back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kongreset linguistike dhe kolegjet arsimore arbëreshe – nga Dr. Denisa Tare

Gazeta

Dr. Denisa Tare
Dr. Denisa Tare

Kongreset linguistike dhe kolegjet arsimore arbëreshe

Dr. Denisa Tare

Departamenti i Shkencave Politike dhe Juridike

Universiteti “ Aleksandër Moisiu” Durrës

Fillimi i shekullit XX shënon një rritje të veprimtarisë kombëtare të italo-shqiptarëve. Në këto lëvizje dhanë kontributin e tyre kolonitë arbëreshe në rajonë të ndryshme si në Siçili, Napoli, Kalabri etj.1 Në kolonitë arbëreshe të vendosura në të gjithë Italinë e Jugut dolën mjaft njerëz të kulturuar e studiues dhe lëvrues të gjuhës shqipe, të cilët me veprat e tyre letrare i kanë dhënë popullit arbëresh ushqim mendor dhe shpirtëror. Midis shkrimtarëve shqiptar nuk kanë munguar dhe përpjekjet për të hapur shkolla në arsimin shqip, me qëlllim që të ruajnë gjuhën zakonet doket e të parëve.2 Lëvizja kombëtare letraro – kulturore dhe arsimore e arbëreshëve, do të ndihmonte njëkohësisht në forcimin e kauzës kombëtare. Këto koloni manifestuan me ndjeshmëri të madhe për të ardhmen e vendit të tyre. Të shqetësuar për të ardhmen e vendit dhe pjesmarrës aktivë në lëvizjet për autonomi dhe pavarësi të Shqipërisë, ishin shkrimtarët të shquar arbëresh njëkohësisht dhe burra shteti si Francesco Crispi. Kontributi i atdhetarëve arbëreshë dhe lufta tyre në mbrojtje të çeshtjes shqiptare u shpreh përmes veprimtarisë letrare, shtypit, protestave dhe memorandumeve. Arbëreshët e Italisë luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, hapjen e shkollave shqipe dhe lëvrimin e gjuhës së tyre amtare. Zhvillimi arsimor, është i lidhur gjithmonë me luftën e tyre për t’u afirmuar si etnitet kulturor dhe për t’i bërë ballë asimilimit nga kultura italiane që i rrethon. Arbëreshët e Italisë kanë tradita të mira në historinë e arsimit kombëtar, të shkollës shqipe, të mendimit pedagogjik shqiptar.3 Një vlerë të padiskutueshme në arsimimin e të rinjve arbëreshë, duke u kthyer në vatra kulturore, kanë dhënë hapja e dy kolegjeve arbëreshe, institucione mësimore që u çelën në gjysmën e parë të shek. XVIII, në Sicili dhe në Kalabri.4 Ato përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kulturës së arbëreshëve të Italisë. Arbëreshët, përmes hapjes së institucineve arsimore të rëndësisme që u bënë më pas dhe vatra kulturore, i siguruan komuniteteve arbëreshe në Itali një zhvillim arsimor dhe kulturor. Njëkohësisht hapja e institucioneve arsimore si Kolegji i Shën-Adrianit në Kalabri, Seminari arbëresh i Palermos,5 apo kolegji në Siçili krijoi mundësinë e përgatitjes arsimore të shumtë intelektualëve fetarë e laikë të kohës, por edhe dha kontribut me rëndësi në një ndihmesë të çmuar luftërave për bashkimin e Italisë, Risorxhimentos e përgjithësisht kërkesave liridashëse dhe përparimtare të shoqërisë italiane brenda së cilës arbëreshët jetojnë.6 Letërkëmbimet e kohës mes atdhetarëve të ndryshe ndër të cilët dhe Dora D’Istria, krahas të tjerave dalin në skenë dhe përpjekjet e arbëreshëve të Kalabrisë dhe Siçilisë për rimëkëmbjen e Shqipërisë.
Lëvizjet kulturore-arsimore D’Istria i shikonte si pjesë përbërëse e lëvizjes kombëtare shqiptare. Në vitet ’60 të shekullit XIX ishin krijuar kushtet e një lëvizjeje të organizuar për mbarëvajtjen e arsimit dhe të diturisë. Kjo ishte kërkesë e domosdoshme e kohës për të forcuar dhe nxitur masat popullore shqiptare në nisjen e luftës së përbashkët për mbrojtjen e çlirimin e atdheut. Në këtë luftë nuk mungoi dhe nuk mund të mohohet kontributi i arbëreshëve ndaj vëllezërve të tyre të mëmëdheut përtej Adriatikut. Nga fillimi i vitit 1867 intelektualë arbëreshë si Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Vinçens Dorsa, etj… morën iniciativën të parashtronin në parlamentin italian një kërkesë për futjen e gjuhës shqipe në programin e shkollave dhe institucioneve arsimore. Ishte koha kur organet drejtuese arsimore dhe Kisha katolike italiane kishin filluar të vinin dorë në institucionet arbëreshe dhe përpiqeshin t’i kthenin ato në qëndra për shkombëtarizimin e popullsisë arbëreshe. Për këtë arsye intelektualët dhe patriotë arbëreshë kërkonin njohjen e të drejtave të tyre, sidomos për njohjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si dhe për gjallërimin e jetës në kolegjet arbëreshe.7  përmes letrave dëshmonte vlerën e atdhetarëve arberëshë në rilindjen e popullit shqiptar dhe bënte çmos për kthimin e kolegjeve në vatra arsimore kombëtare shqipatre. Në një nga letrat e saj shkruante: “Shqiptarët e Italisë së Jugut, nga vetë pozita e tyre, nga patriotizmi i tyre i patundur, janë pikërisht ata që do të bëjnë të rilindë një popull që ka pasur fatkeqësira në shekuj me rradhë”.8 Nevojën e zhvillimit të arsimit Jeronim De Rada një tjetër atdhetar shqiptar e konkretizon me themelimin e shoqërive patriotike në qendra të ndryshme, me daljen e revistave dhe gazetave dhe me botimin e veprave të ndryshme, gjë të cilën e konsideron zgjim nacional me shumë dobi për të ardhmen e tërë popullin shqiptar.9 Poeti ynë J. de Rada thotë se në vitin 1736, për herë të parë filloi të shkruhej gjuha shqipe. Kësisoj për arbëreshët tashmë filloj një epokë e re e arsimit kombëtar dhe një epokë e re e gjuhës shqipe. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII u ngritën dy institucione arsimore që përmbushën zbraztinë e jetës shpirtërore të arbëreshëve. Arbëreshët kërkonin t’i arsimonin bijtë e tyre me një kulturë të pasur që të mos mbeteshin prapa vendasve në arsim dhe qytetërim. Kultura arbëreshe ndjehej e kërcënuar nga nga fushata e kishës kaltolike të Italisë së Jugut kundër ritit bizantin që ndiqej nga komunitetet arbëreshe.
.
Katund Arbëresh
Katund Arbëresh

