back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Jakov Milaj pionier i Antropologjisë Shqiptare

Gazeta

Jakov Milaj (1911-1997) - Raca Shqiptare
Jakov Milaj (1911-1997) – Raca Shqiptare

Jakov Milaj pionier i Antropologjisë Shqiptare

Ajo që e bëri të famshëm Jakov Milajn si intelektual është padyshim libri i tij monument “Raca Shqiptare”, vepra e parë antropologjike shqiptare. Kur u botua ky libër, atë ditë janari të vitit 1944 autori ishte ende i ri, vetëm 31 vjeç, megjithëse njihej si shok i Migjenit, Petro Markos, Branko Merxhanit, Andrea Varfit, Mitrush Kutelit, Vedat Kokonës, etj, ose e thënë ndryshe, ai ishte pjesë e elitës intelektuale të viteve ’30. Me një profil të spikatur krijues ky intelektual i shquar do të ishte protagonist i një sërë ngjarjesh të kohës, derisa regjimi komunist e detyroi të heshte për një periudhë të gjatë kohe, duke e persekutuar dhe spostuar këtë figurë të kulturës dhe shkencës shqiptare.
Jakov Milaj, lindi në 25 Mars 1911, në lagjen Shkozë të qytetit të Fierit, në familjen e Naun Milajt, një tregtari të vogël, që jetesën e tij dhe të familjes e siguronte me punë të ndershme.
Fëmijëria dhe rinia e hershme e Jakovit do të kalonte me shpejtësi në kohëra të vështira dhe plot tallaze për Shqipërinë, siç ishin Lufta e Parë Bbotërore, luftërat për të siguruar integritetin e Popullit Shqiptar, lëvizja demokratike e viteve 1920-1924, etj. Tek i riu fierak ndikuan me personalitetin e tyre figura të tilla si patrioti demokrat Naum Prifti, kushëriri i parë i nënës së tij dhe mësuesi në gjimnazin e Shkodrës, intelektuali Mirash Ivanaj.
Qysh në bangat e shkollës së mesme u angazhua me lëvizjen kulturore si Kryetar i Shoqatës Besa Shqiptare. Përvojën e grumbulluar këtu si një veprimtar i shquar shoqëror ai e vuri në zbatim në qytetin e tij të Fierit. Së bashku me studentë të tjerë si Jorgji Xoxa dhe Namik Resuli, Jakov Milaj do të ishte nismëtari i organizimit të shoqërisë sportive Apolonia, ku do të zgjidhet edhe Kryetar i saj. Këtu punoi për organizimin e aktiviteteve sportive të saj së bashku me Mustafa Kaçaçin të cilin e kishte pasur shok qysh në Gjimnazin e Shkodrës.
Pas përfundimit të shkollës së mesme i riu Milaj punoi disa kohë si mësues dhe për një tjetër periudhë shërbeu si Kryetar i Komunës Kolonjë. Në këtë kohë ai nis të shkruajë dhe të merret me publicistikë në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit Shqiptar si: Arbëria, Përpjekja Shqiptare, Gazeta e Tiranës, Besa, Vatra etj. Në vitin 1935, Jakov Milaj merr pjesë në Kryengritjen e Fierit, e cila tentoi që të rrëzonte nga pushteti Mbretin Zogu I-rë. Dështimi i saj bëri që ai të arrestohej dhe të dënohej nga gjyqi special me burgim të përjetshëm në shtator 1935. Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë Jakov Milaj do të lirohet dhe niset për në Itali, ku studjoi në Universitetin e Torinos për Veterinari. Pasioni dhe përkushtimi e bënë që studimet t’i mbaronte shkëlqyeshëm, ku Diplomën e mbrojti me temën: “mbarështrimi i dhenëve”.
Në Torino ai ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për tu kuruar në Senatoriumin e Tore Peliçe. Në takimin e fundit Millosh Gjergj Nikolla i besoi atij dorëshkrimin e Poemës Vargjet e Lira, të cilin Milaj e ruajti dhe e solli në Shqipëri, ku nisi të punojë si mjek veteriner.
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Gjatë kësaj kohe ai arriti edhe kulmin e karrierës politike duke u emëruar si Ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Maliq Bushatit gjatë vitit 1943.
