back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nga poezia e Ali Asllanit – Zonja Lu!

Gazeta

Poeti Ali Asllani
Poeti Ali Asllani

Nga poezia e Ali  Asllanit

Zonja Lu

Një ditë dola për shëtitje,
Afër udhës në varreza
Pashë një zonjë më shumë habitje
Veshur krejt me rrob’ të bardhë
Duke i bërë veri një varri,
Që ti bësh veri një varri
Eshtë punë e një të marri.
Iu afrova… një flori
 
Mrekulli një bukuri…
Dorë e saja vente vinte
Bën veri e bën veri!
E un’ tepër i çuditur
I them zonjës të më falë
Dhe si gjysëm ngushëllimi
Pëshpërita dy- tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte
I kujt është ky varr i ri
Varr i freskët e i njomë
E përse i bën veri?
 
Zonja kuqet e stërkuqet
Bën të thotë e nuk më thotë
Nuk më thotë asnjë përgjigje
Lutja ime vajti kot.
Rrobe e bardhë që kish veshur
Më tregoi së mbante zi
Sado heshti buzë e kuqe
Foli syri saj i zi!
Lem të lutem.. dhe vazhdoi
Përsëri e përsëri…
 
Dorë e saj s’kish të lodhur
Bën veri e bën veri…
Nuk më ikej nga meraku
Po kur shoh se aty afër
Po ma bën me dorë një grua
Ajo ish një plakë e varfër
E më thotë eja e di unë
Të rrëfej se ç’janë ata,
Atë varr e atë grua
Në më jep disa para!
 
Edhe unë more zotëri
Më këto paratë e tua
Shkoj e blej një nuskë nga prifti
Të më zgjatet jeta mua,
Pse në vendin ton’ të dashur
Me fuqirin e florinjve
Edhe jeta blihet shitet
Rroftë magji e priftërinjve!
Tash ajo që pyesni ju
Eshtë zonjë e një poeti
Edhe quhet zonja Lu.
 
Varri është i të shoqit
Ish poet i madh i vendit
Që peshohej këngë e tija
Me dërhemë të argjendit!
Burrë e grua mish e thua
çift i ëmbël, çift me shije
çift o çift që s’ka të dytë
si dy kokërra qershije.
 
Një ditë burri u sëmur
Dy plevite në një vend
Një sëmundje shumë e rëndë
Zonja Lu u prish nga mend
Dhe i thotë burrit të saj
Nëse mbyllen sytë e tu
Unë veten do ta vras
Dhe bëj be që atë çast
Më ke pranë e më ke pas
 
Ti ma bërë shtratin tim
Kryefron të dashurisë
Dhe unë varrin tënd do ta bëj
Shtratin tim të nusërisë.
Jo, të lutem-i thotë burri
Shumë të lutem mos e bëj
Mirë athere, unë do mbetem
Gjithë jetën një e ve
 
Jo, të lutem, Luja ime
Mos e bëj dhe këtë be
Si pra unë të duroj
Në më zënte kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem
Dhe do rreshkem disa vjet
Jo, të lutem Luja ime,
Eshtë e shkurtër jetë e shkretë.
 
Vetëm prit e ki durim
Sa të thahet varri im.
Tash poeti ra e fjeti
Ra e fjet’ për mote jetë
Gjëmë e madhe që e gjeti
Zonja Lu thërret bërtet
Me oi e me oi
Për atë që benëj fli
 
Një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, çmë gjet mua
Ulurin e zeza grua
U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos
Me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri flokët
Copë copë i bëri mishtë.
 
Pas dy ditëve vjen një djalë
Një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu
Ti shëndoshë e unë shëndoshë
Ti e unë një çift i ëmbël
Çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s’ka të dytë
Si dy kokërra qershije.
 
Mirpo zonja është besnike
Ka dhënë fjalën ka bërë be
Sa të thahet varri burrit
Doemos do rrijë e ve
Meqë varri është ifreskët
Eshtë i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!
.

Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë
Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë

Ali Asllani (1884-1966)

Ali Asllani është një poet i njohur.
Ali Asllani, kreu shkollën fillore në Vlorë, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin “Zosimea” në vitin 1908. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës.
Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 – 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua “Zëvëndës i ngarkuar me punë” në Sofje e më pas, po aty, “sekretar i parë” dhe “i ngarkuar me punë”. Në vitet 1930 – 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë.
Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.