back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Gjurmë Çamërie në Shkodër – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pamje nga Cameria - Filati
Pamje nga Cameria – Filati

Gjurmë Çamërie në Shkodër

nga Pertefe Leka

Piktura e Kolë Idromenos
“12 Luftëtarët e Pargës në lundër”,
Bashkimi Shpirtëror i Kombit
.
Kushdo që ka vizituar qytetin e vjetër historik të Shkodrës është joshur nga çfarë natyra e ka stolisur. Në hyrje të pret kalaja hijerëndë, ku përpara syve të shfaqet Rozafa, që të krijon imazhin e një nuseje me tabaka në dorë, që të uron mirëseardhjen. Lumejtë, Drini dhe Buna që bashkohen pak metra larg kalasë e plotësojnë pejsazhin me ishujt plot gjelbrim, që lundrojnë në ate gjerësi ujore. Hija e Taraboshit që reflektohet në ato ujëra rrethues, merr ndriçim nga rrezatimi i valëve të Liqenit, duke i dhënë një forcë mbrojtëse.
Në hyrje nuk kanë mbetur shumë gjurmë nga qytetërimi i vjetër, (janë prishur gjatë periudhës së komunizmit) prap se prap në qendër të qytetit të Shkodrës ndeshesh me ndërtime të një arkitekture të stilit klasik, të trashëguar nga dora e artistit të madh shkodran, Kolë Idromeno.
Dikur Pjaca e Vjetër, sot Pedonale, është e shtruar me gur dekorativ, që krijojnë një mozaik të harmonishëm me ndërtesat karakteristike, në të dy anët e sheshit.
Arkitektura e Pjacës së vjetër nuk ka ndryshuar. Inxhinieri arkitekt, Kol Idromeno, ka përshtatur stilin e ndërtimeve veneciane, që i kanë rezistue kohës, duke ruajtur edhe sot autenticitetin. Në atë shesh të mirorganizuar, është përfshirë edhe Muzeumi Kombëtar i Fotografisë Marubi, që mban koleksionin më të famshëm të fotografisë shqiptare që prej vitit 1865.
Si nxënës i Pjetër Marubit, në pikturë dhe në fotografi, edhe Kola djalë i ri e realizoi një studio të tillë, kur u kthye nga studimet nga Venecia. Ai hapi një Atelie Fotografie “Dritëshkronja e Kolës”, ku mori vlera si një artist gjithnjë në rritje.
.
Kol Idromeno (1860-1939)
Kol Idromeno (1860-1939)
Duke ecur në Pedonale të bie në sy ndërtesa e “Kafes së Madhe”, si lokali më atraktiv, po edhe kjo vepër e Kol Idromenos, që të le përshtypjen sikur po kalon në një rrugë të vjetër vjeneze. “Kafja e Madhe” asht vendi më i preferuar për takimet e shkodranëve, gjithashtu edhe për të huajt që vinin të vizitonin qytetin e lashtë të Teutës.
Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famëshme: “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane” që e identifikojnë lehtë emrin e autorit, si Mikelanxhelo i Shqipërisë. Të gjitha pikturat e tjera të Idromenos kanë vlera, sepse secila ka veçantinë e vet artistike.
Më pëlqen të veçoj pikturën “Oborri shkodran” se më duket vetja si në shtëpinë time, sepse jam rritur në një mjedis të tillë me lule shumëngjyrëshe dhe pemë dekorative, ashtu siç i ka harmonizue me dorë të lirë, artisti i madh, në atë telajo.
Në parajsën e gjelbërimit që rrethojnë pusin me gur të gdhendur ndihen këngët dhe melodite që kompozitori Idromeno ia ka kushtuar luleve. Edhe lulet në atë oborr duket sikur këndojne, sepse ngjyrat i kanë dhënë muzikalitet atij peisazhi. Nuk besoj të ketë një vend tjetër si në Shkodër që t’ju kenë kënduar me kaq pasion luleve; karafilit e zambakut, lule borë e marangjylit, drandofiles e lule vjollcës … që personifikojnë bukurinë rinore, dashurinë e sinqertë, delikatesën njerëzore, shpirtin e pastër dhe fjalën e ëmbël. Në Shkodër edhe kur të shajnë të thonë: “T’marrtë e mira!” ose “Ta marrsha t’keqen!”