1.1 Kolegji i Shën-Adrianit

Një kthesë vendimtare në historinë fetare-politike-kulturore dhe civile të arbëreshëvetë Italisë shënoi themelimi i dy qendrave arsimore për arbëreshët e Italisë, Kolegji Korsini në Shën Benedhit (S. Benedeto Ullano) ose Shën Adriani në Kalabri si dhe Seminari arbëresh i Palermos në Siçili. Këto masa që mori Selia e Shenjtë shërbyen për ruajtjen e traditës kishtare bizantine ndër arbëreshët e Italisë. Në fakt këto dy shkolla, krahas ndihmës për ruajtjen e ritit bizantin në Itali, u bënë dhe qendrat kryesore të formimit kulturor për intelektualët arbëreshë deri në fund të shekullit XIX. Nevoja për t’u dalluar nga grekët i shtyu klerikët intelektualë arbëreshë të vinin në pah veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre duke i hapur rrugë çështjes kombëtare që do të lindte në dhjetvjeçarë më vonë. Përveç formimit të intelektualëve dhe klerikëve progresist, që luajtën një rol me rëndësi në rilindjen italiane, këto dy institucione arsimore favorizuan që në fillim lindjen e vetëdijes kombëtare mes arbëreshëve duke zhvilluar një traditë intelektuale.10 Kështu kërkesat dhe dëshirat e tyre për t’u integruar në jetën e vendit nisën më së pari në vitin 1577, kur Papa Gregori XIII mori nismën për hapjen në Romë të një kolegjit të Shën Atanasit, cili kishte për qëllim të përgatiste klerikë të ushtronin meshtarin në ritin greko-katolik në vise të ndryshme të Italisë. Këtu përfituan edhe disa nxënës arbëresh si Stefano Rodota, bir i një familje të përmendur bujare nga Shën-Benedikt-Ullano-ja.11 Pasi përfundoi studimet dhe nisi ushtrimin e detyrës ai filloi të mendonte për themelimin edhe në Kalabri të një kolegji të tillë, i cili do të mund të formonte priftërinjtë e ardhshmë edhe në kolonitë italo-shqiptare, por njëkohësisht të shërbente edhe për arsimimin e popullatës të kësaj zone. Për këtë qëllim iu drejtua me një lutje Papa Klementit XI, kërkesë e cila u pranua nga kryetari i kishës katolike dhe u caktua për këtë funksion ndërtesën e Badisë në katundin arbëresh Shën-Benedikt-Ullanos. Por Papa ndërroi jetë dhe qëllimi tij u realizua vetëm kur në krye të kishës katolike u vendos Papa Klementi XII. Kjo kërkesë gjeti mbështetjen e Papës dhe me vendim të veçantë më 5 tetor 1732, me vendimtë veçantë u shpall krijimi i kolegjit italo-grek “Corsini”12 dhe drejtor i tij u vendos Feliçe Samuel Rodota, nga familja Korsini e Firences. Kolegji mori emrin Korsini në nder të tij dhe familjes tij. Ai siguroi prej thesarit papal shumën prej 12.000 skudesh13 të arta me të cilat ngriti kolegjin.
.
Francesco Crispi (1818-1901)
Francesco Crispi (1818-1901)
Ferdinandi IV me dekret të datës 1 mars 1794, vendos që Kolegji i Ullanos të trasferohej në Manastirin e Shën Adrianit si dhe akreditoi pasuri të tjera veç atyre që kishin në Ullano.14 Emri kolegjit u ndryshua nga Shën Ullano Korsini në kolegji Shën-Adriani. Qëllimi i krijimit të kolegjit ishte të përgatiste të rinj të arsimuar dhe të kulturuar. Të përgatisë programe arsimore për të siguruar njohuri të rinjve në drejtime të ndryshme si për gjuhën greke, në disiplina të lira, në shkenca, edhe në teologji dhe në ritet fetare.15 Në këtë mënyrë do të përgatiteshin klerikë të rinj italo-shqiptarë me baza të thella katolike. Siç shprehej De Rada, ky kolegj u çel “si një derë e madhe drite të re e të butë, për të gjitha shtëpitë arbëreshe, nga të cilat, ata që patën mundësi, menjëherë dërguan bijtë e tyre për të mësuar e për t’u arsimuar”16. Kolegji mori shumë shpejt emër u njoh si vatër kulturore dhe arsimore duke përgatituar një gjeneratë të tërë studentësh elitarë. Kolegji i Shën-Adrianit u bë shpejt një vatër që përgatiti dijetarë e shkrimtarë të njohur, që i lanë nder e lavdi gjuhës amtare e letërsisë shqipe. Ai qe vendi ku u bashkua dhe u fuqizua kultura arbëreshe e personalitetet shqiptare që kanë punuar e luftuar për t’i ruajtur të pastra traditat kombëtare, por edhe sepse ky kolegj u bë vatër e kulturës shqiptare dhe arbëreshe, si dhe luajti rol në pasurimin e kulturës përparimtare italiane. Për çeljen e kolegjit, pionierët e parë që ndihmuan qenë Stefan Rodotá dhe Samuel Rodotá nga familja e shquar e Koronjeve të Shën-Benediktit. Për disa vjet, nga 1732 deri më 1740 kolegjin e drejtoi Samuel Rodotá. Ai u mundua të fuqizonte institutin jo vetëm nga ana ekonomike, por dhe nga ana pedagogjike dhe arsimore. Ai vdiq në moshë të re dhe pas tij drejtimin e mori Kolë de Markis nga Ungra i pasuar më vonë nga Imzot Giacinto Archiopoli nga Shën Mitër Korona, i cili drejtoi me sukses këtë institucion për 18 vjet.17 Më 1792 në krye të kolegjit erdhi Françesko Buliari nga Shën-Sofia, i cili drejtoi me zotësi dhe i dha emër kolegjit jo vetëm ndër arbëreshët, por edhe në mbarë Kalabrinë. Ai, pasi siguroi ndihma të konsiderueshme nga ana e qeverisë së kohës, Kolegjit i kishin kaluar pasuria e themeluesve të Shën Adrianit njëkohësisht i kaluan dhe të ardhuara të tjera që zotëronte kolegji ne Shën Dhimitër Koronë, që përbënin rreth 2 mijë maggiatë. Këtyre pasurive iu shtuan dhe ato që zotëronin Kolegji në Shën Benedeto, në Korolei, në Arki, Spezzano Albanese, etj.18 Më 1 mars 1794 Kolegji u vendos në Manastirin e Basilianëve të Shën-Adrianit dhe mori emrin “Kolegji i Shën-Adrianit”. Gjatë këtyre viteve kolegji pati arritje në të gjitha drejtimet