back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Fshati nën thundër – nga Yzedin Hima

Gazeta

Të etur për mësimet e Partisë
Të etur për mësimet e Partisë

Fshati nën thundër*

nga Yzedin Hima

I gjithë fshati mori pjesë në dasmën e Faskos, djalit në moshë, që njihej si Faskua i Ferrës. Ishte i ndrojtur dhe friksuar nga njerëzit, sa që kur vërente se dikush i afrohej vendit ku punonte, fshihej nën ferrën apo gëmushën më të afërt. Kur dikush e përshëndeste, ai nuk ia kthente, vetëm nxirrte jashtë ca dhëmbë të mëdhenj si të kalit dhe fytyra i deformohej për dreq. Kjo duhet të qe buzëqeshja e tij dashamirëse për tjetrin.
Në dasmën e Faskos mori pjesë, siç thamë, i gjithë fshati, këndoi dhe vallëzoi tërë pasditen deri afër agimit. Burrat e fshatit kishin marrë më vete paguret e rakisë së koçimares, sepse Faskua i varfër kripë derri, siç thoshin në fshat, ende e kishte shtëpinë pa tavan, me trarët e nxirë lart dhe e lyer me bajga lope në truallin poshtë. Nuk bëhej fjalë për mezera e të tjera salltanete.
Faskua zakonisht vishte ca zhele, ku s’kishte ku ta kapte qeni, rroba ushtarake nga koha kur u hapën depot e ushtrisë italiane në luftën e fundit. Ditën e dasmës ai veshi një kostum fringo të ri, i gjithi i gjelbër, me kopsa të shndritshme të verdha. Ia dha me të drejtë kthimi komandanti i çetës vullnetare të fshatit. Ato rroba i jepnin Faskos një hije të rëndë prej ushtari, gati për t’u përballuar me ngjarjen më të shënuar të jetës së tij, martesën.
Nusja erdhi hipur mbi një kalë nga ata të kooperativës, mbi samarin e të cilit kishin hedhur një velënxë të kuqe me thekë të zinj. Ajo, ende pa hedhur hapat e parë në këtë fshat, buzëqeshte majtas e djathtas duke picërruar sytë mongoloidë, teksa gratë e fshatit këndonin: “Nuse ku vure këmbët, të rënçin dhëmbët”.
Po nuk qe e thënë që edhe Faskua të shikonte dy ditë të bardha. Pak ditë pas dasmës nisi ferri i Fasko Ferrës. Ai kaloi nën nje terror të paparë nga Nusja e re, e cila nisi t’i bënte një përpunim ideologjik Faskos së gjorë, që ende lexonte me shkronja. I caktonte dhjetra faqe nga veprat e udhëheqësit për t’i lexuar dhe nuk e lejonte as të hane as të pinte, për të fjetur me të jo e jo, pa ia thënë kuptimin e tyre dhe pa përcaktuar edhe pesë detyra për veten, që vinin si rrjedhojë e formimit politik. Nusja i qëlloi Faskos së shkretë edhe topalle edhe komuniste. Kot nuk thonë se delja e zezë nuk bëhet e bardhë.
Po më pisk e pati brigada kooperativiste, ku zgjodhi të punonte nusja e re. S’kishte më humor e biseda pa fund, s’kishte më biseda për gjyshin e gjyshen, për nënën e babanë. E gjitha biseda do të qe e prizmuar politikisht. S’kishte më flokë të gjatë, e baseta, s’kishte më zakone të vjetra e sjellje jashtë ideologjisë së partisë. As që bëhej fjalë për të njomur gojën me ndonjë kokërr qershie, teksa vilje e mbushje koshat. Mund të shpalleshe edhe hajdut i pronës së përbashkët, dhe më keq. sabotator.
Mbledhjet për të demaskuar fshatarët e gjorë bëheshin në orët e pushimit të drekës. Po ashtu edhe informimi politik nga Nusja. Mjerë fshatari që kotej nga lodhja dhe zëri monoton i Nuses, teksa lexonte fjalimet e udhëheqësit. Ajo vrejtej shkumëzonte dhe i drejtohej të përgjumurit: Po fle, ë?! Nuk të pëlqen fjala e partisë?
Demaskimin e parë publik Nusja e filloi me Faskon e gjorë. E ngriti në këmbë dhe e telendisi para fshatarëve për formim të dobët ideologjik, për zbehje të luftës së klasave, si bartës i zakoneve të vjetra prapanike. Faskua nuk nxorri asnjë fjalë nga goja, iu nënshtrua fatit dhe mezi priti të ulej dhe të strehohej te gëmusha më e afërt.
Edhe më keq e pësuan ata që iu ngjiste dora me pako gjë nga prona e përbashkët. Nusja fshihej pas ndonjë ledhi dhe fshatarit të mjerë i shkonte gjaku në fund të këmbëve kur dëgjonte zërin e Nuses si krismë pistolete: “Ndal, qen! Të zura!” Administrata dridhej sa dëgjonte zërin e saj, kur ajo në krye të kontrollit fshatar shkonte nëpër zyrat e kooperativës. Kryetari bëhej ujë në djersë, kur Nusja ngrihej në prani të shokëve të Komitetit dhe dhe e bënte për ujë të ftohtë për mosrealizimet e kooperativës.
I gjithë fshati ra nënë thundrën e saj. Të gjithë mallkonin ditën që ajo, Nusja, u shfaq në fshatin e tyre. Megjithatë, ky fshat i njohur si hokatar, ende nuk e kishin humbur sensin e humorit. Kur u pyet kryetari i këshillit, i saposhkarkuar për liberalizëm me këmbënguljen e Nuses, u shpreh: “Na piu dreqi. Kjo nuse është mallkim. Do të ishim kail të dërgonim te Fasko Ferra për çdo natë një nga gratë tona, e të shpëtonim nga ky hukubet…”
.
*thundër – në dy kuptimet, në shqip dhe në anglisht
Ismail Lulani - Nusja
Ismail Lulani – Nusja

Nusja e bukur nga Aberi Kajo

Dine e lexova dhe shumë bukur!
Po të tregoj një histori reale, jo të stisur. Ma ka treguar një oficer, që ka shërbyer në veri. Martohet një djalë në fshatin ku ishte edhe reparti ushtarak. Zakoni e donte që të shkonin për urim pas dasme edhe paria e kooperativës (e kupton vet ti kush ishin). Bashkë me ta shkon edhe komandanti i postës. Shtrohen këmbëkryq në odën e miqve dhe nusja qet kafetë, urojnë të zotin e shtëpisë, dhëndrin, nusen… e paskësaj fillon rakia… Nusja e bukur, e bukur shërbente. Aty nga mezi i muhabetit hidhet sekretari i partisë e i drejtohet të zotit të konakut:
-O filan, nusen mendojmë ta marrim në parti, të bëhet komuniste.
Ia kthen burri i mençur:
-Faleminderit o sekretar, për nderin që po na bëni, por tash për tash nusja na duhet vetë në shtëpi.
Të gjithë heshtën, mbyllet muhabeti dhe në derë e përjashta…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.