back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Maqedonia e Veriut: Sa afër por sa larg nesh! nga Klodi Stralla – dhe opinione

Gazeta

Kandidatët për President të Maqedonisë së Veriut: Pendarovski, Reka, Siljanovska - 21 Prill 2019
Kandidatët për President të Maqedonisë së Veriut:
Pendarovski, Reka, Siljanovska – 21 Prill 2019

Maqedonia e Veriut: Sa afër por sa larg nesh!

nga Klodi Stralla

Këtë të dielë në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet presidenciale të rradhës. Garojnë tre kandidatë: Stevo Pendarovski, i partive në pushtet (social-demokratët e Zajev-it dhe shqiptarët e BDI-se të Ali Ahmetit), Gordana Siljanovska e opozitës maqedonase dhe shqiptari Blerim Reka, i mbështetur nga opozita shqiptare.
Ndryshe nga ne, që Presidentin e zgjedh Parlamenti (nënkupto mazhoranca e rradhës me shumicë të thjeshtë, 50+1%), në Maqedoni Kushtetuta parashikon zgjedhje të drejtpërdrejtë të tij nga populli.
Veçori e kësaj here është fakti se që të tre kandidatët vijnë nga bota akademike, janë profesorë të njohur universiteti dhe jo anëtarë të strukturave partiake mbështetëse. Ata nënshkruan paraprakisht një “pakt” sipas të cilit “përparësi ka procesi dhe jo rezultati”, për t’i garantuar vendit datën për hapjen e bisedimeve për antarësim në BE.
Ndryshe prej nesh ku Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi (lexo 5 pazare partiake), në Maqedoni ka dy raunde. Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, nëse në zgjedhje dalin mbi 40% të trupës të përgjithëshme zgjedhore prej 1.8 milion personash.
Duke i uruar fqinjit tonë zgjedhje të lira e të ndershme, le të reflektojmë se pse duke qenë kaq afër jemi ende larg prej tyre.
.
Blerim Reka (1960) - Kandidat për President
Blerim Reka (1960) – Kandidat për President

Kush është kandidati shqiptar Blerim Reka?

Blerim Reka lindi më 22 maj, 1960, në Shkup, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjsistroi. Ndërkaq, doktoroi në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike në programin e përbashkët doktoral të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Grazit, nën mentorimin e Prof. Dr. Wolfgang Benedek. Është specializuar në Universitetin e Harvardit, (John F. Kennedy School of Government) dhe ishte vijues i Programit Fulbright të SHBA, (në Universitetin e Kalifornisë Jugore në Los Angeles). Ka ligjeruar në fakultetet juridike në Universitetet e: Bolonjës, Kalabrisë, Gentit, Louvenit, Grazit, Universitetit të Floridës Jugore – USFSP, Universitetit të Kalifornisë Jugore, etj.
Në vitet 2006-2010 ka qenë Ambasador i Republikës së Maqedonisë në BE në Bruksel.
Është autor i 19 librave në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe drejtës së BE.
Pos gjuhës shqipe amtare dhe maqedonishtes, flet edhe anglishten dhe frengjishten.
Është i martuar, baba i tre fëmijëve dhe gjysh i dy mbesave dhe dy nipave.
Babai i tij – prof. Hamza Reka, një ndër mësuesit e parë shqiptarë në Tetovë dhe në trevat shqiptare të Maqedonisë, po ashtu një ndër themeluesit e Degës së Albanologjisë, në Akademinë Pedagogjike të Universitetit Kirili-Metodi në Shkup, drejtor i Teatrit të Kombësive në Shkup, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë, 1972, si dhe autor i disa librave për gramatikën e gjuhës shqipe.
Nëna e Blerimit, Nazmije Kastrati Reka ka punuar si mësuese në: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Kumanovë, Rashqe dhe Shkup. Ishte autore e disa titujve të librave për fëmijë, të dhuruara për bibliotekat e shkollave fillore dhe të mesme.
.
Presidencialet Maqedonia e Veriut - 21 Prill 2019
Presidencialet Maqedonia e Veriut – 21 Prill 2019

Presidencialet Maqedonia e Veriut – 21 Prill 2019

Ylli Pango
Sikur të mund të vihej në muret e parlamentit, do ishte gjëja më e natyrshme për të gjithëe, me përjashtim të atyre që ju interesojnë dhe sajojnë ligje mizerabël!
.
Thoma Kristo Note
Kjo ndodh, sepse klasa jonë politike s’është e interesuar që vendi të hyjë vërtet në BE, që do të thotë funksionim i ligjit, e që përkthehet në burg për ata!!
.
Jozef Radi
Gjithkund mund të merret shembull. Ne jemi katandisur si ata filloristët, që kurrë s’e braktisim dashurinë për filloren… Pra, ne jemi ku thërret Qameti! – është shprehja më e saktë krahasuar me kete që ndodh në Maqedoni të Veriut!
.
Klodi Stralla
Më bëri përshtypje edhe një fakt.
Kur gazetarja e pyeti kandidatin shqiptar Blerim Reka se si do t’i orientonte votuesit e vet në rast se ai s’do të ishte në balotazh ne raundit e dytë, ai u pergjegj: “Ata më kanë votuar mua, por unë s’kam të drejtë mbi votat e tyre, ato nuk janë më të mijat. Prandaj secili prej tyre le ta hedhë votën për atë kandidat që ai e sheh më të favorshëm dhe më të dobishëm!”
.
Petrit Plaku
Respekte Shkrimi “Sa afër dhe sa larg…!” është shumë kuptimplotë! Le të marrin shembull politikanët tanë për të mirën e Popullit. Këtu tek ne politikanët kanë 30 vjet që bëjnë pazare me votat tona!! Vulën ja vunë në 2008, kur bënë pakt kryetarët e partive që vendosën që deputetet t’i zgjedhë kryetari i partisë me militantë të thekur që ti shërbejnë partisë deri ne vdekje. Një rast flagrant me një deputete që u ndodh rastësisht në zonën e saj, kur disa zgjëdhese i kërkuan llogari përse nuk vjen për hallet tona dhe ajo dha përgjigje skandaloze! Ju tha zgjedhësve se mua me zgjodhi partia dhe jo juve, kështu ka për të ndodhur sa herë që deputetët zgjidhen nga kryetarët e partive, dhe votat tona nuk kanë forcën dhe vlerën e duhur duhet patjetër të prishet ky pakt i kryetarëve të partive. Deputeti dhe Presidenti të zgjidhen nga populli. Komisionerët e qendrave të votimit të jenë intelektualë të pavarur nga partitë, mbasi vetëm kështu mund të futemi në shinat e demokracisë.
.
Marrë nga muri i Fb i Klodi Strallës, 2o prill 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.