veset tue qeshë! (Juvenali)
Cibi condimentum esse famem. – Uria, i jep shije gjellës! (Ciceroni)
Cogito, ergo sum! – Mendoj, pra jam!
Coniunctio animi maxima est cognatio. – Bashkimi shpirtnor asht ma i fortë se çdo afërsi gjaku!
Consuetudo est altera natura. – Zakoni bahet natyrë e dytë!
Corruptissima re publica plurimae leges. – Sa ma i korruptuem t’jetë nji shtet, aq ma të shumta janë ligjet! (Taciti)
Cotidie damnatur qui semper timet – Njeriu që jeton me frikë asht i dënuem përditë!
Cotidie morimur. – Vdesim përditë nga pak!
Cum grano salis. – Me pak krypë, e pak durim!
.

* D *

De gustibus non est disputandum. – Shijet nuk diskutohen!
De iure. – Në të drejtë!
De minimis non curat praetor. – Gjykatësi s’merret me gjana të dorës së dytë!
De rustica progenie, semper villana fuit -Kush vje prej fisesh t’egra, mbetet gjithnji i vrazhdtë
Decipit frons prima multos. – Pamja e parë shpesh mashtron. (Mos i beso fort pamjes së parë)
Defecatio matutina tamquam medicina. – Jashtëqitja çdo mëngjes, asht si nji kurë!
Deficere est iuris gentium. – Të jesh i paarsyeshëm asht e drejtë njerzore!
Desertum fecerunt et pacem appellaverunt. – E ban botën shkretinë, e mandej e quen paqe!
Dictum factum. – E thanme, e bame! (Enio)
Difficile est longum subito deponere amore. -Asht vështirë m’i dhanë fund nji dashnie të gjatë
Divide et impera. – Përça e sundo!
Divitiae non semper optimis. – Pasunia shkon jo gjithnji te ma mirët. (atyne që e meritojnë)
Do ut des. – Jap, pse ti jep!
Docendo discitur – Duke mësue tjerët mëson edhe vetë!
Ducunt volentem fata, nolentem trahunt. – Faktet u prijnë atyne që kërkojnë m’u prì, dhe hjekin zvarrë ata që i kundërshtojnë. (Seneka)
Dulce bellum inexpertis. – Lufta asht diçka e kandshme, për ata që s’e kanë provue. (Erazmi i Roterdamit)
Dum anima est, spes est. – Përsa kohë jena gjallë kena edhe shpresë! (Ciceroni)
Dum Romae consulitur, Saguntum expugnatur – Ndërsa Roma çlirohej, Sagunto ndëshkohej!
Dura lex, sed lex. – Asht i ashpër ligji, po asht ligj!
.

* E *

Ecce Homo. – Ja Njeriu! (Pons Pilati tregoi Jezusin mes turmës)
Edamus, bibamus, gaudeamus. – Hamë, pijmë, gëzojmë!
Errare humanum est, perseverare autem diabolicum. – Me gabue asht njerzore, me kambungulë në gabimin asht djallzore!
Erunt primi novissimi. – Të fundit, bahen edhe të parët!
Est in canitie ridicula Venus. – Asht qesharake dashnia e pleqnisë!
Est modus in rebus. – Ka nji masë në gjithçka!
Et monere et moneri proprium est verae amicitiae. – Me ndëshkue e me qene i ndëshkuem, asht thelbi i miqsisë së vërtetë.
Ex abundantia cordis os loquitur. – Goja flet, pse zemra asht përplot! (Ungjilli simbas Mateut)
Ex duobus malis minimum est eligendum – Midis dy të këqijave zgjidh at’ ma të voglën!
Ex nihilo, nihil. – Nga asgjaja, del asgja!
Exemplo plus quam ratione vivimus. – Jetohet përmes shembujve, jo përmes arsyes!
Exercitatio optimus est magister. – Praktika asht mësuesja ma e mirë.
Etiam capillus unus habet umbram suam. – Edhe nji fije floku, ka hijen e vet!
Ex ore parvulorum semper veritas. – Prej fjalëve të fëmijve, del gjithnji e vërteta!
Excusatio non petita, accusatio manifesta. – Për faljen e palypun, akuza rri n’kambë!
Exilis nummus brevem parit missam. – Për at që paguen pak, mesha asht e shkurtë!
Expertus metuit. – Kush ka eksperiencë, druhet!
Est modus in rebus. – Në çdo gja, duhet masa! (Horaci)
.

