back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Ç’është “Vatra”? – nga Bahri Omari

Gazeta

Vatra - Dega e 4
Vatra – Dega e 4

Ç’është “Vatra”?

nga Bahri Omari*

Shumë atdhetarë nga koha në kohë përpiqen t’i hedhin gurë Vatrës dhe kërkojnë të dinë se ç’ka bërë Vatra. Federata Vatra është e vetëmja shoqëri që ka përhapur arësimin midis shqiptarëve. Gjysmët e atyre që dinë të shkruajnë e të këndojnë këtu n’Amerikë, pa dyshim janë mësuar nga pemët e propagandës kombëtare që ka përhapur shoqëria jonë më të katër anët e Amerikës.
Instituta jonë u mësoi parimet konstitucionale gjithë shqiptarëve t’Amerikës. Sot më çdo kolloni që të vesh, gjen shqiptarë të stërvitur mirë, të cilët dinë të organizojnë një mbledhje, dhe dinë pak a shumë t’i mbajnë bisedimet pas parimeve të shoqërive.
Shqiptarët e Amerikës në kanë marrë pjesë në jetën shoqërore, s’ka asnjë dyshim që e kanë fituar me anën e Vatrës. Edukatën që u mungonte nga Vatra e kanë marë. Njëherë e një kohë shumë pak do gjenje shqiptarë që të dinin të shkruanin e të këndonin, po sot ka me qindra, me mijëra.
Ndofta disa do duan ta xhveshin Vatrën nga këto shërbime që i ka bërë kombit duke thënë se lëvizjet nëpër kollonitë i bën njëri e tjetri. Dhe këtu është moskuptimi. Vatra është si një gjeneral që komandon një ushtëri, e cila, po të dalë fitimtare, nderin e math e merr gjenerali dhe jo ushtarët, të cilët derdhin edhe gjak, se ay është timoni i punës, ay është që bën plane për të dërmuar armikun.
Pastaj Vatra është ajo e vetëmja shoqëri që e ka bërë të njohur në qarket dipllomatike të Evropës çështjen tonë dhe të drejtat me çdo farë mënyre. Për këtë qëllim ka derdhur mijëra dollarë. Me t’atilla veprime Vatra u bë shoqëria që simbolizon një politikë fjeshtë kombëtare, duke mos anuar as nga ndonjë anë dhe duke mos u bërë vegël e asnjë propagande të huaj.
Cilado qeveri që ka pandehur ta bënte vegël për politikë të saj shoqërinë tonë, e mori vesh që i goditte sëpata më gur. Armiqtë tanë e kanë halë në sy se e çmojnë që, në ka një organizim që t’i japë jetë çështjes shqiptare, është Vatra. Sot çdo qeveri, si Amerika dhe të tjera, Vatrën pyesin për çështjen tonë, nga ajo shpresojnë që munt të marrin informata të plota dhe të sigurta.
Situata e Shqipërisë i rëndon barrën shoqërisë sonë që të bëjë detyrën e qeverisë dhe ta kapërcejë kufin’e programit. Vatra shërben më tepër se ç’e detyron programi i saj. Prandaj meriton me të vërtetë të jetë Kruja e Shqiptarëve, se gjithë andej presim të dalë ëngjëlli i lirisë dhe t’i japë frymën shenjtërore Shqipërisë.
Shoqëria jonë e lavdëruar, e ka rrëfyer që është mpështetja jo vetëm e anëtarëve të saj, po e gjithë shqiptarëve, se ka ndihmuar me sa i është mundur çdo shqiptar me çdo rasje. Përveç shërbimeve të para, Vatra, në këto dy vjetët e fundit, u përpoq t’i mirëpriste dhe t’i lehtësonte gjithë shqiptarët që vinin n’Amerikë, duke emëruar një përfaqësonjës të saj në zyrën e imigratës të New Yorkut. Pastaj që të muntte të kërkonte të drejtat e Shqipërisë për s’afërmi, bëri atë punën më të madhe duke emëruar tre delegatë n’Evropë, dhe për këtë gjë mblodhi një fond që s’e ka mbledhur asnjë organizim tjatër i shqiptarëve.
Pra Vatra është e vetëmja shoqëri që e përfaqëson çështjen tonë në të huajtë. Ajo është që u interesua të çajë orizontet me qindra telegrame kur ka ardhur rasti. Dhe gjithë këto, Vatra i ka bërë midis shqotave dhe furtunave, se gjithënjë grindavecët kanë dashur ta luftojnë. Prandaj ndihmojeni shoqërinë tonë të madhe duke u bërë anëtarë të saj, që të mundë të vazhdonjë veprën e saj të shenjtë.
.
*Ish editor i Gazetës Dielli.
Ky shkrim ishte editorial i Diellit te 19 dhjetorit 1917

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.