duke e ngritur lart cilësinë e mësimëdhënies, të edukatës e disiplinës e duke pasuruar më tej biblotekën e tij. Por për fat jo të mirë pati kohë turbullirash e trazirash në Itali dhe kolegji u bë objekt sulmi dhe shkatërrrimi, ndërsa drejtuesi i saj humbi jetën. Kjo shkaktoi mbylljen e tij për 8 vjet. Më 31 janar 1807, në krye të kolegjit vendoset Domenico Bellushi nga Frashineto. Ai e drejtoi kolegjin për çerek shekulli duke bërë që të rritej fama dhe autoriteti. Kolegji u kthye në një fidanishte dijesh ku përgatiteshin dhe edukoheshin të rinj, të cilët do të bëhen veprimtarë të shquar të rilindjes italiane. Shumë prej të cilëve do të ishin pjesëmarrës në revolucionin e viteve 1844, 1848, 1860.19 Përmendim Jeronim De Radën, Vincenso Dorsa, Domenico Damis, Domenico Mauro, etj…. Pas vdekjes së Bellushit presidencën e mori Gabriele de Markis nga Ungra. Ky e rregulloi dhe e zbukuroi mjaft kolegjin, duke e drejtuar për 25 vjet radhazi. Deri në vitin 1842, kolegjin e drejtoi Gabriele de Markis nga Ungra, pastaj erdhi Anton Markianoi nga Maqi, mirëpo për shkak të mendimeve të tij liridashëse u hoq si drejtues dhe më pas edhe u burgos. Të njëjtin fat pati edhe pasuesi i tij, Vinçenc Rodotá. Më 1854 mbreti Ferdinandi II, jep urdhër që kolegji të mbyllej me akuzën se po përgatiste ‘djelmëni kryengritëse’.20 Kolegji nuk funksionoi më deri kur drejtimin e mori peshkopi A. Franko nga Mezojuso (Siçili), i cili nuk shkëlqeu fort dhe për pasojë Kolegji nuk pati asnjë përparim. Për këtë arsye u zëvëndësua nga, peshkopi i fshatit italian Rosano, i cili e mbajti deri më 1860, kur në Kalabri hynë forcat e Garibaldit. Nga Kazerta, në 20 tetor 1860, Diktatori Garilabldi shkruante: Për kontributin e dhënë në ekspeditën e të “Të Njëmijëve” Garibaldi deklaroi botërisht: “Arbëreshët janë heronj, të cilët kanë dalluar në të gjitha luftrat kundër tiranisë!”21 Dhe si shenjë mirënjohje Garibaldi më 20 tetor 1860 lëshoi dekretin historik: “Duke marrë parasysh kontributin e shënuar që trimat dhe zemërbujarët arbëreshë i kanë dhënë çështjes kombëtare, deklarojmë: Sa të mbarojnë nevoja te kësaj lufte dhe të bëhet bashkimi i Italisë, Thesari i Napolit detyrohet të derdhë mënjëherë 12 mijë dukatë për zmadhimin e kolegjit të San Adrianit.22 Më pas nga Napoli në 26 tetor, duke marrë në konsideratë kushtet aktuale të kolegjit italo-shqiptar San Adriano në Kalabri, vendos në emër të mbretit Viktor Emanueli II nënshkrimin e dekretit të mëposhtëm:
1.Tërheq vendimin e qeverisë burbone që e vinte kolegjin e San Adrianit nën varësinë e arqipeshkvit Rossano.
2.Cakton një komision për ta drejtuar atë. Në komision bënin pjesë Antonio Markianoi nga Maqi (kryetar), Benedeto Skura nga Vakarico dhe Saverio Elmo nga Firmoza.
3.Komisioni do të marrë masa për të krijuar katedra të tjera krahas atyre ekzistente të gjuhës franceze, italiane, katedra të fizikës, të drejtësisë etj..23 Komisioni me punën e zellin e tij e zbukuroi dhe e lulëzoi kolegjin si në kohët e para. Për një periudhë të gjatë kohe gati 25 vjet, kolegji Shën Adrianit u drejtua nga Antonio Marchiano, i cili i dha një zhvillim të madh dhe një emër akoma më të mirë atij. Ky kolegj ishte shndërruar tashmë në një qendër kulturore dhe arsimore, prej së cilës dolën djemtë rinj dhe të përgatitur. Kështu ndodhi edhe kur në krye të saj do të vendosej Imzot Zef Skiroi nën drejtimin e tij dhe falë insistimit të Jeronim De Radës, në prill të 1892, u arrit të themelohej Katedra e Gjuhës Shqipe. Krijimi i katedrës së gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën-Adrianit ndihmoi për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe me shkrim nëpër ngulimet arbëreshe të Italisë. Shqipja përdorej nga nxënësit vetëm në kumtimet me gojë me njëri-tjetrin. Në vitin 1849, me ndërhyrjet dhe përpjekjet e Jeronim de Radës u lejua të futej në Kolegjin e Shën-Adrianit mësimi i gjuhës shqipe. De Rada, u bë mësuesi i parë i shkollës shqipe. Dëshira e De Radës për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, vihet re dhe në letërkëmbimet e kohës. Një fakt të tillë e pohon dhe letra dërguar atij nga Domenico Damis. Çezare Kantu në veprën “Ritet, gjuha shqiptare mes kundërshtive të mëdha…” theksonte. Jeronim De Rada themeloi një gazetë, kompozoi një poemë dhe është konsideruar si patriarku i gjuhës. Duke i shkrirë gjithë të ardhurat dhe jetën për ngritjen e vendit dhe gjuhës së tij, më në fund ia doli mbanë të ngrinte një katedër shqiptare në kolegjin Shën Dhimitër Koronës. Këtë katedër e mbajti fillimisht De Rada, i cili në 1982, e mori nga një admirues i tij, Paskuale Ulano asokohe ministër i P. I dhe që kishte njohur përmes Francesco Krispit. Në këtë katedër, në “Aioli” gazetë e Frederico Miskul shkruhet: “…me qëllim që të mbahet i gjallë kulti i gjuhës kombëtare të kolonive shqiptare,në kolegjin Shën Dhimitër do të krijohet katedra për studimin dhe mësimine kësaj gjuhe… nga profesori Jeronim De Rada”.24 Lidhur me formimin e tij dhe kërkesave për ndihmë nga shqiptarët shihet në letrat dërguar Sant’ Adrianit në San Demetrio Korone, siç del edhe nga një interpelancë mbi politikën e jashtme italiane në Shqipëri prezantuar në parlament nga Luixhi Gaetani di Laurencana.25 Në një letër të dërguar nga Francesko Mauro një personi të panjohur thuhej se duhej që të mblidheshin fonde dhe t’i