Mjaft e përqeshët Shqipërinë z. Kadare!
nga Elona Caslli
Nuk është e lehtë të kundërshtosh shkrimtarin që e ke fort përzemër.
Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që ka ndikuar në mendimin dhe formimin tënd.
Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që përfaqëson hartën kulturore shqiptare në Europë dhe më tutje.
Nuk është i lehtë kundërshtimi, por është akoma më e vështirë heshtja.
.
Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj një pjesë nga “Mosmarrëveshja” “…Në sytë tanë do të shpaloseshin cinizmi dhe shpërfillja e kastës politike, mosmarrja seriozisht e shtetit dhe e kombit, çka do të çonte tek shkelja e çdo morali, te lidhja e zgjidhja e aleancave të paparimta, te tribalizimi, hedonizmi, pokerizimi në politikë e në jetë, gjersa përshkallëzimi i së keqes të arrinte një kulm të ri; përqeshjen me Shqipërinë…” (shkëputur nga – Mosmarrëveshja)
Ju flisni për një kulm të ri. Ky kulm është përqeshja me Shqipërinë.
Unë atë përqeshje e ndiej në qëndrimin tuaj z. Kadare.
Po qëndroni në anën e mbrapshtë të historisë dhe po e përqeshni Shqipërinë!
Unë nuk e di nëse Shqipëria e meriton dashurinë tuaj ose jo. Ndoshta mund të mos ta meritojë.
Por një gjë e di me siguri: Shqipëria nuk e meriton përqeshjen tuaj!
Së paku, mund t’i dhuroni heshtjen tuaj!
.
Post Scriptum – Në mbyllje më rivjen ndërmend një pohim krejt i vërtetë nga ju, i cili përshkruan kthjellët ëndrrën e çdo shqiptari që e do vendin e tij.
Në fund të fundit, padurimi për të qenë si Europa, nuk ishte gjë tjetër, veç një tjetër padurim; e duam Shqipërinë më të mirë se ç’është..
.
Marre nga muri i fb i Elona Casllit, 16 korrik 2019
.
Çerçiz Loloçi: Për Elona Çasllin dhe jo vetëm
Një farë Elona Çaslli, që nuk di shumë gjëra për shkak të moshës po edhe për mos pasje shumë dijeni rreth karrierës së saj, ka bërë një status kritik e publik kundër Ismail Kadaresë meqënëse e ka parë në një foto miqësore mes tij, bashkëshortes së vet Helenës dhe ministres ndërinstitucionale, Elisa Spiropali si dhe pak kohë më parë me kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj. Kjo e ka indinjuar zonjën që njihet gjithashtu vitin e fundit si e angazhuar në mbrojtje të teatrit dhe shpesh del me aktorët apo regjizorët e njohur shqiptarë.
Mjaftojnë dy foto të Kadaresë me Spiropalin dhe Veliajn, që ajo të dallojë përqeshjen, rreshtimin në anën e kundërt të historisë dhe marrëzi të tjera që nuk i lejohen jo vetëm kësaj zonje po edhe një qëndrestari tjetër në mbrojtje të teatrit, kryekonservatorit mbarëkombëtar apo gjithë lëtyrave të tjera të opozitës së bashkuar që nuk u votuan nga populli në një sistem maxhoritar (çka mund të kishin të drejtë të dilnin nga vendimi i partisë për bojkot) po u përfshinë në listat e kryetarëve të partisë dhe pacipërisht gjenden, gati të eksituar e shkalafitur, në radhët e parlamentit.
Natyrisht, nëse nuk do të ishte pak sipërfaqësore, (këtë e them për ndjeshmërinë e madhe që ndjej së brendshmi për qënien e brishtë femërore dhe ruaj respekt të palëkundur për disa politikane të mençura dhe sharmante si Pampuri, Tabaku, Deda, Gjermeni, Malaj, Bregu a ndonjë tjetër), ajo do e kuptonte se takimin me shkrimtarin tonë të padiskutueshëm e ka kërkuar Spiropalja, siç kanë bërë herë tjetër edhe shumë ministra dhe deputetë të PD apo të PS, që vuajnë tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit, por nga ana tjetër janë gati të bëjnë gjithçka qoftë edhe për të marrë një autograf të shkrimtarit, një foto, apo një drekë jozyrtare, për ta pasur si dëshmi te shefat e tyre politikë që janë ose përfaqësojnë diçka dhe që duhet të kihen në konsideratë.
