Nji njeri me nji dinjitet të jashtëzakonshëm…
Intervistë e gazetares Tefta Radi
me shkrimtarin Rudolf Marku*
Z. Marku Ju jeni njohur me Lazër Radin ç’përshtypje ju ka lanë si personalitet, si intelektual e ç’mbresa keni nga ajo figurë?
Kam pasë fatin që të njifem me zotin Lazër Radi dhe është nji ndër njohjet ma fatlume të jetës sime. Duhet të them shkurtimisht, se gjatë jetës kam pasë fatin të takoj shumë njerëz, kam udhëtue shumë gjatë jetës dhe fati që kam udhëtue më kam njohur me gjithfarë njerëzish, që nga shpikësi i kompiuterit Conad Syzet që e kam takue rastësisht në nji universitet të Gjermanisë. Aty mora vesh se ishte shpikësi i kompiuterit e ishte ende gjallë. Në këtë galeri të pafundme personazhet e njerëzish që kam takue njohjen me Lazër Radin e quej nji ndër privilegjet e jetës sime.
E kam takue për herë të parë nga viti 1991. Miku im shkrimtari Visar Zhiti më thotë: “Rudolf njof Lazër Radin edhe dua që ta njohësh edhe ti! Unë e kam mik, a shkojmë e i bajmë nji vizitë në shtëpinë e tij…” i them se do të ishte një kënaqësi e madhe. Shkojmë dhe takohemi me Lazër Radin, Atraksioni i parë, tërheqja e parë e imja ishte nga që Lazri ishte njohës dhe mik me Migjenin, ky fakt më intrigoi shumë, sepse ka shumë njerëz që i dalin për zot njohjes së Migjenit, po edhe ata që e kanë njoftë Migjenin flasin në mënyrë kaq skematike sa dashje pa dashje të japin me arsye me dyshue: a e kanë njoftë vërtet apo s’e kanë njoftë. Fjala vjen, janë ba shkrime për Migjenin që dikush thotë kam këpucën e Migjenit që s’ka pikën e randësisë këpuca apo trikoja e Migjenit se sa të flasësh për gjërat intime të Migjenit.
Ky ishte atraksioni i parë.
.
Takohem me Lazër Radin dhe gjej nji xhentëlmen të Viteve Tridhjetë, nji intelektual të asaj race që janë në zhdukje e sipër, nji racë njerëzish intelektualë që nuk i vijnë ma Shqipërisë. E kjo mua më duket nji nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit tonë. Ishte njeri me nji dinjitet të jashtëzakonshëm. Marrë vesh që ky njeri asht shkrimtar, asht poet, asht studiues, asht edhe përkthyes. Krahas këtyre e në harmoni me faktin që asht intelektual i klasit të parë edhe nji nga intelektualët ma me dinjitet, që ka bërë dyzet vite burgje dhe internime. E kuptoj që n’atë kohë që për mue ishte e pakuptueshme, pse ky njeri duhet të kalonte përmes ferrit përmes kalvarit të vuejtjeve dhe njof nji njeri që gjatë gjithë kohës flet me pasion për letërsinë, për mikun e vet Migjenin, për librat, pa thanë asnji fjalë për vuejtjet e veta!! Asht nji njeri që ka dijtë ta manaxhojë vuejtjen e vet. Vuejtja duhet manaxhuar, dhe jo çdo njeri arrin ta manaxhojë vuejtjen e vet. Ka njerëz që kanë ba katër o pesë vite burg (edhe nji ditë të vetme burg me ba asht nji fatkeqësi se asht privim i lirisë së njeriut) po ka njerëz më pas që vuejtjet e veta janë mundue t’i kthejnë në karta bankare, për të marrë njohje e gjëra etjera.
Lazri është njeri që gjatë gjithë kohës që kam folë me të, e që kemi ndejtë bashkë, nuk diti nji herë të përmendte burgun ose internimin e vet.