bëhej thirrje rinisë që të ishte gati për një ndërhyrje në ndihmë të Shqipërisë. Më 15 nëntor 1902, vetëm tre muaj para se të vdiste, në fjalën përuruese të vitit shkollor, De Rada theksonte: “Rihapja e një shkolle shqipe në Kolegjin tonë na mbush, o djelmosha bashkatdhetarë, me një kënaqësi e me besim në të ardhmen. Prandaj, ngritjen e katedrës së re të gjuhës shqipe, mund ta konsiderojmë, në radhë të parë, si faktor historik, me anë të së cilës do të përkrahim ringjalljen e popullit shqiptar”.26 Gjatë periudhës që zgjati mësimi i shqipes në Kolegjin e Shën-Adrianit u botuan një varg tekstesh shkollore, programesh e planesh mësimore, që janë me shumë rëndësi për historinë e mendimit pedagogjik shqiptar dhe të shkollës shqipe. Mund të përmendim “Leksione të gjuhës shqipe” (1892), “Konferenca mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe ” (1893), “Tiparet e gjuhës shqipe dhe gramatika e saj ” (1894), “Abetarja e gjuhës shqipe ” (1896), etj.27 Kolegji i Shën-Adrianit, pikërisht në kohë të vështira e të turbullta për Shqipërinë, shërbeu edhe si qendër kulture e edukimi për rininë shqiptare. Që prej vitit 1898 deri më 1919 aty ndoqën mësimet mbi njëqind intelektualë shqiptarë, të cilët u bënë veprimtarë entuziastë në shërbim të atdheut e të arsimit kombëtar. Lidhjet me Italinë nuk i kishin ruajtur vetëm shkrimtarët arbëresh, por njëkohësisht dhe klerikët katolikë shkodranë, mirditas dhe malsorë, të cilët për gjatë shekujve kishin përfunduar studimet në Itali. Nga bankat e këtij kolegji kanë dalë 100 djemtë rinj shqiptar të cilët i shërbyen atdheut më entuziazëm dhe devotshmëri. Në vitin 1904 në kolegjin e Shën-Adrianit në Shën Mitër Koronë, në kët kolegj vazhdonin studimet Kol Kamsi, Pjetër Troshani, Luigj Kodheli, Zef Kurti, Lazër Prendushi, Ndoc Martin Camaj28 dhe Preng Doçi që kishte përfunduar studimet në Kolegjin Urban në Romë në vitin 1871. Në vitet e fundit para pavarsisë De Rada bashkëpunon me arbëreshët në të mirë të çështjes kombëtare Luigj Gurakuqi, i cili dhe ai kishte përfunduar studimet e mesme në Shën Mitër Koronë dhe studimet e larta në Napoli. Kolegji i Shën-Adrianit, ishte një seminar për përgatitjen e klerikëve arbëreshë të ritit grek-bizantin. Megjithatë intelektualët arbëreshë nuk e humbën identitetin e tyre kombëtar edhe në fillimet e këtij institucioni në shek. XVIII, kur popujt identifikoheshin jo sipas gjuhës apo kultures, por sipas ritit fetar që ushtronin. Shekulli i ri përkon tashmë me ngritjen e vetëdijes kombëtare këtej dhe përtej detit, do të shënojë një kthesë të dukëshme të ecurisë të këtij institucioni, sidomos në vitin 1900, kur në krye të kolegjit vendoset Angelo Scalabrini, i cili u kujdes që kolegji të zgjerohej edhe me hapjen e një shkolle normale në 1905, ku pati nxënës vetëm nga Shqipëria. Scalabrini synonte ta kthente kolegjin në lulëzimin e dikurshëm, por dhe ta përforconte atë dhe ta kthente në një Institut Ndërkombëtar29 që mund të ishte plotësues i shkollave italiane në Orient. Qeveria italiane akordoi bursa të veçanta vetëm për nxënës nga Shqipëria, të cilët do të formonin mësues të ardhshëm. Kështu kolegji mori karakter mbarëkombëtar, duke u shëndrruar në një qendër kulturore e edukimit të djemve të rinj shqiptar, kohë në të cilën vendi ndodhej nën pushtimin osman.30
Kolegji i Shën Adrianit sikurse ka vënë në dukje Antonio Guarasci, gjatë shek. XIX, ka qënë qendra kulturore më aktive e jugut në mbështetje të Risorxhimentos Italiane. Gjatë viteve ’20-’30 të shek. XIX në këtë kolegj, gjejmë një sërë figurash të rëndësishme të kulturës arbëreshe si Jeronim De Rada, Domenico Mauro, Domenico Strigari, Luigi Petrasi dhe Angelo Bazile. Gjatë gjysmës së parë të atij shekulli Kolegji kthehet në qendrat më aktive të lëvizjes antiburbone jo vetëm në nivel lokal, por dhe rajonal duke u bërë i vetmi institucion që mbështeti organikisht Risorxhimenton në jug të Italisë. Krahas intelektualëve të përmendur në fund të shek. XIX, nuk munguan edhe intelektualë të tjerë arbëreshë që vijuan të mbajnë gjallë angazhimin politik dhe kulturor, në mbështetje të çështjes kombëtare dhe të identitet arbëresh. Një rol të rëndësishëm në forcimin e ndërgjegjës kombëtare padyshim luajti dhe kolegji i Shën Adrianit, i cili u forcua së tepërmi me hapjen e katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Kolegji arbëresh zë një vend të merituar në historinë e arsimit tonë kombëtar. Ai mbajti të gjallë gjuhën dhe kultivoi dashurinë për atdheun e të parëve, Shqipërinë dhe përgatiti, siç përmendëm dhe më lart breza të tërë të inteligjencës kombëtare arbëreshe: dijetarë, gjuhëtarë, arsimtarë, etnografë, historian, shkrimtarë, folkloristë dhe studiues të shquar, të cilët i kanë sjellë kontribute të vyera kulturës kombëtare shqiptare, çështjes shqiptare në periudha të caktuara historike. Duke punuar në kolegj, De Rada bashkëpunoi me rilindës të shquar shqiptar si Zef Jubani e Thimi Mitko, Luigj Gurakuqi, i cili ishte nxënës i De Radës pa harruar bashkëpunimin me Aleksandër Xhuvanin studiuesi i çmuar i gjuhës shqipe. A. Xhuvani përmendet edhe si mësues i gjuhës shqipe në Shën Mitër Koronë. Mund të përmendim, ndër të tjerë, nxënësit e De Radës, poetët e njohur arbëreshë Zef Serembe e Bernard Bilota. Një numër i mirë dijetarësh arbëreshë ishin marrë me studimin e gjuhës shqipe, me