back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Shtegu i Kodoshëve – Tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Ramiz Gjini
Ramiz Gjini

Shtegu i Kodoshëve –

Tregim nga Ramiz Gjini

(Nga cikli: Na ishte njëherë socializmi)
 
Magazinieri i kooperativës, Nik Tuzi, ngase ndjente dhimbje koke, la në magazinë dy punëtorët e shërbimit dhe u nis për në shtëpi të pinte një tablet aspirinë, të hante edhe drekën dhe të kthehej sërish.
Teksa rrotullonte çelësin në bravë, i erdhi në vesh zëri i gruas, që nxorri një klithmë të mbytur e pëshpëriti nëpër dhëmbë diçka si “Uaaa, ç’na gjeti”! Ai hyri brenda ngadalë, krejt i qetë e pa ndonjë kuriozitet për të mësuar, çfarë qe ajo klithmë alarmante; athua se në shtëpinë e tij po shfaqej kushedi për të satën herë i njëjti film, për të cilin, nuk kishte pikë interesi ta shikonte.
Në korridor, teksa zgidhte me nge lidhëset e këpucëve, u kollit nja tre herë radhazi, pastaj piskati me zë të lartë:
-Frida!
-Fol! – i tha ajo, që nga dhoma e gjumit.
-A iku, moj?!
Ajo nuk u përgjigj.
Duke ecur pa ngut, mu si një burrë i matur, që u jep të gjitha gjërave kohën e vet, ai u avit në dhomën e gjumit, ku e gjeti gruan të zhvoshkur çipllak, teksa i fuste krahët një robdishani ngjyrë rozë. Qe mufatur nga gjinjtë dhe buzët; dhe krejt fytyra i kuqëlonte, athua se, sapo i qe larguar një zjarri bubulak.
-Me cilin po flisje, moj?! – pyeti ai, pa ndonjë interes të madh.
-Unë po flisja?! – bëri habi ajo. – A je në rregull, a si?!
-Në rregull jam, – tha ai. – A nuk më thua, përse je zhveshur lakuriq?
-Sepse dua t’i laj rrobat dhe të lahem edhe vetë, – tha ajo pa e vështruar, ndërsa gjithë hutim, çukërmonte kot së koti në syrtarin e hapur të një komoje të vjetër.
Nik Tuzi vuri re, që dritarja e dhomës ishte e hapur. Mbi komonë pranë krevatit, ndodhej një pjatancë, me frenjat e rrushit të ngrënë, por kish mbetur aty një bistak i paprekur. Ai u afrua, këputi me gishta një kokërr, e futi në gojë, dhe teksa e përtypte, hodhi vështrimin në kopësht.
Rrezet e diellit, i lanin gjethet e hardhive me një prajshmëri të dyfishtë, ndërsa dëgjohej zizima e grerëzave, që silleshin në fluturim gjithkah mbi frutat e dardhëve, që kishin rënë përtokë.
Pranë dritares së shtëpisë së tij njëkatëshe, kish kohë që pati nisur të përvijohej një si udhëz e hollë, e cila, pasi i binte mespërmes kopështit të tij, mbërrinte te gardhi ndarës i komshiut Lekë Cubi, ku ishte hapur një vrimë e madhe. Për të kaluar përmes asaj vrime, njeriut i duhej të vinte duart në tokë për të ecur këmbadoras; të fuste në fillim kokën, pastaj të përkulte kurrizin, – siç e përkulin rëndom qentë në raste të tilla.
Nik Tuzi, kishte mbërthyer për gardhi një copëz dërrase, në të cilën qe shkruar me shkronja kapitale: Kodoshë! Kujdes Kokën!
Si kalonte gardhin, udhëza merrte nga e djathta, përgjat një vije me ujë të pakët dhe dilte direkt në rrugë të madhe.
Në krye të herës, Nika, e pati pagëzuar këtë udhëz, që lidhte dritaren e shtëpisë së tij me rrugën e madhe, me emrin “Shtegu i Lekë Cubit”, sepse kishte qenë Leka, ai që e kishte shkelur i pari; por, kur nisi të shkilej edhe nga të tjerë, Nika ia ndryshoi këtë emër. Nisi ta quante, “Shtegu i kodoshëve të gruas sime”.
