back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Mbi gjendjen e Shoqatave të të Përndjekurve Politikë – nga Tanush Kaso

Gazeta

Tanush Kaso
Tanush Kaso

Mbi gjendjen e Shoqatave të të Përndjekurve Politikë.

nga Tanush Kaso

Në muajt e parë të vitit 1991, me fillimin e pluralizmit politik, krahas krijimit të disa partive, nisi edhe krijimi i shoqatave të shtresave të ndryshme shoqërore. Mbas “Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë” dhe shoqatave “Kosova” e “Çamëria”, një grup nismëtarësh ish të burgosur politikë, krijoi “Shoqatën e ish të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, që përmblidhte trashëgimtarët e të pushkatuarve politikë, ish të burgosurit politikë dhe të internuarit e të dëbuarit për motive politike.
Pas miratimit të saj nga Gjykata (me disa muaj vonesë), u bë një mbledhje e përgjithshme në Tiranë, ku u zgjodh kryesia e përgjithshme e kësaj shoqate. Pastaj, me vota të lira e të drejta, u zgjodhën edhe kryesitë e rretheve. Kryetar i përgjithshëm u zgjodh Osman Kazazi, ndërsa për Tiranën ish të burgosurit më zgjodhën mua.
Mbas rreth dy vjetëve, u kthye nga Greqia, ku kishte shkuar për të punuar, Kurt Kola. U bë përsëri një mbledhje për zgjedhje të reja. Me një votim të manipuluar nga politika, u hoq Osman Kazazi dhe u zgjodh Kurt Kola. Në një mbledhje tjetër me të përndjekurit e Tiranës, u zgjodh kryetar i kësaj dege Eqrem Kavaja, i cili ishte përjashtuar nga “Bashkimi i Sindikatave”.
Fillimisht Kurt Kola ishte përkrahës i Partisë Demokratike dhe qëndronte përkrah Berishës nëpër metingjet e asaj partie. Pastaj ata u ndanë, dhe shoqata mbeti e pavarur nga partitë.
Në pamundësi për ta hequr Kurt Kolën, u krijua një shoqatë tjetër me ndihmën e PD-së, së cilës ia vunë emrin “Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve Politikë Demokratë”. Ndërkohë, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë u çorientuan dhe nuk dinin nga të shkonin. Në këto kushte, lindi nevoja që ish të burgosurit politikë të krijonin shoqatën e tyre, e cila u miratua nga Gjykata me emërtimin e thjeshtë “Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë”. Kjo shoqatë e pavarur, joqeveritare dhe jofitimprurëse, bashkonte ish të burgosurit politikë dhe familjarët e tyre, me qëllim që të punonin së bashku për fitimin e të drejtave themelore dhe për një integrim të vërtetë. Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, mori nismën ligjore dhe hartoi projekt-ligjin e parë për dëmshpërblimin e trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë, ish të burgosurit dhe të internuarit për motive politike. Është ai projekt-ligj, i ndryshuar pjesërisht nga qeveria dhe i trajtuar me Ligjin 9831, datë 13.12.2007, i cili vazhdon me zvarritje dëmshpërblimin.
Duke qenë krejtësisht e pavarur nga partitë politike, Shoqata e ish të Burgosurve politikë të Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë mbështetje e përkrahje nga qeveritë e ndryshme. Është trajtuar si “jetime”, duke mos i dhënë as seli dhe as ndihmën e nevojshme financiare për të zhvilluar veprimtarinë e vet në kryeqytet e nëpër rrethet.
Instituti i Ish te Përndjekurve Politikë - Tiranë
Instituti i Ish te Përndjekurve Politikë – Tiranë
Mbas këtyre shoqatave janë krijuar edhe disa të tjera, si ajo e “Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë”, e “Dëbim-Internimeve”, e “ish-Kulakëve” etj.. U krijua edhe “Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me kryetar Adem Allçin dhe sekretar Besim Ndregjonin. Pastaj kjo shoqatë u nda më dysh: gjysmën e parë e mbajti Adem Allçi, me po atë emërtim; ndërsa gjysmën tjetër, me emërtimin “Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Përndjekurve Politikë” e kryesoi Besim Ndregjoni.
Gjatë 12 vjetëve që drejtor i “Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë” ka qenë Simon Mirakaj, u është dhënë një ndihmë e mirë financiare nga shteti atyre shoqatave, për zhvillimin e veprimtarive të tyre në qendër e nëpër rrethet, por me ‘to është abuzuar.
Me vendosjen e Bilal Kolës në krye të atij Instituti, është ndërprerë me ligj ai financim. Tani financohen vetëm disa veprimtari modeste që mund të zhvillohen nga shoqatat, si konferenca shtypi, promovime librash, ndonjë përkujtimore, etj.. Paguhen sallat, ftesat, mediat, etj., me fatura të kontrollueshme lehtësisht. Për këtë arsye, ka rënë interesimi i krerëve të shoqatave për t’u marrë me veprimtari të ndryshme e që të dëgjohet zëri i të përndjekurve. Njëkohësisht kanë rënë në heshtje edhe vetë të përndjekurit. Kanë mbetur vetëm emrat e shoqatave. Ndërkohë edhe kryetarët e dy shoqatave, Abdurrahman Çekiçi e Xhafer Agaraj, janë ndarë nga jeta dhe nuk janë bërë mbledhje për zëvendësimin e tyre.
Edhe Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Shqipërisë po shkon drejt mbylljes, për arsye se shumë ish të burgosur janë ndarë e po ndahen nga jeta.
Prandaj, është e kotë që sytë, veshët dhe shpresat të mbahen tek shoqatat e të përndjekurve, gjendja e të cilave është kjo që paraqitëm shkurtimisht këtu.
Është koha që stafetën ta marrë brezi i ri i kësaj shtrese.
Është detyrë e bijve dhe e bijave të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, tanimë të shkolluar e të formuar politikisht, që të marrin në duart e tyre fatin e kësaj shtrese dhe të kombit shqiptar. Askush nuk i ka penguar dhe nuk i pengon që të grupohen në ndonjë organizatë ose të krijojnë një parti të besueshme, të drejtuar nga njerëz të ndershëm e të aftë, të pa korruptueshëm e me një qëndrim dinjitoz gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit.
Janë me qindra bij e bija dhe nipër e mbesa të të pushkatuarve, të burgosurve dhe të internuarve për motive politike nga regjimi komunist, të pajisur me kulturë e njohuri bashkëkohore, të diplomuar brenda e jashtë shtetit, të cilët mund të japin ndihmesën e tyre për shpëtimin e këtij vendi e të këtij populli, nga katastrofa që i kanoset. Këta duhet të dalin nga guaskat vetjake, të vihen në lëvizje dhe të bëjnë atë që kanë bërë paraardhësit e tyre fisnik, t’i venë aftësitë dhe pasuritë e tyre në shërbim të kauzës, për të cilën aspiruan dhe u sakrifikuan njerëzit më të mirë të kombit tonë ndër shekuj.
Duhet të kemi parasysh fjalën e urtë të Ismail Qemalit: “Një fëmijë që fle, rritet; një komb që fle, vdes!”
Pra, nuk duhet ta lemë të vdesë kombin tonë.
.
Marrë nga muri i Fb i Tanush Kasos, me datë 18 dhe 19 prill 2019.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.