folklorin, etnografinë dhe historinë e popullit shqiptar. Përmendim dy shkrimtarë dhe studiues të mëdhenj shkodranë si Arshi Pipa dhe Martin Camaj, jo vetëm kontributin shqiptar, por dhe kontributin arbëresh për kulturën evropiane gjatë mesjetës e më tej. Falë kësaj qëndre dhe të tjerave si ajo – thekson Camaj – nga përfaqësuesit e diasporës shqiptare në Itali, që përdorën italishten si gjuhë shkrimi, tue përkthy në këtë gjuhë disa prej vargjeve poetike, Shqipëria dhe populli shqiptar, deri atëherë thuajse të panjohur dolën në skenën evropiane. Ndërmjet tyre kultura shqipe lidhet me kulturën perëndimore tue u bo pjesë e saja.”31 Martin Camaj njëkohësisht ka bërë studime për hapsirën shqiptarfolëse të diasporës arbëreshe duke nënvizuar dhe rëndësinë e qendrave arsimore në jug të Italisë. Vite më parë ai shprehet: “Ata që mërguan n’Italinë e Jugut, shumica e tyre ortodoksë, disa prej të cilëve erdhën nga Greqia, ruajtën gjuhën shqipe dhe mbajtën fenë e tyre ortodokse. Arbëreshët në vitet ’30 të shek. XIX, qenë të zotët të themelojnë qendrat e veta arsimore: Kolegjin Korsini më vonë (Shën-Adriani) dhe seminarin italo-grek të Palermos. Prej këtyre qendrave kulturore dolën dijetarët e letrarët arbëreshë, të cilët, nën ndikimin, në fillim të iluminizmit dhe më vonë të romanticizmit, prodhuan veprat e para erudite mbi gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar.”32 Shumë interesante janë lidhjet mes dijetarëve dhe intelektualëve të Shkodrës me botën arbëreshe e vë në dukje poeti e përkthyesi Lazër Shantonja, kur shkruan: “një kontribut të madh e të fuqishëm i kanë dhënë zgjimit kombëtar e intelektual të vendit tonë edhe shkollat italiane ashtu si në Itali dhe në Shqipëri. Nga kolegjet Shën-Demetrio Corone nga ato të Saverjane e Papnore e Françeskane të Shkodrës kaluan ai grup intelektualësh që morën një pjesë aq të madhe e të shkëlqyeshme në lëvizjen politike e letrare të vendit.33 Gjatë shekujve XIX-XX intelektualët arbëreshë u vunë në pararojë të zhvillimeve kulturore, politike, civile dhe demokratike, jo vetëm në komunitetet e tyre, por për gjithë Italinë e Jugut. Mjaft intelektualë dhe shkrimtarë arbëreshë vijuan të mbajnë gjallë angazhimin politik dhe kulturor, në mbështetje të çështjes shqiptare dhe në mbrojtje të identitetit arbëresh. Mes tyre përmendim Agstino Ribecco, Antonio Scura, Cosmo Serembe, Orazio Capparelli, Terenc Tocci, dhe Salvatore Braile. U shqua pa dyshim dhe Anselmo Lorecchio si trashgimtar politik i De Radës. Për kontributin e dhënë përmendim dhe një grup tjetër intelektualësh dhe shkrimtarësh arbëreshë si vetë Zef Serembe, por dhe Domenico Antonio Marchese dhe Aristide Manes që e mbyllën jetën në mërgim. Përfshirja në katedrën e gjuhës shqipe në organikën e liceut Shën Mitrit vetëm teorikisht mund të duket si njëlloj njohje zyrtare nga ana e administratës shtetërore italiane të “Pakicës arbëreshe”. Mund të themi se dy nisma të rëndësishme që tregojnë ndikimin e politikës italiane ndaj arbëreshëve, janë hapja e katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitin 1900 pranë Institutit Oriental të Napolit si dhe përfshirja e lëndës “gjuhë dhe letërsi shqipe” në kolegj. Në shekullin e XIX pati një rritje të ndërgjegjes politike tek intelelektualët arbëreshë si dhe rritje e pjesmarrjes tyre në luftën kundër absolutizmit si dhe afirmimit të ideve demokratike dhe lirive kombëtare. Pikërisht kjo bëri që të ndërgjegjësohen qarqet politike dhe kulturore evropiane mbi “çështjen kombëtare”.34 Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XIX, qeveria e drejtuar nga Francesco Crispi përcaktoi shndërrimin e kolegjit në institut mbarëkombëtar arbëresh, ku krahas studentëve dhe profesorëve arbëreshë do të përfshiheshin dhe studentë dhe profesorë të rinj nga Shqipëria, që asaj kohe gjendej nën pushtimin osman. Në mes këtyre intelektualëve të rinj shqiptar që më vonë luajtën një rol të rëndësishëm në politikën kulturën dhe shkencën shqiptare, përmendim veç të tjerash Luigj Gurakuqin, Gaspër Jakov Mërturin, Aleksandër Xhuvani, Ndoc Martin Camaj, Kolë Kamsin, Mehdi Frashërin, Avni Rustemin, etj. Gjatë regjimit fashist, ndonëse në masë më të vogël Kolegji i Shën Adrianit vijoi të luante një rol të rëndësishëm në formimin e elitës së re shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Përmendim këtu personalitete të rëndësishme si gjuhëtari Kostaq Cipo apo Spiro Koleka. Fluksi i nxënësve shqiptar në Kolegjin arbëresh vijoi deri në vitet ’40 deri në rënien e regjimit fashist. Gjuha shqipe nuk u hoq nga programet mësimore të liceut shtetëror të Shën-Mitrit, krahas hapjes të katedrave universitare të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Palermo (1932) dhe në Romë(1939).35 Një kthesë të vërtetë në historinë fetare, politike, kulturore, qytetetare të komunitetit arbëresh në Itali shënoi themelimi i dy kolegjeve arbëreshe në Kalabri dhe Siçili. Këto qendra ishin Kolegji Korsini dhe Seminari i Palermos në Siçili. Këto dy seminare përveç kontributit vendimtar që paten për ruajtjen e ritit fetar në traditën greke në Itali, përfaqësuan dhe qendrat kryesore të formimit dhe pregatitjes teologjike dhe kulturore të një pjese të mirë të klerit dhe inteligjencës arbëreshe në fund të shek. XIX.
Odise Paskali - Jeronim De Rada
Odise Paskali – Jeronim De Rada

