Fjalimi i kryeministrit Rexhep Mitrovica më 28 Nëntor të vitit 1943,
mbajtë në mikrofonin e Radio Tiranës
Thirrje Rinisë
Motra e Vllazën,
Zgjodha ditën fatlume të rifitimit të lirisë kombëtare, për t’ju folun juve luftëtarë dhe gjithë popullit, pse kjo asht dita qi bashkon dhe vëllaznon në frymën e paharrueshme të fitores të gjithë shqiptarët.
Due t’ju ftoj pra, të gjithë vllazën shqiptarë, qi të mendoni thellë mbi nji të vërtetë të madhe; të mendoni se në pragun e ngjarjeve të mëdha të periudhës s’afërme, përgjegjësina të randa do të na ngarkojë kjo gjendje anormale e Vendit.
Në periudhën e shkurtën, qi kaluem prej shgatrrimit dhe largimit t’ushtrivet italjane, deri në formimin e qeveris së parë të lirë dhe indipendente, çka pau ky Vend’i zi, çka psoi ky popull i mjerë, sa ndodhina të mëndershme, sa sheja të frigëshme na u paralajmuen për rrokullisjen e madhe qi po na kërcnohet.
Me veprimtarin e ushtrueme prej terroristave, na kemi pà mâ të mirët midis nesh të bijnë prej plumbavet të tyne ase prej armëvet të ndonji të marri. Prej plumbavet të terroristavet na u vranë djelmt mâ të mirë qi me inteligjencën, me karakterin, me guximin dhe auktoritetin e tyne, ishin të zott të përmblidhshin rreth tyne energjinat e shpërndame të Kombit, të qindrojshin dhe të ngadhnjejshin përmbi vështirsinat mâ të randa. Pamë fuqitë botore, drejtësinë të pritojë t’i kapi fajtorët e vërtetë, t’i dënojë ata qi kishin frymzue vrasjen. Në këto muejt e fundit, pamë nëpunësit e administratave të ndryshme, armatura themelore e shoqnis s’onë, të sabotojë, të pezullojë shërbimet e interesit botuer dhe të rrezikojë Vendin në nji rrokullisje të përgjithëshme.
.
Terrorizmi një sistem politik i një doktrine të huej
Kemi pà njerëz t’errët të shkojnë nëpër shtëpija të Ministravet dhe t’i vrasin mu në dhomë, pa mujt m’u kapë. Kemi pà njerëz t’armatosun midis ditës t’i shtrëngojnë nëpunësit qi të mos lajmojnë auktoritetin deri sa t’i shvishnin magazinat e nozullimevet. Kemi pà mësuesit e Shtetit, të ngarkuem me edukatën e kalamajvet, qi do të bahen nesër arbitrat e politikës së Shqipnis, pra Zott e Shqipnis, të përbuzin Atdheun, t’i shtyjnë ushtarët tonë, dikur nxansit e tyne të dezertojnë, të bashkohen e të vëllaznohen me anmikun kundra popullit, kundra vëllaut. Kemi ndigjue të parapëlqehet, në vend të hymnit të Flamurit, kanga e ndërkombëtares; të mbeten të shkujdesun kundrejt ngjarjeve si ajo e masakrimeve të bâme mbi mija shqiptarë dhe të mbyllen dyqanet për 4-5 të vramë komunistë. Kemi pâ formimin e skuadrave dhe urdhnat e dhanuna prej tyne për pushkatimin e djelmënis atdhetare. Kemi pà shqiptarë t’u presin hundë e buzë shqiptarvet, punë qi âsht në kundërshtim me zakonet fisnike të Shqiptarit dhe nji importim nga zakonet mâ t’egrat e të huejit.
Terrorizmi ndër né, qi vazhdoi muej e muej, nuk ishte si shifet nga këto fakte, nji valë përshkuese qi ka mund të ngjajë aty këtu.
Jo, ai ishte nji sistem politik, nji methudhë, zbatimi i nji doktrinës së huej.
Shkurt, në vend të ligjës, sundoi grushti.
.