Një lastar i njomë hardhie, që e pati mbjellë pranë dritares, qe thyer; kurse pak më tej, ai shquajti një këpucë të vetme burrash!
Nik Tuzi, doli jashtë pa thënë asnjë fjalë; u fut në kopësht, mori këpucën, u kthye sërish, e teksa ia tundëte të shoqes mu para hundës, tha:
-Ja pra, edhe një tjetër provë, me të cilën, një ditë do të ballafaqohesh se s’bën para shokut Karaman Madhoshi.
-E-huuu…! – ia bëri gruaja. – As që më bëhet vonë fare! Nëse ta ka shkrepur t’i mbledhësh e t’i mbash në shtëpi ato rrangullina, kjo është puna jote.
-Po, puna ime është, sepse ato rrangullina, do flasin para shokut Karaman për punën tënde, – tha ai. Dhe u largua për në dhomën e ndenjes.
Shoku Karaman Madhoshi, qe sekretar partie. Ishte ai, që para pesë vjetësh, pak me këshillim e pak si me urdhër, kishte bërë, që Nik Tuzi, të martohej me Frida Kukolën, njëzetë e gjashtë vjeç, më e madhja nga katër vajzat, që kishte kryetari i kooperativës, Bato Kukola. Qe rritur me pekule e përkujdesje të mëdha, kjo Frida, pa i munguar asgjë. Ishte e gjatë, e kolme dhe shumë e bukur në pamje, por budallaçkë nga mendtë e kresë.
-Martohu me të, – i pati thënë shoku Karaman, – sepse ta rrahësh tokën me shkop, nuk gjendet në Biboll një e dytë si ajo. Është vajza e mikut tim, por unë e dua njësoj si të jetë e imja, prandaj po ta kërkoj këtë gjë.
Nik Tuzi u shtyp e u përtyp për nja tre javë rresht, por tek e mbramja, pranoi.
Pas martesës, shoku Karaman, i dha Nikës edhe një punë të mirë, të rehatshme. E bëri magazinier të kooperativës, ku përveç rrogës, kishte mundësi të merrte në magazinë e të çonte në shtëpi gjithshka ai donte. Veç kësaj, i ndihu të bënte edhe një shtëpi të re aty ku deshi vetë. Që nga dita e parë e martesës, tashmë, qenë bërë pesë vjet.
Ashtu siç etapat e vjetra, në të cilat ka kaluar njerëzimi, shpjegohen përmes objekteve arkeologjike të gjetura, edhe ky pesëvjeçar martese, – gjithë mardhënia e tij me të shoqen, shpjegohej me disa sende të thjeshta personale, të gjetura brenda shtëpisë së tij; sende, që kodoshët e gruas, i linin aty, për t’ia mbathur nga dritarja, sa herë dëgjonin kërcitjen e çelësit në bravë të derës.
Magazinieri, i merrte këto sende dhe i kyçte me inventar në një musandër, që gjendej në dhomën e ndenjes. Dhe nuk qenë pak; qe një koleksion i tërë sendesh, të cilat, ai mendonte se një ditë, do t’i duheshin si prova, për t’u ballafaquar me sekretarin e partisë, shokun Karaman, – zot i pushtetshëm në dymbëdhjetë katunde, me frymën e të cilit qe lidhur kjo martesë.
-Ata kodoshë, kujtojnë se më kanë ikur e ma kanë hedhur, po unë, në një farë mënyre, i kam kyçur të gjithë në musandër, – i tha Nik Tuzi gruas, duke folur me zë të lartë që nga dhoma e ndenjes.
-E-huuu…! – ia pat sërish ajo që nga dhoma e gjumit. – As që më bëhet vonë fare!
-E di që nuk të bëhet vonë. – ia ktheu ai. – Por dua që këto fjalë, t’i thuash edhe kur të ballafaqohemi me shokun Karaman!
Ajo nuk foli.
Nik Tuzi, hapi musandrën, futi aty brenda këpucën, dhe e kyçi apet me çelës. Pastaj, bëri ca hapa drejt korridorit, që t’i thoshte gruas edhe diçka tjetër, por krejt rastësisht, i vajtën sytë tek dera e hyrjes, ku qenë varur rroba në katër gozhdë.
Në njërën nga ato gozhdë, ai shquajti një xhaketë! Një xhaketë, që iu bë se nuk ishte e tij!
