Shqipëria humb në një ditë të mëdhenjtë:
Dr. Ymer Dishnicën dhe Dr. Lazër Radin
Në harkun e 24 oreve, me datë 22 dhe 23 shtator 1998,
u larguan nga jeta dy personalitete – dy Doktorë të laureuar
njeri në Francë dhe tjetri në Itali…
ishin Dr. Ymer Dishnica dhe Dr. Lazër Radi…
Njeri ishte 86 dhe tjetri 82 vjeç
Mbas ’90, të dy ata u rikthyen nga persekutimet në qytetin e Tiranës
dhe u përpoqën herë vetëm e herë bashkarisht
të bënin shumë më shumë se sa ju lejonte mosha e humbur humbëtirave…
Një nderim përkujtues i përcjellë asokohe nga gazeta “Liria”… j. radi
“Takimi i këtyre dy burrave, i dy bijve të Korçës dhe Prizrenit,
i dy kështjellave të lartësive shqiptare,
ishte përqafimi i përzemërt i dy qyteteve të traditës,
ishte shtrëngimi vllazëror i duarve të tyre,
ishte takimi i dy botkuptimeve, i dy të çarave historike,
i dy doktrinave, i dy epokave shqiptare…”
Të nderuar të afërm të Doktor Dishnicës
Të nderuar shokë dhe miq të tij
Të nderuar bashkvuejtës të tij…
Nga oborri i kësaj shtëpie që mban brenda vuajtjen e 5037 burrave dhe 450 grave të vrara, 26768 burra dhe 7367 gra të burgosura, 7022 të vdëkur nëpër kampët ë untërrnimit, dhe 988 burra dhe 7 gra të vdekura nëpër burgje si dhe 250.000 të dëbuar dhe të interrnuar…
Pra nga oborri i kësaj shtëpie hallemadhe përcjellim me dhimbje për në banesën e fundit shumë të respektuarin Dr. Ymer Dishnica. Nderimi i tij bëhet më i veçantë, kur është edhe ndër të parët personalitete të antidiktaturës, që i bëhen homazhe në shtëpinë e genocidit komunist…
Dr. Ymer Dishnicën e njihnin të gjithë, e njihte e gjithë Shqipëria, madje edhe jashtë saj… Ai njihet si njeri patriot, si demokrat i rrallë, si politikan me vizion vllazërimi dhe bashkimi gjithë shqiptar… I tillë u shfaq Dishnica në Pezë, dhe kështu u konfirmua edhe në Mukje. Për këtë e dënoi dhe e përsekutoi gjatë gjithë sundimit të tij diktatori Enver Hoxha… Kështu e njohim të gjithë kët figurë kombëtare.
Por unë e njoh edhe ndryshe… Dhe e njoh kur isha fare i ri, 18 vjeçar. E njoh si autoritet absolut në ambientet e burgut, autoritet nga i cili burrëroheshim ne të rinjtë… E njoha krenar para presionit dhe dhunës… Krenari që na frymëzonte guxim e dinjitet ne të rinjve të burgosur.
Por e njoha edhe si njeri human dhe tepër të veçantë… e njoha si shërues plagësh të njerzve të sakatuar… e njoha si doktor të shpirtrave të mjeruar…
I tillë ishte Dr. Ymer Dishnica, i tillë do të mbetet në mendjet tona…
I përjetshëm në shekuj ky personalitet shqiptar dhe vepra e tij…
Gazeta “Liria” e shtunë, 26 shtator, 1998