Në qytetin e Dantes me folë për Denatën…
nga Jozef Radi
(nji shkrim mbi librin “Kohë e Mohueme”
i Denata Ndreces për të cilin kam folë veç përciptas)
.
Me shkue në Firencen e Dantes e… me folë për poezinë asht përgjegjsi e madhe; po me shkue në qytetin e Poetit të Madh e me folë për poezinë e nji Beatriçeje shqiptare përgjegjsia bahet edhe ma e madhe e ndoshta shndrrohet në drojë, e megjithatë asht nji kënaqsi që dhurohet rrallë. Ç’ka ma bani disi ma të lehtë kët mision dhe përgjegjsi, ishte vetë poezia e Denatës, dhe libri i saj i fundit: “Kohë e mohueme”, që e ka nisë rrjedhën prej qytetit të saj me Drinin, e që tash shkon tue rrjedhë e heshtun si Arnoja nëpër Qytet të Dantes…
S’asht e lehtë me zbritë prej qiejsh të largët me peshën e të qenit “barbar”, siç përdorej në Greqinë e Lashtë banorët jo vendas, e me e përcjellë at shpirt të poezisë gatue ndër qiej të largët e me e lshue me rrjedhë në vendlindje të Dantes… po edhe në atdheun e Leopardit, Foscolos, d’Anunzios, Ungarettit, Pavezes, Montales, Merinit e nji pafundsie yjesh të poezisë italiane… Denata Ndreca, e ardhun prej Shkodre, qytet me emën në histori, e që mund të konsiderohet nji Firenze në miniaturë e kulturës dhe letërsisë shqipe e ka marrë me guxim prej Rozafe kët mision.
Ka ekzistue historikisht nji lidhje mes këtyne dy qyteteve. Nji marrje e nji dhanie mes tyne. Shkodra i ka dhanë letërsisë shqipe poetët e saj ma të randsishëm si: Fishtën, Mjedën, Koliqin, Migjenin, Camajn, Pipën, Reshpjen e tjerë, e Denada s’asht e ardhun në Firence prej nji boshllëku, po prej nji trashigimie të begatie të naltë poetike, çka sigurisht e ka ndihmue edhe pa e dijtë kangtimin e saj, kështuqë vargu i saj n’gjuhë të Dantes ka qenë ma i lehtë e ma i plotë; ma i vërtet e ma i ndjemë.
Vlen me theksue edhe nji fakt tjetër të randsishëm. Në Firenze kanë studiue edhe dy poetë të randsishëm të Shkodrës: Gaspër Pali e Arshi Pipa, ndërkohë që nji tjetër shkodran, Pashko Gjeçi e ka sjellë Dante Alighierin në gjuhën shqipe, tue u konsiderue si nji prej 3 përkthyesve ma të mirë të Komedisë Hyjnore, gja të cilën vetë Italia e ka nderue…
Ky fakt merr nji domethanie jo lehtë të anashkalueshme për Denadën, mbasi asht nji terren i plleshëm e ka me sjellë gjithnji dritë poetësh e poezie…
–
***
Denada e ka kalue adoleshencën dhe nji pjesë t’rinisë nën nji diktaturë të egër, e cila n’qytetin e saj ka qenë e shumfish ma e egër. Diktaturat në vendet ma të kulturueme, bajnë edhe barbaritë ma rrënqethëse… Shumica e poetve që naltpërmenda, s’ka pasë nji jetë prej poeti prej nji gjysë shekulli… prandej shfaqja e poetike e Denata Ndrecës m’u duk si nji hambar dhimbjesh, shfaqë qysh në titull si: “Kohë e mohueme”, pra bahet fjalë për nji kohë ku gjenerata të tana u rritën pa kultin e lirisë e të kulturës, po nën kamxhikun e frikës e ndëshkimit, shpesh pa e dijtë se kah vinte ai, e mbi kë do të godiste! Sigurisht ajo e ka bartë kët fakt me vedi, diku në inkoshiencë të vet dhe s’e ka shfaqë në formën e dhimbjes, trishtimit apo keqardhjes, përkundrazi ajo i ka dhanë tanë përmasën e lirisë së shpirtit të vet, tue dëshmue nji forcë e nji energji të pabesueshme, se kultura, arti e poezia janë nji urë përbashkuese midis vendeve dhe popujve, prandej Shqipninë me Italinë fati i ka nda veç me nji Kanal, që artistë e poetë me shpirt ndërtues e andrrues si Denata Ndreca të shërbejnë si ura komunikimi e bashkimi midis këtyne kulturave…
