Myzafer Pipa, shprehje e unjisisë së popullit shqiptar
nga Willy Kamsi
Myzafer Pipa asht shprehja ma e mirë e ma e naltë
e marrëdhanieve ndërfetare të popullit shqiptar.
I ndërgjegjshëm për zanafillën e vet, e të vetme,
atë të gjakut shqiptar që i rrjedh në dej,
pohon kështu unjisinë e patundshme të popullit tonë.
.
Duhet të jemi larg prej kuptimit të asaj shprehjeje të dyshimtë, që merr emnin tolerancë, e duhet të bindemi se ajo asht e huej për ne. Ajo asht ballafaqimi e kundërvumja e dy entiteteve të kundërta, sikurse janë mujshia ose prepotenca e nënshtrimi të kuptueme gabimisht si shej dallues i një uniteti të dyshimtë, pra të nji modus vivendi në mes të palëve të nji populli të vetëm, që në të vërtetë duhet të shprehet ma mirë nëpër nji bashkjetesë të sinqertë vëllaznore.
Rilindasit tanë u përpoqën t’i përballojnë marrëdhaniet ndërfetare dhe në nji farë mënyre u mendue se e kishin gjetë nji zgjidhje. Nji veçanti, që përfaqëson nji të vërtetë të gjithmbarshme, e që do të përshkonte ndër shekuj jetën e nji kombi si ky i yni, ka qenë koncepti i shqiptarësisë që, pavarësisht nga besimi, asht marrë si element lidhës në jetën e përbashkët. Këto që po thomi ka gjasë të përbajnë nji pjesë të formimit mendor e shpirtnor të Myzafer Pipës. Fjalët e Myzafer Pipës, kur themelon në 1944 revistën e vet “Fryma”, në një kohë me revistën “Kritika” të vëllaut Arshi Pipa, janë krejt nji program e përfaqësojnë ma së miri edhe njeriun që i shpreh, tue qenë për të nji rregull jete në vjetët që do të vijojshin. “Vepra jonë, – thotë Myzaferi, – kur e shofim se asht e drejtë dhe e vetëdijshme, dhe se asht nji nga çashtjet sa të nevojshme aq të dobishme dhe për kohën qi do të vijë, nuk na tut, por përkundrazi, na nxit ma tepër për dëshirë pune”.
Jo vetëm kaq, por shpreh dhe nji dëshirë për punë, tue lypë pjesëmarrjen e të rijve në këtë iniciativë kulturore, por njikohsisht dhe atdhetare, në mënyrë që “me hapa të matuna e të sakta për nji ideal” të njimendësojnë prirjen e tyne të natyrshme. Nuk i mungojnë në këtë rasë as landa si bazë serioziteti e vullneti i mirë për me e çue përpara këtë synim, të gjitha elemente të nevojshme madje të domosdoshme për arritjen e qëllimit të naltë që i kishte vu vetvetes.
Sot nuk kemi shumë shkrime për me dëshmue ma tej mendimin e personalitetin e tij, fundi i fundit atë e dëshmon vepra me flijimin e atij ideali që e kishte pri gjatë gjithë jetës, kishim me thanë, ma saktë të rinisë së vet, fatkeqësisht tepër të shkurtë. Megjithatë, këto shkrime, kaq sa janë, janë të mjaftueshme për me e çmue si njeri e si atdhetar.
Përveç shkrimit paraqitës të revistës, që sapo kishte nisë udhën e vet, tri janë ato parashtrime që në njifarë mënyre na japin nji pasqyrë të drejtimit të tij juridik e patriotik, me parime që i kishte trashigim si prej familjes, ashtu edhe prej shkollës. Mustafa Nuri Pipa qe ai mësues i madh i cili formoi karakterin e bijve të vet e në veçanti të Arshiut e të Myzaferit, që lanë nji gjurmë të pashlyeshme në botën shqiptare. Në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijueme nga austro-hungarezët (Korparmata XIX në Shqipni me seli në Shkodër nën komandën e gjeneralit Ignatius von Trollmann), ma vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emnonte anëtar i Gjyqit të Diktimit.
Ndërsa i biri, Myzaferi, do të merrte, me studimet e ndjekuna në gjimnazin e françeskanëve e ma vonë në Universitetin e Padovas në Itali, në Fakultetin e Drejtësisë, bazën e formimit të mëtejshëm, studime të cilat, ndonëse të ndërpreme në nji kohë, do të përfundojshin me laurimin e tij në atë universitet. Në shej asht shkrimi në lidhje me letratyrën juridike. Aty përshkruhet hollësisht gjendja e kësaj letratyre në Shqipni, tue dhanë njikohësisht edhe këshilla të hollësishme për rregullimin e saj. Por ajo që bie në sy, asht se kërkon që legjislacioni shqiptar të pasqyrojë edhe traditën juridike të popullit shqiptar “tue fillue me punën e mbledhjen e folklorës juridike e të zakoneve tona… sidomos tue studjue e komentue me kompetencë legjislacionin e malësive tona tek “Kanuni i Lek Dukagjinit”. Tue kërkue që legjislacioni shqiptar të marrë tipare kombtare, e të mos jetë përshtatje e atij të huej. Kështu që të jetë nji zgjidhje e atyne problemeve ku sheh “lidhjen e ngushtë të bilancit të mbarëvajtjes së nji populli”.
.