* F *

Faber est suae quisque fortunae. – Gjithkush asht krijues i fatit të vet (Salusti)
Facis de necessitate virtutem. – Bane virtutin të domosdoshëm.
Facta lex inventa fraus. – U ba ligji – u sajue mashtrimi!
Facta non verba. – Faktet vlejnë – jo fjalët!
Fallacia alia aliam trudit. – Rrenat tërheqin njena-tjetrën! (Terenci)
Fallere, flere, nere, statuit Deus in muliere. – Me mashtrue, me qa e me tjerrë: këto përcaktoi Zoti për gratë!
Fames crescit eundo. – Uria shtohet me të ngranë…
Felicium omnes sunt cognati. – Të gjithë janë të miq të fitimtarëve!
Festina lente Nxito, por me kujdes.
Fiat lux – Dritë u bëftë!
Fortis cadere, cedere non potest. – Të fuqishmit rrëzohen, po nuk dorzohen!
Fortuna vitrea est; tum cum splendet, frangitur – Fati asht si xhami, si shkëlqen njashtu thyhet! (Publio Siro)
Frangar, non flectar. – Thyhem, po s’përkulem!
Fugit irreparabile tempus. – Koha ikën në moskthim!
.

* G *

Grata rerum novitas. – Çdo e re gjithnji e mirpritun!
Gutta cavat lapidem. – Pika shpon gurin! (Ovidi)
.

* H *

Habent sua fata libelli. – Librat kanë fatin e tyne.
Haud facile astutus fallit astutum. – S’asht e lehtë që dinaku me mashtrue dinakun!
Hic manebimus optime. – Këtu mund të qëndrojmë gjatë! (Tit Livi)
Hic sunt leones. – Këtu na qenkan luanët” (me kallzue zonat e panjoftuna, të paeksplorueme)
Historia magistra vitae. – Historia asht mësuese e jetës! – (Ciceroni)
Homines nihil agendo discunt male agere. -Njeriu tue mos ba asgja, mëson me bà keq! (Katoni)
Hominis est errare, insipientis perseverare -Njerzor asht gabimi, m’e vazhdue asht çmenduni!
Homo est minor mundus. – Njeriu asht botë në miniaturë! (Boecio)
Homo faber fortunae suae. – Çdo njeri asht krijues i fatit të vet!
Homo homini lupus. – Njeriu për njeriun asht ujk! (Plauti)
Homo proponit sed Deus disponit. – Njeriu propozon, Zoti miraton!
Homo sine pecunia est imago mortis. – Njeriu pa parè, merr hijen e vdekjes!
Homo sum: humani nihil a me alienum puto. – Jam njeri, e çdo gjà njerzore s’më asht e huej! (Terenci)
Honesta mors turpi vita potior. – Nji vdekje me nder, ma e mirë se nji jetë e turpshme!
.