U afrua, e mori në duar dhe nisi ta kqyrte: xhaketë e re me kuadrate; e bukur, e hekurosur, prerë nga copë e shtrenjtë teritali dhe qepur për merak prej dorës së ndonjë mjeshtri të përngeshëm; dhe për më tepër, binte erë livanto!
-Hëm! – ia bëri ai, teksa e vështronte.
Futi dorën të kërkonte; një herë xhepat anësorë, pastaj atë të brendshmin, nga ku nxorri një dokument të vogël, – një tesere partie! E hapi dhe…! O zot! Si ta besonte këtë?! Në dorë po mbante teseren e partisë me foton dhe emrin e shokut Karaman Madhoshi. Iu prenë gjunjët dhe u shemb në dysheme, me kurrizin e pështetur për murit të korridorit.
-Frida! – thirri fort ai pasi e kishte marrë veten.
-Çfarë do? – pyeti vrazhdë ajo, që nga banja, ku ishte futur të lahej.
-Paska harruar xhaketën, moj! E ka harruar bashkë me teseren e partisë në xhep! Dil e gjeje dhe thuaj që të vijë ta marrë.
Ajo apet nuk u përgjigj.
Pas pak minutash, u dëgjua gërvima e derës së banjos që u hap, pastaj tre-katër hapa të shpejtë, dhe në fund, kërcitja e çelësit në bravën e derës së dhomës së gjumit që u mbyll.
Nik Tuzi, mbeti për pak kohë si një guak; i pafjalë dhe me nje shprehje habie në fytyrë, që iu stampua aty për gjithë jetën; madje, as vdekja nuk do ia fshinte. Xhaketa qe e lehtë, po atij i peshonte aq shumë, sa memzi po e mbante.
Si e mblodhi disi veten, u ngrit, vari xhaketën në vendin ku ishte më parë dhe vajti e u ul në divan; i heshtur, i kredhur në mendime, hem i habitur, hem i zhgënjyer me shokun Karaman.
Vetëm kur koka nisi t’i dhimbte fort, ai u kujtua pse kishte ardhur në shtëpi, ndaj u ngrit; hapi një syrtar të bufesë, nxorri prej aty një tablet aspirinë, ia hodhi gurmazit dhe shkoi e u ul sërish në vendin ku ndodhej më parë.
Provoi të mos mendonte asgjë, por nuk ishte e mundur. I thirri edhe njëherë gruas, por ajo nuk u përgjigj. Pastaj i tha mendja, se duhej të ngrihej; të dilte nga shtëpia e të shkonte te magazina, por ndjehej krejt i dërrmuar. I dërrmuar shpirt e korp. Atëherë, u shtri në divan dhe nisi të kotej me mendimin se i duhej të qetësohej e të pushonte. Të pushonte një grimë herë; sa ta merrte pak veten; dhe pastaj do të dilte. Po nuk qe e thënë, sepse dikush i thirri që nga oborri jashtë, dhe ai u ngrit e hapi derën.
Para tij u shfaq Petro Lushi, kushëriri i babait të tij, komunist dhe mik i pandarë me sekretarin e partisë, shokun Karaman.
-Më ra rruga këtej dhe mendova të të përshëndesja njëherë, o kushëri! – tha ai.
U pa ashiqare, që fjalët që tha, nuk e bënë të ndjehej rehat.
“Po ky, nga e dinte se gjendem në shtëpi, kur në këtë orë duhej të isha në punë”?! tha me vete Nik Tuzi. Deshi t’ia thoshte njëherë, por ndërroi mendje.
-Faleminderit, – i tha. Dhe e ftoi të hynte brenda.
-Nuk kam shumë kohë, – tha Petro. – Megjithatë, po futem për nja pesë minuta.
Dhe hyri.
I zoti i shtëpisë nuk e thirri gruan që ishte kyçur në dhomën e gjumit. I mbushi një gotë raki, hodhi edhe pak për vete dhe cakërruan gotat pa ndonjë qejf të madh.
Kushëririn Petro Lushi, dukej se nuk e mbante vendi. Edhe fjalët që thoshte, i nxirrte si me grep.
-Kështu, kështu more kushëri, – tha më në fund ai për t’i vënë kapak vizitës së tij të shkurtër e të papritur, pas një muhabeti gjithë ngërçe. – Tani të më falësh, sepse më duhet të dal.
