Censura komuniste mbi Murat Toptanin
dhe dy poezi nga Murat Toptani
nga Marsida T. Najdeni
Murat Toptani kjo figurë poliglote e patriotike dhe prej artisti, që ka bërë aq shumë për shqiptarinë sa ende mbas 100 vitesh nga vdekja e tij zbulohen mrekullirat që ka lënë ky vigan. Murati ishte njeriu i vjershës, i pikturës, i skulpturës, i gazetarisë, i trimërisë, i pushkës, i atdhetarisë, i dijes, i politikës, i diplomacisë, i miqsisë dhe dashurisë. A ka gjë, që ka lënë pa bërë, ndërkohë që persekutohej nga Porta e Lartë. Persekutimi do t’i vazhdonte edhe mbas vdekjes gjatë komunizmit. Fëmijëve të tij komunizmi do t’u hidhte çka kish.
Albi Serani ka shkruar gjatë mbi vuajtjet e djalit të Muratit, Hasan Toptani, i cili dërgohet në Llakatund të Vlorës nga Tirana dhe iu desh të mbrojë veten nga vdekja në gjyqin komunist nga ku shpëtoi vetëm falë aftësisë së avokat Fadil Llagamit. Djali tjetër, Shadan Toptani, i diplomuar në Itali në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos. Në vitin 1947, dënohet me 10 vjet burg, por për fatin e tij të mirë lirohet mbas 21 muajsh burgim.
Muratit, edhe vepra e tij si patriot do t’i censurohej jo pak. Bashkarisht dhe vepra e tij si artist do t’i minimizohej goxha. Ai firmëtar i pavarësisë, si bir i Lidhjes së Prizrenit, si skulptor rilindas – i pari që gdhendi Skënderbeun në një bust, i pari karikaturist shqiptar, artist i afirmuar, diplomat në çdo koloni shqiptare të kohës. Ishin armët e Murat Toptanit që mbrojtën Ismail bej Vlorën drejt 28 Nandorit. I kurdohershmi Murat, s’ka moment të rëndësishëm rilindas që s’do ta gjendet emri i tij. Jo më kot dhe një nga firmat më të mëdha në dokumentin e aktit të pavarësisë është e tija.
I pari që do të këndojë himnin e flamurit gjatë aktit të pavarësisë më 1912. Atij që iu dha flamuri për ta ngritur më 28 nandor 1912 dhe me shpirtmadhësinë e një tironsi ia kaloi bablokut të zgjuar, Ismail Qemal.
.
“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924. E në fakt ndër dekada që pasuan pothuajse u la në harresë. Vizatimet e tija ende nuk janë mbledhur. Edhe krijimet e tjera përveç një botimi më 1924, me vjershat e Muratit. Ferid Hudhri boton më 1978, librin “Murat Toptani.” Një libërth i vogël, studim i kufizuar duke parë rrethanat e asaj kohe. Kjo jo për mungesë të aftësive të z. Hudhri, por nga frika e kurdohershme. Është një punim prezantues i kënaqshëm për jetën e Muratit, por kurrsesi i mjaftueshëm. Në faqen 71 të librit të z. Hudhri më del poezia “Flamurit të Shqipënisë.” Këtë vjershë e kisha lexuar diku tjetër me rastin e 1 vjetorit të pavarësisë më 1913. Vjersha në librin e z. Hudhri ka rreshta të zhdukur dhe mbuluar me pika, fenomen që në këtë libër ndodh shpesh. Si mund të fshihet puna patriotike artistike e një vigani si Murat Toptani?
.
Ndërkohë më poshtë do t’paraqes sesi kjo vjershë është botuar për lexuesit më 1978 në librin e z. Hudhri.
Vjersha “Flamurit të Shqipënisë” nga Murat Toptani ribotuar me censurë më 1978, në librin e z. Ferid Hudhri.
Cilat vargje mungojnë dhe përse janë fshirë?
Mbi ty shqipja hapi fletë,/ U çliru me ty Shqipnija
Qoftë e lirë si ti për jetë,/ E madhnoftë Perëndija!
Gjithë strofa është zhdukur nga censura e kuqe. Kjo jo për faj të z. Hudhri duke patur parasysh se ç’mund t’i ndodhte në ato vite. Mendoj unë arsyeja përse është hequr sepse përmendet perëndia. Shqipëria e vitit 1978, ishte vend ateist, pa Zot, na dilte e na tepronte partia me virtytet vëlla-vrasëse. Po ashtu përmendja e fjalës “çlirim” ishte pronësuar me përdhunë si meritë komuniste, vetëm ato mundnin me sjell “çlirim” kërkush tjetër.
Rreshti tjetër i zhdukur është:
Prej Tivarit e te Preveza…
Kjo është dhe më e rëndë. Masakrat e Tivarit u harruan dhe as u përmendën ndonjëherë për gjysëm shekulli. Sllavët ishin vëllezërit tanë ndërkohë përtej kufirit ishte “shoku kosovar” etj. Shqiptarët e Prevezës ishin të zhdukur në memorien komuniste.
Lutem që një ditë një studiues/e e historian/e i/e joni/a me kualitetet e duhura t’arrijë ta paraqesë jetën dhe veprën e plotë të një nga baballarëvë të kombit, viganit, Murat Toptani.
.
Dy poezi nga Murat Toptani
Dëshirë
I
Sa past’ dielli zjarm e dritë,
Sa herë perëndoftë e gdhiftë ditë,
Sa ndërroftë koha dimën e verë,
Çelin lule të bukra me erë,
Sa biftë bari e çel gjeth e fletë,
Sa rrjethshin lumnat, sa past’ uj’ e det,
Sa t’jetojë toka, kjo gjithësi,
Sa t’lëvrijë çështja në hapësi,
E sa, t’jetë gjallnia përmbi këtë dhe
Jetofsh Shqipni, i dashtuni Atdhé!
II
O dhè i Shqipnisë, dhè i beku;
Joni je, se me gjak tonë je gatu,
Gjithëherë trim qoftë, biri jot shqiptar,
Për ty mos kurseft gja, as gjak, as ar,
Ky gjak i joti asht, e mjera nanë,
Se emnin “shqiptar”, ti na e ke dhanë.
Marrë nga libri “Murat Toptani” të Ferid Hudhri botuar më 1978, faqe 76.
.
Lulet
Çilni lule, se erdh pranvera,
Shif sa u zbukurue hera,
Leu dielli i dashtunisë,
Këndon fëllënza, bilbili,
Çelin vjollca, erdhi prilli
Për zonjën e bukurisë.
Zgjohu, o e dashtuna e ime!
Këndojnë zogjt’ me urime,
Shif sa u zbukuru mëngjesi
Ah! çili t’i shof syt’ e zez,
Si qiell’i i qiru pa rrezë,
Dielli i mëngjezit’ e ndezi,
Ah! kur qesh Ti, më gëzo në shpirt,
Buz’e kuqe lëshon dritë,
Si agimi je, Afërdita,
Kur qesh Ti, qesh gjith kjo jetë,
Rrëngejne lule, gjet e fletë,
Si Ti zbukurohet dhe dita
5 maj 1893, Tiranë
*Marrë nga libri “Murat Toptani” të Ferid Hudhrit faqe 86.
Falenderoj znj. Z. Farka për librin “Murat Toptani – Artist i Rilindjes.”
.