back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Kadareja? Po kjo është loja! – (Debat parimor me m!q) nga Ardian Marashi

Gazeta

Ardian Marashi
Ardian Marashi

Kadareja? Po kjo është loja!

(Debat parimor me m!q) nga Ardian Marashi

ARS revista letrare shqiptare 2004

A keni dëgjuar gjë rreth e rrotull jush? Ndonjë sharje të rëndë kundër “ars”-it, a paksëpaku ndonjë paralajmërim (miqësor?) që të mos përziheni me ata që “nxijnë” Kadarenë! Edhe ndonjë tjetër figurë të vyer kombëtare, po sidomos Kadarenë! Se, që të merret vesh, sebepi i sherrit nuk është më femra ndër shqiptarë, po Kadareja! Ithtarët e tij kohët e fundit janë bërë fort patetikë, si të qe fjala për të marrë në mbrojtje një specie që rrezikon zhdukjen. Të mirisurit, ç’telashe i hapin vetes! E sa krenarë ndihen! Kanë aq pak ide kombëtare në kokë, saqë mendojnë se, duke i dalë zot Kadaresë, që e quajnë “gjigandi”, “kolosi”, “vigani i letrave shqipe”, po kryejnë vepër patriotike! More, po, është për t’u habitur: pandehin se kanë fëmijë qurravecë para vetes dhe i trembin me përralla katallajsh! Don Kishoti, që e dimë të gjithë për donkishot, e afirmon veten duke iu sulur viganëve (kockat i thyhen, ama të vetën e bën), kurse miqtë tanë mendojnë se afirmohen duke i marrë viganët nën mbrojtje. E ç’të mbrojtur, pa: një çikë t’ua prekë dikush, bërtasin se u bë zullum kombëtar. Ndoshta s’kanë faj. Ndoshta edhe të drejtë kanë. Se janë gjindje që nuk bëjnë dot pa udhëheqës. Pa “babë”. U duket se po t’ua “nxijë” kush Kadarenë shkojnë dëm trimijë vjet histori iliro-arbënore dhe në këtë gjest mbrojtës të panevojshëm gjejnë justifikimin e tyre ekzistencial.
Sipas tyre, nuk do ta meritonim të na quante bota shqiptarë, po të mos kishim nxjerrë në dritë një Kadare. Faktori i parë, sigurisht, si çmosgjë për mentalitetin e tyre zulu, është “bota”: Çfarë do të thonë bota? Po sikur ta marrë vesh bota? Ç’do mendojë pastaj bota për shqiptarët? Janë gati ta hanë rrenën me bukë, vetëm e vetëm që bota t’i pandehë shqiptarët si puna e tyre për më të mirë se ç’janë. Thua se bota nuk na njeh ne shqiptarëve! Thua se ne shqiptarët nuk e njohim botën, që na e kalon ku e ku për të mirë e për të keq.
Si gjithnjë në historinë tonë të afërme dhe të largët, formula zgjidhet manikeiste: kush nuk është me Kadarenë, është kundër Kadaresë. Sipas kësaj logjike, asnjanësia nuk ekziston as për hipotezë. Madje konsiderohet fajtore. Atëbotë asgjë nuk pengon që manikeizmi të marrë përmasa kombëtare dhe të shndërrohet në delir. Shqyrtohen imtësisht biografitë dhe kundërshtarët shpallen armiq. Ata më të rinjtë, që lindën vonë e s’patën fat t’u qëndiset dosja, shohin t’u zhbirilohet etimologjia e mbiemrit e deri onomastika e prejardhjes apo lidhjet e krushqisë, që në çdo rast “dëshmojnë” bashkëpunimin me të huajt. Mundësisht me Serbin, se formula shitet e blihet lirë, ose edhe me Grekun, aniçka, në pritje që karta maqedone të japë provat e saj. Viktimizimi historik (alias tema e qendresës në letërsinë shqipe) vazhdon t’i ushqejë hartimet oratorike, veçse e reja është se të ndodhurat e sotme e kanë afruar mu te kufinjtë “armikun” që Kadareja, i thekur për ekzotikë politike, e kërkonte shkretëtirave të Anadollit, të Siberisë a të Gob(p)it.
