Prof. Arshi Pipa (1920-1997), shqiptarët e Amerikës
dhe pseudolibrat e zhurmëshëm rreth tyre
nga Klajd Kapinova
Kohët e fundit kam parë një libër voluminoz, Shqiptarët e Amerikës, të botuar në New York, e cila për informacionin e pasur dhe shumë foto origjinale të panjohura më parë si paraqitje formale është model.
Çdo libër i shkruar mirë ose keq, ka vlerën e vet dhe autori mbetet i nderuar, mbasi në vorbullën e jetës plot konkurencë e mbijetesë në ShBA, ka sakrifikuar kohën e çmuar, për t’i ofruar lexuesit një informacion me përshkrime historike.
Kjo nuk do të thotë, se për përmbajtjen e librit të ndaj të njëjtat mendime, mbasi servilizimin nuk e pëlqen asnjë jetëshkrimor ose historian.
Në librin voluminoz dhe luksoz në fjalë, diferencimi i figurave kryesore të diasporës me ose pa reputacion, është bërë me parapëlqimin krahinor, politik, kulturor, arsimor, etj., sesa i nisur nga misioni profesional në pasqyrimin me realizëm, të kontributin e madh ose të vogël të tyre.
Prof. Pipa i anashkaluar me qëllim
Në një libër jetëshkrimor për Shqiptarët e Amerikës, për të cilën u bë shumë zhumë mediatike, mungon jeta e një ndër profesorët më të shquar të komunitetit shqiptaro amerikanë dhe qarqet e përzgjedhura intelektuale universitare amerikane sikurse ishte e mbeti prof. Arshi Pipa, që ishte njëherazi kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra (1912) dhe editor i gazetës së saj Dielli (1909).
Organizata në fjalë, i ka propozuar shpesh me shkrim qeverive të majta dhe “djathta” në vendlindje, që të dekorohen me tituj nderi disa “figura” ende gjallë dhe të moshuar të komunitetit tonë, duke lënë pas dore qëllimisht prof. Arshi Pipën etj.
Autori i këtij shkrimi, gjatë një takimi të hapur në zyrat e Vatrës, Bronx, New York, i cili ato ditë po shoqëronte së bashku me studiuesin dhe Sekretarin e Lidhjes së Prizrenit, zotin Tomë Mrijaj, dhe kryetarin Ismet Berisha etj., delegacionin nga Kosova, të përbërë nga profesorë dhe punonjës shkencorë të arkivit të shtetit, që kishin ardhur për të marrë arkivat dhe dokumentet e Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962), ngriti shqetësimin e drejtë, për mungesën e vlerësimit të figures së intelektualit shkodran prof. Arshi Pipa, i cili, nuk është propozuar asnjëherë në listën e gjatë të hartuar nga Vatra, për t’u vlerësuar nga Presidenca e Shqipërisë…
Gjithsesi të shkruash për prof. Pipën duhet të kesh një njohje të gjerë, të thellë dhe për më tepër aftësi të madhe interpretative të mendimeve dhe studimeve me vlera, që në formë relike ia la amanet qytetit të lindjes.
Unë, kam pasur fatin dhe nderin, që të jem i pranishëm kur në Shkodër mbërritën 45 kuti me libra dhe dorëshkrime, që profesori Pipa i la qytetit të vet dhe si nderim vendlindja kishte disa vite që i kishte ngritur në bronx dy portrete vëllezërve: martirit avokat Mysafer Pipa dhe prof. Arshi Pipës, në Muzeun Historik të Qytetit…
Titulli i bujshëm i një libri nuk e justifikon përmbajtjen
Më ka qëlluar, që këtë libër ma la në dorë një bisnesmen i sinqertë, që për etikë nuk kërkon t’i përmendet emri. Ai ndër të tjera, shtoi fjalët: “Unë jam në këtë libër, vetëm pse kam pjekur pizza, qofte, shisheqebap… se sa kam ndonjë meritë specifike në komunitetin shqiptaro-amerikan…”
A mund të quhet shkencor e historik, një libër që ka shpjeguesin e emrave, dhe nuk ka asnjë literaturë referuese apo hulumtuese në arkivat private apo shtetërore në ShBA!?
Në libër mungon diversiteti i mendimeve teza dhe hipoteza, ballafaqimi me faktet e argumente të diskutueshme për një figurë me ose pa emër.
Monotonia e përshkrimit të njerëzve, uniformiteti dhe vetëlavdërimi i intervistuesve të improvizuar, është shoqëruesja kryesore në disa faqe të saj.
