back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Motivi ekzistencialist në metaforën e kohëvjeshtës tek “Fletorja e vjeshtës” e Jozef Radit! – nga Emi Krosi

Gazeta

Emi Krosi
Emi Krosi

Motivi ekzistencialist në metaforën e kohëvjeshtës

tek “Fletorja e vjeshtës” e Jozef Radit!

nga Emi Krosi

Në aktin e “paskremuar” të kohës, hyjnë dhe dalin shumë poetë, poezi, prozatorë. Dikush, lë një autograf të çjerrë diku, dikush “humbet” mes leshterikëve të detit, si një valëbaticë e shkumëzuar, deri te këmbët e lagura të “Malit magjik” të Tomas Man-it, ku “kryqëzohen” rrufetë e Prometeut, që e “tundoi” njeriun për zjarrin e jetës, ngrohtësisë dhe dashurisë. Rrjedha e kohës, rikuperoi në trajtoren e mbresave, receptimin komporativ të ditarit-poetik, një “lloj motivi ekzistencial” të Ungarettit shqiptar, Jozef Radi, me vëllimin poetik; “Fletorja e vjeshtës”, i cili ndahet në:
 
Kopertina e Librit Fletorja e Vjeshtes
Kopertina e Librit Fletorja e Vjeshtes

fletore e vjeshtës së parë; [22 poezi] (metafora e kohëvjeshtës njerëzore, [shtatori muaji i pemëve të pjekura dhe tharmi i lëngëshegës] në stinën e burrërores dhe burrnimit, koha poetike e autorit, mosha jetësore reale); mbart elemente autobiografike, ka dekoduar amalgamën e “harresës” së përtejme, me “baraka të lehta si shpirtna t’ikunish kahera” gjymton vdekjen hilacake, sepse “të vdesësh është ndryshe nga ç’mendohet, dhe fat” për Walt Whitman-in. Nuk është një klithmënajë, por një “requiem” i tërbuar hënor, n’thes të natës “…na rrasën/ e hanën askujt në xhep s’ia lanë…” f,16., në analogjinë e frikës mes natës dhe thesit, përmbajtëson analogjinë e vetëdijes, ku dashurorja dhe shpirtërorja ndërkëmbëhen në thagmën e lartuar të lirisë! Të vritet liria e tyne! Në vargjet “pa krena”, (zgjedhja teknike dhe estetike e poetit), poezitë pa tituj, “thirrmojnë” antitezën e vuajtjes së heshtur, “…ata që ngrehën rrethime telash e karakolle/…/ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba…” f.18., imazhi i kampeve, në ftohtësinë “idilike” të diellit arktik, asgjëja bëhet askush dhe askushi lukuni gjarpërinj të Camajt (poshtë gurit me ndërruar lëkurët), nën regëtimat e fundit të Havzi Nelës, sepse ankthi që vjen nga të qenit të vetëdijshëm për lirinë tonë, sipas Sartrit, është shumë e rëndësishme, sepse na shtyn në marrjen e vendimeve për veten tonë.

Besimi te ajo foshnje n’grazhd… e humbur mes malesh të egra e t’braktisuna t’Kurveleshit f.35, kalvari Golgotian i foshnjes-grazhd të Jezusit kthehet në Titan, Zeus, Gand, sepse Krishma (besimi budist i shëndërrimit të shpirtit në formë kafshe) do të çtempullohet përtejtejmanëve të pangjyrë. U ba nji jetë/ që pyetjes “si je”/ i përgjigjem:/ mjerueshmërisht /mirë,” prandaj Njeriu është gjithmonë i vetëdijshëm “që natyra e tij varet në aftësitë e tij për të bërë zgjedhje dhe për të vepruar në bazë të këtyre zgjedhjeve”, pohon Sartri.
 
