Liria dashurore
nga Branko Merxhani
“Kemi lindur për dashurinë
dhe vetëm me anën e saj njohim njëri-tjetrin.
Kemi nevojë për dashurinë si lulja që ka nevojë për diell”
William Platt
.
Të mos ju gënjejë titulli i sotëm. Do të bëj fjalë për Familjen ashtu siç paraqitet brenda në përpjekjen moderniste të shoqërisë sonë dhe ashtu siç e do Neo-Shqiptarizma.
Nuk shkruaj studime. Jap semplërisht disa Formula, që përmbajnë vijat e përgjithshme të mendimeve të mia – mendime të derdhura brenda në kallëpe të ngushta. Për këtë nuk më intereson këtu as zhvillimi historik e filozofik i Familjes përgjithësisht, as influencat e saj pozitive ose negative mbi qytetërimet e vjetra, as edhe lëvizja e sotme kryengritëse kundër institucioneve shoqërore, lëvizje e cila pasi siguroi kaq lirira politike e shoqërore në favor të grave në Evropë e në Amerikë, sot përpiqet të arrijë edhe Lirinë Seksuale të botës së bukur. Tendenca narcistike e Qytetërimit Europeo-Amerikan ndofta një ditë do ta shuajë krejt institucionin monogamik të shoqërisë së sotme, t’i japë gruas ato të drejta dashurore që ka edhe burri, të legjitimojë produktet e mëmave të pamartuara, djemtë e dashurisë dhe të dëfrimit. Libra e famshme e gjykatësit amerikan të dëgjuar Ben Lindsey mbi “Kryengritjen e djalërisë moderne”, është libra më e goditur e epokës. Anëtarët e “compagnonate marriage”, domethënë e “Martesës miqësore” shtohen dita me ditë. Qytetërimi Europeo-Amerikan shtroi nën bisedim vlerën e formës së sotme së martesës dhe është e vërtetë se ata që dyshojnë nuk janë të paktë…
Po të gjitha këto janë hypotheza, dëshira dhe përpjekje të një bote, Qytetërimi partikolarist i së cilës ka një të shkuar të paktën dhjetë shekujsh. Pastaj këtë pikë e kam theksuar shumë herë: Intelektualët tonë duhet që mendimet dhe vështrimet e tyre shoqërore t’i puthitin, sa të jetë e mundur më shumë, në sheshin e Socialitetit të popullit tonë.
.
Tendencat e përparuara dhe ekstremiste të Europeo-Amerikanizmës janë shumë të rënda për supet tona. Ne kemi të tjera kujdesje, të tjera detyra. Sot-për-sot “le të punojmë kopshtin tonë”. S’jemi akoma të përgatitur që të zëmë as vendin më të vogël brenda në Pallatet e mendimit shoqëror…
Përgjegjësia realiste e peripecisë sonë historike, domethënë pamundësia që nuk patëm dot një Shtet të vërtetë, me vete dhe të vazhduar në as ndonjë periodë të së shkuarës sonë kombëtare, rrjedh kryesisht nga të shterpuarit e shpirtit tonë shoqëror, nga anarkia dhe panjoftësia shoqërore, e cila më tepër nga çdo gjë tjetër dëmtoi dhe prishi Institutin Familjar. Në këtë s’kanë faj as vazhdimi historik i shkeljeve të huaja influencat fataliste të Dogmatizmës pseudo-Islamike. Burimi i së keqes është shumë më thellë. Në vend që të hedhim sytë tona nga jashtë me shpresën dhe ngushëllimin se vetëm atje do të zbulojmë shkaqet e së keqes, është më mirë të hedhim sytë në veten tonë brenda nesh, brenda në Unën tonë shoqërore…