Libër në latinisht
Libër në latinisht

*  I *

Ibi semper est victoria, ubi concordia est. – Ka gjithnji fitore, ku ka harmoni! (Publio Sirio)
Ignorantia legis non excusat. – Mosnjoftja e ligjit, s’asht justifikim!
Immersus emergo. – Kur zhytesh – rishfaqu!
Imperare sibi maximum imperium est. – Me komandue vetvedin, asht ma e nalta formë e komandës. (Seneka)
In amaritudine salus. – N’hidhnimin ma të madh, shëndetin!
In camera caritatis. – Në sekretin ma të thellë!
In dubio pro reo. – Dyshimi asht në favor të dyshuemit!
In dubis abstine. – Në situata të ndërdyshta, shmangu!
In medio stat virtus. – Virtyti rri diku në mes! (Horaci)
Impossibilium nulla obligatio est. – Askush s’asht i detyruem ma bà të pamundunën! (Celsi)
In saecula saeculorum. – N’shekuj të shekujve!
In vestimentis non est sapientia mentis. – Urtësia s’rri ndër veshje!
In vili veste nemo tractatur honeste. – Asnji i keqveshun, s’trajtohet me respekt!
In vino veritas. – E vërteta rri në venë!
Iniquum est collapsis manum non porrigere – Asht padrejtsi mos m’ia dhanë dorën, atij që rrzohet!
Inter os et offam multa intervenire posse. – Mes gojës dhe kafshatës ndodhin shumë gjana.
Intelligenti pauca – Kush merr vesh, s’ka nevojë për shumë fjalë!
Aut viam inveniam aut faciam. – O kam me gjetë nji shteg, o nji far! (Hanibali para se me pushtue Romën)
Ipse dixit. – E thatë ju!
Ipsa senectus morbus. – Pleqnia asht sëmundje në vetvedi! (Ciceroni)
.

* L *

Lente properare memento. – Mos harro, nxito po me qetësi!
Libri ex libris fiunt. – Librat vijnë prej librash!
Littera enim occidit, spiritus autem vivificat. – Fjala vret, shpirti paqton! (Shen Pali)
Lupus in fabula. – Fol për djallin, shfaqen brinat! (Kujto qenin e ban gadi shkopin!)
Luceat lux vestra. – Lene me shndritë, dritën tande! (Bibla)
.

* M *

Mala tempora currunt. – Kalojmë kohë të vshtira
Manus manum lavat. – Njena dorë lan tjetrën… (Seneka)
Mater artium necessitas. – Nevoja asht nana e arteve!
Mater semper certa est, pater numquam. – Nana asht e sigurt, jo baba!
Medice, cura te ipsum. – Mjeku kuron vetvedin!
Medicus curat, natura sanat. – Mjeku kuron, natyra shëron!
Melius abundare quam deficere. – Ma mirë le të teprojë se me mbetë mangut!
Melius cavere quam pavere. – Ma mirë syhapun se i trembun!
Memento audere sempre. – Çasti, asht mbret i gjithçkaje! (moto e D’Annunzios)
Memento mori. – Mendo se duhet me dekë!
Mens sana in corpore sano. – Mendja e shëndoshë në trup të shndoshë! (Juvenali)
Mors et fugacem persequitur virum. – Vdekja e mbrrin edhe njeriun që vrapon! (Horaci)
Mors omnia solvit. – Vdekja zgjidh gjithçka! (Justiniani)
Mors tua vita mea. – Vdekja jote, jeta ime!
Mortui non mordent. – Të vdekunit s’kafshojnë ma!
Mulier malum necessarium. – Martesa, asht nji e keqe e domosdoshme! (Xhelio)
Multa paucis. – Të shumtën, me sa ma pak fjalë!
Mutatis mutandis. – Me ndryshue të ndryshueshmen!
.

