back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Curriculum Vitae e një pale këpucësh – nga Ali Luca

Gazeta

Ali Luca
Ali Luca

Curriculum Vitae e një pale këpucësh

nga Ali Luca

Kur unë isha nja njëzet vjeç një vajzë më pëlqente dhe m’u afrua. Ishte nja 15 vjeçe. Më pyeti: A ke të dashur! Jo i thashë unë. I ishin skuqur faqet si domate. Më la një gjë metali në dorë. Ishte një tip medalioni në formë zemre.
Shprehja agroturistike se ‘dashuria kalon nga stomaku’, është shpikur nga këto emisionet e mëngjesit për të tërhequr audiencën femrore, ose nga ndonjë rrjet i fuqishëm supermarketesh. Nga stomaku kalon divorci! Kam dëgjuar shpesh se: “E ndava gruan se nuk i hidhte shumë kripë gjellës!!”
Pastaj pse nuk themi në se ‘të kam stomak’, por ‘të kam zemër’? Ose pse nuk bëjnë njerëzit tatuazhe me stomak. Zemra e vizatuar në letra, në medaljone e në figurina është ndër imazhet më pak të konsumuara megjithëse të stërpërdorura.
Gjithsesi medalionin e hodha pak më tutje. Jo me shpërfillje siç i hedhim lypsit një pare hekri, duke vazhduar rrugën, por me njëfarë keqardhje.
Kisha një palë këpucë lëkure të zeza në atë kohë. Dukeshin pedofilike këpucët meqë ishin për moshë dyzet e lart dhe ajo ishte e vogël për mua. Këpucët m’i pat dhuruar një ish mësuesi im i letërsisë në gjimnaz që tani e kisha shok. M’i kishte futur në një qese së bashku me një libër të Rembosë. I pashë pak duke hapur qesen. Nuk më pëlqyen aq. Kështu janë mësuesit e letërsisë, me këpucë dhe poetë francezë!! Njëqind vjet mbrapa me shijet.
Eshtë faji i kurrikulave.
Me ato këpucë humba një vit në fakultet. Kisha lënë provimet për vjeshtë, por shkova me vonesë për regjistrim. Afati i fundit ishte dje – më sqaroi një sekretare nga frëngjia e sekretarisë, ndërsa hidhte përtueshëm një tufë letrash në kosh. Ajo tufë letrash është një grup i madh studentësh mendova. Çdo e keqe vjen nga letrat. Kufinjtë e shteteve skicohen në letra nga ca diplomatë të dehur, çifutët zhdukeshin me lista të shkruara nga gishtat e shkathtë të daktilografisteve që as nuk e dinin se kë po merrnin më qafë, studentët humbin vitin për gabime në letra të sekretareshave me vathë të gjatë në veshë, puna fitohet me letre, kufiri kalohet me letra, vdekja po nuk u shkrua në letër nuk quhet.
.

Van Gogh - Nji palë këpucë
Van Gogh – Nji palë këpucë
Vetëm unë me këpucë në auditor dhe dekani që jepte mësim. Dekani qe një tip i shkurtër. Një kanaçe zhvepsi veshur me xhaketë dhe për këtë arsye këpucët i dukeshin të stërgjata. E humba vitin dhe hec e shpjegojua prindërve punën e letrave. Gjeta një moment të përshtatshëm kur të dy po rrinin në ballkon të sfumuar nga pasditja. Dielli qe si një bërthamë pjeshke duke u ulur atje tej nga kalaja e Prezës. – Kam humbur vitin ju thashë. Kë vit? Vitin e dytë të fakultetit. Një ngërç nëpër fytyra. Mund të jetë më mirë kështu ju them. Këtu me ndihmoi ndërgjegja ime prej besimtari. Zoti s’më le në baltë. Eshtë një dritë që rri ndezur gjithmonë si ato të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Megjithse tani m’i ka zënë një ndërtesë e madhe para shtëpie e di që janë ndezur. Në lodhemi për ty tha nëna, na shkove lekët kot tha babai.
Këpucët më kanë mirëkuptuar gjithmonë. Filluan të hahen pak nga thembrat në një mënyrë asimetrike që i përgjigjet të ecurës time prej fshatari. Një e ecur pa konvergjencë të rregulluar. Një e ecur e çakërrdisur.
Më kanë pritur pas dere duke e njohur menjëherë formën time të këmbës. Më kanë pritur poshtë shtratit të spitalit për dhjetë ditë. Ngjanin amëtare bri atyre shapkave pa pronar në një dhomë hoteli në një vend të huaj. Kanë qënë shpesh herë mbrëmje të humbura kot për mungesë parash. Udhëtime të abortuara qysh në ide deri sa i lashë përfundimisht në mbajtesën e këpucëve në fund të koridorit. I shihja shpesh kur dilja me këpucët e reja. Ishin tharë si harenga nga dielli. Sikur më shkelnin syrin. I lashë me vite aty.
Puntoret e pastrimit të rrugëve kaluan në mëngjes duke lënë duhmën e rëndë që ngrihej deri në ballkon. I pashë derisa u zhdukën në kthesën e rrugës pa e menduar fare që kishin marrë këpucët e vjetra të mijat. Nëna mbas një fushatë spastrimi i kishte hedhur. Ajo ka pasur një marrëdhënie sokratike me botën. Po u infektua gishti prite. Ndryshe nga kjo e imja që mund të quhet mardhënie kinematografike, iluzore ose manipulative.
I kishte hedhur këpucët si të panevojshme dhe mirë kishte bërë. Ç’hyjnë në punë! – tha me njëfarë egzistencializmi ballkanas pa dhënë shpjegime…
.
Marrë nga muri i fb i Ali Lucës, 27 gusht 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.