Si ministër kërkova që zonat pyjore të shkëputeshin nga administrimi Italian dhe që Policia Pyjore Italiane të zëvendësohej me Policinë Shqiptare, shkruan Jakov Milaj, në kujtimet e tij. Kërkesa ime nuk u përfill nga Bushati dhe Pariani, ndaj dhashë dorëheqjen. Ishte një turp ajo Qeveri…!
Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Milaj mbeti i paangazhuar dhe në Janar të vitit 1944, botoi librin Raca Shqiptare.
Megjithëse Tirana ishte e çoroditur në atë periudhë çuditërisht qarqet intelektuale e pritën mirë librin shkruante në atë kohë Jakov Milaj.
Pas çlirimit erdhi një tjetër realitet. Në vitin 1945, nën akuzën si kolaboracionist, u dënua nga gjykatat komuniste me 15 vjet burg. Pasi bëri 6 vjet të tillë, nga të cilat 3 në kamp pune si në Kamëz dhe Xhafzotaj. Jakov Milaj u lirua duke përfituar nga amnistitë. Por persekucioni do të pasohet nga internimi fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit.
Në vitin 1956, lejohet të vendoset në Fier, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët, Donikën, Agronin dhe Linditën.
Po këtë vit nisi të punojë në Ndërmarjen Bujqësore Çlirim në Fier, në të cilën punoi për një dekadë.
E kam njohur doktorin për herë të parë në fermën Çlirim, si një njeri të përkushtuar, intelektual, i cili nuk e kishte për turp që në mes të bagëtive të jepte kontributin e tij thekson në një kumtese të mbajtur në vitin 1995, Prof. Bedri Dedja.
Krahas punës së përditshme si mjek veterinar derisa doli në pension Doktor Jakovi në këto vite botoi tetë libra për blegtorinë, që ishin një ndihmë e çmuar për plotësimin e njohurive mbi këtë aktivitet.
Vitet e fundit të jetës i kaloi në Fier, ku me kënaqësi të veçantë priti edhe shndërrimet demokratike të viteve 1990.
Vdiq në 2 Janar të vitit 1997 në moshën 85 vjeçare dhe u varros në varrezat e Fierit, aty ku disa vite më parë ishte kujdesur që të gjendeshin dhe sistemoheshin eshtrat e poetit Sejfulla Malëshova, vdekur vite më pare në këtë qytet nën persekucionin e egër të Diktaturës komuniste.
Njohës i thellë i shumë disiplinave shkencore Dr. Jakovi ishte një enciklopedi lëvizëse. Janë me dhjetra studimet e tij të botuara në formë librash, broshurash, artikujsh në revista, gazeta, etj. Ai është prezantuar përpara rretheve intelektuale si historian, publicist, eseist, linguist, etnolog, zooteknik, veterinier dhe antropolog.
Aktivitetin e tij intelektual J.Milaj e nisi në fushën e publicistikës ku nisi të shkruajë qysh në bangat e shkollës. Artikujt e parë ishin nga historia dhe përkthime të marra nga shtypi i huaj. Mund të përmendim artikuj mbi Markonin, Letërsinë Bullgare, Kemal Ataturkun, Jetën e Bethovenit, të cilat i përkasin fushës së Shqipërimit, kurse nga publicistika historike mund të përmendim artikuj të shkruaj tek gazeta: Përpjekja Shqiptare si: Hymni i flamurit, Dom Ndre Mjeda, Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar, Drita e flamurit, Vlora në 28 Nëntor, apo tituj të tjerë që i gjejmë tek gazeta Besa si: Tiparet e Ilirëve, Kostandin Kristoforidhi, etj.
Një pjesë artikujsh ruhen sot si dorëshkrime në familjen e Dr. Jakovit në Fier, nga ku mund të përmendim tituj pambarim.
Një pjesë kohe gjatë gjysmës së pare të viteve ’30, Jakov Milaj punoi si redaktor në Gazetën Vatra që drejtohej nga Timo Dilo dhe Përpjekja Shqiptare e Branko Merxhanit. Pikërisht këtu ai njohu siç e përshkruan në kujtimet e veta një ditë vere të vitit 1936, në një nga restorantet e Tiranës atë që do të bëhej një nga miqtë e tij më të ngushtë, Migjenin.
