Për dramën e Shqipërisë dhe të shqiptarve
nga Sokol Paja
Shqipëria po përjeton orë dramatike. Vendi ynë vlon nga konflikti. Nga momenti në moment mund të shpërthejë hataja. Ngjarjet i paraprijnë befasive dhe të papriturave të pamenaxhueshme. Përplasjet e panevojshme po shkaktojnë plagë që s’do i mbyllin as dekadat. Institucionet e shtetit janë bërë aq qesharake sa të vjen për të qeshur dhe qarë njëkohësisht. Ca masin forcën, ca bëjnë si të fortë. Pas 3 dekadash, jemi prapë 3 dekada pas. Sa herë që s’kemi mësuar nga historia e kemi përjetuar sërisht, fatkeqisht. Sa herë nuk ia kemi prerë rrugën të keqes, ajo ka infektuar rrugëtimin tonë. Të fortët dhe të dobëtit, kusarët, zullumqarët, zuzarët, barbarët, taksidarët, ligjvënës e ligjshkelës, militantë e mbështetës, moralistë, analistë, panelistë, kubistë, portalistë janë vënë në garë kush çmendet në mënyrë më të shëmtuar. Shteti është shtrirë përtokë. Nxjerr herë pas herë dhëmbet e përhap gjak, panik e frikë. Gjithçka ka humbur funksionin dhe kuptimin. Mënyra e menaxhimit të krizës shoqërore dhe institucionale është qesharake deri në kufijtë e neveritjes. Shqipëria po shpopullohet. Njerëzit po ikin nga sytë këmbët. Aq e rëndë është gjendja sa të vjen turp t’i thuash botës nga vjen. Shqiptarët që ende s’kanë ikur nga Shqipëria, janë ndarë në 3 kategori: 1.Taksidarët që e shkatërruan këtë tokë të bekuar dhe vazhdojnë ta mjelin çdo ditë; 2.Patriotët që e duan dhe besojnë se Shqipëria do bëhet një ditë, dhe; 3.Ata që s’kanë asnjë mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, se do iknin një sekondë e më parë.
Sherri, përplasja, dhuna, intriga dhe rënia moralo-institucionale ngjason me Shqipërinë e viteve ’20. Gjithçka ngjan me një fatkeqësi: për fundin që s’dihet, për shtetin që prishet, për pasurinë që vidhet, për njerëzit që ikin e nuk kthehen më, për kohën e humbur kot, për jetën e shkuar dëm dhe për ëndrrat në një tokë të bekuar që e shkatërruan politikanët, mallkimi i kombit tonë.
Shekujt me ne po tallen. Bota po qesh me ne. Çdo ditë e më shumë po vrasim veten tonë, të ardhmen tonë, kombin tonë.
Deri kur kështu?
Mjaft vëllezër
Pash lavdinë e Kastriotit, pash nderin e emrit shqiptar, pash besën e Zotit… mos e çoni këtë komb në varr!
Marrë nga muri i FB i Sokol Pajës, 21 qershor 2019