back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Kur e ardhmja thërret për tu futur në kohë… – nga Robert Martiko

Gazeta

Shkrimtari Robert Martiko
Shkrimtari Robert Martiko

Kur e ardhmja thërret për tu futur në kohë…

nga Robert Martiko

Dy fjalë rreth figurave më të spikatura historike të librit
‘‘Krenari për Kombin’’ me autor shkrimtarin Luan Çipi.
 
Kur bëhet fjalë për një autor jo vetëm inteligjent por edhe të mençur, përmbajtja e shkrimit meriton një vëmendje të dyfishtë. Kështu ndodh edhe me librin e porsadalë në qarkullim të titulluar ‘‘Krenari për Kombin’’, me autor Luan Çipin, një individ fisnik, me cilësi humanitare, madje edhe në kohë të vështira, kur vlerat pozitive apo rënia e lirë morale e Njeriut nën Diktaturë, mateshin me vlerësues realë në praktikë. Shkrimi i tij i larmishëm ka të bëjë këtë radhë me individët nga më të zgjedhurit dhe më të spikatur të Historisë Shqiptare.
Do të dëshiroja të vështroja veprën dhe të bëmat e këtyre individëve të dalluar jo thjesht për të bërë elozhe të nxituara e pa vlerë, siç është në modë, por për t’i parë ata nën prizmin e një drite me të vërtetë efikase për të ardhmen e Vendit. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Jo vetëm në Shqipëri por kudo në Vendet e Civilizimit Perëndimor, ndryshimet cilësore antropologjike, erdhën në saje të logjikës së fortë të ideve në interpretimin e simboleve. Ishte diçka që ndodhi qysh para 2500 vjetësh përmes Tragjedisë Antike Greke ku mitet, së bashku me instinktet dhe emocionet iu nënshtruan Logjikës çudibërëse. Vetë ‘‘Bibla e Shenjtë’’ apo ‘‘Torahu’’ hebre, ku bëhet fjalë për lidhje të Zotit direkt me Njeriun, u pa nën një dritë të re, fillimisht prej filozofit të famshëm Spinoza. Në pamje të parë mund të duken gjëra pa rëndësi, por pa interpretimin e drejtë, jo vetëm të individëve por edhe Historisë që shfaqet përmes tyre, nuk mund të ndodhë ajo që quhet Shpërthim i Kohës. Është diçka që në gjithë rruzullin tokësor e kanë arritur për herë të parë në Histori, Vendet e Civilizimit Perëndimor, pikërisht sepse prej gjashtë shekujsh u lejua, sigurisht me zor nga Vatikani, të funksiononte Logjika përbri Dogmës Fetare.
Dy janë figurat më të lavdishme dhe më të famshme në Botë që përbëjnë me të vërtetë nder të madh, të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët: Skënderbeu dhe Nënë Tereza. I pari është ai Hero i Madh që rezistoi me forcë mbinjerëzore, së bashku me shqiptarët, kundër pushtimit turk duke u bërë mburojë e pathyeshme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Evropën. Mirëpo e keqja është se shqyrtohet jo vetëm Skënderbeu, por dhe çdo i dëgjuar tjetër jashtë kufijve të vendit, pa u futur në thelbin e simbolit të tij. Trajtohet përafërsisht siç do të bënte një indigjen amerikan me copa xhami me ngjyrë, në gjoks, të dhuruar nga aventurierët e parë evropianë që zbuluan Amerikën. Mbasi Simboli i Heroit të Madh, Gjergj Kastriotit, në jetën praktike, shekuj të tërë pas vdekjes së tij, nuk do të mund të merrte kuptim më të bukur e më madhështor se sa në rastin e një prindi apo mësuesi të mençur i cili mëson fëmijët, të trashëgojë nga Skënderbeu forcën gjigante shpirtërore, nëse dëshiron të përballojë realisht konkurencën e forte ekonomike të Kohëve Moderne apo Globalizmit. Mirëpo nuk ndodh një gjë e tillë.
Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në vendet e prapambetura, zakonisht njerëzit mburren me të kaluarën, ngaqë mungon energjia e duhur shpirtërore për të përballuar realitetin. Janë fenomene të mirënjohura antropologjike jo vetëm për shqiptarët, por për çdo komb tjetër që qëndron jashtë Kohës, me orë të ndaluar në shekuj. Në këtë rast vetë Skënderbeu nuk përdoret në praktikë si simbol i rrallë i një force të papërmbajtur, pozitive, Individuale, krijuese, shpërthyese, me fuqi megatonëshe, konkretisht për të ndryshuar fatin e Shqipërisë.
Vetë Nënë Tereza, nëse kuptohet në thellësi simboli i saj me vlera universale, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Botë, do të mund të bëhej një tjetër protagoniste e jashtëzakonshme për ndryshimin e shoqërisë. Madje më shumë edhe nga Skënderbeu në kohë paqe. Mund të duket i çuditshëm ky pohim, por simboli i thellë i Nënë Terezës është e ashtuquajtura Hapja e Shpirtit. Siç dihet, Njeriu nuk e ka origjinën nga ndonjë Parajsë e fshehur Tokësore, por nga xhungla, tragjedia, fataliteti, armiqësia, egërsia e thellë me karakter vëllavrasës. Karakteristikë e kësaj periode që shoqëron shoqëritë e pa emancipuara është Grupi apo e ashtuquajtura Kope Primitive. Në se Vendet evropiane filluan të ndryshojnë, mrekullia ndodhi ngaqë Individi me ndjenja njerëzore, i prirë nga Logjika, filloi të shkëputej pak e ngapak nga gjendja emocionale, instinktive e Grupit. Ndodhi e ashtuquajtura Hapje e Shpirtit në vetmi të plotë, gradualisht, shoqëruar edhe me një ndjenjë të brendshme kritike ndaj akteve egoiste, vëllavrasëse, të grupit. Në këtë kuptim, vallë çfarë ishte ai lloj vokacioni i jashtëzakonshëm në shpirtin e një vajze fare të re në moshë, e panjohur, e cila nga Shkupi shkoi në fund të botës për të ndihmuar pa shpërblim të varfrit dhe të munduarit, edhe ata të ndodhur në një gjendje tragjike grupore, ekzistenciale!…
.
Nënë Tereza në Lutjet e saja
Nënë Tereza në Lutjet e saja