Shënja keqësimi per t’arthmen e Kombit
Kur në nji regjim falimenton magjistratura dhe drejtësija bjerr kuptimin e misjonit të vet, qi âsht mâ i madhi e mâ bujari i të gjithëve; kur nënshtetasi nuk mundet me e mbështetë ma shpresen e tij mbi pavarësin e gjyqtarëve për të mprue të drejtën dhe për të gëzue drejtësin, atëherë çdo normë bjen poshtë, gjithëshka shkon mbrapsht. Asht rrënimi i krejt ndërtesës shoqnore. Në ndonji vend tjetër, asnji fuqi njerzore nuk do të kishte mund me qindrue sikur të mos i mbështetej aprovimit të popullit, sikur të mos legjitimohej me anë të shërbimeve të bâme për té.
Mungesa e njij sigurije të madhe si kjo e tashmja në Shqipni, e cila âsht edhe pa nji doktrinë qi ta udhëheqë, pa frymë të përbashkët, pa besimin qi çimenton bashkimin e popullit, përkundrazi i ndamë në mënina politike dhe lufta klasash, tingllimi i orës fatale duket i sigurtë. Ndoshta shqipëtarët janë mâ të mbramët qi shofin rreziqet e randa qi na kërcnojnë. Por të huejt, sidomos ata qi kanë pà vendet e tyne ndër këso rrethanash, nuk na e mëshefin gravitetin e gjendjes sonë dhe frigen qi i u kall e ardhëshmja e jonë. Sot, gjendja duket e mjerueshme, pse fuqija qendrore duket se ka mbetun pa forcë, pa auktoritet, pra pa prestigj, ndërmjet dy rrymave të fuqishme kundërshtare, në grindje për trashigimin e fuqis.
.
Pasojë e regjimit të mbrapshtë italjan. Kush e ka fajin?
Pakënaqësija qi mbretnon sot në Shqipni âsht prodhimi i regjimit të mbrapsht italjan. E Administrata dredhake e atij regjimi, shkaktoi humbjen e besimit të popullit në kryetarët dhe n’elitën e tij, pse regjimi italjan me dhelpnin e tij të njoftun mirë, përpiqej në çdo mënyrë qi fajet e tij, t’ia hidhte gjithmonë prijsave të popullit tonë, me qëllim qi të sillte nji përçarje të madhe midis tij dhe Prijsave të tij e mandej, nga grindja e popullit me prijsat, të përfitonte ai vetë. Unë nuk due ta shtroj e ta shqyrtoj tash pyetjen në se kjo mëni e popullit kundrejt prijsave âsht ose nuk âsht me vend. Por âsht nji fakt i pamohueshem se as njerzit qi na qeverisën gjatë katër vjetve të regjimit italjan, as klasat drejtuese, nuk dijtën të kuptojnë, të zbërthejnë dhe të zotnojnë problemet e ndërlikueme qi rodhen prej atij regjimi. Prandej pakënaqësija e popullit muer përpjestime gjithënji mâ të mëdhaja dhe turmat e tij prej pakënaqësije u hodhën në dishprim, i cili mâ në fund u bâ i papërballueshëm dhe i shtyni të sulmojnë deri institutet e vendosuna. Fuqinat botore kapitulluen përpara kryengritjes; elita e shtërngueme prej nji anarshije mendore hoq dorë nga misjoni i vet, ia lëshoi vendin furtunës, pa kërkue as me i bâ ndonji farë qindrese.
Nga kjo mungesë qindrese, natyrisht përfituen partizanët. Ata banë mâ parë propagandën në Rini dhe kjo pa mendue gjatë e shtyme vetëm prèj ndienjave, gaboi. U bâ agjent’i njij politike të pathellueme. Të shumtë janë ata qi luftuen për popull e për vend me nji frymë të vërtetë atdhetarije dhe të pakët janë ata qi shfrytëzuen forcat e tyne për hesap t’ideologjisë komuniste.
.
Me shtetin apo me anarkinë?
Tash asht koha të pyesim: a duem të jemi n’anën e Shtetit a po n’anën e anarshisë? Mos të përgjigjemi se nuk jemi as n’anën e njanit as n’anën e tjetrës. Atëherë do të shtypeshim midis njanit dhe tjetrës.
Qeverija nuk âsht për nji partì ose për nji klasë. Ajo âsht për çdo partì e për çdo klasë. Ajo siguron të drejta të barabarta për të gjithë.
