back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Fatos Mero Rrapaj, një yll që nuk shuhet kurrë – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Fatos Mero Rrapaj (1930-2012)
Fatos Mero Rrapaj (1930-2012)

Fatos Mero Rrapaj, një yll që nuk shuhet kurrë.

nga Gëzim Zilja

Më 06.07.1930, lindi në fshatin Gumenicë të Vlorës, Fatos Mero Rrapaj një nga ata njerëz të rrallë që në kushte të vështira ndoqi pa u lodhutr qëllimin që i kishte vënë vetes: grumbullimin dhe dokumentimin e këngëve të Jugut veçanërisht të krahinës së Çamërisë. Vepra e tij e plotë përmbledh mijëra faqe me këngë të dëgjuara e kënduara, po kurrë të botuara e dokumentuara më parë. Në to përfshihen:
.
“Te Sheshi i Flamurit” përmbledhje me këngë labe, 1972
“Këngë popullore të Çamërisë”, 1983, Tiranë
“Këngë popullore për Labërinë”, Tiranë, 1991
“Rënkimet e Çamërisë” tregime pellazgo-ilire e kënge çame, Tiranë 1995
“Fjalor Onomastik i Epirit” Tiranë, 1995
“Këngë popullore të ndaluara” Tiranë 1999
 