.

Hapje Shpirti do të thotë në radhë të parë të pushojë ndjenja armiqësore e shqiptarit ndaj shqiptarit. Të fillojë të mendojë jo në bazë të grupit, partisë, krahinës, sojit dhe farës, por për të mirën e përgjithshme. Më mirë nga kushdo tjetër, këtë defekt në thelb të natyrës njerëzore, dinë ta shfrytëzojnë politikanët e korruptuar, nxitës akoma më keq të polarizimit shpirtëror. Më kot shpresohet për një politikë të ndershme apo për një shtet të ri të së Drejtës pa vjedhje e korrupsion.
Pa harmonizim, sintezë e bashkëpunim të të gjithë fraksioneve shoqërore nuk ka të Ardhme.
Thuhet se kur një vend pushton një tjetër i huaji bëhet shkaktar të këqijash dhe fatkeqësish. Mirëpo e keqja akoma më madhe, e shumëfishuar, shfaqet kur të huajt largohen dhe vendi kthehet në arenë të Luftës Civile. Vëllavrasja e ngritur në nivel ideologjik nuk pushon në pak vjet. Vijon e thellë dhe e patrazuar në vite të tëra.
Është koha më tragjike e Historisë kur shqiptari gjendet i asgjësuar e vrarë nga vetë vëllai i tij. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka publikuar në raportin vjetor se gjatë regjimit komunist janë burgosur dhe dënuar për arsye politike 34.135 shqiptarë. U internuan në kampe përqendrimi 59.009 shqiptarë, prej të cilëve 7.022 humbën jetën. 6.027 persona u vranë gjatë diktaturës. 308 persona u çmendën në tmerrin e torturave të ish Sigurimit famëkeq. Këto statistika terrori arritën kulmin në këtë periodë si vijim i gjendjeve të mëparshme, pararendëse, vëllavrasëse, në Historinë e Vendit.
Me sa duket, në këtë kuadër Luan Çipi ndien nevojën e eliminimit të armiqësive brenda gjirit të shoqërisë shqiptare. Vetë shoqëria e tij e zgjeruar në jetën e përditshme bëhet dëshmitari më i mirë për të ilustruar karakterin e tij fisnik e tolerant. Dalloj në përpilimin e Librit ‘‘Krenari për Kombin’’ të ketë pasur në mendje të trajtojë të ashtuquajturin ‘‘Engjëll të Harresës’’, të lidhur me temën filozofike të Kohës, e cila, nga vetë natyra e saj, fshin ngadalë e pa kuptuar të bëmat e të kaluarës. Matanë ish kriminelëve të Kombit që kanë lyer duart me gjak, dhe duhen dënuar, në një plan më të thjeshtë njerëzor, urrejtja është një barrë jo e lehtë për të mbajtur në shpirt. Kalon nga një brez në tjetrin. Jeta bëhet e vështirë. Shpirti i viktimave në vend të hapet, mbetet i rënduar dhe i helmuar. Është më mirë që Koha të fshijë të kaluarën, edhe pse nuk ka padrejtësi më të madhe nga Fshirja. Nëse në këtë pikë Hapja e Shpirtit me simbol Nënë Terezën ndihmon, Viktima dhe hija e errët e Xhelatit, herët ose vonë, do të jenë bashkuar në harresën reciproke, ndërkohë që e Keqja e Kaluar nuk do të harrohet. Është sigurisht një gjendje kontradiktore: nga një anë nuk jetohet me të Kaluarën por, nga ana tjetër, duhen kujtuar medoemos gjërat që nuk duhet harruar.
