Tue pritë Nanë Terezën (1991)
Poezi nga Jozef Radi
Dola me e pritë
njat grue të mpakun dhimbjesh,
pse bota e vogël kish mbetë
si gur n’sandallet e saj.
.
Dola me e pritë me zemër t’mbushun
rrugës ku tanket kafshojnë rrug’t e mjerimit.
.
Ia mbusha duert e saj eshtake
me mimoza – si lot fëmije,
edhe mirseardhjen
me lamtumira anijesh
të mbytuna ndër dete hikjesh,
ia urova.
.
Dola me pritë Nanë Terezën
me qiej tmerri mbi shpinë.
.
Dola me e pritë, me i folë, me e puthë
i papërziem me klithma hipokrite,
dola thjesht, me e pritë si Nanë
mes t’mirëveshunish shpirtëzbathun,
që tan’ jetën Zotin e saj e tonin
e kishin tallë.
.
Dola me e pritë
njat grue t’vocërr sa grima,
që hecte thuej si erë
zdathun
ndër plagët e mëdha
t’kësaj bote.
1991
.
(Poezia asht botue në vëllimin poetik “Kujtesa e Mjegullës”, Tiranë 2000)