E pra ky artist i madh, piktor, fotograf, kompozitor, arkitekt, asht Nikollë Kolë Idromeno (1860-1939). I lindur në Shkodër, por me origjinë nga Çamëria.
Familja e tij me origjinë nga Arvanitasit e ishullit Hidra të Greqisë, i përkisnin religjionit ortodoks. Ata erdhën në Shkodër nga Parga e Çamërisë. I jati, Arseni, ushtronte profesionin e marangozit, ku shpesh merrte edhe Kolën e vogël me prirje për të vizatuar, të zbukuronte orenditë që mbaronte.
Martesa e Kolës me vajzën qytetare, Roza Saraçi, e shkodranizoi edhe më shumë, u dha pas muzikës popullore, kompozimit dhe instrumentit. Merrte pjesë në ceremoni dasmash bashkë me motrën Tone, e cila këndonte sikur të kishte mbaruar shkollë për kanto. (Shiko pikturën “Dasma Shkodrane”) Më vonë vdekja e djalit të vetëm dhe e motrës Tone në moshë të re e pikëlluan thellësisht, por kurrë nuk u tërhoq nga rruga e një artisti patriot.
Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e ka paraqitur në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në Lundër”. Mendja menjëherë të shkon për të identifikuar trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimshme. Ata që ishin në lundër mund të ishin ortodoks shqiptarë, që u detyruan të largoheshin, sepse nuk pranonin të quheshin grek për hir të religjionit. Ata mund të ishin myslimanë shqiptarë që ua mohonin nacionalitetin, tokën pasurinë dhe trashigiminë, për këtë i zbonin me forcë nga vendlindja.
.
Mitrush Kuteli (1907-1967)
Mitrush Kuteli (1907-1967)
Në ate varkë mund të ishin edhe paraardhësit e Mitrush Kutelit të religjionit ortodoks, nga fisi i përmendur Kuteli nga Arta e Çamërisë, që i përjetësoi në vargje biri i tyre, Dhimitër Pasko, duke ngritur zërin vendosmërisht: “Se jam këtu, kur s’kish njeri dhe as kufi, as fqinjëri… Se… nga një det në tjatrin det isha zot vetë… Unë jam këtu dem baba dem…” Mitrush Kuteli
Por të gjithë ata në lundër ishin luftëtarë shqiptarë, në përpjekje të përbashkët për të shpëtuar kombin nga pretendimet gllabëruese të fqinjëve. Ishin ata që bashkuan idealet dhe armët në “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Atje ku u bashkuan Abedin Dino i Prevezës, personalitet i përmasave mbarëkombëtare, me Daut Boriçin, kryetar i lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, dijetar i shquar. Hodo Sokoli me Hoxhë Hasan Tahsinin e Çamërisë, Abdul Frashëri më Lekë Ivanajn e Trieshit… Atje u bashkuan edhe dy më të rinjtë e kuvendit, Çami i ri nga Shkodra Kolë Idromeno (1860-1939) me Isa Boletinin e Mitrovicës, (1864-1916) për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Çamërisë, Mbretërisë Greke.