Kam qenë i ri kur një nga miqtë e mi, në një nga rrugicat e Skelës me popullsi të shumtë çame më tregoi, një mesoburrë, hipur mbi një biçikletë copë-copë në skarën e së cilës ishin vendosur ca dosje kartoni. – Është Fatos Mero Rrapaj, – më tha. Shkon nga shtëpitë e çamëve dhe mbledh këngë folklorike të pleqtë. Nuk i vura shumë rëndësi, megjithëse kisha dëgjuar dhe të tjerë që e përmendnin. Më vonë, kur më ra në dorë një libër i tij kuptova se çfarë kishte bërë ai njeri për kombin e tij, pa ndihmë, pa përkrahje, fill i vetëm, por i ndërgjegjshëm që po i rikthente e dokumentonte Atdheut, florinjtë e margaritarët e folklorit shqiptar, ashtu si dikur Thimi Mitkoja e Spiro Dineja. Vetëm në dy librat e tij “Këngë popullore nga Çamëria 1983” dhe “Këngë popullore të Labërisë viti 1991” janë plot 1917 këngë, ku janë pasqyruar vërtetësisht burimet nga janë marrë, emrat e pleqve, plakave, burrave e grave, të shkolluar dhe të pashkolluar nga popullsia çame dhe e Jugut të Shqipërisë. Për çdo këngë të botuar e mbledhur ai ka vendosur emrin e njeriut që ia ka diktuar, burimin e këngës e fshatin ku ishte kënduar së pari. Në libër sqarohet çdo fjalë e vjetër shqipe me prejardhja nga greqishtja, serbishtja ose turqishtja. Për epikën historike ai do t’u refereohej autorëve shqiptarë e të huaj duke gjetur një përputhje gati matematike midis këngëve historike dhe dokumentave të kohës. Këto të dhëna ai i ka shkruar për çdo këngë sidomos për ngjarjet historike. Nuk di nëse do të kishim sot heronjtë zulmëmëdhenjë të Jugut me gjithë ato fakte e detaje deri te “armët e lara me flori, e jelekun qëndisur me zogj” nëse do të mungonin këngët për Zylyftar Podën, Cane Miftarin, Tafil Buzin, Zenel Gjolekën, Rrapo Hekalin, Dervish Ali Dukatin, Balil Nezhën, Hodo Aliun e dhjetëra e qindra të tjerë shokë e bashkëluftëtarë të këtyre heronjve. Madhështore janë këngët për kaçakët e famshëm si Shemo Kasua, Osman Taka, Çelo Mezani apo Bilbilenjtë.
Lidhja e famshme e Prizrenit me figurat e saj të pavdekshme do të gjejë një vend të posaçëm në këngët folklorike. Të bën përshtypje kënga për Abdyl Frashërin që jo vetëm jep madhështinë e tij si politikan e atdhetar por vërteton plotësisht, se ai jo vetëm e shiti pasurinë por jepet dhe çmimi i shitjes dhe emrat e atyre që e blenë. Ia vlen t’i shkruajmë disa nga këto vargje botuar në “Këngë popullore të Labërisë:”
O Avdul, ç’mënde që pate/ Që shite ç’pate e ku pate
Me çifliqe e me irate/ Shite Kallmin Myzeqe
Mustafa Begës ia dhe/ Qysh e dhe o derëzi
Për një karroqe flori?…/ Avdul Frashër, Avdul Be
Po Zvërnecin kujt ia dhe?/ E bleu Dalan Kanina
Për dy karroqe stërlina./ I dhashë për Shqipëri/ Ta gëzojmë un e ti.
Perla të tilla gjen kudo në përmbledhjen e Fatos Mero Rrapajt. Ka aty këngë për fëmijë, këngë dashurie, këngë për bukurinë, për natyrën. Këngët e vajit ku gruaja qan burrin, nëna djalin, për nga bukuria, madhështia dhe dhimbja është e pamundur të mos trondisin, të bëjnë, të dridhet trupi deri në qelizë nga emocionet që të krijojnë.
Po jap më poshtë disa kujtime nga miq e shokë të Fatos Mero Rrapajt, për ta plotësuar këtë shkrim të shkurtër pa shumë pretendime:
.
Fatos Mero Rrapaj - Këngë Popullore nga Camëria...
Fatos Mero Rrapaj – Këngë Popullore nga Camëria…
Lame Fandi shkrimtar:
Unë e kam gjithnjë të pandryshuar përpara syve portretin e tij. Nuk kam parë kurrë tjetër njeri me madhështi të mbuluar tërësisht nga modestia, madje të tretur krejt me të. Të gjithë ishim të ndërgjegjshëm që ishte njeri i madh edhe pse na shfaqej gjithnjë si i përulur (e saktë i mposhtur) nga urtësia e vet. Ia kishin nxirë jetën, po ishte gjithmonë i qeshur dhe me shumë dritë në sytë, ndërsa te buzët, të qeshurën e kishte të përzier me mjaltë. Portreti i Fatos Mero Rrapajt, nuk qëndron dot i varur në mure institucionesh. Ai vjen shpesh me ty dhe të kujton se nuk është nje pikë në oqean, por një oqean brenda një pike vese mëngjesi.
 .
Arian Daupi, intelektual:
Fatos Mero Rrapajn unë kam patur fatin e madh ta kem njohur nga afër dhe e di se ç’punë kolosale ka bërë ky intelektual për mbledhjen e Folklorit të Jugut veçanërisht të Çamërisë. Nuk di për fatin e gjithë asaj pune.
.
Stefan Basko muzikant:
Fatos Mero Rrapaj duhet të ketë një vend nderi në historinë e folklorit Shqiptar! Ishte një folklorist i lindur i papërsëritshëm dhe punoi e sakrifikoi në kushtet e një represioni te paimagjinueshem nga diktatura!!
.
Vigjilent Xhaferaj mjek:
Fatos Rrapajt, ishte njeri, me veprimtari te jashtëzakonshme. Edhe pse bëri një punë kolosale dhe evidentoi e dokumentoi vlera të jashtëzakonshme, folklorike, gjuhësore, historiografike, në fushën e toponomastikës në gjithë trevat shqiptare, ai u përndoq e u persekutua nga sigurimi i shtetit dhe diktatura. Nga mezi i viteve ’70-të u bë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me ndërhyrjen e veçantë të Kryetarit të saj, shkrimtarit Dritero Agolli. Në kushte mjaft të vështira, duke punuar roje në stallën e lopëve të fermës “Fitore”, grumbulloi e dokumentoi vlera, të cilat do të kishin humbur bashkë me bartësit e tyre, që ai i qëmtoi si bleta dhe prodhoi mjalt që do të rroje sa te kete Botë Shqiptare. Ishte gumeniciot dhe himariot dhe kjo ne bashkfshatarët e tij na bën krenar. U vlerësua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “ Mjeshtër i Madh”, me propozimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gumenica” kryetar i se cilës isha dhe jam dhe të “Shoqatës Çamëria.” Vepra e tij vlerësohet mbe mbi 50.000 faqe. I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij .
.
Pilo Mataj, Vlorë, mësues:
Feti Mero Rrapaj (Fatos) ka banuar disa vite në fshatin “Fitore” si roje nate te lopët, por ai nuk e la kurrë punën për mbledhjen e folklorit. Ky njeri kokëulur, lejen e zakonshme e kalonte duke shkuar fshat me fshat me pleqtë e plakat e komunitetit çam dhe atij të Jugut, duke na lënë një vepër të madhe, që nuk ka për t’u harruar kurrë.
.
Josef Kureta
Fatosin e kam njohur kur filloi punë si punëtor në ndërtimin e rrugëve të Uzinës së Sodës në vitin 1967, dhe kur ndërtimi i rrugëve drejtohej nga i njohuri Sulejman Vuthi.
Fatosi gojëmbyllur në çdo pushim të drekës, bashkë me ushqimin mbante një të ashtuquajtur çantë lecke që e lidhte me një gjalmë dhe e hidhte krahqafë si gjithë fëmijët e kohës. Kishte një fletore ku gjithmonë shkruante diçka kur të tjerët bënin një sy gjumë. Gjithmonë më tërhiqte vëmendjen dhe ai, më ftonte për të më lexuar ndonjë fragment. Më vonë e shihja nëpër qytet me biçikletën e tij. Ashtu siç e përmendën, me një çantë të stërmadhe lëkure të zezë të dalë boje, të lidhur në zgarë të biçikletës.
Shkonte gjithëkund për të mbledhur materiale të cilat në sajë të vullnetit të tij, i hapën rrugën “reaksionarit” të vazhdojëi rrugën. E vlerësoj dhe respektoj penën e tij. Respekt për ju që e kujtuat dhe e vlerësuat.

.

Botuar në gazetën “Telegraf” 6 korrik 2019
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.