* N *

Nam tua res agitur, paries cum proximus ardet. – Asht në valle shpia jote, n’se digjet shpia e fqinjit tand! (Horaci)
Naturam expellas furca, tamen usque recurret. – Mundesh me e përzanë karakterin tand me cfurk, po ka me t’u kthye sërish – (Horaci)
Nascimur uno modo, multis morimur – Lindim n’nji mënyrë t’vetme; vdesim në shum’ mënyra.
Nec tecum possum vivere nec sine te – S’mundem me jetue pa ty, e as me ty s’mundem! (Marciali)
Necesse est multos timeat quem multi timent. – Duhet me pasë shumë frikë, prej atyne që kanë shumë frikë!
Nemo propheta in patria. – Askush s’asht profet, në vend të vet!
Nemo liber est qui corpori servit. – Kush ndjehet skllav i trupit të vet, s’asht i lirë!
Nequam per verba, odorem noscitur herba -Mashtruesi njifet prej fjalësh, si bari prej arome!
Nihil dictum quod non dictum prius. – Asgja s’mund të thuhet, që s’asht thanë ma parë!
Nihil difficile amanti. – S’ka asgja të vështirë, për at që dashuron!
Nihil est, quod Deus efficere non possit. – S’ka asgjà që Zoti, s’mundet me e bà!
Nihil inimicus quam sibi ipse. – S’ka armik ma të madh se vetvetja! (Ciceroni)
Nihil morte certium. – Asgja s’asht ma e sigurt se vdekja!
Nihil sub sole novum. – Asgja e re nën kët diell! – (Ekleziasti)
Nil est dictu facilius. – Asgja s’asht ma e lehtë se e foluna!
Noli rogare, quom impetrare nolueris. – Mos ban pyetje pa asnji përfitim!
Nomen omen. – Emni asht nji garanci! (Plauti)
Nomina sunt consequentia rerum. – Emnave u shkojnë për shtat gjanat! (Justiniani)
Nomina sunt odiosa. – Asht e urrejtshme, me përmendë emna! (Ciceroni)
Non bene, si tollas proelia, durat amor. – Dashnia pa grindjet e vogla, vdes!
Non est vivere sed valere vita est. – Jetë s’do me thanë me jetue, po me u ndje mirë!
Non hodie, nec heri, nec cras crede mulieri. – As sot, as dje e as nesër – mos besoni ndër gra!
Non plus ultra. – Asnji hap ma tutje!
Nosce te ipsum. – Njif vetvedin! (Platoni)
Non ut edam, vivo; sed ut vivam, edo. – S’jetoj me hangër, po ha me jetue! (Kuintiliani)
Nulla dies sine linea. – Asnji ditë, pa nji rresht! (Plin Plaku)
Nulla est voluptas quae non adsiduitate fastidium pariat. – S’ka kënaqësi që bashku me harenë, mos t’sjellë mërzi!
Numquam periclum sine periclo vincitur. – S’kapërcehet nji rrezik, pa rrezikue!
Nunc aut nunquam. – O tash, o kurrë ma!
.

* O *

Occasio furem facit. – Rastësia të ban edhe hajn!
Oculi sunt in amore duces. – N’dashni, udhëhiqemi prej syve! (Properci)
Oculum pro oculo, et dentem pro dente. – Sy për sy e dhamb për dhamb!
Oculus domini saginat equum. – Syni i të zotit e shndoshë kalin!
Odi profanum vulgus et arceo. – E urrej turmën injorante, dhe rri larg saj! (Horaci)
Omne animal post coitum triste. – Çdo kafshё mbas rjepjes, trishtohet!
Omnes feriunt, ultima necat. – Tё gjitha plagosin, e fundit vret!
Omnia cum tempore. – Me kohё, çdo gja! (Ekleziasti)
Omnia mutantur, nihil interit. – Gjithçka ndryshon, asgja nuk vdes!
Omnia munda mundis. – Pёr njeriun e pastёr, t’gjithё janё tё pastёr! (Shёn Pali)
Omnia mutantur. – Gjithçka ndrron! (Ovidi)
Omnia tempus habent. – Çdo gjàje, i vjen dita!
Omnis homo mendax. – Gjithё njerzia e ka mbrenda vedit rrenёn.
Omnia fert aetas. – Koha merr me vedi gjithçka! (Virgjili)
Ora et labora. – Lutje dhe punё… (Shёn Benedikti)
Orationis summa virtus est perspicuitas -Ma i madhi virtyt i debatit – asht qartsia (Kuintiliani)
Orietur in tenebris lux tua. – Midis territ, ka me lindё drita jote!
Otia dant vitia. – Koha e shkueme kot, pjell vese!

.