Nji njeri me nji dinjitet të jashtëzakonshëm, nji njeri me vetëdije të nji intelektuali shqiptar që nuk ka se si që nuk ka se pse të flasi për veten e vet. Nji njeri i çliruem nga çdo lloj izme. Ai më kujtonte diçka nga ato njerëz të cilët unë kam pas fatin t’i kem miq si Gjon Shllaku, përkthyes i Iliadës dhe Odisesë nji burrë fisnik i jashtëzakonshëm, si mësuesi im i latinishtes profesori Henrik Lacaj, nji njeri, nji intelektual i klasit të parë, përkthyes i latinishtes dhe greqishtes së vjetër, përkthyesi i lirikëve grekë. Këto njerëz mu kujtuen menjiherë sapo pashe Lazrin. E klasifikova dhe e bashkova me këtë familje të njerëzve të mëdhej shqiptarë, të intelektualëve të Viteve Tridhjetë, atyre intelektualëve që kanë dinjitet, që kanë dije, që kanë sqimë, që kanë klas dhe kanë zor të flasin për veten e tyre, në nji kohë kur sot jetojmë në nji shoqëri që pa ba asgja, njerëzit bërtasin për veten dhe pretendojnë se janë qendra e botës. Lazër Radi asht nji intelektual i jashtëzakonshëm që na mëson se si duhet manaxhue vuejtja dhe dinjitetin e heshtun. Dinjiteti gjithmonë asht i lidhun me heshtjen e jo me britmën, apo rrahjen e gjoksit.
Pastaj më ka qëllue ta takoj mbi dhjetë herë të tjera Lazrin. Kam shkue njiherë me përsëri me mikun tim Visarin dhe me Robert Elsienë. Roberti i mahnit, kishte arsye për t’u mahnitë sepse Lazri është njeri që gjindet rrallë jo vetëm në Shqipëri, po edhe intelektualë në botë. Ata janë nji grup, tipologji e intelektualit që edhe në botë mundesh me e gjetë rrallë. Kam pasë kënaqësinë që t’i lexoj poezitë e Lazrit e më pas më ka qëllue të lexoj edhe nji përkthim të tij, nji poeme të Jevrem Bërkoviq. Jevrem Bërkoviq asht nji poet nga Mali i Zi, ka qenë mik edhe me Evgjeni Jevtushenko, poetin rus! Kur e kam takue Jevtushenkon për herë të parë më 1991, më tha se do të shkoj t’i bëj nji vizitë Jevrem Bërkoviqit. Për koinçidencë Jevrem Bërkoviqin e kisha njoftë dhe kisha njifarë miqësie me të, nji burrë shumë fisnik dhe poet shumë i talentuem. Mua më mahniti se si Lazri ishte orientue sepse kur vjen puna për të përkthye nji vepër, përkthimi s’asht vetëm çështje e njohjes së gjuhës, orientimi kryesor merita kryesore asht që çfarë libri të kap dora me përkthye, te zgjedhja, ti ke nji pafundësi të bilbiotekës botnore pafundësi librash, problemi që çfarë zgjedh për të përkthye aq i randësishëm sa dhe aftësia për ta përkthye gjuhësisht kët vepër. Noli asht nji përkthyes i madh sepse ka ditur të orientohet ndaj autorëve të mëdhej. Po të kishte përkthyer nji shkrimtar mediokër e të mos t’u kthente Shekspirit ose Edgar Allan Poe, Noli nuk do të ishte aq përkthyes i madh sa ç’është sot. Dhe problemi i Lazrit ishte që ka pikasë, ka gjetë nji poet edhe nji vepër të mrekullueshme e të rrallë dhe përsëri nuk asht çudi! Unë kam aq eksperiencë në jetë sa të mos çuditem lehtë. Ky libër asht lanë në heshtje, dhe unë e kuptoj pse: sepse gjithmonë zhurma rrethon veprat boshe, ato gjërat boshe dalin në sipërfaqe, ato janë të dukëshme, gjërat me peshë arrijnë në fund dhe presin kohën e tyre për t’u zbulue. Përkthimi i Lazrit asht përzgjedhje dhe asht përkthimi gjuhësor i mrekullueshëm. Asht nji poemë që unë doja nji përkthim të cilën do t’ia kisha rekomandue çdo lexuesi shqiptar, që ta lexoj! Asht nji përkthimm brilant dhe nji përzgjedhje e mrekullueshme.