Risitë janë dhënë të prera me thikë, se kështu është dhe nuk ka ndryshe. Si nuk u gjet një dëshmi autentike në asnjë librari, arkiv shtetëror ose bibliotekë private, si fjala vjen, një çertifikatë e lindjes ose të regjistrimit të një shqiptari (në shtetin e Luizianës), që para 150 viteve paska ardhur në ShBA dhe është vendosur në shtetin e Luizianës, ku “mendohet” se është “vendosur” edhe komuniteti më i madh shqiptar, të pakonstatuar nga shtypi amerikan!?
Në libër mungon analiza e vendosjeve të emigrantëve në grupe ose veçmas dhe dëshira ose prirja e emigrantëve për t’u marrë më shumë me biznesin se sa me shkollimin apo prirjet për t’u integruar si liderë shoqëror ose politikë (karrierë profesionale), dukuri kjo shumë e përhapur në trojet etnike shqiptare.
A nuk e tregon këtë suksesi apo ekzistenca e 24 perandorëve me origjinë ilirë në periudhën e Perandorisë Romake (Romë dhe Konstandinopojë) apo drejtimi e shërbimi me besnikëri në Perandorinë Otomane të 45 kryeministrave (vezirave) me origjinë arbër apo shqiptar!?
A do të ishte më më interes për lexuesit, që të kishin lexuar një panoramë ose analizë për suksesin e fëmijëve, nipave e mbesave të emigrantëve të parë, gjurmët e tyre dje dhe sot e kontributi në jetën amerikane, se sa çfarë të ardhurash ka një bisnesmen nga bisnesi i vogël, apo punëtor i rëndomtë, si: pizzaman, doorman, porter, fotostudio, superintendent, kamarier, qoftexhi, kasap, etj.
Kush nuk do të kishte dëshirë të lexonte ecurinë e integrimit të shpejtë me sukses e pa vetëmburrje në universitetet amerikane të emigrantëve rinj, që janë shumë më lart shkollarisht se parardhësit bashkëatdhetarë (analfabetë, të pashkolluar) të ardhur dikur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, se sa të lexojnë për të asimiluarit “shqiptar”, që nuk dinin as shkrim as këndim.
Sa kanë ndikuar bisnesmenët e hershëm shqiptarë antikomunistë e atdhetarë dhe cili ishte kontributi konkret për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri?
Komunizmi në Shqipëri u rrëzua vetë. Për këtë nuk ka asnjë meritë diaspora e SHBA-së, e cila ishte e përcarë dhe në shumicën e rasteve përdorte në mitingje dhe protesta flamurin me yllin komunist…
Deri më sot nga veteranët emigrantë këtu, nuk kemi parë apo lexuar asnjë rresht kritik, ku të tregohet se si shqiptarët në New York, Boston, Detroit etj., në takimet mes shqiptarëve shisnin librat e diktatorit Enver Hoxha, në një kohë që në Shqipëri kishte 46 burgje dhe me mijëra kampe përqendirmi të ngritur nga diktatura dhe diktatori, që admirohej edhe në Amerikë…
Si shpjegohet që disa bisnesmenë e organizata “atdhetare” në ShBA kanë mbijetuar nga fondet e prehri i qeverisë komuniste dhe “demostronin” me naivitet të ashtuquajturën “atdhedashuri” me flamurin me yll!?
A ka pasur prej tyre, që kanë bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, duke e përhapur propagandën e bekuar shtypjen e bashkatdhetarëve dhe dëmi që i sollën mëmëdheut në vuajtje me dashurinë për diktatorin!?
Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes.
.
Prof. Arshi Pipa lindi në Shkodër, në një familje intelektuale të qytetit antik.
Pipa, diplomohet për filozofi, në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Ai dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku ligjëroi letërsinë italiane.
Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938.
Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.
Më 1936, me poezinë, Në lamën e luftës, fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja katolike Cirka.
Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën “Morali dhe feja tek Bergson”.
U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1942 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit.
Në vitin 1944 drejtoi revistën Kritika, botuar nga Myzaferi.
Kur Lidhja e Shkrimtarëve, nisi botimin e organit Bota e Re, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.
Ai mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi.
Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë.
Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me poliglotin Pashk Gjeçin.
Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948, Gjirokastër, Korçë, Artizanati i Tiranës, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”.
Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949, bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.
Lirohet më 26 prill 1956, dhe një natë të fundverës së 1957, arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë deri në vitin 1958.
Nga burgu doktor në filozofie në SHBA
Disidenti Pipa emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel në New York.
Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në Kolegjin e Arteve të Lira (verë 1961 dhe 1962).
Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-1962, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..
Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-1966, ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-1964 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley.
Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake.
Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).
Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe arrin të bëhet kritik i paanshem i poltikës.
Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-1969), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968).
Prof. Pipa, arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane.
Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë – diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij.
U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe).
Ai ka dhënë mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve frënge dhe italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij.
Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motrës, ku edhe mbyll sytë…
Editori Pipa ishte i mprehtë në analizat e temave bashkëkohore
Pipa shquhet për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore.
Në vitin 1944, kur Shqipëria vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë atë gjithnjë më vonë, kur do të shkruajë veprat madhore në këtë fushë.
Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni.
Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës.
Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë.
Në vitet 1945-1946, qe anëtar i redaksisë së revistës Bota e Re. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik Telos (Kaliforni).
Në vitin 1990, filloi të botojë në washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike.
.
Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vërtetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike.
Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në atë të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si: A. Pipa, M. Camaj, Peter Prifti, Anton Logoreci, Adrian Klosi, Ardian Vehbiu, Feime Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.
Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.
Së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur malësor prof. Martin Camaj ishin disidentë, që punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë dhe publicistikës.
E njëjta indiferencë edhe në 22-vjetorin e vdekjes së Arshi Pipës. Sot është dita kur kritiku, poeti, publicisti, u nda nga jeta në SHBA, ndonëse për asnjë moment nuk u nda prej Atdheut të tij të lindjes.
Pothuajse çdo vit ka heshtje rutinë ndaj figurës së madhe të intelektualit të shquar prof. Arshi Pipa.
Kjo për faktin e keq, se institucionet kulturore, letrare dhe kulturore në Shkodër (Bashkia e qytetit), Tiranë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), etj., vazhdojnë të sundohen nga ish përfaqsues të regjimit komunist, të cilët kanë pushtet kudo, duke vazhduar ta urrejnë kritikun e pafalshëm të tyre prof. Pipën, për inerci të diktatorit dhe diktaturës së largkjoftit të Dullës së Gjirokastrës.
Heshtje varri. Asnjë fjalë nga institucionet e Tiranës, por as ato lokale, në Shkodër, të vetëquajtura nga e kaluara si “djepi i kulturës”.
I vetmi rast pozitiv është fakti se studiuesi dhe pedagogu i Fakultetit të Histori Filologjisë, Lisandri Kola, ka pasur një përballje të hapur publike.
Për më tepër, dy herë me radhë (përmes gazetës “Panorama”), Kola i është drejtuar Bashkisë së Shkodrës për ngritjen e një memoriali kushtuar Pipës, por indiferenca është ajo çka ka pasuar si gjithnjë pseudopushtetarët që hapur mohojnë qytetarët e vet, që janë ndera dhe krenaria e qytetit tonë.
Por njerëz të mirë ka kudo. Kështu ndër homazhet e pakta, duket të jetë ai i revistës “Kens”, botuar nga Lisandri dhe Aristea Kola, me një Komisi Shkencore e përbërë nga Arben Prendi, Çezarin Toma, Dhurata Shehri, Edlira Tonuzi, Persida Asllani, Marsel Nilaj, Vjollca Osja, Vinçens Marku, ia ka kushtuar këtë numër pikërisht prof. Arshi Pipës.
Ai përfundoi arsimin e mesëm në vendlindje, e më pas studioi për filozofi në Universitetin e Firences (Itali).
Prej vitit 1941-1946 Pipa dha mësim në shkolla të mesme të Tiranës e Durrësit. Gjatë viteve ’40, emri i Pipës do të ndeshet në shtypin e kohës.
Ai do të botojë poezi dhe kritika. Në vitin 1944, edhe pse në moshë fare të re, ai bëhet botuesi i revistës letrare Kritika, një nga më të rëndësishmet e kohës së vet, në të cilën ai botoi traktate për kritikën letrare, përse duhet dhe a kemi.
Përveçse botoi kritika të autorëve të ndryshëm të kohës, ai vetë mori në shqyrtim veprat e Nolit, si dhe ushtroi kritikën e kritikës, duke u përballur me të tjerë kritikë, si në rastin e Mitrush Kutelit. Pena e tij prej kritiku ishte goditëse dhe nuk do të kalonte pa u vënë re.
Por ky udhëtim nuk do të zgjaste shumë. Me vendosjen e pushtetit popullor, Kritika, ashtu si edhe gjithë simotrat e saj, u mbyllën.