Mbrojtjen e këtij pretendimi e deklaroi me forcë edhe Vaso Pashë Shkodrani, i cili mund të ishte në lundrën e Idromenos së bashku me Abedin Dinon e Prevezës dhe Hoxhë Tahsinin e Ninatit të. Çamërisë. Kur shkruan:
“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë/ Gjithkund lshon Dielli vap’ edhe rrezë/ Asht tok’ e jona prindtë na e kanë lanë/ kush mos na preki, se desim tanë.” Pashko Vasa
Atje ku ishte Bashkimi Shpirtëror i Kombit, aty ishte Vaso Pasha. Që kur ishte i ri kishte luftuar me armë në dorë në Itali, krahas Garibaldit për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë. E me ate eksperiencë, si mazzinian, luftëtar dhe idealist themeloi institucionin e tolerancës fetare, në funksion të bashkimit kombëtar me emrin “Feja e shqyptarit, asht Shqyptaria” me të cilën nderohemi edhe sot me këte trashëgimi. Në nderim të ketij Apostulati, Shkodrani nuk u kursye për të vepruar në të gjitha drejtimet. Në vitet 1860, me një grup intelektualësh, Zef Jubani, Vaso Pasha e Hasan Tahsini… organizuan kryengritjen antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë. (Për dijeni Hoxhë Hasan Tahsini kishte kaluar shumë vite në Shkodër, kur i jati ishte caktue si Myfti në qytetin verior dhe, Hasani, vazhdoi shkollën në Medresenë e Mustafa Bushatit, ku u bënë shokë me Daut Boriçin dhe të dy më vonë u bënë të përmendur për dituri.)
Përsëri ishin bashkë, Vaso Pasha, Hasan Tahsini, Abedin Dino, Sami Frashëri… në shumë organizime.
Gjatë luftës Ruso-Turke, kur forcat greke zbarkuan nga Korfuzi në Sarandë, të mobilizuar nga Rusia në emër të Panortodoksisë dhe shqiptarët përjashtoheshin si subjekt i së drejtës kombëtare, këta intelektualë luftëtarë, krijuan në Stamboll, Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare.
“Komiteti i Stambollit” ngriti në këmbë gjithë Çamërinë e Labërinë, në mbrojtje të territoreve shqiptare nga invazioni grek.
Vaso Pashë Shkodrani, kur ishte këshilltar pranë Valiut të Kosovës me 1877, ishte ndër nxitësit kryesor me Hasan Tahsinin e Çamërisë, Abdyl Frashërin, Abedin Dinon dhe ishin në brezin e parë të tubimit mbarë kombëtar, “Lidhja e Prizrenit” me 1878.
.
Pikture e Kol Idromenos
Pikture e Kol Idromenos
Kështu ishin së bashku në krijimin e Alfabetit të gjuhës shqipe në Stamboll dhe në shumë aktivitete mbarëkombëtare. Po bija e Çamërisë, Elena Gjika ç’lidhje ka me vajzat shkodrane, me Zef Jubanin, Pashko Vasën…
Një personalitet i shquar i kulturës dhe historisë shqiptare, që e nderon qytetaria shkodrane… Një dijetare e njohur në të gjithë Evropën e deri në Amerikë, është Princesha Rumune, Dora D’Istria, me origjinë shqiptare, me nënë nga Çamëria. Më pëlqen të zgjatëm me këtë figurë sepse i bën shumë nder kombit tonë jo vetëm, si grua e vitytshme por edhe për mësimet këshilluese që ka lënë, të cilat i kanë rezistue kohës dhe janë aktuale për politikën shqiptare në lidhje me ate evropiane.
Ajo është e afirmuar si shkrimtare, publiciste, shkencëtare e nivelit botëror. Personaliteti më në zë që ka pasur historia jonë e cila kishte lidhje me njerëzit më të shquar si De Rada… Ajo dha një kontribut të çmuar edhe për “Lidhjen e Prizrenit”.
Ajo nga studimet e folklorit shqiptar nxori veprën “Kombësia shqiptare sipas kengëve popullore” 1866. Ajo që ngriti zërin për emancipimin e gruas shqiptare dhe të kombësive të tjera. Gruaja më e shquar e shek.19 dhe e të gjithë kohërave, me një zemër fisnike, një mendimtare rigoroze e nivelit më të lartë intelektual.
Ajo la porosi të vyera për zgjidhjen e problemeve kombëtare.
“Përpjekjet që do të bëjnë shqiptarët, për të krijuar bashkimin e tyre intelektual, shkencor e moral, është baza e bashkimit politik, ata që do të kryejnë këte vepër do të hedhin themelet e Shqipërisë së ardhshme”
“Ditën kur Shqipëria jonë do të ketë aq bujq, sa ka ushtarë, ajo do të bëhet vendi i parë në lindje. Uashingtoni i madh u kthye në tokat e tij, mbasi krijoi shtetin më të begatshëm të botës së re.”
