Dobësia jote nuk mund të jetë idealizmi im!
nga Elona Caslli
-Nuk ka mundësi! Ti diku do të shkosh dhe diçka do të bëhesh! – më shkruan ti.
-Askund nuk do të shkoj dhe asgjë nuk do të bëhem! – të përgjigjem unë.
-Nuk ka mundësi! Ti diku do të shkosh dhe diçka do të bëhesh! – këmbëngul ti.
-Askund nuk do të shkoj dhe asgjë nuk do të bëhem! – këmbëngul unë.
Pse nuk paska mundësi që një ngjarje të zhvillohet përtej skemës që ti ke ndërtuar në mendje?!
Pse nuk paskërka mundësi që veprimi im të jetë përtej gjykimit tënd?! A ma thua vallë?!
Nuk përgjigjesh dhe ndërton një skemë tjetër duke përsëritur të njëjtin refren por kësaj here nënqesh…
-Nuk ka mundësi! Nëse nuk do të bëhesh asgjë dhe nuk do të shkosh askund, atëherë je thjesht një idealiste.
Të vëzhgoj për një kohë të gjatë dhe krejt e qetë të them:
-Dobësia jote nuk është idealizmi im. Është thjesht dobësia jote. Mos e lër në prehrin tim. Strehoje diku tjetër. Unë nuk di ç’të bëj me dobësinë tënde. Ajo të përket ty.
Të mos jesh gënjeshtar, nuk do të thotë se medoemos je idealist. Je thjesht një njeri që nuk gënjen.
Të mos jesh hajdut, nuk do të thotë se medoemos je idealist. Je thjesht një njeri që nuk vjedh.
Të kryesh mirë një detyrë, nuk do të thotë se medoemos je idealist. Je thjesht një njeri që merr përgjegjësi mbi vete.
Pra, ajo çka ti e quan idealizëm në të vërtetë, është thjesht respekt për veten.
Ndaj, ki mirësinë që Dobësinë tënde të mos të ma shesësh si idealizmin tim.
.
Post Scriptum: Kushtoji më shumë kohë Dobësisë tënde se Idealizmit tim!
.
Muri i Fb i Elona Caslli, 5 shtator 2019