Kurse “burrnija në “Kanunin e Lek Dukagjinit” asht nji hymn “ligjave tona zakonore në pikpamje parimesh morale”, – si shprehet ai vetë. Tue vu në dukje disa veti dalluese të shqiptarit, si janë: besa, liria, bujaria e mikpritja, i ven theksin sidomos konceptit të lirisë personale, tue dallue në veçanti rolin e grues në familje, dhe tue cilësue familjen, si shprehet vetë ai “në vështrimin katolik të fjalës e jo në kuptimin e një kontrate bilaterale dhe shpesh çerdhe adulteri dhe degjeneracioni”. Dhe në këtë shohim nji orientim prendimor dhe europian, modern në konceptimin e martesës dhe të familjes tue u shkëputë prej traditës lindore.
Ma në fund, me editorialin e botuem në numrin e fundit të revistës “Vetëdije apo krim?”, shfren me nji kritikë të ashpër ndaj politikës qeveritare, gja që ka me i shkaktue në gushtin e 1944-ës arrestimin dhe internimin në kampin nazist të Prishtinës. Në këtë shkrim shohim, deri diku, nji analogji me editorialin e At Gjergj Fishtës, me të cilin pat stigmatizue Fuqitë e Mëdha të kohës, tue shkaktue menjiherë mbylljen e revistës “Hylli i Dritës”, me 1914. E megjithatë, kjo nuk e pengoi, nuk e ndali Myzafer Pipën që ta çonte deri në fund luftën e vet kundër krimit të organizuem të përfaqësuem prej partisë komuniste dhe skllavnisë të ushtrueme prej saj ndaj nji populli trim e të pamposhtun.
Me pushtimin sllavo-komunist nuk asht pa kuptim arrestimi dhe vrasja mizore e Myzafer Pipës prej komunistëve. Vetëm e vetëm sepse mprojti idealet e veta si dhe të pjestarëve të klerit katolik, sepse me kërkesë të vetë françeskanëve mprojti At Gjon Shllakun, filozofin e dalun nga Universiteti i Louvanit e i Sorbonës. Gjithçka e bani me bindje të plotë se padrejtësia e krimi duheshin luftue deri në fund, qoftë edhe me flijimin e jetës së vet.
Flijimi i tij ishte një shprehje e matejshme e urrejtjes dhe frigës që kishte komunizmi gjaksor, vegël zbatuese deri në fund i urdhnave të pansllavizmit për shuemjen e çdo shfaqjeje që do të mund të kundërshtonte planin e tij politik në Shqipni, e konsiderueme kjo qi në fillim si tokë e pushtueme. Ky flijim prekte intelektualët ma në shej të kombit shqiptar, njerëz të ndershëm e atdhetarë, të cilët n’emën të parimeve të pashlyeshme të unjisisë kombtare, pa paragjykime, i dolën zot njeni-tjetrit në ato çaste të vështira të cilat synojshin shuemjen e qindres së krejt nji populli me mjetin e terrorit, por në mënyrë të veçantë me ushtrimin e gjenocidit ndaj klerit e popullit katolik shqiptar.
Kjo shkaktoi reagimin e Myzaferit, që, tue mos marrë parasysh rrezikun e nji mprojtjeje të tillë, i doli zot me zjarm së drejtës së njerëzve të pafajshëm për liri tue i mprojtë njikohësisht nga padrejtësia e mujshija e regjimit komunist. Qe shembull i ndritun. Ai si mysliman, mbërrin të japë menden e jetën e vet në mprojtje të klerit katolik e në veçanti të figurës së françeskanit shqiptar, përfaqësues në shej i krejt nji tradite e nji vepre atdhetare që ai urdhën kishte krye gjatë shekujve në vendin tonë.
Myzaferi ka me mbetë kurdoherë simbol i unjisisë së kësaj Shqipnie dhe dishmitar i veprës antikombtare të komunistëve. Gjithë puna e komunistëve ka me u stigmatizue ma vonë me fjalë të skalituna nga Papa Gjon Pali II: “Historia kurr nuk ka pa ma përpara atë që ndodhi në Shqipni”, – por shton se “Europa nuk duhet ta harrojë”. As populli shqiptar që e vuajti atë mizori, nuk duhet të harrojë. Krimet e komunizmit duhet të bahen të dijtuna gjanësisht nëpërmjet të gjitha mjeteve, me botim dokumentash, tekstesh shkollore, me filma, me dëshmi e dëshmitarë ku rinia, që nuk e ka jetue atë plojë, të marrë dijeni e t’i shmanget propagandës kapilare që bahet ende sot, nga njifarë shtypi të vetquejtun të pavarun, për me qite në dritë tue na i paraqitë si heroj ato figura të zymta të komunizmit, qi qenë njiheri kriminela të luftës e kriminela të paqes.
Krime të patregueshme u kryen “n’emën të popullit”, po t’atij popull që po e vuente diktaturën e përbindshme komuniste. Tortura ishte mjeti i përditshëm në dorën e të ashtuquejtunve “hetues”, që s’ishin veçse xhelatët e nji populli të pafajshëm, mjeti ma barbar në dorën e komunizmit. Për me kuptue se ç’asht komunizmi, mjafton me përshkrue vargun e gjatë të shpikjeve djallëzore e të mjeteve torturuese të përdoruna për me mposhtë qëndrimin e sa burrave e grave që përpiqeshin për nji jetë të lirë, për nji fjalë të lirë e për nji shtet me të vërtetë demokratik.
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.