“Me që bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur Pellazge i është dashur të mbrojë vendin e të parëve të saj nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllav. Serb Dushani i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit.”
Duke ngritur me të madhe çështjen e Tivarit shqiptar, studiuesja Elena Gjika këshillonte: “Shqiptarët duhet të merren vesh me njeri tjetrin… Të mos ketë më as gegë, as toskë, as lebër as çamër, po bij të devotshëm të të njëjtit Atdhe… Detyra më e ngutshme është përhapja e arsimit në gjuhën shqipe, pa të cilën nuk mund të realizohet bashkimi kombëtar”
E vlerësuar nga Mazzini dhe Garibaldi për vlerat e demokracisë të të shtypurve të Ballkanit, dha ndihmesën, për të hedhur bazat për ndërtimin e një Evrope të popujve që forconte Evropën e shteteve.
Në preferencat e saj, si model për t’u ndjekur mund të ishte Zvicra, sepse ishte i vetmi vend në Evropë ku kishte triumfuar sistemi republikan, pavarësisht me popullsi të ndryshme e me fe në kundërshtim me njera-tjetrën, ishte e organizuar në mënyrë demokratike me kantone.
Për gjithë këte kontribut, Princesha rumune me origjinë shqiptare, merr një dhuratë mirënjohje nga vajzat shkodrane.
Nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Amerika, ku ishte pritur me nderime nga shkrimtari i madh amerikan Longfelloë, autor i poemës Scanderbeg, përkthyer mjeshtërisht nga Longfelloë, Noli: Në pritjen që shkrimtari rezervoi për princeshën ishte shumë entuziast që po e nderonte Zonjën në fjalë. “ëe have house full of people; and today a ëallachian Princess, Dora D’Istria, is coming to
dinner” Ndër të tjera e cilëson “Një yll brilant”, jo vetëm nga bukuria e jashtme, nga mençuria, nga sjellja, karakteri dhe formimi i saj, por mbi të gjitha vlerëson thjeshtësinë (the supreme excellence is simplicity) duke e lartësuar deri në madhështi. Poeti duke çmuar idetë e saj theksonte: “Dora D’Istria energjikisht mbron të drejtat e grave (“ I believe she strenuously maintains the Right of Women” Nahant July 22, H.W.L.
“Ajo edhe për gratë amerikane duhet të jetë një shembull i shkëlqyer!” (To the women of America she must ever be a shining example… a brilliant star!”
Vlerësimin që merr Elena Gjika, kësaj rradhe nuk është nga nivele të larta akademike, por nga një botë e madhe shpirtërore e vajzave shkodrane, të shkollës stigmatine, që frekuentonin pa dallim feje.
Ato shprehin mirënjohjen dhe admirimin për motrën e tyre, Elena Gjika, duke i dërguar “Nji Pendë Argjendi”, me anë të At Leonardo De Martino (1830-1923) prej Greci, M.O.
“Nderim
Thonë se je e ambël, e mirë, se zemrën e ke të madhe po si të hollë ke menden, bijë kreshnikësh, por edhe motra jonë;
Thonë se natyra yte asht e denjë për Skeptër, Prej njerit pol te tjetri, gjithkush kështu shprehet. E në zemrat arbnore tashma ke nji mbretni; Por na, qi nuk kemi Nji skepter ari, Nji Fron… Nji Pendë argjendi, dhunti ta japim. Asht dhunti e vogël, nji mend, por difton sa të don e të nderon Arbnori! 2 Prill 1881.”
Përgjigja dinjitoze vjen menjëherë nga Mbretëresha shpirtërore e vajzave, e cila vlerëson dashamirësinë e tyre me xhestin fisnik, si mjet ndërlidhës për të ofruar raportet njerëzore.