fletore e vjeshtës së dytë; [22 poezi] (burrërimi në muzgjet e erëvjeshtës tetoriane, “gropon” gjethet e para të vetmuara të “vargut poetik”, se fara e poetit është [misëruar në të korrurat e mosplakjes]), se metafora e vjeshtës (si stinë pjellore me të korrurat mbush hambarët) e poetit më fjalëshprese, ka filluar të zbresë shkallë-shkallë në tabanin e tokës gjetherënë, në dromcat e derdhura të dashurisë, mbi vertikalitetin e rrafshinës së mallit, “ta kam shpjegue gjithsesi/ pse jetoj n’vjeshtë!” f.41, duke sublimuar “pastërtinë” e fjalës si Ungaretti, sinkretizon unitetin linear të fjalës me ndijime të largëta objektive dhe subjektive, në kumte rrëshqimore me lirikë dashurie, që “lëngëzohet” nga litarët e shiut vjeshtor… “…mbramë piva etshëm në dashninë tande/ e langu i athët i syve të tu më dehu n’qelizë/ rrëshqita symbyllas në livadhe të shetituna/ e me gjunj të blertë ndër lutje e thirra Zotin/ ta ndalte kohën, e t’na shkulte prej andrre,…” f.45, në vjeshtë e kohës fizike për një mesoburrë, (forca e dashurisë ndryshon dhe harron), trishtueshëm, thirrmon te dashuria, sepse metafora e langu i athët i syve të tu më dehu n’qelizë, është një “thagmë” solomoniane, që në shekuj ka mrekulluar thirrmën e Zotit (Jozefi është i krishterë, Jozef – profet dishepull i Krishtit), shpirtëzimi i besimit të njeriut, në besimin Suprem të Fuqisë Hyjnore, nuk e “braktisi” nëpër baltërat e barakave të Myzeqesë, as nëpër shkundullinat e rrapeve të ftohta të Labërisë, kur nëna-Mari, mbarti peshtafin e fatkorbit, udhëve të Atdhet lakuriq të Xhagjikës, kur Shpata e Demokleut, qëndronte si gijotinë.
Ky lirizëm i hollë, rivajëzon “Mjerim dhe madhështi” të Robert Hass-it, ashtu si tejbregut të shpresës, në vjeshtën e dashurisë, “gjethet bien,/ rrëzohen e thahen,/ gjer Ditën e Gjykimit” tek poezia “Puhia e bregut tej” John Ashbery, është thirrma ndër lutje e thirra Zotin, në kërkim të Asgjësë ose Gjithçkaje, duke “kërkuar” mallin e humbur në vetminë e vonë të Reshpjes. Vjeshta dhe “vdekja” Dita e Gjykimit për Ashbery-in, është analogjia përmbysësë e Jozef Radit. Ai ka mëngjese, pasdite, mbrëmje, zogj, trëndafila, flakë, delire, ojna, lule, polen, fllad, frymë, qiell, shi, brigje, ura, shtigje, vjeshta, mjegull, ylber, lule, rrush, vetëtima, jetë, shpresë, pritje, humbje, pyje, Krisht, shpëtim, buzëqeshje, por kurrë vdekje. Poeti në tezgjahun e shiut, end pëlhurën e vetëtimave me; “shiu/ qiellit varë/ si verig rrushi/ ndër furk t’përflakta/ vetëtimash…/ ne andrrojmë vreshtat/ e dehemi me vjeshtat…”
 
fletore vjeshtës së tretë; [23 poezi] (blatimi i pafundëm se koha moshore dhe koha letrare, priten në ashtin e tretë nëntorian në fundvjeshtën e vargpjekjes), nuk ka tkurrje por plotëri të tropeve poetike, ku S/Z e Bartesit, nuk e “ndryn” kohën Sosyriane të “lexuesit Model” të Ecos. Mënyra e të shkruarit nëpërmjet poetit narrator, nuk e prapëson kohën, mënyra, zëri brenda poezisë sipas Zhenet, (historia dhe narracioni), janë ekuivalente. Në vjeshtën e tretë “dëshmi” e dimrit, që “i qëndis pa kujdes peisazhet e veta”, tkurret nëpër hapsirat e mjegullta, të përkujtesës letrare. Largësitë dhe hapsirat (jo rastësore gjeografike), deti dhe aeroporti lidhen me fijeshpresën e dashurisë se: “nëse nesër nisem/ s’e di nëse nesër mbërrij…/ largësia midis nesh/ kaherë na ka hjedhë/ në teh të natës/ që pret…” palosja ose përthyerja e koncepteve të kohës, përmes hapsirave të lëvizshme që njëtrajtëson poezinë, sa zbritëse aq edhe ngjitëse, shkallëshkallshëm kulmon mes Unit të poetit dhe hapsirës ndërplanetare duke zbritur hirizontalisht në formë enumeracioni si: mal, lumë, diell dhe det. Në lojëfjalët që spikatin dukshëm në këtë cikël të vjeshtës së tretë, “…frikem/ se ti frikesh prej frikës tande…”, f.85, asonanca e bashtingëllores [f-në zgjedhimin e foljes frikë] autori nuk i shpëton as aliteracionit, në vargjet; “mos kërko çka ke humbë o i paemën/ mos u lodh kot o i paftyrë, o i pagjak…/ mos ia kërko as malit, as lumit, as diellit, as detit…”, f.77, ka “zgjedhur” një fjalor ndoshta edhe rastësor, (sepse kujdesi i poetit për leksikun dhe qëmtimi i tij i qëllimshëm në variantin e gegnishtes letrare, e zbukuron tejmase vargun), ndoshta qëllimshëm fjalët-morfema si: shi, melodi, lumë, aeroport, largësi, natë, pyll, fletë, dimër, gri, ditë, erë, shtrëngatë, pemë, xhvesh, etj., të derdhur qetuar e paqtuar me vjeshtën e moshës dhe poezisë në dyvargëshin të tipit hajk “të vjedhur”: “kur flaka jote të jetë mekun/ vaji im kahera do t’jetë shterrun…” ku nuk shteron “pusi” poetik i Jozef Radit.
 
