Gjuha shqipe zhyt e mbyt…
nga Gino Luka
Ndotja e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme
Përdorimi i fjalëve të huaja në media, internet, TV, etj., pa nevojë, për të trajtuar ose për të përshkruar fakte të ndryshme apo sende, tregon se gjuha jonë e dashur shqipe po kalon një fazë të përçudnimit të saj.
Gjuha shqipe i ka të gjitha termat dhe fjalët për të përshkruar në mënyrë të plotë jetën e përditshme. Faktikisht nuk ka nevojë që të futen fjalë të huaja ose të përshtatura artificialisht.
Nuk po flasim për një hulumtim të tipit nacionalist, apo për përdorimin e disa termave shkencorë të papërkthyeshëm në shqip por, përkundrazi, po nënvizojmë ndershmërinë intelektuale të atyre që refuzojnë përdorimin e fjalëve të sakta në shqip.
Nëse është e natyrshme të përdorim fjalë si lunch për të thënë drekë, week-end në vend të fundjavës, meeting në vend të takimit ose mbledhjes, team në vend të skuadër etj., jemi përballë pushtimit të termave të huaj në gjuhën shqipe; padijes së njerëzve që i përdorin; diktaturës së të ashtuquajturës politikisht korrekte apo modës së momentit.
Rravgimi gjuhësor po bëhet modë: kuadrot, drejtorët dhe këshilltarët, veçanërisht në botën financiare, po përdorin gjerësisht terma anglosakson: ata/ato bëjnë net-working për të thënë se po krijojnë lidhje shoqërore me përfitim, organizojnë një workshop; për të thënë një seminar ose një takim tematik dhe kur kanë nevojë për pesë minuta pushim bëjnë një break.
Në Tiranë hapet një Coffee shop, në një lokacion të ri; në anglisht me këtë term kuptojmë një bar. Ndërsa në Amsterdam Coffee shop është një lokal ku pihen droga të lehta… kurse në shqip kafeneja është një lokal (ose bufe, pijetore) ku përgatitet e pihet kafe. Ndoshta kafeneja nuk është një vend shik, për njerëz me pozitë…
Si duhet t’i kuptojmë fjalët look and fashion në hyrje të një parfumerie që përdoren për të krijuar atmosferën e duhur të ngarkuar me patos?
Në universitete flitet për abstracts në lidhje me punët e diplomave e disertacionet, sidomos të rinjtë takohen live duke iu referuar takimit kush e di se ku, sikur të ishin në një program televiziv që transmetohet direkt, jo i regjistruar pra…
Dikush ndjek një master, e në mëngjes shpesh bën footing, e përpara se të shkojë në një takim (sidomos vajzat), bëjnë një make up.
Fjalë të huaja, pa nevojë, e me tepri: trend (tendencë), partner (mik, shok, ortak), abstract (përmbledhje), show (shfaqje), brand (markë), audience (publik), background (sfond), badge (teserë), business (tregti, afarizëm), cash (para në dorë, para të thata), weekend (fundjavë), copyright (e drejta e autorit), display (ekran), fashion (modë), team (skuadër), break (pauzë), gossip (thashetheme), mail (postë), boss (kryetar), make up (makijazh), master (specializim), party (festë), premier (kryeministër), backstage (pas siparit), relax (pushim), staff (personel), ticket (biletë), workshop (seminar), e shumë të tjera.
Dikush mund të thotë se edhe shumë fjalë shqipe janë me origjinë të huaj: kjo mund të jetë e vërtetë por ata fjalë tashmë kanë hyrë në gjuhën shqipe e bëjnë pjesë në fondin e fjalorit të shqipes, nuk ka kuptim t’i zëvendësojmë me fjalë të tjera, e ajo çka është më e keqja, po i zëvendësojmë të gjitha njëherësh.
Në qoftë se për disa fjalë si smog, marketing, internet, etj. nuk mund të gjejmë fjalë në gjuhën shqipe, për fjalë të tjera si fashion, workshop, abstract, mund të përdorim shumë mirë fjalë shqipe (ose që kanë prejardhje të huaj por që ka shumë kohë që bëjnë pjesë në fjalorin e shqipes) si modë, seminar, përmbledhje.
Këto fjalë dhe fjalë të tjera të huaja, që futen pa ndonjë kriter në gjuhën shqipe, sot po përdoren në të folmen e përditshme: ndoshta duke ndjekur “modën”, ndoshta për të shpëtuar nga izolimi e për të qenë sa më “In”. Si përfundim, përdorimi i këtyre termave pa asnjë kriter, krijon vetëm konfuzion e vështirësi në komunikim.
Mediat dhe komunikimi i masave: gjuha ndjek rrjedhën e komunikimit të masave, për këtë arsye ndikohet nga mjete si Televizioni dhe, mbi të gjitha, mediat sociale të cilat komunikojnë duke përdorur gjithnjë e më shumë fjalë të huazuara nga gjuha angleze ndërkombëtare.
Anglishtja, me stilin e saj të zhdërvjellët e thelbësor, është bërë modeli ynë i komunikimit. Por gramatika dhe sintaksa e kësaj gjuhe janë thjeshtuar për shkak të nevojave të komunikimit financiar dhe tregtar; pra, folësit e anglishtes në të gjithë botën, kanë thjeshtuar shumicën e rregullave gjuhësore duke e transformuar anglishten (e Mbretërisë së Bashkuar) në Plain English (gjuha e komunikimit ndërkombëtar, që përdoret edhe në Parlamentin Evropian). Imitimi i anglishtes e i gjuhëve të tjera, në qoftë se nuk marrim masa të menjëhershme, mund të jetë katastrofë për të ardhmen e shqipes.