1.2 Kongresi linguistik në Koriliano Kalabro

Një rol me rëndësi në pasqyrimin e çështjes kombëtare kanë luajtur kongreset linguistike të viteve 1895 dhe 1897 të cilët krahas karakterit linguistik dhe letrar shprehën dhe vullnetin politik të shqiptarëve të Italisë.36
Kongreset qenë fryt i propogandës të pandërprerë për idenë kombëtare të Jeronim De Radës të mbajtur njëri në Koriliano Kalabro, tjetri në Lungro që mund ta quajmë kryeqytet të kolonive shqiptare të Kalabrisë. Shtypi evropian i kohës evidentonte se një kulturë e lashtë arbërore po rizgjohej. Mbi 200 mijë shqiptarë të larguar nga trojet e tyre, të shpërndarë në të gjithë Italinë e jugut, po bashkohen për të mos harruar identitetin e tyre. Në korrik të vitit 1895, u organizua një mbledhjeje në kolegjin kishtar të San Adrianos në San Demetrio Korone. Lindi një komitet i përkohshëm i kryesuar nga De Rada, i përbërë nga Konforti, nga priftërinjtë Anton Argondica e Anxhel Ferrari, me pranimin e kryemurgut Luixhi Lauda e të dr. Agostin Ribekos. Komiteti u mor me përgatitjen e një kongresi shqiptar, i thirrur në Koriliano Kalabro.37 Kongresi i Parë i shqiptarëve të Italisë, që u zhvillua për tri ditë me radhë, nga data 1 deri më 3 tetor të vitit 1895, në ambientet e Gjimnazit Garopoli Koriliano Kalabro38 (Kozencë) do të trajtonte çështje mes gjuhës dhe historisë Ky kongres u ndërmor me nismën e figurave si De Rada, Schiroi dhe Anselmo Lorecchio. Në të u mblodh shumica e intelektualëve arbëreshë që përfaqësonin thuajse të gjitha komunitetet arbëreshe të Kalabrisë. Kongresi u udhëhoq nga Francesco Krispi i cilësuar “Shqiptar nga gjaku dhe zemra”.39
 
Njëzet e pesë delegatët e Kongresit dhe 500 inteletualët të tjerë nga regjionet e Italisë së Jugut (Kalabria, Kampania, Pulia dhe Sicilia) që mbështetën këtë nismë duke lënë gjurmë të rëndësishme në ngjarjet gjuhësore dhe historike të kombit. Po si u prit hapja e kongresit të parë linguistik nga patriotë e njerëz të shquar të kohës? Iniciativa e De Radës dhe e patriotve të tjerë gjeti mbështetje gjerësisht në Shqipërinë amë, por edhe kudo ku jetonin shqiptarë. Vetë Francesco Krispi shprehet kështu për iniciativën e De Radës: “Gëzohem që keni thirrrur kongresin shqiptar me gjak e me zemër gëzohem për këtë iniciativë, e cila ka qënë e nevojshme për historinë e civilizimit shqiptar si dhe për lulëzimin e letërsisë së saj.”40 Në letërkëmbimet mes De Radës dhe personalitete të shquara të kohës përmendim dhe një letër të dërguar nga Gussepina Knorr.
Ajo i shkruan De Radës si më poshtë: “Kam marrë një letër nga Krispi. Jam e lumtur që kam marrë një letër nga Krispi dhe po ju dërgonjë sonnet për ta korrigjuar. Krahsa të tjerave ajo shprehet: Shpresoj që në mbledhjen e kongresit linguistik shqiptar të përfitojë kauza patriotike shqiptare41 …Përmes kësaj letre De Rada paraqet themelimin e Kongresit Linguistik si dhe hapjen e një Katedre në gjuhën shqipe. Ky kongres trajtoi dy linja të ndryshme si ato linguistike, në të njëjtën kohë edhe atë politike. De Rada ishte ndër të parët që parashtroi idenë e krijimit të një alfabeti dhe i pari që dërgoi në Shqipëri propozimin për alfabetin e tij, ndonëse ky propozim nuk u prit mirë nga pala shqiptare dhe pati kundërshtime nga Porta e Lartë. Rezultat i këtij kongresi krahas diskutimit për një alfabet të unifikuar ishte dhe krijimi i një Shoqërie Kombëtare Shqiptare. U krijua Societa Nacionale Albaneze me qendër në San Demetrio Corona, e cila mes objektivave të saj, krahas afrimit mes kolonive të ndryshme të Italisë, synonte edhe nisjen e marëdhënieve në shkallë të gjerë me mëmëdheun.42 Kongresi lingustik shqiptar krahas problematikave të ndryshme të trajtuara miratoi një program për zhvillimin e kulturës dhe letërsisë në diasporën arbëreshe. Midis të tjerave propozoi dhe botimin e një e gazete ku do të trajtoheshin çështje të ndryshme. Shumë proklamata të tjera, thirrje, manifestime ndikuan në forcimin e ndjenjës kombëtare dhe në njohjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Krahas tyre ndihmuan dhe revistat e kohës si dhe kongreset e seminaret. Një tjetër dokument që vërteton mbajtjen e kongresit parë linguistik dhe vendimet e tij është dokumenti i mëposhtëm e nënshkruar nga Anselmo Lorecchio. Nga kjo lëvizje e organizuar mirë dhe e pandërprerë pro Shqipërisë, lindi në prill të 1900, Komiteti Kombëtar Shqiptar me qendër në Romë.
 .
Festa e Pashkëve te Arbëreshët
Festa e Pashkëve te Arbëreshët