“E mora me mend pendën e bukur të shqiptareve të mija të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë. Uroj që kjo penë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund te jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, Atdheut tim të nderuar”. Ata vajza vinin nga një institucion, ku koncepti i mirënjohjes zinte pjesën më të madhe të kulturës së tyre. Megjithëse të varfëra, por shumë të pasura në virtyte, ditën të vlerësojnë mendjen, sjelljen, sakrificën e një atdhetareje të famshme shqiptare. Ata i bënë një nderim jo vetem institucionit të tyre, kulturës qytetare shkodrane, por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës Evropiane dhe botërore. Vajzat e parafytyruan statujën e Princeshës së tyre, me pendën në dorë si statuja e Jupiterit që mbante në dorë një skeptër.
Vajzat në mendjen dhe në zemrën e tyre e kishin ngritur statujën e princeshës me pendë në dorë duke firmosur aktin e bashkimit kombëtar siç e kishte shprehur ajo: “Uroj që bashkimi, zgjuarësia dhe veprimtaria e shqiptarëve të mos lejojnë që vëmendja e paqëndrueshme e Evropës të përqëndrohet gjetiu! Sot vitet vlejnë shekuj, historia ecën me hapa të shpejtë para syve tanë, e kjo nuk duhet harruar…”
Vajzat nuk e kishin harruar dedikimin me poezi nga poeti shkodranë Zefi i Ndokë Ilisë prej Jubanit, (Zef Jubani 1818-1880, ideolog, ekonomist, folklorist, shkrimtar, luftëtar.)
Ai shkruan “Kangë Lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora D’Istria” duke përmendur se si princesha, me punë e art ishte përpjekur të ndriçonte Shqipërinë duke ndihmuar shqiptarë e arbëresh. Ajo do të përgjigjet në një artikull te “Revista Europea”, z. Jubanit i cili e kishte njohur personalisht Dora D’Istrian dhe në nderim të saj, me 1868 i kushtoi këtë poezi: “Princesha prej fisit të zotnive të Shqipnisë” ( Poezia e Jubanit u botua për herë të parë me 1870 në një përmbledhje poezish të shkruara, kushtuar kësaj shkrimtareje të madhe për përkrahjen e çështjes kombëtare me përfaqësues nga inteligjenca Shqiptare, arbëreshet e Italisë dhe të Greqisë që mund të quhet Manifesti i parë i përbashkët i lëvizjes letrare kombëtare.
Në shenjë falenderimi princesha Gjika u dërgon foton e saj me autograf.)
.

Dora d'Istria - Elena Gjika (1828-1888)
Dora d’Istria – Elena Gjika (1828-1888)
Vargjet e poetit Zef Jubani për princeshën shpirtërore Elena Gjika, Dora D’Istria
Ti je nji ylle na shndrit Arbnin/ Me dije, me t’mira e me bukuri/ Me dashtni tande je tui n’a pertrin/ Nji gazmend t’math e nji lumni/ Drita e Mendes s’ate asht tui lulzue/ si drita e syve asht sjellë për mbi ne/ Perëndija për t’mirë tonë t’ka krijue, e me sjellë marë dhen tonë ti ke le/ Ndër hyj ti pra je regjinesha./ Që Dora D’Istria t’emnojnë/ Për Shqypni ti je begtaresha,/ Që gjithkund e ktu të nderojnë./ Po! Shpnesa e ambël je për ne,/ Pse zemra jote asht fort e mirë/ Sjelli sytë e t’e mos harro këte dhe/ T’kesh edhe për ne mall e dëshirë.
Si shqiptarët dhe personalitete te larta botërore e nderuan atdhetaren Elena Gjika ashtu edhe ajo nuk harroi kurrë të nderonte trimërinë shqiptare, njerëzit që u flijuan për padrejtësitë që po i bëheshin kombit shqiptar. Kur u bë qytetare nderi e Athinës, vizitoi në Misolongj, varrin e Boçarit duke thënë: “U luta që të shoh një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të madh flamurin, që ai e ka mbajtur në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspiratë!”
Ishte me vend vizita në varrin e Boçarit për t’i kujtuar sakrificat që kanë bërë shqiptarë në revolucionin grek për pavarësinë e Greqisë dhe për t’ju thënë atyre:
“Grekët duhet të mësohen ta konsiderojnë Epirin për atë që është në realitet, domethënë të shohin në të Toskërinë, dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë e pakapërcyeshme që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë.”