Kurse e vjetra është se, jo veç në politikën shqiptare, po edhe në kulturë e në ars përgjithësisht, mendimi alternativ supozohet se ka gjithmonë frymëzim ose nxitje të fshehtë armiqësore. Meqë, siç u pa, armiku nuk është më ideologjik, por fizik dhe mu-te kufinjtë, bashkëfajësia e akshcilit shqiptar merret si e mirëqenë, posaqë preken tabu nacional(ist)e. Liria e mendimit, për do burra që ende besojnë se opinioni publik janë ata, është gati më e pafalshme se krimi i vrasjes. Parimisht, po, dihet, sot askush nuk del hapur kundër lirisë së mendimit dhe të shprehjes, ama ajo që synohet të arrihet është një lloj lirie e centralizuar, fijet e të cilës i ka në dorë si gjithnjë patriarku: kreu i shtetit, akademiku, mësuesi. Ajo që vihet re, pas kësaj, është mungesa e frymës krijuese dhe e origjinalitetit, ndërsa njerëzit vazhdojnë të vlerësohen jo simbas cilësisë së punës, por simbas aftësisë për të ulur kokën e për të mos shkaktuar “probleme”. E mandej pyesim veten si kemi ngelur kaq mbrapa të tjerëve…
.
Ismail Kadare
Ismail Kadare
Përndryshe, revolta dhe mosbindja qytetare e kanë çuar përpara shoqërinë njerëzore. Se, ja, ç’bëri Prometeu, fjala vjen? Ngriti krye kundër Zeusit. Po Zeusi qe përgjithësisht perëndi i drejtë, ç’nevojë kishte Prometeu të merrte zjarr? E thjeshtuar, përgjigjja mund të jetë kjo: po të mos vepronte siç veproi, Prometeu nuk do të ishte Promete. Për t’i sjellë diçka të vlefshme shoqërisë, duhet guxuar. Duhet tejkaluar modeli që vetë shoqëria priret ta imponojë me forcë. Duhen shkelur shtigje të reja. Doemos. Se po të ecnim gjithmonë veç në gjurmët e babës, do të mbrrinim në buzëmbrëmje në të njëjtën shpellë prej nga majmuni i parë u çua në dy këmbë. Është e vërtetë se asnjë prind nuk dëshiron që fëmija t’i tregojë mosbindje, ama çdo prind i denjë për këte emër ndihet krenar kur sheh se fëmija i tij ka mbërritur më larg se ai vetë. Në rastin e kundërt, ai vdes me brengën se nuk ka qenë prind i mirë.
Në art, gjithashtu, “mosbindja” sjell zhvillim. Ajo bën që gjithësecili të gjejë rrugën e vet, duke mos u bërë detyrimisht më i mirë se paraardhësit, po detyrimisht vetvetja, domethënë i ndryshëm dhe unikal. Artistët, dikush më pak e dikush më shumë, instiktivisht këtu synojnë të arrijnë. Në këtë kuptim, ata kanë qenë gjithmonë të mosbindurit e mëdhenj. Po të mos qe kështu, poetët europianë sot e kësaj dite do të ishin duke kënduar bëmat e Akil kambëshpejtit e të Hektor hynerit, se, medemek, gjynah të hidhej poshtë Homeri, ai farë burri! Mirëpo, nga ana tjetër, pa mitizimin e Homerit letërsia e Europës ndoshta nuk do të kishte mbërritur të bëhej moderne, nëmospo nuk do të kishte mbërritur asgjëkundi. Është e qartë, pra, se kurrkush nuk hedh dot poshtë kurrkënd, as kadareistët antikadareistët, as këta ata, as njëra e tjetra palë lexuesin e çinteresuar, për të cilin Kadareja është ai që është, me shumë të këqiat e shumë të mirat e veta. Historia na ka krijuar të gjithëve bashkë e për fat na ka krijuar kështu.
Në të vërtetë, në tërë këtë gurgule, kleçka qëndron te Historia, jo te Kadareja. Te fakti se Historia, siç të krijon, të merr! Të gjorët shkrimtarë për këtë luftojnë të gjithë, si të fusin ndonjë gisht të vockël fare në portën e historisë! Kadare është futur kokë e këmbë, për fat të tij e të atyre që e duan, dhe djemtë e “ars”-it s’po bëjnë gjë tjetër veç po i japin një të shtyrë, se ka bllokuar derën! Mbas ndonja njëqind a dyqind vjetësh, kur Kadareja të mos përbëjë më rrezik asfiksie për brezat letrarë të popullit të shqipeve, do të mund të flitet për të pa histeri. Siç flitet sot, fjala vjen, për Barletin, Bogdanin, De Radën, Camajn. Dhe për ndonjë tjetër që nuk ndjek modelin letrar të Kadaresë.
