back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Familja Juka: Mes nderimeve dhe persekutimit Anila Dushi

Gazeta

Anila Dushi
Anila Dushi

Familja Juka, Mes nderimeve dhe persekutimit

nga Anila Dushi (2010)

Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë,
pjesëtarë të familjes Juka,
kontribuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit.
Megjithatë pas 1944-s ndëshkimi komunist
do të binte mbi këtë familje
edhe pse ajo kishte dhënë një bijë të saj
në luftën kundër fashizmit dhe që ishte shpallur heroinë.
U merren pronat, burgosen dhe persekutohen

.

Familja Juka është një ndër familjet më të njohura në Shkodër, edhe pse për shumë arsye pjesëtarët e saj janë të shpërndarë në Shqipëri e jashtë saj. Emra të nderuar të kësaj familjeje kanë lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar, brenda e jashtë tij, duke bërë që përmenden me respekt jo vetëm nga shkodranët.
Intelektualizmi dhe dashuria për atdhetun, krenaria për të qenit shqiptar duket se kanë karakterizuar figurat më të njohura të kësaj familjeje.
Zamir Juka është një ndër pjesëtarët e kësaj familjeje që vazhdon të jetojë në Shkodër.
Duke folur për familjen e tij, referuar asaj që i kanë treguar paraardhësit, asaj që është e shkruar apo dhe materialeve të grumbulluara nga kushëriri i tij, Gëzim Juka, i cili është në proces të shkrimit të një libri për historinë e kësaj familjeje, Zamir Juka tregon se familja e tij ka ardhur në Shkodër nga zona e Dukagjinit, fshati Pecaj pas vitit 1600.
I pari i fisit ishte Pal Juca, i besimit katolik, dhe më pas pjesëtarët e kësaj familjeje janë kthyer në myslimanë, ku dhe mbiemri Juca kthehet në Juka. Kjo mësohet se ka ndodhur në kohën e ikjes së Venedikut dhe ripopullimit të zonave rreth kalasë së Shkodrës.

Ministri i Mbrendshem Musa Juka
Ministri i Mbrendshem Musa Juka

Historia e familjes


Njerëzit e familjes Juka janë vendosur në Shkodër në lagjen “Parrucë” dhe janë pronarë të mëdhenj ku krahas pronave, kanë ndërtuar dhe xhaminë e Parrucës, e cila u shemb nga komunizmi në vitin 1967, dhe që cilësohej si një ndër xhamitë më të bukura dhe më të njohura në të gjithë vendin.
Kjo familje përveç tokave, është pronare dhe e dy hoteleve, madje mendohet se edhe lagjja Parrucë ka marrë këtë emër nga i pari i këtij fisi, Pal Juca. Pas pushtimit turk, pjesëtarë të familjes Juka janë aktivë në jetën politike të qytetit.
Tahiragë Juka është udhëheqës i grupit të Tabakëve. Nelo Juka (Zenel Agë Juka) është aktiv në luftën e Miletit, të zhvilluar nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kontribues financiar i saj dhe një ndër firmëtarët e protestës së parisë së Shkodrës, më 16 qershor 1878, kundër copëtimit të Shqipërisë. Historia e kësaj familjeje vazhdon me kontributet e pjesëtarëve të saj në jetën politike e administrative të Shkodrës e Shqipërisë, veçanërisht pas vitit 1912.
Krahas figurës së Musa Jukës, ka dhe të tjerë pjesëtarë të kësaj familjeje që shquhen si: Hamza Juka, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, Man Juka dhe Asllan Juka, pjesëtarë në Luftën e Koplikut kundër serbëve në vitin 1920.
Pasardhësi i kësaj familjeje, Zamir Juka, tregon se pavarësisht bindjeve zogiste, familja e tij u rreshtua në luftë kundër fashizmit dhe shprehu tipare të qarta antifashiste dhe për këtë ndihet krenar.
Edhe Musa Juka, që ishte numri 2 i shtetit shqiptar para pushtimit italian, bazuar në dokumentet zyrtare të kohës, ishte kundër pushtimit italian. Kështu më 6 prill 1939 ai do të transmetonte një shkresë me urdhrin e Mbretit Zog, për qëndresë me armë kundër fashizmit, dokument për Musa Jukën.
Koncept: Mbretnija Shqiptare
Tiranë më 6-4-1939

Ministrija e P. Mbrëndëshme

Zyra Sekrete
Nr. Ekstra

Kolonel Ali Riza
Vlonë
Simbas urdhënit Nalt Madhnis Tij Mbretit.
Ju njoftojmë se në rasë se trupat italiane fillojnë me zbarkue në tokën t’onë menjëherë të fillohet luftimi tuej i kundërshtue me armë. Stop. Dy batalionat e nodhun në Tepelenë dhe nji Berat u urdhnuen me u nis për Vlonë dhe me u vue nën Komandën e Z. s’Uej për mbrojtjen e atdheut. Stop. Ministri.