Vazhduesit e këtyre zërave të dëgjuar nuk mungojnë edhe sot, brenda në Shqipëri dhe jashtë saj. Një personalitet i diasporës në Amerikë, inxh. Sali Bollati, pedagog i kimisë në Universitetin e Tiranës, dekada më parë, vjen në cilësinë e autorit me librin “Çamëria Shqiptare”. Nuk është e papritur një vepër për Çamërinë nga ana e autorit sepse emri i tij është i njohur nga shumë artikuj si vazhdimësi e të gjithë patriotëve shqiptarë që s’pushuan së kërkuari të drejtat për trevën jugore shqiptare të aneksuar padrejtësisht nga Greqia.
Libri ka ardhur në një kohë kur personalitete të larta të diplomacisë greke pohojnë zyrtarisht se nuk ekziston “Çështja Çame”, kur “kali grek” po kalëron në hapësirat shqiptare në format nga më të sofistikuarat.
Autori, në tregimin e ngjarjeve është më i vërteti, sepse kishte ardhur në Shqipëri i vetëm, i mbijetuar nga masakrat greke, të njohura botërisht. (Me vranë gjyshin 82 vjeçar, pasi e tërhoqën zvarrë në shkallët e gurta, babain Ibrahim 52 vjeç e masakruan e vranë të shkolla, nanën Betulla 36 vjeçe e rrëmbyen nga krahët tona dhe e vranë brenda xhamisë, vëllanë Ferhatin 13 vjeç e vranë rrugës, kur po shkonte të halla, ndërsa gjyshën 72 vjeçare, më motrën e vogël i mbyllën në kampin e përqendrimit në Paramithi, ku vdiqën nga uria dhe sëmundjet. Vëllai 5 vjeç na vdiq rrugës kur po largoheshim për në Dukat të Vlorës, në atë dimër të ftohtë Sali Bollati). Gjergj Komnino vetëm në dy vargjet e para të poezisë e jep tragjedinë Çame: Paramithi, Paramithi/ O Pellg më gjak/ O vend fatzi/ Aty ku hynë Zervonazisti Greek/ ku hapen varre më hendek/…
Edhe pse fëmijë, atë çfarë i panë sytë, i mori plagë në zemër, por kurrë nuk i harroi.
Mbajti mbi supe statusin e jetimit, pa ju përkulur mëshirës, kudo që u strehua, në jetimore a konvikte gjeti forca për t’i bërë ballë vështirësive të jetës. Duke pasë prioritet shkollimin fati e çoi deri në Shkodër, ku mori mësimet në Gjimnazin e qytetit. Në atë gjimnaz ku kishte lënë emër drejtori më i suksesshëm i atij institucioni,(e përmend autori në libër) Prof. Dr. Mirash Ivanaj, i cili gjatë kohës që ishte në atë shkollë kishte bashkuar studentë nga gjithë trevat shqipfolëse, nga Kosova dhe Çamëria. Një student i atij Gjimnazi, Veis Sejko nga Çamëria (1912-1985) shkruante për drejtorin: “Dr. Mirash Ivanaj “ka qenë i pari mësues që na ka mësuar se dashuria për Atdhe s’ka kufi dhe ligjet nderohen mbi të gjitha…”
Shkodra u bë për studentin Bollati streha më e ngrohtë, jo vetëm nga shoqëria që krijoi pa dallim religjioni, por edhe nga gjurmët e personaliteteve çame që gjeti në Shkodër. Pjaca e Shkodrës i bashkonte të rinjtë në xhiron e darkës, në piktakimin te “Kafja e Madhe”, ku detyrimisht duhej të përshëndetëshin me arkitekturën nga dora e artistit të madh me origjinë nga Çamëria, Kolë Idromeno.(Për kuriozitet, mund t’ju bëjë përshtypje përdorimi i epitetit “e Madhe” në disa emërtime në Shkodër si Arra Madhe, Malësia e Madhe, Rruga Madhe, Kafja Madhe, Kisha Madhe… e lidhur kjo me krenarinë dhe nderimin që kanë për vendin e tyre, për trojet që ia kanë shkëputur grabitqarët fqinj. Atë pak tokë që ju ka mbetur, e zgjerojnë në zemrën e tyre, i japin përmasa, duke luftuar me shpresë, për ta bashkuar një ditë në kufijtë që ka caktuar Zoti.)