fletorja e vjeshtës së vjeshtës. [36 poezi], (poeti i dashurisë sociale, i dashurive njerëzore, që shkërmoq dehumanizmin me humanizëm “surreal” [si traktat anvangarde], në kohën kur bjerret vlera humane përballë asaj materiale), sepse arti dhe sidomos poezia, na ndihmon “të ndryshojmë jetën” sipas (Rimbaud-it), me kumtet poetike, që shtresohen nënlëkurën e poezive. Ky cikël hapet me vargjet: “ne zbritëm ndër qytete me kangë majëkrahu/ i shkundëm blegërimat ndër xhepe autostradash/ vramë gjithë një pyll në emën t’nji fyelli/e çka ruenim ndër shekuj, na mjaftoi veç një ditë…” f.93, duke e ndarë vargjet në dy togfjalësha:
a) ne zbritëm ndër qytete, ikja nga atdheut (poeti mërgimin nuk e quan “plagë”, “dhimbje”, “ikje” një formë e rëndomtë e poetëve mërgimtarë), por thjesht një shpatë e xhveshur, para të vërtetës në dykulmimin e dykulturave sa larg, aq edhe afër, “atje përtej”, ku shperherë e quajnë të “huaj për ne”, dhe ne jemi të “huaj për ata”, “ardhacakët e vonë” (falët që kanë mbajtur gjallë nacionalizmat ballkanikë [imi/ yti]), për të mospranuar apo përjashtuar njëri-tjetrin.
b) me kangë majëkrahu, jehu i maleve tona, aq furishëm gjëmon trotuareve të Milanos (qyteti magjik i modës), ku plisi, tirqet dhe xhubleta këmbëkryqen autostradave moderne. Një motiv madhështor, (ky dyvargor të mrekullon për metaforën e fortë shpërfaqëse të shpirtit madhështor të botës shqiptare), duke shpallur artin e qëndresës shekullore, si ravgim mes dy kohëve, ashtu si Camaj, “për gjaprin e gruan” “sy me sy u pamë me gjarprin e zi të kullës/ ai i bindun në trojet e veta/…/ unë varja lkurët e lodhjes/ e mosepjen në trojet e mia…” f.101, poeti nuk largohet nga toka, pragu, kulla, guri dhe gjarpri. Gjarpri i zi, (përcaktesë mbiemrore) si Hyjni Htonike (nëndhesar/ nëntokësor), zvarritet trojeve të veta duke lënë lëkurët. Gjarpri, simboli i Pellazgëve dhe Ilirëve, ruan mitin e tij si shërues, i shenjtë, gjarpni i shpisë, nuk vritet, se është i bekuar, lidhja me pragun, vendlindjen me qëndresën e saj kullën, prej guri, dhe gjapri (roja e kullës).
 