Asht koha të zgjedhim: Rend e Rregull, auktoritet e drejtësi, ose anarshi, rrëmbim, grabitje dhe vrasje?
Jemi përpara nji dileme të pathyeshme të çastit qi sundon fatin tonë, si enigma qi iu shtrue Edipit prej Sphinxit. Duhet ta zbërthejmë ose të zhdukemi.
Fara e përçamjes sonë, asht mirë ta kuptojmë, nisi të shtrihet dhe të zgjanohet ndër né mbas ditës fatale të 7 Prillit të vjetit 1939. Fara e dasis sonë u mbuell prej okupatorit italjan me anë intrigash, dredhinash, ngatrresash dhe ideologjinash qi për né kishin qenë deri atëhere, gati krejt të panjoftuna. Popullin tonë të bashkuem e ndau dhe e përçau në grupe kundërshtare dhe sot, fryti i mundimeve t’atëhershme po duket qartas: fatkeqësija e madhe zotnon mbi gjithë Shqipnin pse Shqiptarët po vriten egërsisht ndërmjet vedi.
.
Vëllavrasja; mjerim i kombit
Asht nji mjerim i madh qi në Shqipninë qi ka dijtë të jetë e bashkueme në çdo kohë rreziku, sot në ditën mâ të madhe qi kà Kombi Shqiptar, në vend të lidhjes së ngushtë vllaznore, në vend të besës së mprojës s’Atdheut prej çdo rrezikut, të mbretnojë çka nuk âsht për t’ia urue as anmikut… Vllavrasja. Po mjerisht sot, në vend të harés së kremtimit të përvjetorit t’Indipendencës, nga malet e fushat e lyeme me gjak, vijnë vajtime, ngrihen klithma dhe digjohen gjamë qi lajmojnë kobën mâ të madhe të historisë sonë: Shqiptari po vret Shqiptarin.
Kjo s’âsht nji vllavrasje për të mirën e Vendit; por për zhgatrrimin e përjetëshëm të popullit dhe të Vendit e për dobi të të huejvet.
Zija e randë qi kà mbulue sot anë e kand horizontin e Shqipnis, shtrihet tmerrshëm mbi Berat, Durrës, Korçë, Dibër, Vlonë e Gjinokastër. Atje nanat e motrat t’ona, derdhin lot rrëkaj, qajnë e vajtojnë djelmt, vëllaznit, burrat dhe prindët e tyne të vramë prej dorës së shqiptarit.
Sa dhimbë e madhe! Sa mjerim i thellë! Sa humbje e kobshme për Vendin tonë!
Vllavrasjen, qi korr viktima dit për dit tash në Shqipni, nuk mundemi t’a quejmë kryengritje, as nuk mund ta krahasojmë me lëvizjet tjera revolusjonare qi kanë ndodhun në Shqipni, pse ato lëvizje shquhen e dallohen për qëllimet e nalta qi i kanë frymëzue. Dihet mirë se kryengritjet e mëdhaja qi kanë ndodhun në Shqipni gjatë pushtimit otoman, kishin për qëllim të fundit shpëtimin e Shqipnis nga robnija e huej. Kryefjala qi shprehte aspiratat e trimave tonët, ajo qi tregonte zjarmin qi i hidhte në përpjekje për epopenat e përmenduna, ishte lakonike, por plot kuptim: Ja Vdekje Ja Liri!
Herojt e atyne kryengritjeve, me këtë kryefjalë në buzë, në zemër dhe në shpirt, luftuen dhe u vranë për t’ia mbërrijtun Ditës së madhnueshme qi kremtojmë na sot. Na përgjunjemi para kujtimit të mallëngjyeshëm të këtyne Dëshmorve të mëdhaj të Liris kombëtare. Ata, me vetmohimin e tyne, na lan nji shembull që duhet të jetë drita qi të na drejtojë neve trashiguesave të fitores së tyne. Të vritemi vetëm për Shqipini dhe për të drejta të saja.
.
