back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Letra e At Pjetër Meshkallës S.J. drejtue Mehmet Shehut

Gazeta

Padër Pjetër Meshkalla
Padër Pjetër Meshkalla (punue prej F.Radovanit 1991)(1901-1988)
Kjo letër është gjëja më e mrekullueshme,
më e pazakontë e botës së thellë shpirtërore
të një Individi të jashtzakonshëm.
Ndër tre milione shqiptarë të nënshtruar
u ngrit një zë kundërshtimi ndaj përbindëshit
me një bukuri pothuajse hyjnore.
Si askush tjetër në Shqipëri, At Pjetër Meshkalla
provokoi me ndërgjegje të plotë burgimin e tij të dytë.
Megjithatë, si një mallkim i paevitueshëm i paditurisë dhe ligësisë,
sot Shqipëria dënohet për të mos gjetur rrugën e saj
drejt Civilizimit Perëndimor, ngaqë të tjere modele të pështira admirohen.
At Pjetër Meshkalla admirohet veç prej një grushti njerëzish,
të cilët nuk mund të shpërndajnë dot retë e zeza
të grumbulluara nga ideologjia e Homo Sovieticus…
robert martiko, 29 shtator 2017

 

Letra e At Pjetër Meshkallës S.J.

drejtue Kryeministrit Mehmet Shehut

Kryetarit të Këshillit të Ministrave
 – Mehmet Shehu
- Tiranë

Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli!
Mendova të drejtohem me kët letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

Pjetër Meshkalla  - Letër Mehmet Shehu
Pjetër Meshkalla – Letër Mehmet Shehu

Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e Autorit, në mos i dorzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?

Mehmet Shehu (i vet-vrarë) 1913-1981
Mehmet Shehu (i vet-vrarë) 1913-1981

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhen, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë!
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqsore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
 Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Këshillit të Ministrave
 – Mehmet Shehu – 
në Kryeministri –
Tiranë 
5 Prill, 1967.
Me nderime
Pjetër Meshkalla

Meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Fatos Zalli
    Një herë ish kryeministri Mehmet Shehu shkon për inspektim në burg dhe me cinizëm e pyet Padër Meshkallën:
    -Hë Padër, a zure ndopak mend?
    Dhe ai qetsisht iu përgjigj:
    Jo zoti Kryeministër, mend zajnë fmija… Un e ti tash nuk zajmë ma mend… Un prift e ti komunist!
    (marrë nga Muri i fb, 25 shtator 2014)

  2. Ishte njeriu që la gjurmë me jetën e tij.
    Unë nuk njofta ndoj tjetër njeri si kët Gjigant… Me pak fjalë i papërkulun në çdo aspekt.
    Sa i nevojshëm do t’ishte pranija e tij sot në këtë botë hipokrite, që Meshkalla e urrente aq shumë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.