***
Togfjalëshi; i shkundëm blegërimat ndër xhepe autostradash, poeti nuk harron eposin majëkrahut, blegërimat baritore të qengjave, vajin e Ajkunës, apo pëlhura e Penelopës, që kthehet te kujtimet, “as flladi kujtimeve s’kthen ma/ në fletoren e vjeshtës”, sepse ekspresionizmi me të cilën “pikturon” poezitë Radi, është mahnitës, me shtresëzime të surrealistëve francezë. Si dëborë me petale të pastra/ ose si duart e tua mbi puthjet e mia/ binin gjethet e vjeshtës, vargje nga (Guillaume Apollinaire), deri tek “Kurrë vjeshta” e poetit rumun (Ion Theodoresku), sepse “dimri” i poetit nuk ka humbur trajtën, se tash kam qiellin tim, kur malli për atdheun bëhet, gur shtufi (një lloj guri i butë), “edhe atdheun e humbun e krijoj me gurët e shtufit/ që zbresin në rrukullime teposhtë/ si dhi të etuna mali,” f.102, nuk është një meditim Narcizian si “Pasqyrat e Narçizit” të Koliqit, por plotëria e atdheut plot derte dhe halle, gjallmon dhe lulon si lulet e egra, në andej dhe përtej, në qytetin “pa prapanicë”, në qytetin-port të Ankonës. Rivajëzohet alpet, malet, brigjet e buta, rrugët, kafenete, gurët, (Shkodra, Buna, Drini), erëpeshk dhe erëkripë, “…ky qytet asht i pasun prej detit/ e ndjehet i vorfnuem prej njerzve të krypës/…/ ky qytet pa prapanicë/ e pi kafën në kambë/ fle në kambë si kali/ e në kambë si dhia dhitet/…/e sa here kemi nevojë për të/ ai na kallzon bërrylin dhe detin…” f.117. Nuk mund ta “tkurrë” tharmin poetik, në lëminë e përshkrimit të gjallë, në rrafshinën e mallit për atdheun, sepse gjithherë kur “arratiset” nga vetja i drejtohet detit dhe diellit, zgjimit të zogjve që i këndojnë diellit gjatë, nga poezia “Përtëritje” të Mallarme-s, sepse iu dorzova detit me m’dehë, kumti i pragut, të kthen në shtëpi. Geni i familjes, paqton shpirtin e trazuar, në kthimin; “…po kthehen peshkatarët të lodhun prej peshkut/ deti thellë në sy u ka mbetë dhe era ngec ndër flokë/ dhe bregu fanitet si trupi i një grueje që pret/ dhe kodrat në muzg si gjijtë e Stamirës…” f. 118., kthimi pranë dashurisë, gruas, familjes, vatrës dhe Tokës tënde. Atdheu është matanë. Përtej klithma e tij, për të “shkulur” të Keqen, të Ligën, por që duhet të bashkëjetojë akoma me të, se Atdheu nuk mund ta shkulë kancerin nga trupi. Ligësia, është ploja që mbulon peshtafin e të Mirës. Ai na kallzon bërrylin dhe detin, (deti hapsira ujore që lidh Shkodrën dhe Ankonën), por metafora e bërrylit, ajo që na shtyn, drejt individuales, kur kujtesa kolektive, “gjurmon” akoma, urretje, ndarje, përçarje, vetmi, ligësi.
Së fundmi: “leximi i thelluar” i ciklit poetik “Fletorja e vjeshtës”, ku kreshpërohen dashuritë, marrëzitë, harresat, miqësitë, ndjenjat, stinët, vitet, koha fizike dhe koha poetike, narrativa e poezive është si një fabul teposhtë bregut duke “gjurmuar” baticat e “bardha” të moshës.
Për më tepër, vetë poetët janë të bindur, se gjithkush duhet të ndihet i lirë për të lexuar e interpretuar në liri të plotë poezinë, çdo lloj poezie. Pra, interpretimi i lexuesit për secilën poezi, konsiderohet po aq i rëndësishëm sa edhe interpretimi i vetë poetit. Shpesh madje, poeti e refuzon “përgjegjësinë personale” ndaj poezive të tij, kështu që nocioni i synimit të autorit, bëhet i vështirë për t’u mbështetur. Duke qenë se lexuesi i poezisë rrallë herë vendoset në pozita për të riformuluar procesin e zgjeruar të zbulimit individual apo grupor nga autori, si poezitë (jo rrallëherë) janë tepër të vështira për t’u interpretuar, atëherë çdo lloj interpretimi bëhet po aq i vlefshëm për të “dekoduar” kodet e lashta, të shtresëzuara në poezinë moderne.
Fjalëkursyer, që nga triptika e Dantes tek hajku japonez, nga vargjet e lira Migjeniane, tek surrealizmi i Apolinarit, lëmon çdo fjalë, çdo varg, gjer “në të fundmin mëkat”. Një hermetizëm joabsolut, e bën Jozef Radin, poetin social, të dashurisë kundër të Keqes, që vazhdon të krahërojë, shpirtin kolektiv të shoqërisë shqiptare. Fundja, “…ky libër asht mëkati im i fundit/ e mëkati i fundit i këtij libri/ jam bash unë vetë…” por, a mund të quhet Dashuria Njerëzore Mëkat??!
.
Atëhere shijojeni këtë “mëkat të ëmbël”, me poezinë “majë” të këtij libri:
“ne zbritëm ndër qytete me kangë majëkrahu/ i shkundëm blegërimat ndër xhepe autostradash
vramë gjithë nji pyll n’emën t’nji fyelli/ e çka ruenim ndër shekuj na mjaftoi veç nji ditë…!”
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.