Me sa i kuptoj unë gjërat, ndryshe nga antikadareizmi i viteve të para mbasdiktatoriale, që drejtohej kundër personit moral e që për pasojë mbeti në nivel thashethemesh, antikadareizmi i sotëm shpreh pikësëpari vullnetin për t’u distancuar nga Kadareja si model letrar. Bartës i të dy këtyre drejtimeve, siç edhe i takon, është Kasëm Trebeshina. Vështruar kështu, një lidhje e djemve të “ars”-it me Trebeshinën ishte më se e pritshme dhe nuk ka pse të skandalizojë askend: kjo nuk është lidhje brigadash të kuqe, as lidhje kundër brigadave të kuqe, po bashkëpunim për të arritur diçka deri më sot të ndaluar e që lidhet me kërkime modelesh të reja letrare. Gjë që, doemos, kalon mbi kurrizin e Kadaresë, për vetë pozitën e tij si person “me profesion shkrimtar i madh”, sikundër shprehet Blendi Kraja. Dëshmi e këtyre zhvillimeve është edhe fakti se tash së fundi rrethi i autorëve të treguar me gisht si “gardë e vjetër”, është zgjeruar, duke përfshirë figura të njohura kombëtare jashtë kufinjve, respektivisht në Kosovë e Maqedoni. Mos do të thotë kjo se “ars”-i po e profilizon veten si botim letrar në oponencë me opinionin e zyrtarizuar? Në faqet e së cilës lexuesi është i ftuar të gjejë një letërsi ndryshe? Ajo që rroket me vështrim të parë, sidoqoftë, është se në letërsi, ashtu si në politikë, lufta mes brezave ka filluar.
Në këtë botë virane, me gjasë vetëm ne (dhe fqinjët tanë, se kështu shkon kjo punë, me rajon gjeopolitik) kemi mbetur që trembemi nga dekonstruktivizmi, ose filozofia e ndërtimit nëpërmjet (sh)prishjes. Sipas promovuesit të saj, Jacques Derrida, mendimi dhe veprimi në kundërrymë janë faktorët kryesorë që garantojnë se, në një shoqëri të caktuar, rryma kalon. Parashtresa dhe justifikimi i kësaj filozofie qëndrojnë në këtë gjykim të thjeshtë: Për të vërtetuar se diçka është e vërtetë, unë përpiqem të provoj të kundërtën e saj; nëse kjo e kundërt më del e pavërtetë, kjo nuk do me thënë që unë s’kam të drejtë të provoj sërish. Kështu, vetëm nëpërmjet vënies së vazhdueshme në pikëpyetje, për gjithçka e për gjithkend, përfshirë edhe vetveten, provojmë se jemi në lëvizje e se e ardhmja ndodhet përpara nesh e jo mbrapa.
Nëse sot “nxihet” Kadareja dhe “zbardhet” Trebeshina, kjo me ç’duket bëhet për të shprehur të drejtën e ekzistencës, në shkallë të barabartë me Kadarenë dhe kadareizmin, të të gjithë asaj pjese të letërsisë shqipe e të mendimit estetik shqiptar që i bie ndesh Kadaresë. Unë prirem të shoh në këtë platformë të “ars”-it premisat e një metodologjie të tipit dekonstruktivist, ende të pakonsoliduar në aspektin e rigorozitetit teorik, po sido me qenë të arsyeshme në vetvete.
Në përfundim, sa më sipër do t’i përmblidhja në këtë paradoks: Në letërsi dhe në arte nuk ka zhvillim pro, ka veç zhvillim kundër. Artisti që mbetet gjatë me opinionin “pro”, i cili karakterizohet nga adhurimi pa kushte për modelin, mbetet në vend ose kthehet në imitues. Kush, ndër krijuesit, ia dëshiron vetes një fat të tillë? As Bashkim Shehu s’do ta pranonte se stilistikisht nuk është më shumë se kopje e papërkryer e mjeshtrit të adhuruar. Pale më satelitët dhe satelitkat e vetëshpallura, që u futën në letërsi në mesin e viteve shtatëdhjetë, kur në hapësirën shqiptare Kadareja servirej si fillimi dhe fundi i aventurës letrare. Zhvillimet aktuale, në mënyrën e tyre, janë dëshmi se aventura vazhdon.
.
ARS, Nr 31. Fq.3. E Dielë, 3 Tetor 2004

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.