* P *

Pacta sunt servanda. – Paktet bahen me u mbajtë!
Panem et circenses. – Bukё dhe lojna! – pёr me hutue popullin (Juvenali)
Parce sepulto. – Kursejnё veç tё vdekunit… (Virgjili)
Parturient montes, nascetur ridiculus mus. – Polli mali, nji mi qesharak!
Pecunia non olet. – Parja s’qelbet kurrё!
Pecuniae omnia parent. – Tё gjitha gjanat i binden pares!
Plebeia ingenia magis exemplis quam ratione capiuntur. – Mendjet e randomta ndikohen ma shumë prej shembujsh se prej arsyes! (Makrobio)
Poeta nascitur, orator fit. – Poet lindesh, orator bahesh!
Porta itineris dicitur longissima esse. – Pragu asht pjesa ma e vështirë e rrugës!
Post coitum omne animal triste. – Mbas çiftëzimi, çdo kafshë ndjehet e trishtueme.
Post fata resurgo. – Mbasi të vdes, kam m’u rilindë!
Post prandium stabis, post coenam ambulabis. – Mbas dreke – pusho, mbas darke – shetit!
Prima digestio fit in ore. – Tretja e parë nis prej gojës!
Primum facere, deinde philosophari. – Ma parë ban diçka – mandej filozofo!
Primum vivere, deinde philosophari. – Ma parë jeto – mandej filozofo!
Prius antidotum quam venenum. – Ma parë ilaçi, mandej helmi!
Probitas laudatur et alget. – Ndershmënia asht e bekueme – po vdes së ftohti! (Juvenali)
Pulvis es et in pulverem reverteris. – Pluhun je, n’pluhun ke m’u kthye.
.

* Q *

Qua fugiunt hostes via munienda est. – Anmiku që ikën, urat e arta!
Qualis pater, talis filius. – Si i jati, edhe i biri!
Quae volumus, credimus libenter. – Besojmë me gjithë mend, çka dishrojmë!
Qui autem invenit illuminvenit thesaurum. – Kush gjen nji mik, gjen nji thesar!
Quidquid praecipies, esto brevis. – Për gjithçka di, ji konçiz! (Horaci)
Qui gladio ferit gladio perit. – Kush me shpatë vret, prej shpatës do të vritet!
Qui tacet, consentire videtur. – Kush hesht, aprovon!
Qui timide rogat, docet negare. – Kush pyet me droje, mësohet me refuzue! (Seneka)
Qui vicit non est victor nisi victus fatetur. – Fitorja s’asht fitore, n’se s’e ka pranue humbsi! (Enio)
Quis custodiet ipsos custodes? – Kush i mbikqyr mbikqyrsit! (Juvenali)
Quod erat demostrandum. – Siç deshe t’na dëshmoje!
Quod hodie non est, cras erit. – Nëse s’asht sot, do të jetë nesër!
Quod me nutruit me destruit. – Çka më ushqen, me shkatërron!
Quod non potest diabolus mulier evincit. – At që s’mundet djalli, mundet grueja!
Quod non vetat lex, hoc vetat fieri pudor. – Turpi e ndal at çka ligji s’e ndal! (Seneka)
Quot homines, tot sententiae. – Sa njerëz, aq mënyra të menduemi!
Quod licet Jovis non licet bovis. – Çka i lejohet Zeusit, s’i lejohet buallit!
Quod oculus non videt, cor non desiderat. – Çka syni s’e shef, zemra s’mund me e dishrue!
.

Latinisht
Latinisht

* R *

Radix omnium malorum est cupiditas. – Dashnia për paranë asht nana e tana t’kqijave!
Rara est adeo concordia formae atque pudicitiae. – Ndodh rrallë që bukuria e modestia t’bahen bashkë!
Raro simul hominibus bonam fortunam bonamque mentem dari. – Rrallë u jepet njerzve edhe fati edhe mirkuptimi në t’njajtën kohë. (Tit Livio)
Relata refero. – Them, çka m’asht thanë!
Rem tene, verba sequentur. – Përqëndrohu n’nji koncept, dhe fjalët rrjedhin! (Katoni)
Repetita iuvant. – Përsëritja asht dobi!
Ridendo dicere verum. – Tue qeshë e tue ngjeshë. Thuaje t’vërtetën tue qeshë. (Horaci)
Risus abundat in ore stultorum. – E qeshuna, mbush gojën e të marrve!
Roma caput mundi. – Roma qendra e Botës
.