Shkruajmë një post, një tweet, blejmë një e-book në internet, janë shprehje bisedore hibride gjysma anglisht e gjysma shqip, sepse jemi të detyruar nga nevojat e çastit.
Problemi është se sidomos në artikujt e ndryshëm të gazetave në internet, gjithnjë e më shumë njerëzit kopjojnë qorras fjalë dhe frazeologji, të cilat janë pjesë përbërëse e një konteksti të ndryshëm nga ai i shqipes, duke krijuar një distancë ndërmjet tekstit dhe lexuesit ku të dy: autori i shkrimit dhe lexuesi kanë humbur besimin në gjuhën korrekte (gramatikën, fjalorin e sintaksën), duke rrafshuar njohuritë e tyre.
Prestigji kulturor: sidomos përdorimi i kalkeve sintaksore po ndikon keq në gjuhën shqipe që, bashkë me numrin i fjalëve të huaja në rritje e që futen çdo ditë, po nxjerr në pah mungesën e vetëvlerësimit e përveç kësaj edhe rënien e prestigjit kulturor shqiptar. Këtu mund të shtojmë edhe humbjen e konsideratës me karakter gjeopolitik, ndaj gjuhës shqipe.
.
Simpatia e tepruar për fjalët e huaja dhe kozmopolitizmi: futja e fjalëve të huaja në peizazhin e komunikimit kombëtar ka shijen e një nderimi të vazhdueshëm për të huajin dhe të një kozmopolitizmi të shtirë: me folë si anglezët ose amerikanët jep ndjesinë e të paraqiturit si qytetar i botës. Shqiptarët ndjehen më ndërkombëtarë, ndoshta edhe më të arsimuar e më modern.
Nuk mund të jesh një shqiptar modern në qoftë se e shpreh habinë e kënaqësinë me pasthirrmat U!, Ua! A! Ah!
Në vend të tyre përdor Wow!…
Rezultati është se po zëvendësohen shumë fjalë të përditshme shqipe me fjalë të huaja, duke harruar fjalët e përdorimit të zakonshëm, duke transmetuar sidomos te të rinjtë një ndotje të gjuhës amtare. Shpesh, për të kuptuar një fjali të shkruar në gjuhën shqipe, duhet të dish të paktën anglisht ose italisht…
Zgjedha e gjuhës politikisht korrekte: fjalët që gjykohen si të vrazhda dhe të drejtpërdrejta zëvendësohen me ato më të buta; ky është operacioni kryesor që kryhet sipas procedurës politikisht korrekte e që nuk është asgjë tjetër veçse hipokrizi në komunikim.
Bëhet fjalë për një procedurë zyrtare, që nuk e ndryshon thelbin, por vetëm mbulon me një vel faktet dhe ngjarjet. Ne të gjithë duhet të paraqitemi në një mënyrë të caktuar dhe të tregojmë se jemi të edukuar.
Për të ecur me hapin e kohës handikapat është epitet fyes, prandaj sot e mbrapa atë do ta quajmë person me aftësi ndryshe ose person me aftësi të kufizuara; një shurdh është një person me dëgjim të kufizuar; tregtia është diçka e dyshimtë prandaj sot e tutje do ta quajmë biznes, duke i dhënë tregtisë një pamje të dëlirët e më pozitive. Edhe Mahalla e magjypëve në Shkodër ka kohë që ka ndryshuar emër, sot quhet Komuniteti egjiptian, por gjendja e mjeruar e tyre nuk ka ndryshuar…
Ndotja gjuhësore, me pak fjalë…
Me u shprehë saktë, duke komunikuar në mënyrë të qartë është shumë e rëndësishme në jetën shoqërore. Sipas N. Luhmann, te “Teoria e shoqërisë”: “Komunikimi në vetvete është diçka e vështirë sepse duhet të verifikohen njëkohësisht të tre elementët që e përbëjnë atë: informacioni, akti i komunikimit e mirëkuptimi”.
Në kontekstin kulturor shqiptar, shumë të ndërlikuar, ku ndërveprimet janë të shumëfishta dhe marramendëse, është e lehtë që të vërtetohen keqkuptime, humbje e vëmendjes e vështirësi në komunikim.
Futja e fjalëve të huaja pa nevojë, për të zëvendësuar ato ekzistuese dhe korrekte, e bën komunikimin të ngatërruar e të garrametshëm, e njëkohësisht ndot gjuhën.
Duhet të jemi të vetëdijshëm që të flasësh për gjuhën kombëtare për disa është e papranueshme, sidomos për ata që pretendojnë se janë kozmopolitë dhe globalistë, të pasionuar pas gjithçkaje që vjen nga jashtë. A nuk do të ishte më mirë që kërkimi i fjalëve të bëhej në dialektet e shqipes në vend që të kërkojmë në mënyrë të dëshpëruar futjen e fjalëve të huaja pa nevojë?
Ndoshta, pikërisht ata njerëz kozmopolitë janë më pak të aftë në përdorimin e gjuhës së përbashkët shqipe. A do të jenë këta njerëz aq të sinqertë sa ta pranojnë këtë fakt?
Artikullin e tij Mikrobët e gjuhës shqype poeti kombëtar shqiptar Gj. Fishta e mbyll me këto fjalë: “Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e nji shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba qi përparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë qi mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, për pa t’u çue vneri. Urojmë qi shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype…” (Botuar në gazetën “Posta e Shqypnis”, 1918, nr. 30, fq. 4).
.
Marrë nga “Shqiptari i Italisë”, 23 Gusht 2019