Një figurë e bukur, e denjë për të admiruar është edhe Ismail Qemali, i cili ngriti flamurin e Pavarësisë nga Turqia në Vlorë, pas pesëqind vjetësh robëri. Një shifër tragjike. Nuk mund të konceptohet kurrsesi mbarëvajtja e një kombi pa pavarësi politike. Vetëm kur dëbon të huajt mund të ëndërrohet ndryshimi njerëzor, apo Hapja e Shpirtit. Siç treguan vitet në vijim, pas 1912-tës, Ismail Qemali u tregua një politikan i mençur e tolerant, diçka që me sa u duk stononte aq shumë me frymën e Kohës, prandaj u duk të largohej shpejt nga skena politike. Mjaft nga protagonistët e politikës, dhe jo vetëm, të periodës midis dy luftërave botërore, krahas atdhedashurisë, të bën përshtypje egërsia e të shprehurit. Nuk shpëton dot nga kjo as një intelektual i spikatur si Fan Noli, që bën thirrje për revoltë popullore. Siç u tregua në vijim, kultura e tij e gjerë perëndimore përjashtonte Luftën Civile.
Ndonëse, për të qenë i drejtë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë egërsia ishte në rendin e ditës. Në modë. Nuk e kam fjalën për politikanët, por edhe për intelektualët evropianë. Ishte koha kur pothuajse të gjithë, pa përjashtim, qoftë aspiruesit e Karl Marksit nga njëra anë, apo të Frederik Niçes në krahun tjetër, sipas mendimit të Hegelit, apo të Heraklitit, para dymijepesëqind vjetësh, mendonin se Lufta ishte Higjienë. At Gjergj Fishta gjithashtu simbolizon përpjekjen e madhe për Rilindje Kombëtare të konceptuar sipas intelektualëve më të spikatur shqiptarë të kohës qe jetoi. Ky personalitet i famshëm me kulturë të thellë perëndimore u tregua një aktivist tepër inteligjent e i mençur, i palodhur deri ne fund të jetës së tij.
Po të shikosh zhvillimin e poezisë në vende të tjera ballkanike, në fillim kjo u shfaq në trajtën klasike të Naim Frashërit, që i drejtohet me admirim natyrës së bukur. Mirëpo me kalimin e kohës Arti ka rëndësi jetike për intelektualin që të shprehë botën e tij shpirtërore, për më tepër gjëra të thella, të kualifikuara, me një karakter të thellë universal. Sepse pikërisht ky lloj arti i thithur pak e nga pak nga shtresat më të moderuara dhe me mendje të hapur të shoqërisë, rilindi Evropën. Pra, merr rëndësi të dorës së parë Individi, i cili shkëputet pak e nga pak nga njeriu i së përgjithshmes fanatike dhe shterpë, duke ndihmuar shoqërinë të shkojë përpara. Sa më sipër, përderisa ky është një lloj modeli i suksesshëm për Njerëzimin, mund të rekomandohet pa rezerva edhe për shoqërinë e sotshme post-komuniste në krizë ekzistenciale, kulturore në radhë të parë. Rrugë tjetër nuk ka.
Një Individ i rrallë, të cilin më parë se sa ta vlerësosh si poet të madh, duhet ta konsiderosh Njeri të Madh, ishte Lasgush Poradeci. Muza e tij ndaloi porsa në Shqipëri u instalua komunizmi. E bëri këtë veprim të pazakontë duke ndier me mençuri fuqinë e egër shkatërruese të uraganit të madh, që do të binte jo vetëm në Shqipëri edhe mbi të dhe familjen e tij, nëse arrestohej për këtë lloj heshtje sfiduese.
Me këto lloj modelesh të larta humane mund të ngresh një brez të ri të denjë për të ndryshuar Vendin. Në krahun tjetër, një nga të mëdhenjtë e Letërsisë, me frikë histerike në zemër, i drejtohej dikur Diktatorit të ngrinte gijotinën në mes të Tiranës, për të ekzekutuar shqiptarët. Tjetri, pas Rënies së murit të Berlinit, me vargje provinciale, poezi i thënçin, justifikonte vetveten se ishte gati të hiqte pantallonat, për të shpëtuar kokën e tij nën diktaturë. Konkluzioni është se pa filtrat e domosdoshëm Moralë nuk ndryshon asgjë në Shqipëri. Pasi, pas Ekonomisë dhe Politikës, fshihet gjithmonë si fantazmë e padukshme Kultura.
 