Zonja Spiropali, për shkak se ka edhe funksionin e zëdhënëses së Rilindjes (shpesh ndërthirret si purtekë politike) shkakton një irritim të gjithmbarshëm, por për këtë nuk është fajtor shkrimtari; ngjashëm ndodh edhe me të gjitha bibat e angazhuara veç e veç apo së bashku që i janë bashkuar politikës dhe që asnjëherë nuk vënë në punë arsyen…
Unë, si një nga njohësit më të hershëm të Kadaresë, natyrisht nuk ndihem mirë kur ai shfaqet me Spiropalin apo me dallkaukë të tjerë që i janë jargavitur dhe i jargaviten edhe sot e kësaj dite, sidomos kam trishtim kur bolshevikët e sotëm në tri partitë kryesore e duan kapardisjen me të, dëshirojnë të fotografohen me të, pavarësisht se janë politikanët më të urryer brenda dhe jashtë kufijve amtare e megjithatë e di fort mirë se ata janë të shfaqurit e radhës që feksin e zhduken si gjethurinat e vjeshtës.
Padurim dhe indinjatë kishte shprehur kohë më parë dhe ish-instruktori i komitetit të partisë (i pretenduar edhe si njohës i çështjeve gjithëkombëtare, madje për fat të keq edhe profesor-doktor shtogu në një universitet shtetëror publik) që kishte bërë një status kundër Kadaresë thjesht dhe vetëm sepse e kishte parë të shfaqej me kryebashkiakun Veliaj, gjatë përurimit të shtëpisë muze në Tiranë.
Pra, sipas instruktorit-pamfletist, Kadare duhet të shfaqet vetëm me demokratë dhe jo me demokratë në përgjithësi, por ato që do E. B. dhe që rreshtohen gjithmonë pranë liderit, në të kundërt nuk rri dot pa e denoncuar Ebu Qerimi dhe nuk mbetet asnjëherë pa një llagëm për t’i hedhur shestimet e veta!
Ai s’do ta kuptojë apo ta pranojë se pavarësisht se kush bën një qendër kulturore, apo një investim në art (që gjithëherë bëhet me taksat e shqiptarëve) është për t’u përshëndetur, por në këtë rast nuk mund të bëhet fajtor artisti, por politikani apo zyrtari që e përdor për kapitalin e vet.
Kadare, duke e pasur si diçka hyjnore letërsinë, asnjëherë nuk ka tentuar apo tenton për të marrë një post politik, e megjithatë instruktori i komitetit të partisë, në vitet e para të demokracisë ishte përfshirë në skuadrën e shpifjes dhe të përbaltjes, mision që e kryente herë me pagesë, me shpërblim, por edhe shumë herë sepse e kishte si sëmundje, një farë majasllëku në pjesën e epërme trunore.
I njëjti kontestues arriti të sajonte shpifjen e madhe si agjent grek kundër të parit kryeministër të qeverisë demokratike, thjesht dhe vetëm se ai ishte ortodoks, por pa paraqitur asnjë dokument për këtë lajm të bujshëm.
Madje e vërteta ishte se gjyshi i ish-kryeministrit kishte braktisur banesën dhe kushtet e jashtëzakonshme në shtetin fqinj për të kontribuar në atdheun e vet; ndihmesën për Shqipërinë vijoi ta kryejë edhe në kushtet e vështira të diktaturës kur u cilësua i papërshtatshëm për regjimin, ‘i tepërt’ në tokën dhe pronën e vet dhe u përndoq deri në vitet nëntëdhjetë.
Rasti më paradoksal ka qenë me një ish të përndjekur politik që regjimi komunist dhe Enver Hoxha i kishin masakruar të atin me ngjarjen e ashtuquajtur të ambasadës sovjetike dhe pakënaqësinë nuk e shfaqi asnjëherë karshi tyre, por kundër Kadaresë duke shkruar fletërrufe në disa gazeta të majta të katundeve italiane!
Nuk është sekret të thuhet që edhe PD, edhe PS ka skuadrat e veta të baltosjes, por kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare, militantët dhe të rreshtuarit pranë një force politike janë gati të bëjën gjithçka për të mbrojtur liderët e vet dhe të linçojnë pacipërisht kush është kundër tyre, kjo është një e vërtetë universale ç’prej kohëve që s’mbahen mend.