Ndërkohë krahas publicistikës, Doktor Jakovi kishte pasion të veçantë për historinë. Studimet historike ai i nisi fillimisht duke grumbulluar material terreni për të vazhduar me hulumtime më të gjëra dhe punime sintezë. Punime të tilla si “Fieri ynë i lashtë”, “Ngritja e flamurit në Fier”, “Kisha e vjetër e Fierit”, “Vrionasit”, “Fieri në luftën e Vlorës”, “Naun Prifti”, përbëjnë sot burimin kryesor për historinë e Fierit dhe rajonit të tij. Gjithashtu kujtimet e Jakov Milaj për Kryengritjen e Fierit të vitit 1935, ku ai ishte një pjesëmarrës aktiv janë punimi më i mirë në këtë fushë. Për këtë ngjarje që tronditi regjimin monarkist Shqiptar përpara 75 vjetësh.
Duhet theksuar se në këto shkrime që i përkasin publicistikës historike por edhe karakterit studimor gjen vëzhgime të drejpërdrejta, dhe hipoteza nga më interesantet të mbështetura në një metodikë të mirëfilltë shkencore.
Kështu Dr. Jakov Milaj është i pari që formulon tezën se stacioni i parë i degës jugore të Egnatias është Fieri, emri i të cilit në antikitet ishte Ad Novas. Po kaq intriguese është edhe teza tjetër që ai e hedh tek studimi i kishës së Shën Gjergjit, ku midis të tjerave thotë se: Në shekullin e XVI, për të përkujtuar emrin e heroit, komunitetet ortodokse në jug të Shqipërisë i ndërruan emrat e kishave të tyre nga emrat e mëparshëm në Shën Gjergj, vetë për të mbajtur gjallë ëndrrën e lirisë. Krahas aktivitetit intelektual Jakov Milaj punoi i përkushtuar edhe në profesionin e tij duke u shdërruar edhe në një nga personalitetet e kësaj fushe në vendin tonë.
Mbasi mbaroi fakultetin në 17 korrik të vitit 1939, Jakov Milaj u kthye në Shqipëri, dhe nisi punën si Shef Laboratori në Durrës e më pas në Korçë.
Në nëntor të vitit 1939, ai u rikthye në Fier duke themeluar shërbimin veterinar në këtë Nën/Prefekturë. Si inspektor veterinar ai punoi me përkushtim duke i vënë njohuritë e tij të thella në shërbim të kësaj fushe. Pas Çlirimit vijoi të punojë përsëri në profesion fillimisht në Kamëz, Xhafzotaj, Llakatund të Vlorës dhe më pas në Ndërrmarjen Bujqësore Çlirimi në Fier, ku qëndroi si Kryeveteriner derisa doli në pension.
Përveç punës në terren, këshillave dhe konsultave të panumërta Dr. Jakov Milaj dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në një numër botimesh të shumta të karakterit praktik dhe shkencor.
Në vitin 1960, u botua libri i tij: Si të rritim viça të shëndoshë, i cili u pasua nga të tjerë libra nga shtëpia e propagandas bujqësore si: ABC-ja e mjelëses, viti 1973, Sëmundjet e derrave, 1973 dhe shënime mbi pjellorinë e lopëve në vitin 1982.
Ndërkohë që në vitet 1960 Jakov Milaj ishte edhe autor i një sërë librash shkollore për studentët e institutit të lartë bujqësor, të degës së veterinarisë si: Rritja e Buallicës, Sëmundja e viçave në rritje, Mbrojtja e shëndetit të kafshëve bujqësore, etj. Gjithashtu si autor dhe bashkëautor ai botoi një sërë artikujsh shkencorë në vitet 1965-1981 në Buletinin e Shkencave bujqësore dhe gazetën “Drapër dhe Çekan”. Por vepra që e bëri të famshëm Dr. Jakov Milajn është: “Rraca Shqiptare”, e cila është e para monografi antropologjike në të cilën provohet prejardhja e popullit shqiptar në mënyrë shkencore.
Çdo shkencë e mirëfilltë ka prekursorët e saj thotë për të Prof. Dr. Aleksandër Dhima. Është e vërtetë se antropologjia si pjesë e shkencave albanologjike u fut në udhë të mbarë në këto dekadat e fundit, por ajo ka si pionierin e saj Dr. Jakov Milajn. Për të shkruar këtë vepër autori i hyri punës “si një nevojë shpirtërore, një mungesë që Shqiptari e ka ndjerë për të njohur veten e tij. Kështu ai dha botës shkencore një vepër të mirëfilltë antropologjike duke i bërë një shërbim të shquar kulturës kombëtare në drejtim të njohjes së racës Shqiptare.
