Dora e padukshme që u bë e dukshme.
nga Kujtim Drishti
Përralla që do t’i tregohet fëmijve
dhe fëmijve të fëmijëve,
në kohët që do vijnë…
.
Një ditë një filozof i vjetër shkroi një histori që e quajti “Republika”
Asnjë nga personazhet e tij të “qytezës ideale” nuk bazohej mbi pronën private, as mbi fitimin, sepse prona ishte e natyrës dhe fitimi egoist nuk i linte njerëzit ta njihnin të vërtetën midis tyre, të vërtetën e natyrës.
Por cila është e vërteta e natyrës?
Shumë kohë më pas një filozof tjetër në kërkim për të njohur të vërtetën e natyrës që qëndronte midis njerëzve, me pyetjen: “Përse njerëzit rrijnë së bashku? Zbuloi se ata kishin besim se nuk u vinte e keqja prej tjetrit dhe se kjo shprehej në atë që quhet: “empati”, por ai një ditë mbeti i pakënaqur nga përgjigja morale dhe braktisi studimin e tij për t’iu futur shpjegimit të botës me një libër të madh: “Pasuria e Kombeve”, e ku deklaroi se burimi i progresit është egoizmi njerëzor.
Që në atë kohë, njerëzit e tjerë nxorrën nga ky libër i madh vetëm një frazë atë ku ai thotë se: “një dorë e padukshme” rregullon dhe ekuilibron egoizmat e njerëzve dhe shoqërinë.
Por, një tjetër njeri i quajtur Bernard Mandeville, kish treguar para tij në “Fabulën e Bletës”, se zhvillimi i shoqërisë bazohej në shtatë mëkatet e njeriut nga të cilët ishin edhe pangopësia e xhelozia që do të bënin në sytë e njeriut që shkroi librin e madh: fitimin dhe konkurencën.
Ky njeri e kishte shpallur egoizmin një ligj të natyrës. Problemi me sa duket është se pranë egoizmit ai nuk deklaroi edhe cilësi të njeriut që janë po aq ligje të natyrës.
Sa keq që ai harroi Empatinë për të cilën kish shkruar në veprën e tij mbi moralin.
100 vjet më vonë një tjetër njeri, i cili kish lexuar babanë shpirtëror të komunizmit, Platonin, akuzoi pronën private, egoizmin dhe “dorën e padukëshme” si elementet që do ta linin shoqërinë njerëzore pa ndërgjegje dhe në vend të ndërgjegjes ata do të vinin “Den Kapital”.
Dhe kështu njerëzit nxituan të ndërtojnë “qytezën ideale” të Platonit, por dështuan sepse u nxituan e në vend të qytezës ideale ndërtuan një shoqëri ku humbën edhe shpirtërisht edhe materialisht, sepse harruan veten dhe lirinë e tyre.
Atëhere egoizmi me pronën e tij private u gëzua, u lumturua, madje vuri dhe kurorën me dafina mbi kokë e mori hov.
Individi egoist nuk po ka më kufi. Sot 2% e egoistëve zotërojnë 80 % të pasurive të planetit.
Njerëzit u habiten, u befasuan me këtë konstatim dhe filluan të mendojnë për hallet varfërinë dhe lumturinë dhe punën që nuk u mjafton për t’u çliruar nga borxhet ndërkohë që natyra po prishet, ajo natyrë për të cilën nuk ka mbeturina, sepse ajo i riciklon të gjitha, kjo natyrë po qelbet nga mbeturinat e egoizmit injorant.
Shoqëria paska mbetur pandërgjegje dhe dora e padukshme po fillon të bëhet e dukshme.
.
Kjo është përralla që fëmijët tanë do të mësojnë sot e tutje. Ata do të përballen këtë herë me dorën e dukshme që po prish planetin.
Ata do të na pyesin se cilët ishin dy personazhet që u zunë me njëri-tjetrin përpara historisë së natyrës, gjatë shpjegimit të saj? Çfarë është egoizmi? Çfarë është prona private që i bënka njerëzit t’u iki mendja? Cila është dora e padukshme? Cili është kufiri i lirisë së individit? Çfarë është një shoqëri e pandërgjegje?
Ne ndërkohë nuk do t’u themi emrat e tyre. Sepse ata kanë vdekur e nuk është mirë të bëhesh skllav i të vdekurve.
Ata do ta fillojnë eksperiencën e tyre nga fillimi. Por asgjë nuk na siguron se ata do ndërtojnë një shoqëri me ndërgjegje natyrale.
Prandaj detyra jonë është t’i mësojmë të bëjnë atë që anglosaksonët quajnë: “the good question” përpara shoqërisë dhe natyrës.
Dyshimi ynë do t’i verë në sedër ndoshta e ata do braktisin ideollogjitë për të njohur njeriun si produkut i natyrës me metodë shkencore. Njeriun dhe shoqërinë që e konsideron veten përpara natyrës, siç thoshte Spinoza “një Perandori brenda Perandorisë”
Njeriun që me egoizmin e tij është bërë arrogant përballë natyrës.
Atëhere ai do të kuptojë e do të qeshë me njerëzit që harrojnë se idetë dhe ndjenjat e tyre iu a prodhon truri, kjo lëndë e natyrës
Tashmë nipi im 5 vjeç me pyet:
-Timi, përse shërben truri?
Fillim i mbarë! – thashë me vete.
Good question, drejt së vërtetës së natyrës!
.
Marrë nga muri i fb i TD Drishtit, 11 korrik 2019,