1.3 Kongresi linguistik i Lungros

Kongresi i Dytë u mbajt më 20 shkurt 1987, në Ungër/Lungro. Ky kongres ishte vijim i të parit, vendimet që u morën ishin një përshtatje e vendimeve të Kongresit të parë. De Rada mori pjesë në këtë kongres dhe në 1897, u zgjodh president i Shoqërisë kombëtare Shqiptare. Ky kongres rikonfirmoi objektivat e vendosur nga kongresi i parë dhe rishikoi statusin e Societa Albaneze Nacionale. Kongresi i Lungros zëvëndësoi Ilin e Arbëreshëve një tjetër gazetë të udhëhequr nga Anselmo Lorecchio me emrin “La Nazione Albaneze”. Për botimet e saj bashkëpunuan shkrimtarë nga Shqipëria dhe kolonitë.43 Programi i kongresit ishte gjuhësor, kulturor, e letrar. Siç u përmend dhe më sipër në kongres u diskutua çështja e një alfabeti të unifikuar dhe domosdoshmëria e njehsimit të të gjuhës. Kongresi shpjegoi dhe vuri në dukje rëndësinë e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Konkluzionet e kongresit i dha vetë de Rada. Ndër të tjera ai tha: “Shumë sy e kanë drejtuar vështrimin nga ky kongres gjuhësor. Unë besoj se mund të të them në emër të ju të gjithëve, që mëmëdheu ynë i të parëve, Shqipëria, don vetëm që të mos i merrren tokat e saj. Dëshiron të ketë paqe e liri të plotë, që të lëvrojë gjuhën amtare, të mbajë shkollat shqipe, të ketë libra, tregti të hapët me miqtë në brigjet detare që t’i thërrasë për hapjen e mirqenies së saj… Për sa i takon fateve të saj të ardhme ne kemi besim të plotë se fati do t’i sjellë drejtësinë dhe virtytin.44
 
Një dokument zyrtar që vërteton mbajtjen e këtij kongresi, arsyet pse u themelua, si dhe lehtësirat që duhet të kishin në transport dhe të gjithë ata që do të merrrnin pjesë në kongres paraqiten në një dokument të lëshuar nga Prefektura e Napolit. Në gazetën “La Nazione Albanese”, nga urimet që vinin nga vende të ndryshme kudo që kishte shqiptarë dhe shoqata patriotike shqiptare. Krahas të tjerave dukshëm u vu re shfaqja e publikimeve në faqet e gazetës La Nazione Albanese apo Kombi Shqiptar. Themelimi i kësaj katedre ishte një fitore e bukur për revistën “Kombi Shqiptar”, për të cilën një shqiptar i vërtetë nga Shkodra e Shqipërisë më 11 tetor 1987, shkruante, si më poshtë: “Pas shumë vitesh heshtje dhe terri, doli në dritë e para e vetmja dhe më patriotikja gazeta jonë Kombi Shqiptar, propoganduesja më e fortë dhe më e guximshme e të drejtave tona kombëtare, e vetmja që hapi për sytë tanë dritën e vet kombëtare”.45
Ky kongres synoi që të forconte më tej lidhjet kulturore dhe politike mes shqiptarëve. U vendos dhe krijimi i një katedre në gjuhën shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Ngritja e kongresit lingustik dhe hapja e katedrës në gjuhën shqipe konfirmohet dhe nga letrat dërguar Lorecchios nga De Rada, letra të gjetura në arkivin personal. Këtë fakt e konfirmojnë dhe të dhënat e marra nga gazeta La Nazione Albaneze e Lorecchios sipas të cilës deklarohet se: “Senati i Mbretërisë të Italisë në 16 gusht ka diskutuar ligjin e aprovuar nga Dhoma e Deputetëve për të cilin akordohet (i jepet) nga qeveria e drejta për organizimin e Insitutit Oriental të Napolit”.46 Krijimi i një katedre në gjuhën shqipe do i hapte rrugë forcimit të lidhjeve mes arbereshëve. Krijimi i një katedre në gjuhën shqipe do t’i hapte rrugë forcimit të lidhjeve mes shqiptarëve në dy anët e Adriatikut. Katedra e gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Napolit udhëheqja e së cilit i është besuar Prof. Giuseppe Schiroit nga Piana Dei Greci.47 Krahas këtij vendimi u morën dhe vendime të tjera:
a) Dhënia e bursave shqiptarve në mëmëdhe për studime në Collegio S. Adrianit dhe në San Demetrio Corone.
b) Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike të komuniteteve arbëreshe në Itali.
c) Autonomia e Shqipërisë
d) Zhvillimi i marrëdhënieve mes federatës Italo – Shqiptare dhe shoqërive shqiptare në Rumani dhe Bullgari.
e) Të drejta të barabarta për të gjitha besimet në Shqipëri.
f) Themelimi i një gazette qëndrore të federatës që do të botohej në Romë në gjuhët, frengjisht, italisht, shqip…
Në Palermo në maj 1902, lindi një Shoqëri shqiptare pikat kyçe të statusit të të cilës janë si më poshtë:
a)Mbrojtja e të drejtavetë kolonive shqiptare të fitura në Sicili
b)Përhapja e gjuhës shqipe sidomos në kolonitë ku ka rrrezik të humbasë,
c)Domosdoshmëria e krijimit të një alfabeti unik që të merren vesh gjithë shqiptarët e kolonive të ndryshme dhe me tokën amë,
d)Rritja e studimeve gjuhësore dhe përhapja e gjuhës shqipe,
e)krijimi i një arkivi me letërsinë shqipe që të kujdesen për botimin e kujtimeve të shenjta mbi atdheun dhe të ilustrojnë historinë,
f) Domosdoshmëria e një federate mes shoqatave shqiptare të Kalabrisë, Napolit, Korfuzit, Athinës, Egjiptit, Kostandinopojës, Bukureshtit, Sofjes.
Kjo shoqatë botoi një thirrrje të ngrohtë që përfundoi me këto fjalë: “Çështja shqiptare, tashmë më e gjallëruar reklamon se bijtë e Shqipërisë do të lëvizin me qëllime të harmonizuara për të mbështetur përpara Evropës civile të drejta e kombit të lirisë vllazërisë matanë Adriatikut”.48 Kongresi i Napolit e konsolidoi më tepër lëvizjen arbëreshe të Italisë dhe siguroi forcim të bashkëpunimit mes shqiptarëve të kudondodhur. Për të realizuar qëllimet e tyre në favor të çështjes kombëtare, arbëreshët e Italisë krahas thirrjeve për bashkim, unifikimit të alfabetit synonin mbi të gjitha unifikimin e tokave shqiptare.
.