Duke shfrytëzuar një bibliografi të gjerë që fillon që me shënimet e Jul Çezarit dhe autorëve antikë e deri tek autorët bashkëkohës së tij.
Jakov Milaj trajton një problematikë të gjerë ku me një kompetencë të mirëfilltë shkencore na jep midis të tjerave edhe përshkrimin fizik të Shqiptarit, i cili ka një trup të gjatë, bustin të zhvilluar mirë dhe të fuqishëm. Koka e tij është e lartë, por shumë e shtypur nga prapa dhe e zgjatur në të dyja anët. Flokët janë të errët, aget e syve me ngjyrë të mbyllur. Hunda e drejtë ose pak e përkulur është e hollë dhe e ngushtë në rrëzë. Fytyra zeshkane duket përgjithësisht mjaft e gjatë. Kështu me një skrupulozitet të jashtëzakonshëm duke renditur një e nga një faktet shkencore Dr. Jakov Milaj thekson se duke qenë Brakicefalë. Shqiptarët dallohen nga racat e tjera të Ballkanit dhe Europës.
Sikur të krahasoj me shtatin e Shqiptarëve me ato të popujve fqinjë shohim se Bullgarët e Maqedonisë e kanë shtatin më të lartë se ato të zonave lindore, d.m.th krejt të barabartë me atë të Shqiptarëve. Pra ato që i thonë vetes maqedonas duhet të kenë shumë gjak shqiptar.
Në jugun e vendit tonë gjenden grekët, të cilët kanë lartësi trupore të njëjtë me ne. kjo veçori bën të besosh se shumica e grekëve, posaçërisht pjesa perëndimore janë të një race me shqiptarët, biles janë shqiptarë që kanë humbur gjuhën. Me përfundimet e studimeve të tij Dr. Jakov Milaj hedh poshtë edhe tezat e autorëve sllavë që thonë se shumica e kosovarëve dhe dibranëve përbëhen prej Serbëve të Shqiptarizuar, duke argumentuar origjinën e vërtetë të vëllezërve tanë të veriut dhe verilindjes si prurje të elementit arbëror.
Ky është pra mesazhi që sjell “Raca Shqiptare” që siç thekson Prof. Kristaq Shtëmbari. Ajo mbart tone patriotike dhe një frymë të pastër kombëtare. Ato tone për të cilat autori shkruan se nuk ishte antropologjia qëllimi kryesor i librit. Në atë kohë në Shqipëri flitej për çdo gjë, veç për ndjenjën kombëtare flitej pak, kështu Jakov Milaj shkroi dhe botoi “Rracën Shqiptare” për të cilën Prof. Anton Çeta i tha autorit mbas 50 vjetësh nga botimi i librit se: “Në Kosovë “Rracën Shqiptare” e kemi mbajtur si Ungjill…”
Doktor Jakovi përveçse trashëgimnisë shkencore dhe intelektuale, ka lënë edhe një trashëgimi familjare, për të cilën u kujdes me një përkushtim të veçantë prindëror.
Vajza e madhe Donika, sot në pension mban titullin: “Mësuese e Merituar”. Së bashku me bashkëshortin Albertin ajo banon në Fier dhe fëmijet e tyre Dritani dhe Imelda ashtu si prindërit e tyre janë mësues në profesion.
Fëmija i tij i dytë, Agroni është në profesion Mjek Bakteriolog. Në vitet 1990, ai ka qenë i angazhuar edhe në politikë duke mbajtur poste të tilla si: Prefekt i Beratit dhe Kryetar i Bashkisë së Fierit. Edhe ai banon me familjen në Fier, ndërsa i biri Inklidi është diplomuar si Dr. në Shkencat Juridike në Milano dhe është një nga penat e njohura të publicistikës shqiptare sot.
E motra e tij Jonida, me gradën shkencore Docente punon së bashku me bashkëshortin si Pedagoge në Universitetin e Mastritit në Holandë. Ndërsa Lindita, vajza tjetër e Dr. Jakovit e diplomuar për biokimi banon së bashku me bashkëshortin në Vlorë. Vajza e tyre e madhe Dorina, është inxhinjere, kurse motra e saj Denisa Xhoga është një ndër gazetaret e njohura të shtypit të shkruar.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.