Dhe u ngrit.
Tek dera, Petro Lushi, i ngjiti dorën xhaketës së varur në gozhdë që ta vishte, por Nik Tuzi e kishte nuhatur me kohë qëllimin e tij.
-Aaaa…! – ia bëri prishaqejfas ai duke e kapur për krahu. – Kushëri, kushëri! Xhaketën mos e prek! Erdhe pa xhaketë, pa xhaketë do të ikësh. Xhaketën të vijë e ta marrë i zoti. Kështu janë punët.
-Një minutë, të merremi vesh…! – i tërhoqi zvarrë fjalët tjetri.
-Ec, kushëri, ec! Nuk kemi për çfarë të merremi vesh. Në shtëpinë time jam zot vetë unë.
Dhe e shtyu ta nxirrte jashtë, pothuaj me pahir.
Në oborr u ndanë ftohtë, pa i dhënë, madje, as dorën njëri-tjetrit.
.
Shtegu i kodoshave
Shtegu i kodoshave
Me t’u kthyer brenda, Nik Tuzi, e mori xhaketën dhe e kyçi në musandër, ku ruante edhe sendet e tjera. Pastaj, edhe pse dhimbja e kokës nuk i qe shugatur, ai doli nga shtëpia dhe u nis të shkonte te magazina.
Kur u kthye, nuk e gjeti të shoqen në shtëpi, po nuk i bëri fare përshtypje kjo. E dinte, që duhej të kishte shkuar te njerëzit e saj, sepse nuk qe hera e parë që e bënte.
Të nesërmen, ai nuk u duk fare te magazina. Kishte nevojë të rrinte vetëm. Po brenda, shtëpia kish nisur të mblidhej e trusej ngadalë. Afroheshin muret, tavani po bëhej gjithnjë e më i ulët, hapsirat e dhomave po ngushtoheshin, – gjithë shtëpia po i kthehej dalngadalë në një varr. Atëherë, ai doli në kopësht që të rrekej me ndonjë punë të vogël, sa për të mbajtur mendjen në rregull.
Andej nga ora dhjetë e paraditës, i sollën korrierin, i cili i tha, se duhej të dorëzonte çelësat e magazinës.
Nika e kishte parashikuar këtë, po çelsat nuk i dha.
-Të vijë t’i marrë shoku Karaman, – i tha.
Pasdite, teptisi aty vetë sekretari i partisë, shoku Karaman Madhoshi. Erdhi i vetëm, por i armatosur me një armë zjarri në brez, të cilën e kishte me leje.
Nik Tuzi e priti si gjithmonë; athua se nuk kishte ndodhur asgjë. E futi brenda dhe e ftoi të ulej në divan, po ai nuk u ul.
-Ti nuk di asgjë, – i tha rreptë shoku Karaman, teksa qëndronte para tij drejt në këmbë. – Dhe as që duhet të dishë. Madje, ti egziston vetëm prej meje. Sepse të gjitha prej meje i ke: gruan, punën, shtëpi e katandi.
Nika nuk foli. Po vështrimin ia pati ngulur kokërr ndërsy dhe nuk po ia shqiste.
Qëndruan për pak kohë duke vështruar, njëri-tjetrin kështu, kacagjelas, derisa sekretari i partisë, pyeti me një zë gërgasës:
-Hë, çfarë ke që më shikon ashtu?
-Kam ca gjëra që ti nuk i di, – tha Nik Tuzi, qetësisht e pa e prishur fare terezinë.
-Çfarë nuk ditkam unë?! – pyeti tjetri gjithë qesëndi. – Fol! Çfarë nuk ditkam?!
-Unë t’i them e t’i tregoj të gjitha, po ju e keni arsyen në majë të shpatës, – ia pat qetësisht magazinieri. – Megjithatë, më lejoni t’ju tregoj mallin, që unë kam grumbulluar në këto pesë vjet martesë me Fridën. Mallin, që kam vënë nën hyqmin tuaj. Dhe e veçanta është, se këtë mallë, e kam shtënë në dorë pa dalë hiç nga shtëpia!