Karakteristikat e lëvizjes
Karakteristika e lëvizjes që na prunì gjendjen anarshike të sotshme, në fillim të luftës kundra pushtuesit italjan, ishte gati si e të gjitha kryengritjevet kombëtare: luftë pa kushte kundra pushtuesit për ta shporrun prej tokës Shqiptare… Por, ky program veprimi, qi pasqyronte besnikisht vendimin e krejt Kombit tonë, u shkëmbye me intrigat dhe me gishtin e huej, në nji luftë ideologjike u degjenerue në nji luftë klasash. Ma vonë, ky degjenerim mbërrini deri në bashkimin e Shqypes së lavdishme dy krenësh të Popullit Shqiptar me nji yllë të kuq të huej dhe përshëndetjen burrnore tonën, me grushtin e çuem kundra bashkimit të vëllaznimit kombëtar.
Po ajo lëvizja që ka sjellë anarshin e tashme, luftoi shpatat e Liktorit mbi Flamurin Kombëtar, Simbol i Lavdishëm i Luftarve për Liri. Këto impozime të pushtuesit nuk i duronte asnji shqiptar. Mirëpo, po ata qi luftuen këto sheja t’impozueme Simbolit tonë, lejuen qi, mbi Flamurin e Skanderbegut, të veheshin shêja të tjera, gjithashtu të hueja. Detyra e tyne ishte të mos i tolerojshin këto impozime qi, nën nji tjetër trajtë i kishin luftue ata vetë. Ky tolerim cënoi ndjenjat patriotike. E, Shqiptari, âsht ruejtës besnik i zakoneve dhe i traditave konservatore të mbajtuna me shekuj. Shqiptari, prandej âsht dhe mbetet atdhetar.
Ky gabim fatal, si edhe aj i fillimit të luftës ideologjike, kallun ndër né me dredhi e mjeshtri të madhe prej të huejvet i dha shkas hapjes së antagonizmit ndërmjet Shqiptarve, shkaktoi përçarjen dhe, ma në fund, vllavrasjen.
.
Ka ardhë koha për ndreqien e gabimeve.
Tash âsht koha qi gabimet të ndreqen.
Asht koha që, gremina e hapun në mes nesh, ajo qi na ndau dhe qi me thellësinë e saj po thith Rininë tonë të pa rritun mirë, të mbushet me çdo kusht, me çdo fli. Për këtë qëllim duhet të bindemi pikë së parit se anarshija e sodit nuk âsht në të mirë të popullit shqiptar. Asht bindje e plotë e jeme se gjendja kaotike qi mbretnon në Vendin tonë, po ia shkurton jetën krejt popullit, po edhe do ta dënojë të vdesë, nëqoftëse do të vazhdohet. Kjo politikë e madhe e Shqipnis së vogël, âsht gabim; pse, kahdo qi t’ia mbajë fitorja, Fuqinat e Mëdhaja do të kërkojnë të na gjejnë si nji Shtet i rregullt dhe i rëndëshëm.
Po të jetë se do të vashdojë anarshija e sotshme bashkë me paralizimin e çdo auktoriteti qeveritar, kush do t’interesohet për fatin e nji popullsije prej dy milion e pesqind mij frymësh qi do të mbetej në mes të katër udhëve, pa shtëpi, pa bukë, pa zjarm, pa dritë, e çveshun dhe e zbathun, dhe pa asnji shpresë për ditën e nesërme?
A asht n’interesen e Shqipnis qi nji të treten e popullsisë ta lamë të vdesi kështu? A shpëton Shqipnija tue e zgjanue anarshinë në çdo kand t’Atdheut? A asht në dobi të popullit tonë qi populli të mbetet në mëshirën e çdo njeriu qi kà mbi sup pushkën e qi me forcën e saj kërkon t’ushqehet në kurriz të katundarit? A i sigurojmë fshatarit nji jetë mâ të mirë, tue e detyrue qi të shgrehi pendën, të mos mbjelli tokën dhe ma në fund, t’i vejë zjarmin mos mbjelli tokën dhe mârrë malet?
Nëqoftëse nji grusht njerëz, qi kanë besimin e gabuem, se me terrorizëm, me vrasje e me presje, mund ta sundojnë vendin dhe se me grykën e kobures mund të pushojnë çdo zâ kundërshtimi, unë them se ata bajnë krimin mâ të madh mbasi faktet dhe ngjarjet e përditëshme na tregojnë se besimi i tyne nuk kà asnji themel.