Burhan Juka
Burhan Juka

Internimi i familjes pas pushtimit fashist

Pushtimi fashist do të kishte pasoja për këtë familje ku disa pjesëtarë të saj u burgosën dhe u internuan. Kështu Hilmi Juka internohet në Gjirokastër 1 vit, Galip Juka internohet në Pesaro, Itali 2 vite, Xhemal Juka internohet në Peruxhia 1 vit, Elez Juka internohet në Zvërnec Vlorë dhe në Itali 3 vjet, Ali Juka internohet në Ventotene, Itali 3 vjet, Myfit Juka u burgos në Shkodër dhe u internua në kampin e Prishtinës në shtator 1944. Shaban Juka u aktivizua me lëvizjen studentore kundër pushtuesve.

Shejnazja, partizania e mitur shkrodrane

Në këtë periudhë bie në sy aktiviteti antifashist i një tjetër figurë të kësaj familjeje, Shejnaze Jukës. Ndërsa ishte me studime në Itali, ajo kthehet në Shqipëri dhe rreshtohet aktivisht në formacionet antifashiste e partizane, që në fillimet e saj, së bashku me kushëririn e saj nga nëna, Qemal Stafa.
Përjashtohet nga shkolla në Shqipëri dhe duke qenë se kërkohej nga fashistët, del në male si partizane. Shejnaze Juka vritet duke luftuar me fashistët në zonën e Çermenikës në dhjetor 1943, dhe pas çlirimit i jepet titulli “Hero i Popullit”. Emrin e saj e mban prej vitesh ish-shkolla pedagogjike, sot shkolla e mesme e gjuhëve të huaja në qytetin e Shkodrës, në oborrin e së cilës ndodhet dhe busti i Shejnazes.

Ndëshkimi pas çlirimit

Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë, pjesëtarë të familjes Juka, kontribuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit. Megjithatë pas 1944-s, ndëshkimi komunist do të binte mbi këtë familje edhe pse ajo kishte dhënë një bijë të saj në luftën kundër fashizmit.
U merren pronat dhe burgosen e persekutohen. Xhemal Juka vdes në tortura në hetuesi së bashku me Qemal Draçinin dhe varret e tyre akoma nuk dihet ku janë. Hilmi Juka, Nuh Juka burgosen politikisht. Intelektualë nga kjo familje të shkolluar jashtë vendit, si Galip e Zyber Juka dërgohen me punë të rëndomta në zona si Myzeqeja, Rrësheni apo Maliqi.
Arsimimi i bijve të kësaj familjeje shkon paralelisht me atdhetarizmin e saj, ku pjesa që është jashtë vendit, siç është familja e Musa Jukës jo vetëm arsimohet, por dhe pse nuk komunikonin me të tjerët në Shqipëri, nuk e harrojnë atdheun e tyre.

Safete S. Juka (28 Nandor 1923-6 Nandor 2005)
Safete S. Juka (28 Nandor 1923-6 Nandor 2005)

Safete Juka, studiuesja e mirënjohur shqiptare

Safete (Sofija) Juka, vajza e Musa Jukës është padyshim një tjetër figurë me vlera e kësaj familjeje. Intelektuale, e formuar në shkollat më të njohura duke nisur me shkollën fillore në Tiranë, atë të mesme në Austri dhe universitetin në Francë në vitet 1950-1956, Juka punon si profesoreshë në Liceun Francez të Aleksandrisë, Egjipt.
Aty, meqë ishte e apasionuar pas artit, hap dy ekspozita pikture dhe u quajt “piktorja e luleve”.
Në vitin 1957, një vit pas vdekjes në Aleksandri të Egjiptit të babait të saj Musa Juka, familja zhvendoset në Nju Jork të SHBA-së. Atje jep mësime në një shkollë private në frëngjisht dhe gjermanisht. Gjatë kësaj kohe mbron në Francë doktoraturën më 1969-n dhe pas kësaj punon në Universitetin e Pensilvanisë si profesoreshë e letërsisë frënge të shekullit XIX-XX, ku del edhe në pension.
Merr pjesë në shumë seminare dhe konferenca për problemet filozofike të artit e letërsisë franceze në SHBA. Piktore, studiuse, kritike arti, eseiste, analiste e kulturës në përgjithësi dhe artit francez në veçanti, Safete Juka bashkëpunon me revistat “The French Review”, “Revue de Mitaphysique ed morale”, “Les Lettres Romanes”, “Ecrits de Paris”, “Realites”, La Nouvelle”, “Revue Francaise”, “South Asian Review”.
Problemi i saj kryesor ishte çështja shqiptare dhe veçanërisht Kosova. Ajo i dërgon dhuratë presidentit Bill Klinton, sekretarit Bob Doll dhe shumë kancelarive librin e saj “Kosova – The Albanians in Yugoslavia in light of Historical Document”. Vend të rëndësishëm zë dhe libri i saj “Golgota”.
E etiketuar si Dora D’Istria e dytë, Safete Juka është propozuar për çmimin “Nderi i Kombit”. Safete Sofija Juka (kështu e kishte emrin e vet në SHBA) pas viteve 1990, erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë edhe në seminarin “Shkodra në shekuj” me veprën “Shkodra në veprat e Mary Edith Durham”, kjo në vitin 1993. Vdiq në Nëntor 2005 dhe, sipas amanetit të saj, varroset në Shkodër.