Dhe, si vajti e hapi musandrën, nxorri prej aty, si fillim, një kasketë, e teksa ia tregonte, tha:
-Kjo është kasketa e kryetarit të këshillit, Alem Qerimi! Kasketa që ia njohin të gjithë. Duhet ta ketë mbajtur në kokë, të paktën, nja njëzetë vjetë. Në pamje të parë, kur ia shikon rrethin gjithë zhul, të ngjall neveri. Po mund të lahet. Një koleksionist esnaf, kushedi sa do të jepte për këtë kasketë.
E hodhi kasketën në dysheme dhe e futi dorën sërish në musandër.
-Këto pantallonat prej doku, – tha ai, teksa i mbante me majë të gishtave si pincë, – janë të atij zabërhanit, Lekë Cubi, komshiut tim; të atij që ka hapur i pari shtegun e kodoshëve të gruas time. Janë pak të zhubravitura, por siç e shikoni edhe vetë, – sepse ju jeni një vëzhgues fort i hollë, – copa vazhdon të mbahet mirë. I ka lënë dhe ia ka mbathur nga dritarja, sapo ka dëgjuar kërcitjen e çelësit në bravë të derës.
-Mjaft! – bëlbëzoi i nervozuar shoku Karaman ngase nuk po e mbante vendi. Dhe bëri të dilte.
-Prit…! – e ndaloi tjetri. – E di që ke zahmet të madh. Dhe ashtu si unë, edhe ti, po e ndjen tani këtë shtëpi si një grusht që sa vjen e truset; dhe ke frikë se mos rroposet. Por mos u tremb! Duhet të mbarojmë njëherë punë bashkë.
Rrasi dorën sërish në musandër, nxorri prej aty një kuti duhani, dhe teksa e tregonte, jo pa qesendi, tha
-Kjo kuti duhani, është e Losh Ruçit, brigadierit të brigadës së plehut! Shikoje çfarë kutie, mor të paftë zoti, të paftë! Kuti e lashtë argjendi, fort e rrallë, shkërlitur bukur me onamente dhe figura heronjsh nga lashtësia!
Sekretari i partisë, tërhoqi njëherë hundët, pastaj bëri një lëvizje nervoze me kokë.
Nik Tuzi, nxorri nga musandra dhe i tregoi edhe një shall leshi të shitësit, Lame Qorri; një çantë meshini të teknikut të ndërzimit, Marin Dermeku; një palë syze optike me gjalm të rojes së stallave të lopëve, Hasan Hutës; një letër të zjarrtë dashurie që ia kishte pas shkruar Fridës, poeti Nuri Tarrota; si dhe një dyzinë të tërë sendesh të tjera, të njohura e të panjohura.
-Tani, mbaruam, shoku Karaman, – i dha fund ai duke shkundur duart, pasi qe bërë një grumbull i madh në dysheme. – Nuk ka më! …Jo, prit! – kërceu sërish në beft. – Desh harrova kryesoren! Është edhe xhaketa juaj e re me kuadrate! E famshmja xhaketë e shtrenjtë, që ngado që ti shkon, të bën sqimëtar. Ju e patët varur në gozhdë, po unë e futa në musandër që ta ruaja me kujdes, të mos merrte pluhur; sepse kjo, i bie të jetë kryegjëja e të gjitha gjërave, që kam mundur të shti në dorë falë bujarisë suaj. Bre-bre! Sa të bukur e keni këtë xhaketë, o shoku sekretar! Sa shumë do më shkonte! Megjithatë, urdhëroni! Kini mirësinë ta merrni.
Shoku Karaman, zgjati dorën dhe e mori.
-Edhe teseren e partisë e keni në xhep të xhaketës. – vazhdoi Nik Tuzi me një nënqeshje përbuzëse, të hidhur pelin.
Dhe si heshti një grimë herë, i kredhur në hallin e vet, nxorri një gurgull fryme e foli apet:
-Çudi, ë?! Shpesh vras mendjen: vallë, si ndodh, që burrat bëhen kaq frikacakë në këso punësh?! Kushdo qofshin ata; që nga pushtetarët më të mëdhenj, e deri tek fshesarët, mjafton një zhurmë e vogël fare, një kërcitje çelësi në bravë të derës, dhe ia mbathin gollomesh me të katra nga dritarja! Dhe të mendosh, që unë jam njeri shumë paqësor; nuk kam zemër të vras, as edhe një mizë!
Dhe, phu, pështyu.
.
Marrë nga Muri i Fb i Ramiz Gjinit, 7 dhjetor 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.