back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Dy dënimet e Gjergj Hanit: 16 dhe 18 vjeç!! – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

16-vjeçari Gjergj Hani në kohën e arrestimit, i paraburgosur në Degën e Punëve të Brendshme Durrës
16-vjeçari Gjergj Hani në kohën e arrestimit,
i paraburgosur në Degën e Punëve të Brendshme Durrës

Dy dënimet e Gjergj Hanit: 16 dhe 18 vjeç – 1985 dhe 1987!!

nga Kastriot Dervishi

Dënimi i 16-vjeçarit për tentativë arratisje dhe burgosja në Qafë Bari

 
Gjergj Tomor Hani është i datëlindjes 13.05.1969. Në vitin 1985, krejt i vetëm, pikërisht në kohën kur kishte disa muaj që kish ngordhur dëmsjellësi më i madh i Shqipërisë, orvatet të largohet nga Shqipëria nëpërmjet Liqenit të Ohrit afër fshatit Lin. Nisur nga mjedisi familjar antikomunist, fillon të urrejë regjimin qysh në moshë të vogël. Me një forcë të hatashme për moshën, merr vendimin të arratiset, duke mos i thënë askujt. Largohet fillimisht me tren në Fier, e prej këndej në Pogradec. Me autobus shkon në Lin, e prej këtej, nisur nga hartat e përgjithshme sheh vendin prej nga do arratisej me not. Ishte data 27.5.1985, ora 23.30, koha kur Gjergji nist për arratisje në liqen. I vetmi problem ishte prozhektori i madh që bënte dritë. I pikasur nga ky ndriçim, vetëm fare pak metra larg kufirit, rojet kufitare qëllojnë me kallashnikov. Për të mos u vrarë, Gjergji del në breg ku edhe ndalohet nga kufitarët.
Zona Kufitare e Linit
Zona Kufitare e Linit
Gjykimi iu bë në sallën e gjykatës, por me kolektivin e shkollës “Naim Frashëri”, nxënës dhe mësues. Për këtë arsye, u konsiderua si gjykim para kolektivit. Të gjithë kishin ardhur për të parë “armikun”. Në vendimin e gjykatës gjejmë edhe këto fjalë: “…ai me veprimin e tij armiqësor, i kundërvihet tërë qëndrimit të rinisë sonë të pastër revolucionare, e cila në këto momente është mobilizuar më tepër se kurrë ta kthejë dhimbjen në forcë, punë e vigjilencë…!”.
Me vendimin nr.77, datë 1.7.1985, Gjykata e Rrethit Durrës, e përbërë nga Spartak Braho, dy ndihmësgjyqtarë, duke pasur pranë prokurorin Sotir Vasi, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 5 vjet heqje të lirisë në bazë të neneve 47/gj (arratisja), 11 (përgatitja ose tentativa), 21 (vitet e dënimit), 30/dh (rrethanë lehtësuese). Asnjë vit nuk i uli gjyqtari.
Sipas nenit 21 të Kodit Penal të vitit 1977, “të miturit dënimin me heqje të lirisë e vuajnë në vende të veçanta”. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Nuk konsiderohet i mitur (kodi e kish qartë përcaktimit për moshat deri 18 vjet dhe pas kësaj moshe) dhe dërgohet në repartin Nr. 311 Qafë Bari te “trimat” e Edmond Cajës. Dënimin nuk mundi ta mbarojë sepse u lirua me dekretin me rastin e 40 vjetorit të shpalljes së republikës komuniste. U lirua më 27.01.1986.
Vendimi gjyqsor ndaj 16 vjeçarit nga Spartak Braho
Vendimi gjyqsor ndaj 16 vjeçarit nga Spartak Braho
Vitin pasues nga lirimi, Gjergj Hani do arrestohej përsëri. Ai tashmë ishte pjesë e “armiqve të pushtetit popullor” dhe nuk mund ta hidhte pa një dënim të dytë.
U arrestua më 24.07.1987. Me vendimin Nr. 16.11.1987, Gjykata e Rrethit Durrës, i bashkoi çështjen me një tjetër krejt pa lidhje, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 47/gj, 11.3, 21/2, 31/atë Kodit Penal për tentativë arratisjeje dhe e dënoi me 11 vjet burgim. Gjergji pranoi agjitacionin në gjykatë, por jo arratisjen sepse ajo ishte e sajuar. Sërish dënimin e kreu në kampin e tmerrshëm të Qafë Barit. U lirua me dekretin nr. 7460, datë 31.01.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
.
Marrë nga http://www.55news.al/dossier/item/212499
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.