Duhet të dihet nji herë e përgjithmonë se nji organizatë e ushtrueme prej nji pakice e mbajtun me terrorizëm, nuk mundet ta sundojë vendin, ashtu si nuk kanë mund me sundue askund.
.
Ç’na mëson eksperienca?
Eksperjenca e kryengritjeve na provon se sundimi me terrorizëm âsht sundimi mâ i mënimë. Pra i destinuem të zhduket mbrenda pak kohe. Por, mjerisht, plagët e hapuna prej këtij regjimi tmerri, nuk mbyllen aq shpejt, se gjaku kërkon gjak dhe tragjedija e këtij gjaku të derdhun nuk mbaron mbrenda njij afati të caktuem.
Për të dokumentue fatalitetin e veprës së organizatës terroriste, e cila mundohet ta mbajë nën kthetrat e saj Vendin tonë, mjafton të kujtojmë bilancin përfundimtar të periudhës së shkueme: zhgatrrimi dhe djegja e katundeve dhe e qyteteve… Mjerimi i pashembëllt i popullsisë së pafajshme t’atyne vendeve, të mbetun për jetë pa strehë, pa bukë, pa asnji përkrahje… Urrejtje pasjonale kundra njeni-tjetrit dhe pushkatime, vrasje mizore në mënyrën mâ trathtare… Zhgatrrimi i plotë i elitës së vendit dhe marrja në qafë e djelmënis së gabueme.
Po pse u banë të gjitha këto shëmtime, të gjitha këto fatkeqësina katastrofale?
Për asgja pozitive. Për asgja shqiptare.
Pikërisht kjo gjendje alarmuese dhe e padurueshme, na detyroi t’i bindemi nevojës imperative të formimit të nji Qeverije kombëtare, e cila përpara Kòmbit dhe përpara historisë, ka marrë barrën e randë të normalizojë gjendjen dhe të vendosë rend e rregull.
.
Zotimi i dhanun Popullit do té realizohet.
Zotimin e madh qi i kemi bamë Popullit, me anën e programit tonë, do të mundohemi ta realizojmë, pse në tanësinë e veprimit tonë, nuk kemi asnji qëllim tjetër përveç naltësimit t’Atdheut dhe t’atdhedashunis. Prandej ndjekim parimin e pushimit të vllavrasjes dhe ate të sigurimit të bashkimit total të Kombit.
Sot, kur po ju uroj përvjetorin e indipendencës sonë, un si Kryetar i Qeveris, po ju zotohem edhe nji herë se do të përpiqemi me të tana fuqinat qi Shqipnija të shpëtojë nga kaosi.
Eksperjenca e dy javëve qeverimi më dha të kuptoj se Kombi nuk ka vendos të shuhet dhe se do të rrojë.
Ja ky asht vendimi unanim i krejt Kombit. Un po e shqiptoj kët vendim edhe n’emnin e shejtënis së kësaj dite të madhe. Po i bâj thirrje Rinisë Shqiptare, Popullit, Fuqivet t’Armatosuna kombëtare, Ushtrisë, Gjindarmëris, nëpunsave, profesorave dhe mësuesave tue u kërkue bashkimin dhe bashkëpunimin e përzemërt dhe të pakursyeshëm, për ta shpëtue Shqipninë nga anarshija, për të mëkambë e për të forcue Shtetin tonë të lirë qi porsa âsht ngjallun rishtas.
Jam i sigurtë se thirrjes seme, qi buron nga nji patriotizëm e zjarrtë për shpëtimin dhe naltësimin e Kombit, për mprojtjen e të drejtave sovrane të Kombit, do t’i përgjegjen të gjithë.
Me kët besim të patundun ju ftòj të brohorisim:
Rrnoftë Shqipnija Indipendente!
Rrnoftë Populli Shqiptar!
U përjetsoftë kujtimi i Herojve të Kombit!
.
Rexhep Mitrovica kryeministroi në Tiranë nga 4 nëntori i vitit 1943, deri më 18 korrik të vitit 1944)
***
Marrë nga muri i Rexhep Shahu, 25 nëntor 2019 Foto e Regjencës Shqiptare:
Nga e majta në të djathtë Fuad Dibra, Mihal Zallari, Mehdi Frashëri, padër Anton Harapi, Rexhep Mitrovica dhe Vehbi Frashëri.