Një mendje erudite si Faik Konica thoshte shpesh për shpifësit: “Njerëzit që përhapin dhe ata që dëgjojnë të shpifurat, sikur të pëlqehej mendja ime, të gjithë duhej të vareshin; shpifarakët nga gjuha, dëgjonjësit nga veshët!…”.
Ka mijëra mënyra se si mund të shpërfytyrohet, tjetërsohet dhe përçudnohet një qënie njerëzore, por atë që të bën shpifja është nga më të rëndat dhe për këtë ndihem jashtëzakonisht keq! Dhe në këtë rast më vjen ndër mend ajo balada kretase e Manolit, përshtatur mjeshtërisht prej mikut tim, Arqile Garo!
Fyerja është gjëja më e lehtë, z. Coçoli
nga Artan Kodheli*
Z. Loloçi ka të drejtën e tij të mbrojë këdo, duke përfshirë dhe Kadarenë. Ajo që është jo normale në replikën e tij me zj. Casllin, është gjuha arrogante dhe fyese.
Të fyesh është gjëja më e lehtë, dhe prandaj ajo është kaq e përhapur.
Me sa m’u duk nga shkrimi i z. Loloçi, nuk e ka lexuar më parë nga znj. Caslli dhe kjo mund të jetë normale, por në momentin që t’i replikon në ligjeratë të drejtpërdrejtë me të, duhet të kishe parë dinamikën e shkrimeve të saj, për të bërë një vlerësim të arsyes pse zj. Caslli arriti në këtë shkrim. Nqs z. Loloçi do të kishte ndjekur sadopak këto shkrime, do të kishte konstatuar se znj. Caslli, ashtu dhe ne dhjetra të tjerë që e përshëndetëm atë për shkrimin, jemi lexues të apasionuar dhe vlerësues të shkrimtarit Ismail Kadare. Ajo që z. Loloçi nuk ka kuptuar apo nuk do ta pranojë, është që znj. Caslli dhe ne jemi kundër qëndrimit të qytetarit, tashmë të shquar I. Kadare.
Pikërisht për këtë penë të shquar të këtij vendi, për këtë krijimtari të madhe të tij, në nuk mund ta pranojmë që ai t’i japë nga madhështia e tij prej shkrimtari, mbështetje një turme njerëzish grabitqarësh, gënjeshtarësh, aventurierësh, antikombëtarësh, etj, që qeverisin sot këtë vend. Z. Kadare nuk është nga ata që rrijnë indiferent karshi kombit. Kemi prononcimet e tij për zj. Vllahutin (faljen e famshme), letrën për Lulëzim Bashën në çadër, etj… Të gjithë, ashtu si z. Loloçi, që duam veprën e tij, shtrojmë pyetjen:
A i shikon qytetari i shquar Kadare ngjarjet në Shqipëri?
A është dakord me prishjen e teatrit, kur në një kohë i inagurohen restaurimet e dy shtëpitë e tij?
A është dakord me qënien e një vendi me tre vjet pa gjykatë kushtetuese, e cila i ka dhënë mazhorancës mundësinë të bëjë çfardo me ligjet?
A është dakord me cënimin e lirisë së medias?
A është dakord me futjen e kriminelëve në parlament apo bashkitë?
A është dakord narkotizimin e vendit?
A është dakord me shitjen e pasurive publike dhe tenderimin e paravendosur të PPP-ve?
A është dakord shitjen e Kosovës?
A është dakord me votime njëpartiake që i quajnë zgjedhje?
A është dakord me faktin që mazhoranca nga koka në këmbë bashkëpunon me krimin për te vjedhur zgjedhjèt (dosjet 184, 339)?
A është dakord që më shumë se 85% e shqiptarëve nuk morën pjesë në votime si protestë?…
E dhjetra e dhjetra çudira rilindase që kanë shkatërruar shtetin dhe demokracinë në këtë vend.
Prandaj kur z. Kadare shfaqet me mjeranë si spiropali, etj, ai bëhet pjesë e këtij enturazhi tashmë të flliqtë dhe prandaj nga dashuria për atë që ka dhënë në letërsi, nuk mund të pranojmë që qytetari I. Kadare të jetë niveli i këtyre ordinerëve, prandaj, se na dhimbset ky shkrimtar i madh nuk mund të pranojmë këtë njeri të vogël, dhe prandaj znj. Caslli ”bërtiti” shkrimtarit Kadare të mos ti bindet qytetarit meskin Kadare…
(*Ky shënim është dhënë për të njejtin shkrin ndaj të cilit reagoi Çerçiz Loloçi 18 korrik 2019)