***
Tue qenë se jam ardhë prej larg me shpjegue Denada Ndrecën, me të cilën sot u takuem ma së pari, (jo se u njoftëm ma së pari) mundem me thanë se ajo asht pjesë e nji shpërthimi poetik femnor të rrallë e të panjoftun në Qytetin e Veriut, qyteti i saj i andrrave, ku me dhjetra vajza të talentueme e kanë marrë dhimbjen dhe dashninë e qytetit mbi ujna, dritën dhe trishtimet e tij mbi supet e tyne të brishta e po e shetisin kahmos me e shndritë dhe ba të njoftun përmes shpirtit dhe poezisë së tyne. Janë me dhjetra botimet e këtyne vajzave të qytetit të Shkodrës si: Ledia Dushi, Entela Tabaku, Ada Halilaj, Erenestina Halili Gjergji, Elida Rusta, Arjola Zadrima, Elona Çuliq e plot të tjera, që legjendën e famshme të murimit t’nji grueje të qytetit që muret e Kalasë së Rozafës të qëndronin e kanë ba refren të jetës së tyne. Ato i kanë dhanë nji përmasë të re kësaj legjende përmes poezisë së tyne e Denata Ndreca asht njena prej tyne, e cila “Kohën e Mohueme” e ka librin e saj të katërt, po s’asht fjala për numra po cilsi poetike, që simbas meje asht pjesë e shndritshme e kësaj puhie poetike, ku e djeshmja antinjerzore dhe e sotmja e shkallafatun asht nën shpirtin poetik të këtyne vajzave. Kjo asht ma e bukura shpresë e qytetit, mbasi për shumë prej tyne, qyteti asht dhimbë e mungesë…
.
***
Po pse kohë e mungueme…?! – ky libër i fundit poetik i Denatës
U përpoqa me e lexue librin tue e përjashtue mendjen e bashkatdhetarit mbasi kjo mund t’ma devijonte disi impaktin me kohen dhe vendin, dhe mund me thanë se deri diku e ruejta kët largësi, si dikush që s’e njef as gjuhën, as vendin, as fatin e Denatës dhe as at shpirt të paepun të saj.
Faqe mbas faqeje ndjeva se feta të shpirtit të saj, janë pjesë e kulturës ku ajo jeton… ama në dromcat e shumta gjeta at Denatën që i mungon qyteti, që i mungojnë njerzit dhe kujtimet dhe me thanë të drejtën e vuejta jo pak at shpirt që asht në betejë të përditshme me jetën dhe fatin.
Denata Ndreca asht nji model jo vetëm letrar po edhe nji mënyrë krejt e natyrshme me mbrritë te e bukura, nji bote që herë të përjashton e herë t’i hap krahët me të pritë përtej çdo lustre. Sinqeriteti i saj poetik në librin “Kohë e mohueme” asht çarmatosës si në bukuri edhe rafinimin estetik të saj…
.
***
Simbas meje, poezia asht çils i leximit të vedit dhe botës. Çdonjeni prej nesh asht nji varkë e vocërr në detin poetik të botës që e jeton dhe e përcjell diagramat e ndjesive në mënyrën e vet. Sa ma i madh bahet ky det aq ma të vogla duken varkat, aq ma i vshtirë bahet leximi dhe përcjellja e poezisë. Kurse bukuria e varkave na e ban ma të vogël e ma të dashtun detin e madh të poezisë.
Në kësi mendimesh zhytë, e ndjeheja si nji varkë të bukur poezinë e Denata Ndrecës, e që në detin e madh s’më ishte e vshtirë me gjetë çilësin e leximit dhe të kënaqsisë e me sjellë nji gjykim flatrues mbi poezinë e saj.
Në mbyllje mundem me thanë se: Denatën e gjej në nji pikë të randsishme të trajektores ngjitëse, n’nji fazë tejet të randsishme ku vargu i saj ka fitue peshë e sublimitet, në nji çast kur gjithçka të mungueme, ajo e shëndrron në nji dritë të ngroftë për këdo që librin e saj e ban nji bashkudhëtar në të përditshmen e leximeve të veta.
Poezinë e Denatës u ba kohë që e lexoj e rilexoj… Ky libër i saj i fundit më ka emocionue përtej asaj çka besoja. Ai asht nji naltësi e mbrritun përmes nji thjeshtësie të thellë e të rafinueme; përmes një vetje që rrotullohet 360 gradë me botën; përmes shpirtit të nji femne që i ka mprehë shqisat sociale, vëmendjen dhe shpirtin rreth gjithçkaje ku endet bota…
Prandej ky lexim i dyfishtë i këtij libri, më shtyu me i dhurue Denatës, përkthimin e librit të saj, në shqipen ma të ambël të qytetit të saj, si nji tufë lulesh.
prill – korrik 2019
.