I shkruaj të gjitha këto për të vënë në dukje se, krahas të mirave të jashtëzakonshme që ofruan të veçantë të historisë Shqiptare, duhet të nxjerrim konkluzion edhe se mbi çfarë baze janë ndërtuar shoqëritë e vendeve të Civilizimit Perëndimor, që sot udhëheqin në Botë. Me gjoja intelektualët e lartë, shkrimtarë, akademikë, doktorë, profesorë e kodra pas bregut, të tipit Homo Sovieticus, që ende sot nuk mbajnë në njohuritë e tyre, veç bagazhin e verbër marksist, nuk shkon dot askund shoqëria shqiptare. Në krye të dhjetë vjetëve botën do ta mbulojnë robotët, diçka që do të ketë pasoja me të vërtetë tragjike për të gjitha vendet e prapambetura.
Vetëm duke filtruar kulturën, pa mohuar elementët e bukur të traditës, mund të ndërtohet e ardhmja, për të dalë nga gjumi shekullor, që vijon dhe sot e kësaj dite në Shqipëri.
Vlen të përmendet në këtë pikë një thënie e goditur e shkrimtarit satirist të famshëm rus, Mihail Saltikov Shçedrin, nën dritën e të cilit dalloj edhe qëllimin e shkrimit të Librit ‘‘Krenaria e Kombit’’ me autor Luan Çipin. Citati thotë: ‘‘Në disa momente historike, më i rëndësishëm, është Nxitimi.’’
 
Duke iu referuar dy figurave më të spikatura shqiptare, të vlerësuara gjerësisht në Botë, Skënderbeu e Nënë Tereza, vetëm përmes Energjisë së investuar në Hapjen Shpirtërore, në rang individual, mund të përballohet e Tanishmja për të përballuar të Ardhmen. Pas utopive të mëdha, që në shekullin e kaluar tragjik lanë pas miliona të vrarë e gërmadha, eksperienca në rang botëror nuk ofron tjetër model për zhvillimin e shoqërisë.
Dhe kjo është Kultura. Asgjë tjetër!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.