* S *

Semel in anno licet insanire. – Nji herё nё vjet, m’u çmendё s’asht qamet! (Horaci)
Semen retentum venenum est. – Fara e ndalueme asht helm!
Semper avarus eget. – Lakmiqari asht gjithnji nevojtar!
Si vis amari, ama. – Nёse kërkon dashni, duej!
Si vis pacem para bellum. – Nёse e don paqen, pёrgatit luftёn!
Sic stantibus rebus. – Kjo asht gjendja!
Sic transit gloria mundi. – Ja kështu shkon lavdi e kësaj bote!
Sic vos, non vobis. – Kështu Ju, por jo për Ju!
Silent leges inter arma. – Ligji hesht nё kohё lufte! (Seneka)
Spes ultima dea. – Shpresa vdes e fundit!
Stat sua cuique dies. – Secili jeton n’ditё tё vet!
Stultorum infinitus est numerus. – Tё marrёt e kёsaj bote, janё pafund! (Bibla)
Sub longis tunicis brevis est animus mulieris. – Gratё: veshjet e gjata e mendjet e shkurta!
Summum ius summa iniuria. – Drejtёsia absolute asht padrejtёsi!
Sursum corda. – Nalt moralin!
.

* T *

Tempus edax rerum. – Koha bren gjithçka! (Horaci)
Tempus fugit. – Koha fluturon!
Tertium non datur. – Ka veç dy mundsi, s’ka nji tё tretё! (Aristoteli)
Tempus omnia medetur. – Koha shёron gjithçka
Timeo Danaos et dona ferentes! – U frikem danajve, edhe kur sjellin dhurata… (Virgjili)
Trahit sua quemque voluptas. – Secili rend mbas pёlqimeve tё veta!
.

* U *

Ubi Bene Ibi Patria. – Ku jeton mirё, aty asht Atdheu!
Ubi opes, ibi amici. – Ku asht pasunia, janё edhe miqtё
Ubi maior minor cessat. – Para tё fortit, i dobti hap rrugё!
Unicuique suum tribuere, alterum non laedere. – Jepi gjithkujt çka i takon, e mos damto askёnd!
Ut sementem feceris ita metes. – Ç’ke mbjellё – ke me korrё!
.

* V *

Vae victis. – Mjerё tё humbunit!
Vanitas vanitatum, et omnia vanitas. Kotёsia e kotёsisё asht e gjitha kotёsi! (Eklesaiasti)
Veni vidi vici. – Erdha, pashё, fitova! (Jul Qezari)
Verae amicitiae sempiternae sunt. -Miqsitё e vёrteta, janё tё pёrjetshme! (Ciceroni)
Verba volant, scripta manent. – Fjalёt fluturojnё, e shkruemja mbetet!
Veritas filia temporis. – E vёrteta asht bijё e kohёs! (Aulo Xhellio)
Vestis virum facit. – Veshja e ban njeriun! – (Vesha – kopilesha)
Video barbam et pallium; philosophum nondum video. – Shef mjekrёn e kashtёn, e s’shef filozofin!
Video meliora proboque, deteriora sequor. – Shif ma t’mirat e lёvdoji, mandej shif ma t’kqijat!
Vita brevis, ars longa, occasio praeceps, experimentum periculosum, iudicium difficile. – Jeta asht e shkurtë, arti asht jetgjatë, çasti fluturon, eksperimenti rrezikon, gjykimi i vështirë – (version latin i mjekut Hipokrat)
Vis unita fortior. – Forca e bashkueme – ma e forta – (Bashkimi ban fuqinë)
Vita, si uti scias, longa est. – N’se di me e përdorë, jeta asht e gjatë! (Seneka)
Vitam regit fortuna, non sapientia. – Jeta shkon pёrpara prej punve, jo prej dijeve! (Ciceroni)
Vita via est – Jeta asht nji rrugtim!
Vitium impotens, virtus vocatur. – Vesi që s’ka pushtet, quhet virtyt!
Vox populi, vox Dei. – Zani i popullit, zani i Perëndisë (Bibla)
Vulpem pilum mutare, non mores. – Dhelpna qime ndërron, jo zakon! (Svetonio)
.
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.