Shkaku i parë i anarkisë sonë Familjare është forma e jetës, që ka rrojtur populli ynë shekuj me radhë, domethënë shumë përpara jo vetëm të sundimit turk, po edhe përpara sundimit romak-byzantin. Dhe është një rrjedhje natyrale e konditave sociologjike dhe psykologjike të kësaj jete, e cila e çveshi krejt entitetin tonë shoqërorë nga çdo gjurmë Ideologjie shoqërore. Nuk duhet të harrojmë kurrë se jemi stërnipërit e një populli, miku i vetëm edhe armiku i vetëm i të cilit ka qenë shekuj me radhë dyfeku, që mbante në krah. Kjo është arsyeja për të cilën, me gjithë egoizmën tonë karakteristike dhe me gjithë Heroizmën tonë, ulëm kokën përpara forcës së zaptonjësvet. Jo vetëm ulëm kokën, po edhe u shërbyem interesave të tyre me gjakun tonë. Kjo prapë është arsyeja – dhe është një gjë shumë karakteristike nga pikëpamja e psykologjisë shoqërore – për të cilën një nga Intelektualët tonë që zë një vend të shkëlqyer në Historinë e Leteraturës së një popullit të huaj dhe zaptonjës, shkruan se “perioda më e pasur dhe më e lumtur e Historisë sonë” ka qenë pikërisht perioda e hidhur dhe e errët e robërimit tonë nga Turqit. Dhe kjo me qenë se në atë epokë stërgjyshërit tonë të gjorë përpiqeshin me zemër trime në vijat e luftës së zaptonjësit, po një ditë ktheheshin, në vatrën atërore të shkretuar, të ngarkuar me flori boll, me plaçka të shumta dhe me “kuaj të bukur” të fushave të largme të Arabisë, Misirit dhe Hungarisë!…
Po paraja, dyfeku, “kuajt e bukur” dhe gjithë epopeja e plaçkave me se u shpërblyen? U shpërblyen me sakrificën dhe përbuzjen e atdheut, të familjes dhe të Djalit. Kjo sakrificë, ky harrim janë pamja e zbërthimit të njëzet shekujve shqiptare…
Të gjitha anët e kalives sonë shoqërore qëndrojnë mbi themele të kalbura. Mbi këtë prishje është e pamundur të ngrihet një godinë e re. Për këtë detyra kryesore e brezit tonë është që të hedhim themele të ra të forta për një shoqëri të re. Gjithë përpjekja jonë qytetëronjëse nuk mundet veç se të ketë për qëllim puthitjen systematike të dispozitave dhe energjirat kombëtare me nevojat e realitetit të sotëm dhe me kërkimet e Qytetërimit tonë të nesërm.
Kemi nevojë për një bazë për Korporatën tonë Shoqërore të re. Kemi nevojë për një Familje shqiptare nacionaliste. Vetëm kjo është e zonja të krijojë një karakter moral të ri dhe të na falë një formë të re jete. Djalëria Neo-Shqiptare do të hidhet në fushën e luftës shoqërore me bindjen e patundur se vetëm ahere do të triumfojnë Idealet e saj kur do të vijë ajo ditë e madhe, dita e Shqipërisë së Re në të cilën nuk do të ketë me as një pengim jo vetëm legjislativ po edhe preventiv që të bashkojnë zemrat e tyre Djemtë dhe Vajzat të atdheut shqiptar pa ndryshim dipendence fetar. Domethënë kërkojmë edhe ne një farë Liri Dashurore. Po me ndryshimin që, kur po bota e industrializuar ka kryesisht për qëllim reformën e tipit Romak të Familjes, ne përkundrazi duan të krijojmë një vatër familjare të typit Romak, vatër e cila do të çdukë për herë edhe gjurmët e fundit të influencave fetare të huaja, do të marrë vesh shpirtrat e popullit tonë, do ta nacionalizojë shtëpinë tonë, do ta shqiptarësojë Shqipërinë tonë. Këtej e tutje fillon rruga e emancipimit të Shqiptares…
Botuar në vitin 1929