back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Nji burrë nuk qan humbjen e nji grueje qan humbjen e nji shoqeje të jetës… – rrëfim i Lazër Radit

Gazeta

Lazër dhe Vitore Radi - Tiranë 1992
Lazër dhe Vitore Radi – Tiranë 1992

Nji burrë nuk qan humbjen e nji grueje

qan humbjen e nji shoqeje të jetës…

rrëfim i Lazër Radit, pak muej para largimit nga jeta

Tim atë s’e kam pa pothuej kurrë të qajë!
Edhe im atë, si gjithë njerzia, grindesh me nanën time
po kjo vetëm kur vinte fundi i 15 ditshit
dhe ata s’e kishin pasë të lehtë me ia dalë në krye
e me na i plotësue nevojat ne tre fëmijve…
Edhe kur grindeshin ata flisnin në gjuhë të huej
e ne kurrë s’e morëm vesh qartë pse ata grindeshin…!
Po shpejt e vrenim se ajo grindje mes tyne bahej paqe.
Sot, ndwrsa e shoh tim atë të përlotet,
e të thotë do fjali magjike n’emën të nanës sime
e të grues së tij të vdekun, e kuptoj madhështinë
e atyne dy njerzve për fatin tim ishin prindët e mi
që edhe n’vuejtjet ma të pabesueshme ia dolën
me e dashtë e me e respektue njeni-tjetrin! jozef radi
 
Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi - 1957
Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi – 1957

Ajo grue e sakrificave të mëdha dhe kohnave kur jetohej me 600 gram bukë…

Asht shumë e dhimbshme, sot në kët përvjetor, të kujtoj gruen teme, at shoqe të jetës që ndau me mue edhe kafshatën e fundit të gojës, që nuk m’u nda asnjiherë. Kudo, në vështirsinat ma të mëdha të jetës, ishte pranë meje (fillon e qan) ishte me mue.
Po, shumë e dhimbshme ta kujtoj sot në kët përvjetor të humbjes së saj edhe mezi po e pres ditën qi të shkoj ashtu siç qemë t’bashkuem në jetë, të bashkohem me të, edhe në vdekje.
Nuk harrohet kurrë ajo grue e sakrificave të mëdha e atyne kohnave kur me 600 gram bukë në ditë, u detyruem të jetojmë, e për mos me u nda nga unë, at kafshatë buke e ndajshim përgjysë… Nuk mundem ta harroj, e nuk mund t’ia harroj unë kurrë asaj, ditët e vështira të internimit në të gjitha kampet, nga Kuçi i Kurveleshit në Radostinë, nga Shtyllasi në Savër, nga Çerma në Rrapëz e Gjazë kudo qi isha unë ishte edhe ajo! Ajo ishte e lirë, por nuk u nda nga unë, me bukë e pa bukë edhe jo vetëm, po e kisha edhe grue qi më jepte zemër në punën teme…
Më kujtohet njiherë, kur më erdhi Petrit Hakani, ishte gjeneral, edhe kryetar dege në Vlonë, erdhi në Kuç të Kurveleshit, i thirri të gjithë të internuemit, ndër ta më thirri edhe mue… edhe tha: Tirana të kërkon qi të bashkëpunosh me të, për jashta Shqipnisë. Nuk i dhashë asnjë përgjegje at natë. I thashë do ta mendoj kët punë e do ta jap përgjigjen. Shkova në shpi dhe i thashë grues… Kshtu, kshtu asht puna! Jo! – më tha do të vdesim këtu në Kuç të Kurveleshit, me bukë e pa bukë, por vegla të ktyne nuk do të bahemi kurrë! E mbaj mend atëhere, e putha në dy faqet dhe i thashë: “Ti më dhe zemër për me e vazhdue luftën deri në vdekje! Të lumtë goja! – edhe kshtu u ba. Nuk do t’ia harroj kurrë! Ishim pa bukë: me 600 gram bukë të dy! 300 ajo e 300 un në 24 orë! Kurrë s’u ankue ajo grue… Kurrë s’u ankue, kurrë nuk e tregoi nji keqardhje për vuejtjet që po i hiqnim ne në të gjitha ato vite të vështira e të gjata të internimeve.
.
Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre- Ervis Dine dhe Antonio Saver 1989
Lazer dhe Vitore me dy nipat e tyre-
Ervis Dine dhe Antonio Radi Saver 1989

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.