 
Këte cilësi ja ofroi Shkodra, inxhinier Sali Bollatit, të cilat i përjetoi dhe i përthithi në shoqërinë e mirë të shokëve dhe miqëve shkodranë.
Sa herë vizitonte Kishën e Madhe, në raste festash, me miq e shokë të fesë katolike kundronte, dhe i vërente me kujdes, pikturat murale dhe të kupolës, si ato të Prof. Simon Rrotës dhe të Idromenos. Diçka e cimbiste, dhe në këte vështrim bënte një lidhje, një trashigimi, mbiemri Idromeno ia çonte mendimet më larg, diku, atje, afër vendlindjes së tij, sepse vetëm Ai e dinte më mirë se kushdo se ku bie Parga dhe ishulli Hidra. Sa për shkodranët as nuk mund ta çonin nëpër mend se Kolë Idromeno ishte me origjinë nga Çamëria.
Kur shokun e tij të ngushtë, si vëlla inxh. Bujar Golemin, e caktuan të shkatërronte Kishën e Madhe më 1967, e cila u kishte shpëtuar termeteve 1905, dhe gjyleve të Malazesëve me 1913, inxh. Bollati përjetoi një shqetësim të madh për përgjegjësinë që i kishin ngarkuar mikut më të afërt. Por inxhinier Golemi, me urtësi dhe mençuri, diti të veprojë me largpamësi.
Si maskoi pikturat murale dhe kolonat e Altarit, e ktheu mjedisin e kishës në ambjent sportiv.
Kur erdhi dita e ripërtëritjes së religjioneve ishte rast unik, që e riabilituan lehtësisht tempullin, duke e kthyer në identitet, ku mund të soditen edhe sot vlerat artistike dhe pikturat e Kolë Idromenos.
Në librin “Çamëria Shqiptare” z. Bollati citon vargje nga idhulli i tij, Atë Gjergj Fishta, arkitekti i alfabetit shqip. Atë Fishta me pseudonimin shumë domethënës, Gegë Toska, në Konferencën e Paqës, me oratorinë dhe mendjen e ndritur të dijetarit argumentoi me fakte e dokumente çështjen Kosovë – Çamëri për bashkimin gjithë kombëtar. Duke ngritur ne piedestal Atë Fishtën e Veriut, si gjeniu i letrave shqipe dhe Hoxhë Hasan Tahsinin e Çamërisë, shkencëtari erudit, shqiptari më i ditur i Perandorisë Osmane, në ndërgjegjen e kimistit Bollati është bërë një lidhje, është krijuar një aliazh i fortë, një bindje, që urtësia shqiptare do të dëgjohet një ditë, nga fuqia e madhe e SH.B.A-ave
Z. Bollati ka edhe një favor sepse gjithë familjen, Bulin, dy vajzat dhe emigrantët shqiptarë i ka përkrahje të zjarrtë në realitetin e Shqipërisë natyrale. Ata nuk pushojnë së kërkuari të drejtat e tyre për Çamërinë martire. Ata i gjen familjarisht, në radhët e para të mitingjeve, në grupime atdhetarësh, të veshur me flamurin kuq e zi, për të kundërshtuar përpara selive diplomatike në N. Y. për padrejtësitë që vazhdojnë t’i bëhën popullsisë Çame.
Por dëshira sot e gjithë shqiptarëve, për Shqipërinë pa kufij në Europën e Bashkuar, do të bëhet realitet. Fjalët e arta të Vaso Pashë shkodranit “Prej Tivarit deri në Prevezë asht toka jonë/ T’parët na kanë Lanë” dhe “Feja e Shqyptarit asht shqyptaria…” do të triumfojnë! Zoti dhe Sh.B.A-ja na ndihmoftë.
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.