Kishë Arbëreshe
Kishë Arbëreshe

Bibliografia e përdorur

1.Nikollë Loka, Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit Shqiptar, (Tiranë 2011), 4
2.A. Haxhi, T.Topalli, Kolegji i Shën Adrianit vatëre edukimit të dijeve, 9
3.Revista pedagogjike, nr. 3, 1977, 116.
4.Revista pedagogjike, nr. 2, 1974, 134
5.Loka, Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit Shqiptar, 42
6.Revista Nëntori nr. 3, 1983, f. 187.
7.Ahmet Kondo, Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare, Tiranë: Naim Frashëri, 1967, 29
8.Letër e Dora d’Istrias, Livorno, 15 tetor 1868
9.Muhamed Hysaj, Veprimtaria publicistike e De Radës në revistën Flamuri i Arbrit, Jehona, Shkup, nr. 6, 1968, f. 38
10.Po Aty
11.Françesco Altimari, Urat e Arbrit, 25
12.Artan Haxhi, Tefë Topalli, Kolegji i Shën Adrianit vatër e edukimit të dijeve , 9
13.Vincenso Dorsa, Shqiptarët hulumtime dhe mendime, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 2010
14.Il colegio San Adriano Coriliano, Flamuri i Arbrit, Calabro, viti I, nr. 30 prill 1884, 16-161
15.L’emigrazione in Italia. Il colegio italo-albanese, Popoli, Viti 1, Nr.10, shtator 1941.
16.Kabashi, Jeronim De Rada poetika e poemave, 92
17.A. Haxhi, T. Topalli, Kolegji i Shën Adrianit vatëre edukimit të dijeve, 11
18.Mandalari, Indipendenca Shqiptare, Tiranë: Uegen, 2008
19.Po aty
20.A.Haxhi, T. Topalli, Kolegji i Shën Adrianit vatër e edukimit të dijeve, 12
21.”Il Colegio albanese”, Flamuri i Arbrit, , Viti 1, nr.5, 30 shkurt 1884,.93.
22.Po aty, f.94
23.AQSH, F.24,D.8, f. 1-23
24.Jup Kastrati, Jeronim de Rada (Jeta dhe vepra). Tiranë: Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, 1979,
25.Don Salvatore Scura, Il colegio italo-albanese Corsini in Calabria, Il Bolletino, .72
26.Vincenso Dorsa, Shqiptarët hulumtime dhe mendime, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 2010
27.Il colegio San Adriano Coriliano, Flamuri i Arbrit, Calabro, viti I, nr. 30 prill 1884, 16-161
28.Po aty,
29.AQSH, F.24,D.8, f. 1-23 Jup Kastrati,
30.Jeronim de Rada (Jeta dhe vepra). Tiranë: Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, 1979, 1979, 140
31.Kabashi, Jeronim de Rada poetika e poemave, 93
32.Loka, Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit Shqiptar , 42
33.”Colegio di San Adriano,” La Nazione Albaneze, Nr.14, 31 korrik 1900, 7
34.Po aty
35.Po aty
36.Lazër Shantonja, Botime Françescane, Shkodër, 2005, 490.
37.Altimari, Kolegji i Shën Adrianit vatëre edukimit të dijeve, 34
38.Po aty
39.Xhemi Hajredini, Diaspora Historike dhe kongresi i parë i shqiptarëve të Italisë, 2015
40.AQSH,f.24,D.54/1,f.13
41.ASHQ,F.24,D.53,f. 211
42.”Girolomo De Rada’,Djalëria, , Viti IX,V.II,Nr 4,1928,f.7
43.Zgjimi Kombëtar Shqiptar 1878 – 1912, (Tirane: Phoenix..2000), 202.
44.Drita Mehmeti “Studime historike”.Nr. 4 ,Tiranë (1980): 143.
45.Kastrati, “Jeronim De Rada”, .193.
46.Gazeta “La Nazione Albaneze” , Nr 10, Pellagario – Katanzaro, 1913, 7
47.Gazeta “La Nazione Albaneze”, Nr 3, 7
38.Po aty, f.62
.
E-mail: deni_tare@yahoo.com
 
 
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.