Juristi Armer Juka
Juristi Armer Juka

Dhurata 40.000-dollarëshe Bibliotekës Kombëtare

Një tjetër tregues i patriotizmit dhe atdhedashurisë së Safete Jukës, edhe pse ishte larguar nga Shqipëria vetëm 13 vjeçe, është dhe dhurata prej 40.000 dollarësh që i la pas vdekjes së saj Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.
Këtë amanet e plotësoi motra e saj Lume Juka, murgeshë e urdhrit të Nënë Terezës, që i shkruan më 19 qershor 2009, nga Nju Jorku drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
Ajo i bën të ditur se motra e saj Safetja ka depozituar në një bankë të Nju Jorkut një shumë prej 40.000 dollarësh, që sipas amanetit të saj do t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombtare.
Lumnije Juka, motra e Safetes, ka një aktivitet sa bamirës, aq dhe atdhetar në Nju Jork, ku në vitin 1969, ajo bëhet nismëtare dhe mundësuese e takimit të parë të Nënë Terezës me Mbretëreshën Geraldinë.
Të tjerë pjesëtarë të familjes së Musa Jukës u arsimuan në universitetet e njohra të botës, si Berhani për drejtësi në Sorbonë, ndërsa Fiqireti për letërsi franceze në Strasburg dhe në Universitetin e Xhorxhias, SHBA për Shkenca Politike.
Ndonëse i larguar në moshë të re nga Shqipëria, Zamiri tregon se ai ka pasur dëshirë të vinte në Shqipëri dhe në pamundësi të kësaj, sipas amanetit të tij, Fiqeret Juka pas vdekjes në vitin 1992 varroset në Shkodër.

Vllaznia kapione e 45' Xhelal Juka (i 4-inga e majta)
Vllaznia kapione e 45′ Xhelal Juka (i 4-inga e majta)

Dy anët e medaljes

E kundërta ndodhi për pjesëtarët e kësaj familjeje që jetonin në Shqipëri, të cilët deri më 1990-n i kishin të pakta mundësitë e shkollimit. Zamir Juka, i cili u privua nga shkolla e lartë për arsye politike, kujton atë që i tregonte babai i tij kur u erdhi lajmi i vdekjes së Musa Jukës në Egjipt.
“Nuk lejohej të nxirrej njoftim dhe të priteshin ngushëllime, aq më tepër që Musa Juka ishte i etiketuar nga komunistët si “armik”. Në këto kushte, miq e të afërm që e morën vesh, vinin tinëz për ngushëllime në shtëpi, në orare të ndryshme dhe me kujdes që të mos diktoheshin dhe mbi ta të binte ndëshkimi. Komunistët nuk lejonin që të respektohej as i vdekuri.
Më kujtohet që babai dëgjonte fshehurazi stacionet e huaja dhe gjithmonë na porosiste që çfarë flitej apo dëgjohej në shtëpi të mos e thonim jashtë saj”, kujton Zamir Juka.
Ndërkohë, figurë e njohur e kësaj familjeje është dhe Xhelal Juka, sportist e trajner i njohur futbolli.
Ndonëse spikaste si talent futbolli, ai luajti 10 ndeshje ndërkombëtare futbolli me ekipin e Vllaznisë dhe atë kombëtar, por të gjitha brenda vendit, pasi nuk lejohej të dilte jashtë shtetit, qoftë dhe për të luajtur futboll si pjesë e ekipeve ku luante. Xhelal Juka është Mjeshtër i Merituar i Sportit; mbajtës i Urdhrit “Naim Frashëri” i klasit të Parë 1999; titullin “Palok Nika” dhënë nga Bashkia e Shkodrës 2000, Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës 2009. Pas 1990-s, pjesëtarë të kësaj familjeje vazhdojnë të kontribojnë në fusha të ndryshme dhe të arsimohen jashtë vendit.
Genc Juka është deputet në vitet 1992-1996 dhe 2005-2009, ndërsa Amer Juka diplomohet me rezultate të larta për drejtësi në universitetin Panthéon-Assas – pasardhës i të famshmit Faculté de Droit de Paris Francë.
Në ceremoninë e organizuar, Armer Juka nderohet me çmimin Major si student i shkëlqyer që është renditur i pari në përfundim të studimeve master në degën e së drejtës evropiane të biznesit.
Ky çmim i është dhënë atij në vitin 2009 nga Eric Woerth, ministër i buxhetit dhe kontove publike nëpunësve publikë dhe reformës së shtetit në Francë, ndërsa të pranishëm kanë qenë dhe personalitete të tjera franceze, si: Vincent Lamanda, kryetar i Gjykatës së Lartë, Jean-Pierre Lecoq, deputet dhe kryetar i minibashkisë, Louis Vogel, President i Universitetit, Patrick Gérard, Rektor i Akademisë së Parisit.

