back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Historia e miratimit të dekretit të terrorit – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Ligjet e vitit 1951
Ligjet e vitit 1951

Historia e miratimit të dekretit të terrorit

nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1951, kur vendi ende s’kishte një Kod Penal, u miratua një dekret i marrë nga Bashkimi Sovjetik, sipas së cilit gjykimet për “terrorizëm” bëheshin shpejt dhe pa u ankimuar. Çudia është se ky dekret i miratuar nën valët e hakmarrjes për dinamitin që u hodh në legatën sovjetike, nuk u aplikua në asnjë rast. Nismën e mori qeveria. Sipas procesverbalit, kanë folur vetëm dy zyrtarë. I pari, kryeministri Enver Hoxha ka thënë: “Ky (dekret) nuk ka ekzistuar në legjislacionin tonë, prandaj mendojmë të ekzistojë. Materiali është përgatitur mirë”. Më pas, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, tha se projektligji u propozua nga Gjykata (e Lartë) Ushtarake dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ai e cilësoi dekretin “shumë të domosdoshëm” dhe se kjo ministri ishte në gjendje t’i mbaronte proceset. Me praktikë sekrete, me vendimin nr. 150, datë 26.02.1951, Këshilli i Ministrave miratoi projekt-dekretin “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, të cilin ia dërgoi për miratim Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në raportin justifikues thuhej: “Legjislacioni që kemi deri sot në fuqi, nuk lejon që të goditen me shpejtësinë e duhur organizatat terroriste dhe terroristët që veprojnë kundër punonjësve të pushtetit popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Projekt-dekreti që ju paraqesim për aprovim, jep të gjitha mundësitë për të kryer një veprim gjyqësor të shpejtë, të drejtë dhe revolucionar. Për të kryer veprimet gjyqësore të shpejta, ligji ndalon pjesëmarrjen e palëve dhe të drejtën e kërkesës për faljen e jetës, d.m.th. ndalon pjesëmarrjen e prokurorit dhe të avokatit në zhvillimin e gjyqit, nuk lejon të dënuarin të bëjë rekurs në instanca më të larta gjyqësore dhe kërkesën për faljen e jetës te Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ky dekretligj është marrë nga legjislacioni sovjetik”. Presidiumi i Kuvendit Popullor u mblodh në orën 19.00 të datës 26.2.1951 me praninë e 11 anëtarëve. Sekretari lexoi projektin dhe relacionin. Asnjë anëtar nuk bëri pyetje.
.
Dekretet e terrorit
Dekretet e terrorit

***

Dekreti nr. 1223, 26.2.1951 i Presidiumit të Kuvendit Popullor, “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, nënshkruar nga kryetari Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli
Në mbështetje të nenit 58, pika nr. 6 të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë, me propozimin e qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nxjerr këtë dekret: “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”.
 
Neni 1
Hetimet në lidhje me veprimtarinë e organizatave terroriste dhe akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, duhet të përfundojnë brenda një kohe jo më të gjatë se 10 ditë.
 
Neni 2
Aktakuza i dorëzohet të pandehurit një ditë përpara shikimit të çështjes në gjyq.
 
Neni 3
Gjyqi bëhet pa pjesëmarrjen e palëve.
 
Neni 4
Rekursi kundër vendimit si dhe paraqitja e kërkesave për falje nuk lejohen.
 
Neni 5
Vendimi në masën ndëshkimore më të lartë ekzekutohet menjëherë pas dhënies së vendimit.
 
Neni 6
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
.
E enjte, Gazeta 55, 27 shkurt 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.