Jozef Radi! nga libri Gjëmë…
Genocidi i Poezisë shqipe… Gëzim Hajdari
(fragment)
Në Shqipërinë komuniste fajet e prindërve trashëgoheshin dhe i paguanin e vuanin edhe fëmijët e tyre…
Vazhdoja vitin e fundit të Gjimnazit në Lushnje, kur një ditë miku im i shtrenjtë i bangës Jozef Radi (1957) i biri i Lazrit, s’u kthye më në shkollë. E përjashtuan thjesht e pa u lodhur si “bir i armikut të klasës…” Ishim maturantë. Uleshim gjithnji në bangën e fundit. Druhesha, po Jozefit ia lexoja shpesh vargjet e mia gjatë orës së letërsisë. Ende sot e kujtoj barakën e tij në Savër, ku kam lexuar për herë të parë D’Annuzion.
Kam shkuar disa herë te shtëpia e tij.
Në atë kohë, një vizitë në shtëpinë e “armikut të popullit” kushtonte shtrenjtë.
Jozefi u lind në kampin e Kuçit. Historia e tij është tejet tronditëse, si gjithë historitë e “bijve reaksionarë”. Nëna e tij Viktoria, me t’u liruar nga burgu, nuk dinte ku të shkonte. Prindët e saj i kishin degdisur rrugave, bashkëshorti në internim në një kamp të humbur mes maleve të Labërisë ku ishin më shumë se njëqind intelektualë. Pa asnjë rrugëzgjidhje ajo merr rrugën drejt kampit të Kuçit të Kurveleshit, ku mbartnin dru e kucka për ushtrinë më shumë se 100 intelektualë të dënuar!!
Kishte më shumë se 12 vite që s’e shihte bashkëshortin e saj: takimi pas kaq vitesh qe tejet prekës dhe mallëngjyes. Tok me të shoqin u sistemua në një qoshe të një mulliri të vjetër, ku ajo ishte e vetmja grua mes njëqind burrave të syrgjynosur që kishin humbur krejt lidhjet me jetën.
Pikërisht në at mulli të vjetër tek Buronjat kampit të Kuçit u lind Radi Junior.
Jozefi i përket brezit të Heshtjes, lindur e rritur nën diktaturë. Përshkoi 35 vjet nëpër kampet e internimit. Vuajtjet dhe sfilitjet s’e detyruan dot të heqë dorë nga letërsia, përkundrazi gjeti strehë tek ajo. Në 1980, ia lexon poezitë mësuesit të gjimnazit Murat Nezha, i cili në të njejtën kohë ishte dhe sekretar i partisë së shkollës. Mësuesi i tij, pasi lexon poezitë, i thotë: “Vazhdo të shkruash, pse jo, shumë njerëz janë bërë të famshëm edhe pas vdekjes!” Ç’inkurajim cinik!!
Në ’82, Jozefi vendos t’ia dërgojë vëllimin e tij në dorëshkrim Trokitje KQ të Partisë për të ditur mendimin e nëpunësve të “piramidës së kuqe”. Përgjigja qe e prerë: “Mungojnë vjershat kushtuar partisë dhe shokut Enver Hoxha!” Jozefi e përpunon vëllimin dhe ia dërgon sërish shtëpisë botuese “N. Frashëri”. Reçenzentët N. Gjetja dhe Y. Çiraku i japin përgjigje pozitive, por libri s’u dërgua kurrë në shtyp.
Për t’i shkuar gjer në fund së vërtetës, Jozefi dhe i ati, Lazri, vendosin të takojnë zëvendëskryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Llazar Siliqin dhe Andrea Varfin (dy përfaqësues emblematikë të poezisë zyrtare), për të diskutuar rreth vëllimit Trokitje, e për ta parë nga afër si funksiononin gjërat në shpellën e censurës. Gjatë takimit, të zhvilluar në 1982, në Llixhat e Elbasanit, ku ishin me pushime zëvendëskryetari i Lidhjes, i thotë mikut të tij të rinisë së hershme: “Lazër, po si i keni punët me Degën e Brendshme të Lushnjes?” “Mirë – iu përgjigj Lazri duke e pa drejt e në sy – Ata në punë të tyre, dhe ne në punë tonë”. Konteksti ishte më se i qartë, armiqtë e partisë s’mund të botonin, për të botuar duhej të kaloje nëpërmjet Degës së Brendshme, pra Sigurimit të Shtetit. Si rrjedhojë, libri i Jozefit, shkruar në baltrat e Tërbufit, s’e pa kurrë dritën e botimit nga shtëpia botuese “N. Frashëri”, pse autori i tij ishte “bir i armikut të mëmës parti”. Qoftë i ati, qoftë i biri, duhej të prisnin gjysmë shekulli para se të botonin krijimet e tyre!!
Jozefi arriti të diplomohej në Drejtësi vetëm pas rrëzimit të bustit të diktatorit. Në ligjislaturën e parë pluraliste poeti me origjinë kosovare punon për disa vjet në Presidencën e Republikës. Pas rebelimit komunist të 97, detyrohet ta lerë vendin, pse siç shkruan ai vetë në kopertinën e vëllimit të tij Kujtesa e mjegullës, “shpresat e demokracisë u vranë”. Jozef Radi është poet tejet interesant, përfaqësues i denjë i brezit që u lind dhe u rrit kampeve të internimit komunist; njohës dhe analist i mprehtë i politikës dhe kulturës shqiptare. Citoj disa vargje të një poezie marrë nga vëllimi i mësipërm: “Fushë pafund,/ fushë barakash pupuliti/ dhe apelesh gjer në dhimbje,/ fushë blerimesh rraskapitëse/ dhe baltrash gjer në çmenduri,/…// fushë pafund./ fushë çizmesh të grisura/ dhe sandallesh prej zhuke,/ fushë puthjesh të thyera…”
Jozef Radi ka përkthyer në shqip Ungarettin, Montalen, Rabonin, Fatuivan, etje.