Nji ndër shkrimet e para e ma interesante,
të cilin pa frikë mund ta konsiderojmë si studimin e parë serioz shkrue mbi Migjenin,
kur ende s’ishte botue vepra e tij, po vetëm çka ishte botue nëpër revista
e gazeta të ndryshme të kohës në të gjallë të tij, ishte ai i studentit universitar Pashko Gjeçi,
me titull “Migjeni – poet flamurtar”, botuar me 22 janar 1940, në gazetën “Fashizmi”.
Edhe ky shkrim vlen me u paraqitë i plotë për dy arsye:
e para pse asht ndër studimet ma serioze t’asaj kohe;
dhe së dyti, pse askush s’ka folë dhe s’e ka përmendë atë,
vetëm për faktin se ky shkrim na paska qenë i botuem në gazetën e masipërme,
domethanë ka vuejtë për ma shumë se nji gjysë shekulli thjesht nga paragjykimi.
(Marrë nga Libri i Lazër Radit “Nji verë me Migjenin”)
.
Migjeni – poet flamurtar!
nga Pashko Gjeçi (1940)
Ma kande ta kujtoj kët Poet të vdekun.
Jo, pse jam i mendimit se Migjeni u harrue kaq menjiherë prej lexuesve shqiptarë, porse kujtimi i tij më zgjon gadi mall për nji kohë që ndoshta nuk kthehet kurrë.
Mundet që ka nji iluzion imagjinar, por më duket se kur shkruente ai frynte nji erë e re mbi Shqipnin.
Ky njeri i hollë, i hollë e i zbetë si flaka e nji qiri, që dridhet se po shkrihet, kishte krijue pothuejse nji atmosferë të re shqiptare. Atmosferë pak si të turbullt, por të paevitueshme tue marrë parasysh sasinë e madhe të problemeve që qitte në shesh me shkrimet e veta.
Veç më duket gabim po mendohet se Migjeni vetëm me të rreshtuemit (venduemit) origjinal të problemeve tona shqiptare, mundi të shkaktojë gadi nji kryengritje në mentalitetin e rinisë intelektuale. Përkundrazi, unë jam i mendimit se çka na tronditi në at kohë qe patjetër ai sensibiliteti, ajo notë e re që ai nxorri posa ra në përpjekje me realitetin shqiptar.
Migjeni asht për letërsinë shqiptare nji fenomen.
Nuk ka afinitet shpirtnor me asnji prej shkrimtarëve tonë e, po të dojshim me gjurmue gurrat e frymëzimit të tij do të kalojshin kufijtë e Shqipnisë.
Tue marrë parasysh këtë fakt mund të pyesim se deri në çfarë mase Migjeni mujti t’i riprodhojë skenat e jetës sonë shoqnore?
Shqipnia pak kishte ndryshue. Njashtu si e gjetëm të tjerët para tij, njashtu e gjet edhe Migjeni.
Si shpjegohet ndryshimi i papritun i tonit?
Mund të sillen mendime të ndryshme po, unë besoj se në gjinin e shoqnisë sonë u shkaktue nji përçamje. Papritmas u pre proçesi historik e u zgjuen befas elementet e kaosit.
Megjithse jo efektivisht, së paku shpirtnisht, u krye nji përmbysje vlerash morale.
Nga ky kuadër i copëtuem jete doli Migjeni.
Poet me nji fantazi të çrregullueme u zhyt në kët botë kaotike. Përpjekja e tij e parë ishte me fitue nji imunitet e nji unitet shpirtnor, me marrë nji qëndrim të premë. Nga kjo rrjedh pjesa e tij pozitive dhe pjesa e tij negative. Migjeni nuk e randon kaosin, por e përzien ma tepër.
Nga kjo gjendje e errët dhe e dëshpërueshme shpërthen tallja e tij sardonike: vlon vneri dhe inati kundra botës. Hera herës ngrihet e merr përpjestime viganore. Atëherë Migjeni asht i tmerrshëm sa mos me kursye as sendet ma të shenjta. Edhe blasfemitë nuk janë të pakta ndër shkrimet e tij. Hera herë shndrrohet, ulet e i qanë hallet e njerëzimit.
Sa mjerim gjindet në jetën shqiptare për Migjenin tepër të vorfën, tepër të salvuem.
Në pendën e tij bota heroike e Fishtës shndrrohet në nji botë të degjenerueme. Oso Kuka e çeta e tij gjejnë përgënjeshtrimin në “Apoteza e misrit”. Tringa e gjen karikaturën e vet në malësoren e shkretë qi zbret prej fshatit të vet me nji kalë dru, e i shkon me thupër mbas shpine tue e vizatue mbarë e mbrapsht, sikurse janë mendimet e sajë, tokën e pluhnueme.
Ideja e nderit shkakton nji nënqeshje cinike në buzët konvulsive të Migjenit dhe shenjtëria i zgjon nji ilaritet djallëzuer. Mjafton me lexue vjershën aq të bukur, megjithse krejt imorale “Kanga skandaloze”.
Fantazia e tronditun e shtyn Migjenin me krijue skena makabre, me ngjye me bojë të zezë peisazhin. Ai procesion i pambarueshëm të mjeruemish, që Migjeni përshkruen, e pikëzon me shijen e nji të sëmuni të përkujton diçka nga Dostojevski.
Migjeni asht i pari pesimist. Para tij e mbas tij kemi vetëm poetë melankonie.
Shka e shtyn Migjenin me kenë pesimist?
Asht gabim me thanë: bota e mjerueme shqiptare, megjithse nuk ma ka anda me përdorë euforizma para nji realiteti të ashpër.
Migjeni gurrën e pesimizmit e kishte në vete dhe jo jashtë vetes. Por kurrë nuk kjau si fjala vjen Leopardi mjerimet e veta, por gjithmonë mjerimet e të tjerëve.
Vetëm nji herë vajtoi gjendjen e vet: e për të mbramen herë. Para vdekjes botoi nji poezi, ndër ma të bukurat:
“… unë nuk e dijsha/ o jetë
se kaq i tmerrtë/ asht grushti yt
që mbytë/ pa mëshirë…”
Poeti ka mbetë edhe këtu i njajti, por tash asht shumë i lodhun. Fjalët duken porsi të randueme nga dëshpërimi mezi i mbajtun. Poezia rrjedh pak e trazueme, por spontane nën hijen e nji mallëngjimi të ngashëruem. Kangëtari i pasioneve të turrëshme ndjen melankolinë dërrmuese të nji njeriu të zhgënjyem nga jeta. Nën kumbimin e kësaj poezie që i ngjan aq tepër tingullit të nji kambane të përmortshme, poeti vajton veten për së gjalli. Vetëm nga kjo vjershë mund të shpjegojmë shkakun e pesimizmit të tij.
Migjeni pësonte vetë, pësonte tmerrësisht, prandaj aq lehtas dijti me u vu në përpjekje me pësimet e njerëzimit. Por, këtë dhimbjen e vet të mbrendshme kurrë nuk e shprehu ndër shkrimet: vetëm në poezinë e fundit, në poezinë e dnesës:
Delikatesë e hollë e nji artisti!
.
(Pashko Gjeçi, 22 janar 1940, Gazeta Fashizmi)