Në prill të vitit 1946, Pipa u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti për dhjetë vjet (1946-1956) në burgjet dhe kampet e punës në Durrës, Vloçisht, Korçë, Tiranë, Burrel etj. Atëherë lindi edhe libri me poezi Libri i Burgut.
Pasi del nga burgu, arratiset në vitin 1958 dhe vendoset përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse nuk e pati të lehtë, ia doli të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të jepte mësim në universitetet më të dëgjuara të SHBA. (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.), si dhe të shkruante e të botonte poezi, estetikë, filozofi dhe kritikë letrare.
.
Ka shkruar “Lundërtarë”, “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana”, pak të njohura nga lexuesi shqiptar, si dhe “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italoshqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.
Disa vite më parë u botua vepra e tij filozofike “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun”, shkruar në gjuhën italiane në burgun e Burrelit, në vitin 1955. Ndërkaq ka ende shumë për t’u botuar dhe njohur për Arshi Pipën. (Revista Kens, Pipa – Epus, Numër Special, 2017)
Mllefi kundër Profesor Emeritus Arshi Pipës në mediat e “djathta” në vendlindje
Miku im shkodran Bep Kuqani ish i burgosuri politik, njëkohsisht ish-bashkëvujtës me të ndjerin prof. Arshi Pipa, para se të ndërroi jetë këtu në New York, më dhuroi dorëshkrimin e tij mbi prof. Arshi Pipën.
Ai ndër të tjera, me një shqetësim të madh më shprehu indinjatën e tij ndaj gazetës gjoja të “djathtë” me emrin e çuditshëm 55, të datës 4 tetor 2002 (që çirret se përfaqson nenin 55 të agjitacion e propagandës të ish Kushtetutës së Shqipërisë të kohës së komunizmit, që e mban vetën të “pavarur”, kundërkomuniste e rrjedhimisht e spektrit të djathtë, t’i lejojë vetës botimin e shkarravinave të tilla, plot mllefe dhe urretje kundër një disidenti të mirëfilltë kunërkomunisti dhe personaliteti të madh si prof. Arshi Pipa.
Kështu nën titullin: “Hetim i ri për vrasjen e Mehmet Shehut”, gazeta 55 synonte të njolloste padrejtësisht një ndër figurat më të mëdha e më të pastra të disidencës komuniste, që mund të quhet me të drejtë krenaria e kësaj desidence, jeta dhe vepra e të cilit e kanë nderuar dhe do ta nderojnë gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët e kudondodhur, sepse e tillë ka qenë e do të mbetet figura e të mirënjohurit Profesor Emeritus Arshi Pipa.
Disidenti Pipa, Apostull i Demokracisë
Për disa dekada në SHBA, Boston dhe New York, në drejtim të gazetës Dielli, organ i Federatës Panshqiptare Vatra, kanë vepruar personalitete të shquara në lëmin e atdhetarisë dhe të gazetarisë shqiptare, sikurse shkruan editori Anton Çefa.
Kështu njeri pas tjetrit editorë të Diellit, sipas radhës kanë qenë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni P. Hristo, Andon S. Frashëri, Andrea D. Elia, Nelo Drizari, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço.
Më vonë, në vitet 1990-1994, gazeta ka kaluar në duar të ndryshme. Në vitin 1990: Din Derti; 1991: prof. Arshi Pipa (korrik, gusht-shtator); Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, me asistencën e Tahir Deskut (tetor-nëntor); prof. Arshi Pipa (dhjetor); 1992: prof. Arshi Pipa (janar, shkurt, mars, prill, maj-qershor); Agim Karagjozi, Gjon Buçaj (korrik-nëntor) ; 1993: Agim Karagjozi (janar-qershor, korrik-tetor, nëntor-dhjetor); 1994: Agim Karagjozi (janar-shtator); Anton Çefa (tetor-dhjetor 1994 deri në numrin e fundit korrik-dhjetor 2006) etj.
Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me Vatrën dhe Diellin. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i Diellit.
Shqetësimet e tij për gjendjen e Vatrës, në këtë kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në Dielli, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në Diellin e 28 shkurtit, 1987.
Më duket se Arshiu ka dhënë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”.
Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të Vatrës dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja që i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji shërbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cënohen ose rrezikohen”.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i Vatrës, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh.
Ai e mori kryesinë e Vatrës me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës.
Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së Vatrës, dhe kreu shumë punë me vlerë.
Në Albanica, në nr. 3-4 të vitit 1992, në shkrimin On Vatra and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to.
Prof. Pipa si arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar, i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.
.