.
Ku qëndron kjo vlere e madhe sa e vlerësoni ju?
Asht nji poemë që për realitetin shqiptar për lexuesin shqiptar ka nji rezonancë të menjihershëm ka nji drejtpërdrejtshmëri të vargut d.m.th. metafora e poemës asht vetë poema, nuk ka spekullime metaforike të panevojshme mes vargjeve dhe kjo asht poezia ma e mirë, asht poezia vetë, që pa përdorë metafora pseudogoditëse asht vetë poema që kur e ke lexue deri në fund asht vetë nji metaforë! Ka nji moment ky libër kur autori flet për krimet e Stalinit. Unë po të tregoj vetëm nji moment që Lazri e ka përkthy në mënyrë të mrekullueshme. Në 1952, dy vjet para se Stalini të vdiste, duket se ndjehesh pranë vdekjes siç ndodh me gjithë diktatorët kujtohet për t’u kujdesë për artin. Kujdesi për artin asht kujdesi për shpirtin dhe gjithmonë ai që e ka shpirtin të trazuem të paqetë do që për kompensim të kujdeset për shpirtin… dhe në Rusinë e asaj kohe asht nji pianiste që quhet Maria Judina. Maria asht nji pianiste e mrekullueshme që interpreton në mënyrën ma brilante Moxartin. Stalini kërkon që interpretimin e Maries ta bajnë nji disk inçizimi që ta ndigjojë vetëm ai, kaq asht i apasionuem mbas muzikës, mbas lojës së pianistes sa i çon tridhjetë mijë rubla pianistes ruse. Sekretari i Stalinit shkon te shpia e pianistes të çojë shpërblimin nga shoku Stalin, dhe pianistja i shkruen nji letër dhe ja çon Stalinit me postë i thotë: “Shoku Stalin të falenderoj për paret, po i mbaj jo për gjana tjera, po i mbaj që ta riparoj nji kishë me këto pare që të lutem me shpirt për shpirtin tand prej krimineli…” Ajo pati guximin për t’ia thanë Stalinit që të zhdukte për nji çerek fjale ose pa asnji fjalë, ka zhduke personalitete ma të madha. Ajo pati guximin me ia thanë të vërtetën, at të vërtetë që askush tjetër nuk e dinte ma mirë se sa Stalini se sa kriminel ishte! Stalini çuditërisht filloi të dridhet. E mori letrën dhe në 53-shin kur ka vdekë, ia kanë gjetë letrën nën jastëk. E lexonte natë për natë dhe asaj s’i bani absolutisht asgja, sepse në njifarë mënyrë pati respekt për të vetmin njeri që pati guximin t’ia thotë atë të vërtetë që askush tjetër s’e dinte më mirë se vetë ai! Kët pasazh të përkthyem nga Lazri në gjuhën shqipe e bjen me nji qartësi maksimale të fjalës dhe me nji përkthim brilant!
Për Lazrin kam kujtime të mrekullueshme. Tani që ai asht në jetën e përtejme unë kujtoj gjithmonë dhe shpirtnisht e ndiej shumë afër, dhe asht nji nga njerëzit për të cilin e quej veten me fat që e kam njoftë, dhe uroj që shpirti i tij të prehet në përjetësi.
.
E kështu Lazër Radi, shok e mik me Pashko Gjeçin, Qemal Stafën, Arshi Pipën, Xhemal Brojën Migjenin dhe tërë këta, qenë vlera të Viteve 30…
Po po të tanë këta intelektualë të mëdhej, nuk asht problemi që kanë pasë klasë intelektuale nga mënyra e veshjes nga eleganca nga nga mënyra e jetesës, mënyra se si flisnin si ndërtonin bisedën… Asht nji racë tjetër, duket sikur me thanë ku u zhduk kjo racë njerzish të rrallë.
Ju falenderoj shumë.
Falemnderit!
Vjeshte 2015
*Ps. një pjesë e kësaj interviste është e vendosur në dokumentarin “Gogota e Lazër Radit”, që u shfaq me rastin e 100 vjetorit te lindjes