Ministri Musa Juka
Ministri Musa Juka

Musa Juka, ministri, deputeti dhe kryebashkiak i Shkodrës…

Ndër njerëzit më me emër në këtë familje të madhe shkodrane spikat Musa Zyber Juka (1885-1955).
I arsimuar në kolegj në Stamboll, Musa Juka në vitet 1921-1924 vihet përkrah Ahmet Zogut.
Zgjidhet kryetar bashkie në Shkodër dy herë.
Në vitin 1917, është pjesëtar i delegacionit shqiptar në Vjenë në ceremoninë e hipjes në fron të Karlit të Parë.
Në fillim të dhjetorit 1924, emërohet zëvendësprefekt i Shkodrës dhe më 1 mars 1926, bëhet deputet.
Në qeverinë e Ahmet Zogut, Musa Juka është ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë në dhe më pas zëvendësministër i Brendshëm.
Në vitin 1928, është ministër i Bujqësisë dhe Pyjeve.
Në vitin 1929, është ministër i Ekonomisë Kombtare dhe në Asamblenë Kushtetuese të 1928-s është në grupin e asamblistave të Shkodrës që shpallën Monarkinë me Mbret Ahmet Zogun dhe në Parlament deri në 1932-shin është deputet i Shkodrës.
Po kështu, Musa Juka është deputet i Shkodrës në parlamentin e viteve 1932-1936, si dhe në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e janarit 1937 – 7 Prill 1939, ditë kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe ai u largua nga Shqipëria.
Në qeverinë e Pandeli Evangjelit nga 6 mars 1930 – 11 Prill 1931, Musa Juka është ministër i Punëve të Brendshme, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë dhe në vitet 1932-1939, ndërsa gjatë kësaj periudhe ishte edhe zëvendësministër i Ekonomisë Kombëtare.
Gjatë viteve 1935-1937, Musa Juka ka qenë dhe drejtues i Entit Kombëtar të Turizmit.
Me krijimin e Federatës Sportive Shqiptare në Qershor të vitit 1932, u zgjodh kryetar i saj.
Ai është dekoruar nga Perandori i Austro-Hungarisë në kohën e Luftës së Parë Botërore kur ishte Kryetar i Bashkisë dhe sipas gazetës “Posta e Shqypnies” e Gjergj Fishtës, në Nr. 28 Mars 1917, së cilës i referohen pasardhësit e familjes Juka, Musa Juka ka marrë “Kryqin e Kreshnikëve të Urdhrit të Franc Jozefit”.
Me një dekoratë e tillë, së bashku me Musa Jukën janë nderuar dhe Ndre Mjeda, At Pal Çurçia, At Joakin Serreqi, At Pal Doda, Luigj Gurakuqi, Ahmet Bej Zogolli, At Shtjefën Gjeçovi etj, që përkrahën Austrinë.
Anila Dushi (gazeta Shekulli 29 mars, 2010)

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Kam njoftë disa pjestarë nga ky fis, dhe me të vërtetë ka kenë nder të kishe miqësinë e tyne. Të kulturuem – komunikues – dashamirë. Ky shkrim m’i plotësoi njohuritë për pjestarë të tjerë të familjes së madhe “Juka”, njerëz besnikë dhe burrnorë që justifikuen dhe genin e prejardhjes tyne të largët…

  2. Fiqret Juka was attended the University of Georgia at Athens, Georgia in 1950, and I would like very much to learn more about his life before and after he was here. Any photos you have of him would also be appreciated. Thank you very much–jep

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.